Shihabud-din Mahmud el Alusi (1217 h.-1270 h)
dhe tefsiri i tij
“RUHUL MEANI FI TEFSIRIL KUR’ANI-L ADHIM
VE-S-SEB’IL METHANI”
Biografia e Alusit
Ebu Thena’ë Shihabud-din Mahmud bin Abdullah el Alusi el Bagdadi u lind në vitin 1217 h. në Bagdad. Origjina familjare e të parëve të tij është nga fshati Alus, një vend në gjysmën e rrjedhës së lumit Eufrat, mes Bagdadit dhe Shamit (Sirisë).
Alusi u lind dhe u rrit në një familje që vlerësonte lart dijen dhe ishte e ngritur në aspektin shkencor, sidomos në shkencat islame. Babai i tij ishte një prej dijetarëve më të mëdhenj të Bagdadit.
Tërë ky ambient i përshtatshëm islam, la gjurmë të pashlyeshme në zemrën e djaloshit të vogël, kështu që me 13 vjetët e tij, tashmë ishte në gjendje që të tjerëve t’u jepte mësim, e madje edhe të shkruante vepra.
Mësuesi i tij i parë ka qenë babai i tij, pastaj Ali es-Suvejdi dhe Shejh Halid el Kurdi el Mexhdi en-Nakshebendi, i cili kishte lënë një ndikim të madh në të. Ky zaten edhe kishte ndikuar që Alusi të jepej edhe pas sufizmit, mendime të cilat shpeshherë i ka shprehur edhe në faqet e tefsirit të tij “Ruhul Meani…”.
Në vitin 1248 h. mori postin e myftiut të Bagdadit, të cilin e kreu për vite. Në aspektin juridik një kohë pasoi medhhebin e Shafiut e pastaj kaloi në atë hanefi, ku pas një kohe mori edhe rolin e drejtuesit të kësaj shkolle juridike.[1] Njerëzit me admirim shikonin dijen e tij, e madje edhe vetë sulltani, por si pasojë e një komploti (intrige), për një kohë u izolua nga bota dhe u shkarkua nga pozita e myftiut të Bagdadit.
Dija e madhe e Alusit dhe sukseset e tij në jetë, shkaktuan ndjenja të xhelozisë tek disa mendje të sëmura. Kishte shumë njerëz të tillë që kishin smirë ndaj Alusit , prandaj edhe u përpoqën ta thyenin shpirtërisht, duke e paraqitur figurën e tij në mënyrë të shëmtuar para mëkëmbësit të ri të Bagdadit- Muhamed Nexhip pashës. Ata ndaj Alusit shpifën madje edhe gjëra të paqena, si f.v. se ai gjoja ishte një vegël në duart e konsullit francez në Bagdad, se ishte selefi i përbetuar etj. Tërë këto intriga bënë që mëkëmbësi i ri i Bagdadit ta ndërronte atë nga detyra e myftiut, pastaj t’ia ndalonte të mbante ligjërata para studentëve, dhe faktikisht e mbylli në burg shtëpiak. Njerëzit dalëngadalë filluan të largoheshin prej tij, kështu që për një kohë arriti në prag të një varfërimi total.
Në një gjendje të tillë izolimi, e cila zgjati 1 vit e gjysmë, ishte i shtrënguar të merrte udhën për në Stamboll që të ankohej tek sulltani për këto padrejtësi ndaj tij. Rastisi që në këtë kohë të kishte përfunduar edhe tefsirin e tij, të cilin e kishte marrë me vete për t’ia treguar sulltanit. Ishte kjo në muajin Rebiul Ahir të vitit 1267 h., kur ai ishte pesëdhjetë vjeç. Në Stamboll së pari u takua me Shejhul Islamin-Muhammed Arif Hakem, i cili e priti si më së miri dhe i shkroi një letër rekomandimi tek sulltan Abdul Mexhidi, i cili, pasi e pranoi dhe mësoi për vlerën e tefsirit, që sapo e kishte përfunduar, ia caktoi një pagë të përhershme mujore dhe e luti të rrinte tek ai në pallat për një kohë. Në pallatin e sulltanit qëndroi për njëzet e një muaj, pastaj u kthye në Bagdad dhe pas një kohe shumë të shkurtër, në vitin 1270 h., vdiq në Kerh.[2]
Veprat e tij
Alusi është autor i shumë veprave me vlerë. Ndër veprat e tij më të njohura konsiderohen:
1. “Ruhul Meani…” –Tefsiri i tij i mirënjohur, për të cilin do të bëjmë fjalë në vazhdim, pastaj
2. “Hashijetu alel Katr”, të cilin libër e kishte shkruar në rininë e tij dhe kishte vazhduar të punonte në të gjatë tërë jetës deri në vdekje, por që megjithatë nuk kishte arritur ta përfundonte. Këtë vepër të çmueshme e ka përfunduar më pas djali i tij Sejjid Nu’man el Alusi.
3. “Sherh es-Selmi fil Mantik” – Libër në shkencën e logjikës, e cila ka humbur dhe nuk ekziston më as në dorëshkrim.
4. “El-Exhvibetu el Irakije alel es’ileti el-Lahorije”
5. “El-Exhvibetu el Irakije alel es’ileti el-Iranije”
6. “Durretul Gavvas fi evhami-l-Havvas”
7. “En-Nefehat el Kudsijje fi mebahith el Imamije”, dhe
8. “El-Fevaid es-Sunnije fi Ilm Adab el bahth”[3].
