Me moton “Takimi me namaz – eja edhe ti”, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, OJQ “Arasta” dhe Shoqata e Stambollit me seli në Prizren, në organizim të përbashkët, kanë filluar këtë aktivitet fetaro-kulturor, i cili zhvillohet të dielave, pas namazit të sabahit në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren. Allahu ka thënë “… me të përmendurit e Allahut, qetësohen zemrat…” E, falja e namazit të sabahit, njeriut ia mundëson një gjë të tillë. Pas kësaj, njeriu është i mbushur me entuziazëm konstruktiv, i dëlirë nga idetë destruktive. Çdo gjë përreth tij, mbi të gjitha e shikon me sytë e zemrës. Mundohet ta japë maksimumin për interesin e përgjithshëm. Shqetësohet për mynxyrat që ndodhin, ndërsa i gëzohet të mirave. E falënderon Allahun vazhdimisht. Në epiqendër, nuk është vetja e tij, por bëmirësia dhe dashuria për të tjerët. Ai, mbase është i vetmi që nëpërmjet natës e sheh agimin e ditës, gjersa të tjerët vazhdojnë të vonohen në gjumin e përtacisë. Zgjohu herët, eja dhe ti, bashkërisht të falim namazin, të kënaqemi me Kur’an, të dëgjojmë këshillën e hoxhës dhe të bisedojmë për sfidat e jetës së përditshme! Besa, të hajmë edhe nga një topli të nxehtë të Prizrenit, me çaj?! Bujrum, bëhu pjesë e lutjes së Pejgamberit a.s.: “Allahu im, begatoji të hershmit e ymmetit tim!
(Në takimin e datës 16.04.2017 imam ishte Mervan ef. Berisha, ndërsa në takimin e datës 23.04.2017, Dr. Edib ef. Abazi). Vazhdojmë…!