
Sërish vjen Marsi, sërish trazohen emocione të përziera mes dhimbjes për humbjen e njerëzve tanë dhe gëzimit për lirinë që sot ne gëzojmë. Sërish e shënojmë këtë muaj me shumë krenari kur për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli haptaz për të mbrojtur Atdheun nga armiqtë. E si mund ta shënojmë këtë arritje më mirë dhe më bukur se sa duke ia mësuar brezave të rinjë historinë e kombit tonë drejtëpëdrejtë nga njerëz që i përkasin vetë historisë. Kështu veproi sot mualimja Shenaj Maksuti me nxënësit e mektebit të Skorobishtit, duke i dërguar ata për vizitë tek kryeimami i KBI-Prizren, Orhan ef. Bislimaj, i cili ishte në radhët e UÇK-së dhe përjetoi nga afër skena nga më drithërueset dhe emocionueset gjatë zhvillimit të luftës.
Aty ai u foli fëmijëve për përjetime të ndryshme, për sakrificat që paraardhësit e tyre bënë që sot ata të jetojnë në liri të plotë. Mes emocionesh të shumta ai u përcolli fëmijëve mesazhe të ndryshme, ndër to: Dija dhe Feja janë armët më të forta për të mposhtur armikun! Andaj kërkoni diturinë pa pritesë dhe qëndroni në rrugën e Zotit sepse kështu do ta mbroni Atdheun dhe do ta qoni në vend amanetin e të parëve tanë të cilët dhanë jetën e tyre për ne sot!
Allahu i pranoftë dëshmorë të gjithë të rënët e lirisë, ndërsa fëmijët tanë i bëftë krenari të kombit tonë!