Tefsiri i Alusit
“Ruhul Meani fi tefsiril Kur’ani-l adhim ve-s-seb’il methani”
Si i lindi ideja për këtë tefsir
Qysh në parathënien e tefsirit të tij “Ruhul Meani…”, Alusi tregon për rrethanat që i paraprinë shkrimit të këtij tefsiri. Ai rrëfen se qysh kur ishte fëmijë, kishte dëshirë të mësonte dhe të studionte Kur’anin, madje ai fare nuk u bashkohej moshatarëve të tij në lojë, por më me ëndje ulej në një qoshe dhe mësonte e studionte Kur’anin. Tërë kjo dashuri ndaj fesë dhe studimit të Kur’anit bëri që Alusi qysh në rininë e tij të hershme, të shquhej për zgjuarsi dhe dije të madhe. Madje kur ishte në moshën 20 vjeç i kishte lindur ideja të shkruante një tefsir të Kur’anit. Por, megjithatë nuk e bënte nga frika në mos po gabonte diçka gjatë komentimit të Librit të Allahut. Mirëpo në vitin 1252 h. në një natë të xhumasë të muajit Shaban, kishte parë një ëndërr (ru’ja), në të cilën Allahu xh.sh. e kishte urdhëruar të mbështillte (bashkonte) qiejt dhe Tokën, meqë ishin ndarë… Alusi rrëfen: Njërën dorë e zgjata mbi qiej, kurse tjetrën e lëshova në ujë… dhe pastaj më doli gjumi. Kjo ëndërr më bëri shumë përshtypje dhe kërkova me ngulm shpjegimin e ëndrrës e domethënien e mundshme të saj, derisa në një libër nuk gjeta një shpjegim, se ajo ëndërr kishte të bënte me shkrimin e një tefsiri (komentimi) të Kur’anit nga ana ime. Atëherë më nuk kisha mëdyshje dhe e luta Allahun Fuqiplotë që të më ndihmonte në këtë punë që do ta nisja. Ishte kjo nata e 16 e muajit Shaban, kur fillova të shkruaja Tefsirin, e atëbotë isha 34 vjeç.”[4]
Kur ishte para përfundimit të tefsirit, u mendua se si ta emërtonte dhe nuk po gjente dot një emërtim adekuat, në të cilin t’i flinte zemra. Këtë hall të tij ia kishte treguar ministrit, Ali Riza pashës, i cili, pasi kishte lexuar një pjesë të këtij tefsiri, i kishte propozuar titullin: “RUHUL-ME’ANI FI TEFSIRIL-KUR’ANIL-ADHIMI VES-SEB’IL-METHANI”, – Shpirti i domethënieve në komentimin e Kur’anit madhështor dhe shtatë ajetet që përsëriten (Fatihaja).
Alusit menjëherë i pëlqeu ky emërtim dhe pranoi që tefsiri i tij të kishte këtë titull. Tefsirin e kishte përfunduar në fund të muajit Rebiul Ahir të vitit 1267 h., që do të thotë pas plot 15 vjetësh nga dita e fillimit.
Kjo tregon për seriozitetin e qasjes së Alusit ndaj tefsirit të Kur’anit, sepse ai nuk dëshironte të shkruante me shpejtësi, por preferonte të shkruante më ngadalë dhe tefisiri i tij të kishte një vlerë e domethënie të madhe.
Biografët që u morën me jetën e Alusit, tregojnë disa detaje interesante sesi e kalonte ai kohën. Ditën jepte fetva dhe i mësonte të tjerët, në pjesën e parë të natës shoqërohej me një grup njerëzish, të cilët ishin të etshëm për njohuritë e tij nga tefsiri, ndërsa, në pjesën e fundit të natës, vazhdonte të shkruante në tefsirin e tij. Atë që e shkruante natën, të nesërmen në mëngjes Alusi ua jepte studentëve (nxënësve) të tij ta përshkruanin me bukurshkrim. Vlen të theksohet se për të shkruar atë që ai e kishte shkruar për pak orë, studentëve u duheshin deri dhjetë orë.
Pozita e tefsirit të Alusit në mesin e tefsireve të tjera
Mund të themi lirisht se tefsiri i Alusit është një enciklopedi e vërtetë në lëmin e tefsirit. Ani pse në tefsirin e tij mund të hasim shumë transmetime të përcjella nga gjeneratat e para, megjithatë në këtë tefsir më shumë mbretëron komentimi i lirë, i bazuar në ixhtihadin e tij personal, dhe ai është prej tefsireve të vëllimshme.
Alusi në Tefsirin e tij shkriu tërë talentin dhe afinitetin që ia kishte dhuruar i Madhi Allah, kështu që tefsiri i tij për një kohë të shkurtër u bë një enciklopedi e vërtetë e qëndrimeve, si atyre tradicionale ashtu edhe atyre racionale.
Alusi në tefsirin e tij kishte gërshetuar tradicionalen dhe racionalen, kështu që nëpër fletët e tefsirit të tij mund të hasim citate nga tefsiri i Ibn Atijes, i Ebu Hajjanit, Ebu Suudit, Bejdaviut, Rraziut, Kesh-shafit etj.
