Për nder të datëlindjes së Muhamedit a.s., Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, organizoi program fetar, që përmbante: Kur’an, ligjëratë, pjesë të mevludit, Ilahi, etj. Programi u realizua nga imamët e KBI-së Prizren dhe u mbajt në xhaminë Antalija në Prizren, më datë 12.12.2016, pas namazit të jacisë.
Pejgamberi Muhamed a.s. u lind në Mekkë, në vitin 571 të kalendarit miladi, nga baba Abdullahi dhe nëna Emine. Në vitin 610 atij i filloi zbritja e Kur’anit nga Allahu, nëpërmjet melekut Xhibril. I Dërguari i Allahut vdiç në Medinë në vitin 633 në moshën 63 vjeçare, duke i lënë njerëzimit thesarin e udhëzimit për në rrugën e drejtë. Para vdekjes së tij, ai pati lënë një porosi: “Unë po ju lë juve dy gjëra, dhe gjersa i përmbahuni atyre kurrë nuk do të humbasni nga rruga e drejtë, e ato janë: Kur’ani – Fjala e Allahut dhe Sunneti – tradita ime si i Dërguar i Allahut.”
Gjatë muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, do të organizojë edhe disa programe fetare, nëpër xhamitë e qytetit të Prizrenit dhe të fshatërave.