Në kuadër të Muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit organizoi Mevlud tradicional, me rastin e përkujtimit të 10 vjetorit të vdekjes së rahmetlisë Mulla Kasam ef. Limani. Tubimi u mbajt në xhaminë “Dëshmorët – Marttirët” në Prizren, dhe pati shumë pjesëmarrës. Përveç pjesës fetare të programit, pati edhe fjalime nga personalitetet që e kanë njohur mulla Kasamin. Kryeimami evokoi momente nga takimet me mulla Kasamin, ndërsa nipi i tij Enes ef. Limani e lexoi një biografi të shkurtër.
Mulla Kasam ef. Limani është I lindur më datë 25.04.1906 në fshatin Bresanë të Komunës së Sharrit (ish-Dragash) nga babai Hyesini dhe nëna Gjylnaze.
Mësimet e para i filloi te mulla Isak Kuklibegu, kurse mësimet e mëtejshme i vazhdoi te mulla Mehmedi i Bresanës dhe te mulla Rexhep Rexhepi ku u diplomua në Medresen e Prizrenit. Mulla Kasami, do të mbetet sinonim për kontribut të gjatë në rrugë të Zotit xh.sh. Shërbimi i tij për afër 80 vite angazhim, pa dyshim do të mbetet prej rasteve të rralla. Menjëherë pas diplomimit në Medresenë e Prizrenit, fillon punë si imam në fsh. Zabërxh – komuna e Pejës (10 vjet); pastaj në fshatin Pllajnik – komuna e Dragashit (4 vjet); fsh. Drenovc të Zatriqit – komuna e Rahovecit (9 vjet); fshatin Xërxë – komuna e Rahovecit (2 vjet); fshatin Atmaxhë – komuna e Prizrenit (9 vjet); fsh. Hoqa e Qytetit – komuna e Prizrenit (18 vjet). Prej vitit 1969 do të shërbejë në fshatin Leskovec – komuna e Prizrenit për 18 vite radhazi. Edhe pse i pensionuar në vitin 1974, Mulla Kasami nuk do të ndalet në shërbim të popullit. Për 4 vite ka shërbyer imam në fsh. Hoqa e Vogël komuna e Rahovecit. Pastaj ka qenë imam për 1 vit në xhaminë e ‘Hoqa Mahallës’ në Prizrenit, dhe për 1 vit e gjysmë në xhaminë e Osmanit r.a. po ashtu në Prizren dhe në shumë vende të tjera duke shërbyer vetem për Ramazan
Në detyrën e tij si hoxhë, Mulla Kasami la gjurmë tek xhemati. Ai, vdiç në moshën 100 vjeçare dhe u varros me nderime të larta fetare e atdhetare me 13 dhjetor 2006, në Prizren.
E lusim Allahun që rahmetli Mulla Kasamin ta bashkojë me shpirtin e pejgamberëve dhe shehidëve dhe ta shpërblejë me xhenneti Firdevs, inshallah.