Ai, kur cekte mendimet e Ebu Suudit, Bejdaviut dhe Rraziut, zakonisht merrte pozitën e një arbitri kritik lidhur me mendimet e tyre. Ai në këso raste shpeshherë merrte qëndrim tjetër nga ai i Ebu Suudit, Bejdaviut, apo të tjerëve. Pastaj në shumë raste nuk pajtohej me disa nga qëndrimet e Rraziut rreth disa çështjeve juridike, dhe përpiqej të argumentonte të kundërtën e mendimeve të tij, duke i dhënë përparësi qëndrimit të hanefinjve në këto raste.
Kishte raste kur pajtohej me mendimin e ndonjë dijetari, por ai sillte edhe disa argumente shtesë për ta përforcuar edhe më tej atë mendim.
Ai, kur citon fjalët e mufessirëve para tij, i citon me ofiqet e tyre. P.sh. kur thotë: “ka thënë “Shejhul Islam”, ka për qëllim Ebu Suudin; kur thotë: “Kadi”, ka për qëllim Bejdaviun; kur thotë “Imami”, ka për qëllim Fahru Rraziun etj.
Një karakteristikë e tefsirit të Alusiut është se ai, edhe pse herë-herë di të zgjerohet, megjithatë nuk del nga kornizat e përcaktuara të tefsirit, gjë që tregon se ai vërtet kishte një talent të rrallë të dhuruar nga ana e Allahut xh.sh.
Qëndrimi i tij ndaj fraksioneve të ndryshme
Alusi ishte një ndër pinjollët më të denjë të Ehli Synetit, dhe në çdo rast që i jepej, ai mbronte me ngulm qëndrimet e këtij drejtimi. Alusi shpeshherë kritikonte qëndrimet e mu’teziles, shiinjve dhe fraksioneve të tjera, të cilat nuk përputheshin me parimet e Ehli Synetit.
F.v., kur komenton fjalët e Allahut:
خَتَمَ اللّهُ عَلَى قُلُوبِهمْ وَعَلَى سَمْعِهِمْ وَعَلَى أَبْصَارِهِمْ غِشَاوَةٌ وَلَهُمْ عَذَابٌ عظِيمٌ
“Allahu ua mbylli atyre zemrat, veshët e tyre dhe në të pamët e tyre ka një perde, e ata kanë një dënim të madh.” (El-Bekare, 7), ai shpjegon hollësisht se Allahu vërtet ua vulos disa njerëzve zemrat, veshët dhe sytë, dhe ata nuk e shohin realitetin. Në këtë rast ai kritikon ashpër Zemahsheriun, i cili në lidhje me këtë ajet thotë se ky veprim nuk bën t’i mvishet Allahut, por me urdhrin e Tij, këtë e realizon dikush tjetër, si f.v. shejtani!!![5] etj. Nga kjo vërejmë se Alusi vërtet kishte një qëndrim të shëndoshë kritik kundër Zemahsheriut, duke e kundërshtuar mendimin e tij me argumente të qëndrueshme të dijetarëve të Ehli Synetit.
Një tjetër shembull që ai kundërshton shiinjtë dhe qëndrimin e tyre nënçmues ndaj ashabëve të Resulullahut s.a.v.s., është kur komenton ajetin 11 të sures El-Xhumua:
وَإِذَا رَأَوْا تِجَارَةً أَوْ لَهْوًا انفَضُّوا إِلَيْهَا وَتَرَكُوكَ قَائِمًا قُلْ مَا عِندَ اللَّهِ خَيْرٌ مِّنَ اللَّهْوِ وَمِنَ التِّجَارَةِ وَاللَّهُ خَيْرُ الرَّازِقِينَ
“Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng, mësyjnë atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek Allahu, është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!” (El-Xhumua, 11).
Lidhur me këtë ajet, shiinjtë mundohen të nënçmojnë të gjithë ashabët, të cilët në një rast, gjatë faljes së namazit të xhumasë, e kishin lënë vetëm Muhamedin a.s. tek mbante hytben, dhe kishin dalë të prisnin një karvan me ushqime, që kishte arritur në Medinë. Shiinjtë thonë se ashabët e Muhamedit a.s. i kishin dhënë përparësi tregtisë dhe dëfrimit të kësaj bote ndaj ibadetit dhe namazit, kështu që prej tyre nuk duhet pranuar asnjë hadith, përveçse prej pjesëtarëve të denjë të Ehli-bejtit.
Alusi, duke komentuar këto ajete, jep shenjë se kjo ngjarje kishte ndodhur sapo kishte ardhur Pejgamberi a.s. në Medinë, kur ende shumica e dispozitave ligjore nuk kishin zbritur; pastaj atëbotë kishte një krizë të madhe për ushqimet, kështu që një grup i ashabëve, po kurrsesi jo të gjithë, siç shpifin shiinjtë, kishin lënë xhumanë dhe kishin dalë për të pritur karvanin, për se ishin qortuar publikisht edhe nga ana e Allahut xh.sh., por pa ndonjë sanksion a dënim ndaj tyre.[6]
Qëndrimi i Alusit në këtë rast është se ai vihet në mbrojtje të dinjitetit të ashabëve, sepse shumica megjithatë kishin ndenjur në xhami pranë të Dërguarit të Allahut.
