Me një ceremoni zyrtare, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit bëri hapjen solemne të lokalit afarist “KONAKU”, i cili gjendet në hapësirën (oborrin) e xhamisë “Sinan Pasha” në Prizren.
Pastiçeria “KONAKU”, të cilën e menaxhon Këshilli i BI-Prizren, do të ofrojë lloje të ndryshme për konsumim, si: ëmbëlsira, akullore, kafe, çaj, pije freskuese, lëngje, etj., e të gjitha këto, në një ambient fantastik relaksues, në zemër të Prizrenit, me një shërbim efektiv.
Lokali ka karakter joprofitabil dhe të hyrat e tij janë të dedikuara për çështje humanitare, ndërtim të xhamive, hapje të foshnjoreve, mbajtjen e jetës fetare islame, etj. Që do të thotë se, çdo mirësi që vjen prej popullit, do t’i kthehet përsëri popullit, ashtu që, bashkërisht të kontribuojmë në përmirësimin e përgjithshëm të jetës shoqërore, fetare e kulturore.
Përkrahja masovike e këtij ambienti afarist, i shtonë mundësitë tona për kontribut më të madh. E ripotencojmë se Bashkësia Islame është e vetmja bashkësi fetare në vend, që fund e krye, është product i këtij populli dhe, selinë kryesore e ka brenda në Kosovë (Prishtinë), e jo jashtë saj. Funksionimi i Bashkësisë Islame është i ndërtuar ndër shekuj, mbi ndihmat solidare të xhematit. Fatkeqësisht, Republika e Kosovës nuk ndanë asnjë cent për Bashkësinë Islame dhe, kjo përbën një dëmtim serioz, për dallim nga bashkësitë e tjera, që përfitojnë buxhet stabil nga qendrat e tyre amë, pra jashtë Kosovës.
Por, kjo nuk e bën Bashkësinë Islame , më të vogël e as më të parëndësishme. Jo, absolutisht, sepse, Bashkësia Islame e Kosovës – Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit është thesar i popullit. Falë këtij populli shpirtmadh, falë xhematit e bëmirësve të ndryshëm ndër breza, KBI-Prizren, arrinë që të tejkalojë çdo sfidë dhe të përmbushë obligimet ndaj besimtarëve.
Shpresojmë se ky lokal, do të jetë një mbështetje solide për Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, si gjithmonë, në punën e tij fisnike për të mirën e të gjithë qytetarëve.
Për hajr, ky lokal, për të gjithë, sepse është i të gjithëve…!