Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, me një program modest tradicional (Kur’an, ligjëratë, mevlud, ilahi, salavate, dua, etj.) e shënoi ngjarjen madhështore të Israsë dhe Mi’raxhit, në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, pas namazit të akshamit.
Israja dhe Mi’raxhi, është ai momenti i jashtëzakonshëm, kur Allahu i Madhërishëm e udhëtoi robin e Tij, Muhamedin a.s., me trup e shpirt, nga Mekka në Mesxhidi Aksa, në Jerusalem dhe nga aty në mbi shtatë palë qiej e deri në “Sidretu’l Munteha”.
Në këtë udhëtim qiellor, Allahu bisedoi drejtpërdrejt, pa ndërmjetësues, me Muhamedin a.s., ia mundësoi që t’i shohë shumë gjëra prej madhështisë së fuqisë së Krijuesit Fuqiplotë. Në Kur’an, Allahu dëshmon: “Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm, 18). Pra, e pa atë që e pa, pa shumëçka, që për mendjen njerëzore janë krejtësisht të paarritshme.
Njerëzit e besojnë miraxhin e Pejgamberit a.s., por, atë e përjetojnë vetëm besimtarët që falin namazin për hirë të Allahut, si dhe ata që e përkujtojnë këtë ngjarje madhore, me mendje, zemër e shpirt, sa herë që vije ajo.
Këtë kënaqësi, e patën të gjithë ata që dëgjuan këshillat e mulla Reshat ef. Mexhitit – zv.Myfti i Republikës së Kosovës, pastaj fjalët brilante të kryetarit të Këshillit të BI-së Prizren, efendi Besim Berisha, po edhe programin me mjaft inspirim të realizuar nga imamët ballëlartë të qytetit tonë, Prizrenit.
Zot i Madhërishëm, na ndihmo në këtë botë dhe në ditën kur do të dalim para Madhërisë Tënde, për llogaridhënie…!