Komentimi i ajeteve dispozita
Meqenëse ishte myfti dhe njohës i mirë i Sheriatit e i dispozitave ligjore, Alusi shumë herë zgjerohej në komentimin e ajeteve të ndryshme, që kishin të bënin me dispozita. Ai në këto raste paraqet argumentet e të gjitha shkollave juridike islame, për ta përmbyllur pastaj me mendimin e hanefinjve. Ai shpeshherë në tefsirin e tij thotë: “Qëndrimi i medhhebeve të tjera në lidhje me këtë është ky….mendim, ndërsa qëndrimi i medhhebit tonë (hanefi,-vër. jonë) është ky…etj” Megjithatë, për Alusin nuk mund të thuhet se ishte ndonjë fanatik në medhhebin hanefi, sepse ai në disa raste preferon mendimin e të tjerëve ndaj atyre të hanefinjve, si p.sh. kur e komenton ajetin:
وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوَءٍ
“E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tri pastrime (menstruacione).” (El-Bekare, 228). Në këtë rast Alusi sjell mendimet e të gjitha shkollave juridike, dhe në fund thotë se favorizon mendimin e Shafiut, i cili është më i drejti dhe më i miri.[7]
Qëndrimi i tij ndaj israiliateve
Autori i këtij tefsiri është prej dijetarëve që më së tepërmi i kritikoi dhe i demaskoi israiliatet, duke i qortuar ashpër ata që u morën me gjëra të tilla. Alusi gjatë komentimit të ajeteve, aty-këtu cek disa prej israiliateve, jo për t’i përkrahur, por për t’i demaskuar dhe për t’ua zbuluar fytyrën dhe realitetin e tyre të shëmtuar.
Ai shpesh ndaj israiliateve që nuk kanë ndonjë mbështetje në Kur’an apo Synet, shprehet me një ironi dhe sarkazëm, por gjithnjë duke u kujdesur që të mos kalojë kufijtë e kulturës së një dijetari. P.sh., kur e komenton ajetin 12 të kaptinë El-Maide:
وَلَقَدْ أَخَذَ اللّهُ مِيثَاقَ بَنِي إِسْرَآئِيلَ وَبَعَثْنَا مِنهُمُ اثْنَيْ عَشَرَ نَقِيبًا
“Në të vërtet Allahu pati marrë zotimin e beni-israilëve. Dhe prej tyre dërguam (caktuam) dymbëdhjetë prijës.”, ai sjell një rrëfim të trilluar nga hebrenjtë, të cilin e kishte marrë fjalë për fjalë nga tefsiri i Begaviut në lidhje me një person me emrin Avxh ibn Ank. Ky rrëfim banal hebraik përmban shumë hiperbola dhe imagjinatë të sëmurë, se gjoja ky njeri paskësh jetuar në kohën e Nuhut a.s., se paskësh jetuar më shumë se tre mijë vjet, se ishte një mijë pëllëmbë i gjatë e gjëra të tjera!!! Kur fillon demaskimin e këtij trillimi, Alusi së pari sjell mendimin e Ibn Kethirit, se ky rrëfim nuk ka kurrfarë baze por është i imagjinuar dhe i sajuar nga Ehli-kitabët, pastaj gjithashtu sjell edhe mendimin e Ibn Kajjim El Xhevzijes, se ky tregim po ashtu është pjellë e imagjinatës së sëmurë hebraike, dhe, në fund, jep edhe komentin e vet: “Nuk më çudit aspak guximi i mohuesve nga Ehli-Kitabët që kanë trilluar një rrëfim të tillë, duke shpifur ndaj Allahut xh.sh., por mua më shumë më habit fakti se si disa mufesirë të mëhershëm, si Begaviu, e kanë transmetuar këtë rrëfim pa thënë asnjë fjalë të vetme demaskimi, ose pa dhënë ndonjë shenjë se kjo është një shpifje dhe rrenë e kulluar!!!”[8]
Pastaj, kur e komenton ajetin 38 të kaptinës Hud, në të cilin bëhet fjalë për anijen e Nuhut a.s.
وَيَصْنَعُ الْفُلْكَ وَكُلَّمَا مَرَّ عَلَيْهِ مَلأٌ مِّن قَوْمِهِ سَخِرُواْ مِنْهُ قَالَ إِن تَسْخَرُواْ مِنَّا فَإِنَّا نَسْخَرُ
مِنكُمْ كَمَا تَسْخَرُونَ
“Dhe ai (Nuhu) ndërtonte anijen, e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij, e përqeshnin. Ai u thoshte: Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju.”
