Në kuadër të Muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit organizoi Mevlud tradicional, me rastin e përkujtimit të 10 vjetorit të vdekjes së rahmetlisë haxhi hfz. Jakup Dukagjini Muqeziu. Tubimi u mbajt në xhaminë “Emin Pasha” në Prizren, në të cilën ka shërbyer për shumë vite me radhë hfz. Jakupi, dhe pati shumë pjesëmarrës. Përveç pjesës fetare të programit, pati edhe fjalime nga personalitetet që e kanë njohur hfz. Jakupin. Kryeimami Ali ef. Vezaj, prof. Reshat ef. Mexhiti dhe imami I xhamisë, hfz. Daut Lezi evokuan momente interesante nga jeta e tij. Po ashtu foli edhe Bashkim Çabrati në cilësinë e nxënësit si dhe nipi i tij Abdulnaser Sejfija, I cili e lexoi një biografi të shkurtër.
Hafiz Jakub Muqeziu u lind në Prizren në vitin 1919. Hafizllëkun e ka kryen në moshën 18 vjeçare. Vlen të përmendet se hfz. Jakupi ka qenë një hoxhë i vërtetë dhe kontribues i madh për çështjen kombëtare shqiptare. Për shkak të pikëpamjeve patriotike, regjimi serb i kohës, e dënoi hfz. Jakupin me vdekje, i cili dënim më pastaj i shëndrrohet në burgim efektiv në kohëzgjatje prej 20 vitesh, prej të cilave i mbajti më se 12 vjet burg, nëpër kazamatet e Nishit, duke punuar punë të rëndë fizike. Pas daljes nga burgu, për një kohë nuk iu lejua që të ushtrojë detyrën e imamit, gjersa në vitin 1969 emërohet imam në xhaminë e Emin Pashës ku shërbeu plot 35 vite gjer në vitin 2004 kur doli në pension. Në dtyrën e tij si hoxhë, hfz. Jakupi la gjurmë tek xhemati. Hafiz Jakub Muqeziu u varros me nderime të larta fetare e atdhetare me 13 dhjetor 2006, në Prizren.
E lusim Allahun e Madhërishëm, që rahmetli hfz. Jakupin ta bashkojë me shpirtin e pejgamberëve dhe shehidëve dhe ta shprmblejë me xhenneti Firdevs, inshallah.
Për një biografi më të zgjeruar për hfz. Jakupin, shih:
http://drejtesia.blogspot.com/2008/02/haxhi-hafiz-jakub-dukagjini-muqeziu.html