Alusi sa për ilustrim sjell disa legjenda të tilla të pavlera si f.v., prej ç’lloji të drurit ishte e konstruktuar anija e Nuhut a.s., pastaj sa ishte gjerësia dhe gjatësia e anijes etj., dhe në fund e thotë mendimin e tij prerë dhe troç: “rrëfime të tilla si këto, në lidhje me anijen e Nuhut a.s. janë plotësisht të pabaza dhe të paargumentuara, prandaj si të tilla i hedhim poshtë kategorikisht.”[9]
Dr. Dhehebiu për Alusin dhe qëndrimin e tij ndaj israiliateve, thotë: “Tefsiri i Alusit me plot të drejtë konsiderohet ndër më të mëdhatë dhe ndër më madhështoret, sepse ky me plot guxim u doli përballë israiliateve, duke i demaskuar dhe duke treguar për efektin e tyre shkatërrimtar. Allahu e shpërbleftë Alusin, këtë dijetar mendjendritur për kontributin e madh në këtë drejtim.” ! [10]
Qëndrimi i tij ndaj njohurive natyrore-shkencore
Alusi ishte i dashuruar në dituritë ekzakte-natyrore, kështu që në tefsirin e tij, kësaj materieje i ka dhënë një hapësirë të merituar. Ai në shumë raste sjell fjalët e dijetarëve të mëparshëm dhe të filozofëve, të cilët kishin shkruar në lidhje me këtë, e pastaj i komentonte mendimet e tyre, disa i kritikonte e mendimet e disa të tjerëve i pranonte. Në këtë rast, ai nganjëherë zgjerohej aq shumë, saqë dijetarët e kritikuan në lidhje për këtë. P.sh. komete të tilla të zgjeruara shohim gjatë komentimit të ajeteve 38-40 të kaptinës Jasin, në të cilat flitet për lëvizjen e Diellit dhe të Hënës.[11]
وَالشَّمْسُ تَجْرِي لِمُسْتَقَرٍّ لَّهَا ذَلِكَ تَقْدِيرُ الْعَزِيزِ الْعَلِيمِ. وَالْقَمَرَ قَدَّرْنَاهُ مَنَازِلَ حَتَّى عَادَ كَالْعُرْجُونِ الْقَدِيمِ.لَا الشَّمْسُ يَنبَغِي لَهَا أَن تُدْرِكَ الْقَمَرَ وَلَا اللَّيْلُ سَابِقُ النَّهَارِ وَكُلٌّ فِي فَلَكٍ يَسْبَحُونَ.
“Edhe dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i ngadhënjyesit, të dijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rremb i hurmës së tharë). As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata ditën, po secili noton në një galaksi (orbitë të caktuar).”
Qëndrimi i tij ndaj rregullave gjuhësore dhe gramatikore
Karakteristikë e tefsirit të Alusit është interesimi i tij i madh për të komentuar domethëniet e ajeteve kuranore në prizmin e gramatikës dhe të disiplinave të tjera të gjuhës arabe. Ai vërtet ishte impresionues në këtë lëmë, kështu që në mënyrë të thellë analizonte konstruktet e fjalive në Kur’an, dhe kjo vërehet shumë lehtë nga çdo lexues i tefsirit të tij. Madje disa e kanë kritikuar se herë-herë i stërzgjaste këto komente gjuhësore, duke marrë pozicionin e gjuhëtarit e jo të mufesirit siç ishte. Stili i shkrimit të Alusit është shumë i lartë dhe kjo ka bërë që tefsiri i tij të vlerësohet lart nga dijetarët edhe nga ky aspekt. Alusi në disa raste gjatë komentimit ka përdorur edhe poezi paraislame, gjë që dëshmon se ai në këtë lëmë vërtet ishte dijetar i gjithanshëm.[12]
Disa karakteristika të tjera të tefsirit të tij
Alusi u kushtoi një vëmendje dhe kujdes të posaçëm kiraeteve dhe leximit të ndonjë ajeti në shumë versione (kiraete). Ai megjithatë mbështetej çdoherë në transmetime besnike (mutevatir), por njëkohësisht edhe jepte shenja për kiratet që janë të papranueshme.
Në shumë raste në tefsirin e tij, ai sjell në mënyrë të shkëlqyeshme lidhmëritë në mes ajateve dhe sureve (munasebatet), si dhe shkaqet e zbritjeve të ajeteve a sureve, për të cilat pa dyshim kishte njohuri të thella.
Alusi dhe tefsiri ezoterik (el-ishari) -(aluziv indikativ, sugjestiv)
Pasi shteronte metodat e rëndomta të komentimit të tekstit kuranor, Alusi në shumë raste shfrytëzonte edhe metodën e komentimit ezoterik (aluziv-sugjestiv-indikativ), duke u përpjekur që të zbulonte sa më shumë kuptime të fshehta kuranore.
Siç dihet, tefsiri ezoterik-aluziv (et-tefsiru-l-ishari) është një përpjekje për nxjerrjen e kuptimeve të fshehta-shtesë, që për shumicën janë të fshehta, të pakapshme dhe alegorike, për të cilat Kur’ani aludon në mënyrë indirekte. Për këtë qasje të tij, shumëkush Tefsirin e Alusit e numëron në sferën e tefsirit ezoterik, mirëpo shumica dërrmuese e dijetarëve islamë prapëseprapë tefsirin e Alusit e konsiderojnë si një prej tefsireve të lejuara racionale, sepse aspekti ezoterik-aluziv në këtë tefsir, megjithatë nuk është mbizotërues, por është në planin dytësor.
Kemi theksuar më parë se mbi Alusin ndikim të madh kishte pasur edhe një prej mësuesve të tij sufinj-Nakshebendiu, i cili ishte prijës i një drejtimi sufi, kështu që dashuria ndaj zbërthimit të fshehtë të teksteve kuranore, ishte mbjellë edhe në zemrën e Alusit. Në lidhje me tefsirin ezoterik vetë Alusi, qysh në parathënien e tefsirit të tij, jep indikacione se dallimi ndërmjet tefsirit dhe te’vilit qëndron mu në faktin se te’vili në fakt përmban kuptimin e fshehtë ezoterik dhe thotë: “Është një e vërtetë e pamohueshme se “te’vili” është një shenjë e shenjtë dhe njohuri hyjnore, e cila u zbulohet vetëm atyre që janë shkrirë në dashurinë hyjnore. Të gjitha këto aludime të te’vilit burojnë nga retë e të fshehtave në zemrat e të dashurve dhe të afërmve të Allahut, kurse tefsiri synon diçka tjetër (kuptimin e jashtëm-sipërfaqësor) (vërejtja jonë S.B.).”[13]
Në lidhje me këtë lloj të komentimit ai në vazhdim thotë: “Sa u përket fjalëve të zotërinjve sufinj rreth Kur’anit se kuptimet e jashtme të ajeteve nuk kanë ndonjë vlerë të posaçme që të analizohen, them: ”Kur’ani ka kuptimin e jashtëm dhe atë të fshehtë, se ekziston një lidhmëri magjepsëse mes kuptimeve të jashtme dhe atyre të fshehta kuranore, dhe se kuptimet ezoterike të ajeteve u shfaqen si inspirim vetëm disa njerëzve të devotshëm. Fjalët e sufinjve se duhet të merret vetëm kuptimi i fshehtë, janë thjesht parime të batininjve të pafe.”[14]
Megjithatë, për të parë sesa ia ka arritur Alusiu qëllimit të tij gjatë komentimit ezoterik, do të sjellim dy prej shumë shembujve të komentimit ezoterik, të cilat i cek në tefsirin e tij.
F.v. kur e komenton ajetin 125 të kaptinë El-Bekare:
وَإِذْ جَعَلْنَا الْبَيْتَ مَثَابَةً لِّلنَّاسِ وَأَمْناً وَاتَّخِذُواْ مِن مَّقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى وَعَهِدْنَا إِلَى إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ أَن طَهِّرَا بَيْتِيَ لِلطَّائِفِينَ وَالْعَاكِفِينَ وَالرُّكَّعِ السُّجُودِ
“Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vend kthimi dhe vend sigurie për njerëzit, (u thamë) Vendin ku qëndroi Ibrahimi, pranojeni për vend faljeje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastroni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.”,
pasi përfundon komentimin sipërfaqësor të këtyre ajeteve, thotë: “Në aspektin ezoterik fjala: (ve idh xhealna el bejte methabeten li-nasi ve emna) – “Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vend kthimi dhe vend sigurie për njerëzit”, do të thotë: “Dhe kur shtëpinë e zemrës e bëmë vend kthim (tubim) dhe vend sigurie, nëse arrijmë deri tek njohuria e zemrës. Nëse arrijmë këtë njohuri, do të gjejmë qetësinë dhe prehjen shpirtërore në të, në të njëjtën kohë do të largohemi nga të këqijat dhe egoja e sëmurë, si dhe do të largohemi nga ndikimet e shejtanit;
(ve-t-tehidhu min mekami Ibrahime musal-la) – “(u thamë) Vendin ku qëndroi Ibrahimi, pranojeni për vend faljeje!”, ky vend është vendi i shpirtit, i formësuar dhe i shprehur në namaz të vërtetë e që ësht ë shfaqja haptazi e shijeve;
(ve ahidna ila Ibrahime ve Ismaile en tahhira bejti…) – “Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastroni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” – ose i urdhëruam ata të dy që ta pastronin shtëpinë e zemrës nga gjërat e ndyta e neveritëse, nga cytjet e egos, nga pëshpëritjet e shejtanit si dhe nga epshet.”[15]
Një tjetër komentim ezoterik të Alusiut e shohim edhe gjatë komentimit të ajetit 4 të kaptinës Er-Rra’d:
وَفِي الأَرْضِ قِطَعٌ مُّتَجَاوِرَاتٌ وَجَنَّاتٌ مِّنْ أَعْنَابٍ وَزَرْعٌ وَنَخِيلٌ صِنْوَانٌ وَغَيْرُ صِنْوَانٍ يُسْقَى بِمَاء وَاحِدٍ وَنُفَضِّلُ بَعْضَهَا عَلَى بَعْضٍ فِي الأُكُلِ إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَعْقِلُونَ
“E në tokë ka copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën, kopshte të hardhisë, të mbjella (të llojllojshme) dhe hurma (bimë këto) që janë të degëzuara në shumë trupa dhe jo të degëzuara (nga një filiz) e të gjitha ujiten nga një ujë, dhe Ne shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar prej njëra-tjetrës. Edhe kjo dëshmon me argumente për njerëzit e mençur.” (Er-Rra’d, 4),
thotë: (Ve fil erdi kitaun mutexhaviratun) – “E në tokë ka copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën” Zemrat e të dashuruarve në Allahun janë të afërta me zemrat e të përmalluarve, e ato janë zemrat e atyre që dashurojnë me ashk (Allahun). Këto janë zemrat e të dashuruarve në dashurinë hyjnore të Allahut, janë zemrat e atyre që janë shkrirë në atë dashuri të amshueshme, janë zemrat e atyre që e njohin Allahun Një dhe nuk i bëjnë Atij shok..”
Alusiu vazhdon me interpretim tjetër ezoterik të po këtij ajeti: (Ve fil erdi kitaun mutexhaviratun) -“E në tokë ka copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën” dhe thotë: “Në tokën e zemrave ka pjesë të ngjitura e të afërta, pjesë të Unit, pjesë të shpirtrave, pjesë të sekreteve dhe pjesë të mendjeve. E para rrit bimët e epsheve, e dyta rrit lulet e njohurisë, e treta rrit bimët e zbulimit të dritës, kurse e këtërta pjesë e zemrës rrit drunjtë e dritës së dijes;
(Ve xhennatun min a’nabin) – “kopshte të hardhisë”- Në zemra ka kopshte (hardhi) rrushi- ose ëmbëlsia e rrushit është ëmbëlsia e ashkut (e dashurisë hyjnore);
(Ve zer’un) – të mbjella (të llojllojshme)” – Në zemra ka bimë (farë) që mbin e zhvillohet në bimën e njohurive të përpikta hyjnore;
(Ve nehilun) – “dhe hurma” – Hurma këtu zimbolizon Imanin
(Sinvanun) – “(bimë këto) që janë të dëgëzuara në shumë trupa” – nënkupton nocionin “në vend të ndarjes” kurse (gajru sinvan) – dhe jo të degëzuara (nga një filiz)” – nënkupton nocionin e bashkimit. Është thënë se fjala (Sinvanun) ka për qëllim Imanin me dëshmitarë (gjërat përcjellëse), kurse (gajru sinvanun)– Imanin pa dëshmitarë;
(Juska bi main vahid) – “e të gjitha ujiten nga një ujë”- ajo është shfaqja e cila kërkon përkryerje absolute;
(ve nufed-dilu ba’daha ala badin fil ukuli) – “dhe Ne shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar prej njëra-tjetrës.”- i dallojmë disa nga këto zemra në shijen shpirtërore.
Në po këtë ajet Alusi jep edhe versionin e tretë aluziv-ezoterik, kur thotë:
(Ve fil erdi kitaun mutexhaviratun) -“E në tokë ka copa sipërfaqesh, të ngjitura njëra me tjetrën”, – “Po ashtu ka indikacione ezoterike se “në tokën e trupit ka copa të ngjitura: nga eshtrat, mishi, dhjami dhe nervat, pastaj ka kopshte me drunj të forcës natyrore, të gjallërisë, asaj shtazarake dhe njerëzore”;
(Min a’nabin) – “kopshte të hardhisë”- ato janë forca e epsheve që shtrydhin epshet e shpirtit, pastaj është forca shtazarake nga e cila shtrydhet lëngu i dashurisë dhe ashkut;
(Ve zer’un) – të mbjella (të llojllojshme)” – simbolizon forcën njerëzore, kurse
(Ve nehilun) – “dhe hurma” – simbolizon shqisat e tjera, të dukshmet dhe të padukshmet;
(Sinvanun) – simbolizon dy veshët dhe të dy sytë, kurse (gajru sinvanun) simbolizon gjuhën dhe shqisat e të menduarit e iluzionet;
(Juska bi main vahid) – “e të gjitha ujiten nga një ujë, – simbolizon ujët e jetës (gjallërisë);
(Ve nufed-dilu ba’daha ala ba’din fil ukuli) – “dhe Ne, shijen në ngrënie të frutave të tyre e kemi dalluar prej njëra-tjetrës.” – simbolizojnë shqisat e të perceptuarit, të të poseduarit si p.sh. epërsia dhe vlera e të menduarit nga ajo e të prekurit, apo epërsia (vlera) e ta pamit nga të prekurit, etj…”[16]
* * *
Ishin këta dy shembuj nga tefsiri ezoterik i Alusit, në të cilët pamë se si ai është përpjekur të depërtonte në të fshehtat e kuptimeve ezoterike të Kur’anit fisnik.
Sa u përket dijetarëve në lidhje me këtë tefsir, ata kanë shfaqur mendime të ndryshme. Mendimi i shumicës dërrmuese të dijetarëve, e në krye të tyre i Ibn Kajjim El Xhevzijes, është se tefsiri ezoterik lejohet vetëm nëse i plotëson këto kushte:
1. Kuptimi i brendshëm të mos jetë në kundërshtim me kuptimin e jashtëm të ajetit;
2. Kuptimi (komentimi) ezoterik të jetë i shëndoshë në esencë;
3. Në komentimin ezoterik të ketë një shenjë aluduese edhe nga kuptimi sipërfaqësor[17];
4. Në mes kuptimit ezoterik dhe kuptimit të jashtëm të ajetit të ketë një lidhje dhe përputhshmëri.
Kurse Dr. Dhehebiu, në lidhje me kushtet për të qenë i pranuar tefsiri ezoterik-aluziv, thotë: Për të qenë ky tefsir i pranuar, duhet të plotësohen këto 5 kushte:
1. Kuptimi i brendshëm-ezoterik i ajetit të mos jetë në kundërshtim me kuptimin e jashtëm ekzoterik të tij;
2. Të mos pretendohet se kuptimi ezoterik ka qëllim tjetër nga ai ekzoterik (i jashtëm);
3. Komentimi i fjalëve të mos jetë larg çdo kuptimi real dhe i pakapshëm;
4. Komentimi ezoterik të mos jetë në kundërshtim as me Sheriatin dhe as me logjikën e shëndoshë, dhe
5. Ky komentim të ketë përkrahje e mbështetje në Sheriatin islam.[18]
Në lidhje me këtë konstatime të Dr. Dhehebiut, Dr. Sejjid Xhibrili, thotë: “Atëherë, sipas këtyre kushteve të parashtruara nga Dr. Dhehebiu, unë nuk shoh ndonjë dallim të madh ndërmjet tefsirit të përgjithshëm dhe atij ezoterik, dhe them se neve megjithatë na mjafton ajo që na ka ardhur nga tefsiri i përcjellë nga vetë Kur’ani, Pejgamberi a.s., ashabët dhe tabiinjtë, ose nga ajo që kuptohet vetvetiu nga domethëniet e gjuhës arabe.”[19]
Është një konstatim i përgjithshëm se, edhe pse në një masë të madhe Alusi ka arritur të mos largohej fort nga kuptimet sipërfaqësore të ajeteve të ndryshme, që ka komentuar edhe nga aspekti ezoterik, ata megjithatë, këtë lloj të komentimit e shohin si të dëmshëm e të rrezikshëm, madje edhe të panevojshëm.[20] Këta dijetarë mendojmë se, nëse do t’u hapej dera komentimeve të tilla, atëherë do të humbte vërtet esenca e synuar e ajeteve, dhe do t’u jepej rasti mendjeve të sëmura që Kur’anin ta komentojnë sipas tekave të tyre. Zaten ky lloj tefsiri si dhe ai i sufinjve, ishte pretekst që shumë prej fraksioneve të humbura, siç janë shiinjtë ithnaasherije, ismailinjtë, batininjtë, kadianinjtë, behainjtë, ahmedinjtë e të tjerë, të komentonin ajetet kuranore sipas interesave të tyre.
Vlerësimet e dijetarëve për tefsirin e Alusit
Duke folur për tefsirin e Alusiut, Dr. Dhehebiu ndër të tjera, thotë: “Vepra e dijetarit të madh Alusi është një enciklopedi e vlefshme në lëmin e tefsirit, e cila përfshin qëndrimet e mufesirëve të mëhershëm. Në të mbretëron një ngjyrë kritike, gjithmonë e arsyeshme. Është shumë i matur në fjalë ndaj disa tefsireve të tjera dhe kjo tregon për kulturën e mirësjelljes dhe afinitetin e tij.”[21]
Ndërsa Dr. Abdulgafur Mahmud Mustafa Xha’fer citon mendimin e Dr. Muhammed Sejjid Xhibrilit[22], me të cilin pajtohet plotësisht, se “tefsiri i Alusit është prej tefsireve më të vëllimshme, më të sakta dhe më gjithëpërfshirëse, dhe prej tefsireve që më së shumti është analizuar e studiuar nga ana e dijetarëve bashkëkohorë.”[23]
Në fund, mund të konstatojmë se ky tefsir madhështor është një vepër shumë e dobishme në lëmin e tefsirit, dhe nga dijetarët është vlerësuar shumë lart. Në edicionet e reja bashkëkohore zakonisht botohet në 30 vëllime. Botohet dhe ribotohet në të gjitha anët e Botës Islame.
[1] Dr. Hasen Abidu “Dirasat ve mebahith fi tarih et-tefsir ve menahixh el mufessirin”, fq.141, Kajro 1991
[2] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I, fq. 333, Kajro 1985
[3] Dr. Muhamed Sejjid Xhibril, “Med-hal ila menahixh el mufessirin”:, fq. 217, Kajro, 1987
[4] Alusi “Ruhul Meani…” vëll. I, fq. 4, Bejrut, pa vit botimi, e botuar nga shtëpia botuese “Dar Ihjau-t–turath el arabi”.
[5] “Ruhul Meani”, vëll. I. fq. 132
[6] Shih “Ruhul Meani”, vëll. 28, fq.94.
[7] “Ruhul Meani…” vëll. II, fq.132.
[8] “Ruhul Meani…” vëll. VI, fq. 86-87.
[9] “Ruhul Meani…”, vëll. XII, fq. 45
[10] Dr.Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “El Israilijat fi-t-tefsiri vel hadith”, fq 148, Kajro 1986.
[11] “Ruhul Meani…” vëll. 28, fq. 125-128.
[12] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I, fq. 338, Kajro 1985.
[13] “Ruhul Meani…”– nga parathënia, vëll I, fq. 5.
[14]Po aty, fq. 7
[15] Dr. Muhammed Sejjid Xhibril, “Med-hal ila menahixhil mufessirin”, fq. 224, Kajro 1987.
[16] “Ruhul Meani…”, vëll. 13, fq. 135-136.
[17] Dr. Xhum’ah Ali Abdulkadir “Zadu-r-Rragibin fi menahixh el mufessirin”, fq123, Kajro, 1986; Shih edhe Mennaul Kattan “Mebahith fi Ulumil Kur’an” fq. 368-369, Kajro, 1995.
[18] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. II, fq.
[19] “Med-hal ila menahixhil mufessirin”, fq. 231.
[20] Po aty, fq. 232.
[21] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 341-342.
[22] “Medhal ila menahixhil mefuessirin”, fq. 223.
[23] Dr. Abdulgafur Mahmud Mustafa Xha’fer “Min tabekat ve medaris ve menahixh tefsir el Kur’anil Kerim”, fq. 297, Kajro, pa vit botimi.
Sabri ef. Bajgora