Shkruan: Nexhat Ibrahimi
Hyrje
Historiografia Osmane, por edhe ajo ballkanike, është e varfër në pikëpamje të hollësive historike mbi mënyrën dhe faktorët e depërtimit të Osmanlinjve në Ballkan dhe të vetë popujve ballkanikë nën sundimin osman. Të gjithë historiografët e hershëm, por edhe ata të mëvonshëm për këtë periudhë kryesisht flasin me përgjithësime, sigurisht, në mungesë të të dhënave historike dhe të studimeve të specializuara. Ndër ata që dallohen me shkrime të përimta mbi ndodhitë e shumta të asaj periudhe në Ballkan janë Sebai Sulejmani Çelebiu nga Drinopolje, i cili në 5 mijë bejte (distihe) i këndoi aktivitetet ushtarake në Bosnjë nga veziri i madh Koxha Daud Pasha (vdiq më 904 h./1598)[1] dhe Suzi Prizreni nga Prizreni, i cili në 15 mijë bejte i këndoi luftërat dhe trimëritë e Gazi Ali bej Mihaloglut, trimit dhe komandantit turk me famë[2] të madhe në mesin e bashkohësve dhe më vonë.
Krahas këtij synimi të qartë se Suzi Prizreni paraqet burim të dorës së parë për studimin e shekullit XV-XVI, synimi vijues për trajtimin e Suziut është që ky dijetar dhe personaliotet të mos harrohet, sepse studimi i figurës së tij shumëpërmasash do të ndihmojë të kemi një histori më të plotë dhe më objektive. Për prizrenasit dhe më gjerë interesimi për të ka edhe pikëpamje praktike, sepse edhe sot e gjithë ditën, besimtarët shfrytëzojnë bamirësitë, vakufet e Suzi Prizrenit, si xhaminë, bibliotekën, shkollën, tokat e tij të lëna vakuf etj.
Deri në vitet e tridhjeta të shekullit XX veprat e Sebai Sulejman Çelebiut dhe të Suzi Prizrenit mendoheshin të humbura, por viti 1929 paraqet një kthesë në këtë aspekt. Akademia Jugosllave e Shkencave në Zagreb dhe Preussische Statsbibliothek në Berlin njëkohësisht në koleksionin e tyre oriental fituan fragmente të veprës së madhe të Suziut.[3]
Edhe pse vepra e Suzi Prizrenit është zbuluar pjesërisht para 7-8 dekadash, deri tash shkencëtarët krejt pak janë preokupuar me veprën e tij: me autenticitetin e veprës, me të dhënat e saj historike, kulturore, gjuhësore etj. Nuk duhet zhvlerësuar përpjekjet e kufizuara të Aleksej Olesnickit, Hasan Kaleshit, Mehmed Mujezinoviqit e të ngjashëm në ndriçimin e Suziut dhe të veprës së tij, por përpjekjet e tyre kanë qenë fillestare dhe gurthemel për hulumtime të mëtejshme.
As përpjekja jonë nuk synon t’i kapërcejë këto studime. Shkaqet janë të natyrës objektive (mosnjohja e gjuhës osmane, mospasja akces në dorëshkrime etj.) dhe subjektive (mosinteresimi i studiuesve për këtë temë si pasojë e mospërkrahjes së institucioneve dhe mosofrimit të ndihmës materiale për këtë punë shumë, shumë të lodhshme e të shtrenjtë etj.). Synimi ynë është që kjo temë të shtrohet objektivisht jashtë interesimeve politike e ideologjike, të vendoset në themele të shëndosha dhe shkrimet e deritashme të vlerësohen shkencërisht.
I. Rrethanat shoqërore-historike në Prizren gjatë shekujve XV-XVI
Prizreni edhe para ardhjes së Osmanlinjve paraqiste qendër të rëndësi të shumëfishtë: politike, strategjike por edhe tregtare e kulturore. Të dhënat historike tregojnë se prej shekujve X-XIV Prizreni ka ndërruar shumë pushtues: bullgarët, bizantinët, nemanjidët, sërish bizantinët, bullgarët dhe nemanjidët, përkatësisht serbët.[4] Shkruarje-ardhja e pushtuesve Prizrenin e dëmtoi rëndë. Shekulli XV Prizrenin e gjeti të dërrmuar politikisht dhe të konsumuar ekonomikisht. Këtë gjendje në Prizren e gjetën edhe osmanlinjtë. Por, shumë shpejtë, Prizreni me ardhjen e osmanlinjve filloi të gjallërohet dhe të bëhet pikë mjaft frekuentuese e grupeve tregtare, zejtare por edhe e të interesuarve të tjerë. Zhvillimi i përshpejtuar kryesisht bazohej në mënyrën zejtare të prodhimit, komunikacioni zhvillohej me karvane, kurse për nevojat e përgjithshme shtetërore u themeluan qendrat, organizatat tregtare, administrative, politike, religjioze, shëndetësore dhe kulturore-arsimore.[5]
Shkencërisht ende është e diskutueshme se kur e pushtuan Prizrenin osmanlinjt. Sipas burimeve turke, Prizreni është pushtuar nga vetë Sulltan Mehmedi II Fatihu përfundimisht më 1459. Historiani nga Kosova, Skender Rizaj, si shkak për këtë vonesë kaq të madhe i merrë luftrat e Gjergj Kastriotit[6] që i zhvillonte kundër osmanlinjve. Por, Hasan Kaleshi mendon se Prizreni është pushtuar nga osmanslinjt para 21 qershor 1457[7], që është më afër të vërtetës.
Mirëpo, nga aspekti ushtarak i pushtimit të Prizrenit, vëmendjen e lexuesit do të zhvendosim në aspektin e rrethanave të përgjithshme të Prizrenit në fillim të shekullit XVI. Në këtë kohë Prizreni pati filluar të merrë tiparet e një qyteti oriental musliman. Kishte namazxhahun (musalën), disa xhami, disa shkolla, medrese dhe disa biblioteka me dorëshkrime në gjuhën arabe, persiane e turke. Po ashtu, tashmë disa njerëz kishin vizituar Qabenë në Mekë. Deri sa për qytetin mund të thuhet se frymonte islam, periferia, apo fshatrat nuk e kishin gjendjen e qytetit. Atje ende nuk e kishin përvetësuar Islamin krejtësisht.[8]
Hulumtuesi A. Olesnicki pohon se turqit e kanë quajtur Prizrenin “gurrë, burim të poetëve”, apo, djep të poezisë. Por, për fat të mirë, ky epitet e ka përcjellë Prizrenin deri në ditët e sotme, duke prezantuar një qytet të kulturës, të arsimit, të frymëzimit dhe krijimit artistik. Nga periudha e hershme kemi poetë të njohur: Suziun, Nehariun, Suxhudiun, Ashik Çelebiun, Sa’jin, Shem’in, Behariun, Texhel-liun dhe shumë e shumë të tjerë për të cilët dihet dhe për shumë të tjerë për të cilët nuk dihet, por që gjeniu popullor nuk i ka harruar në ndonjë mënyrë.[9]
Mirëpo, njëri ndër produktet më të dalluara, më frytdhënëse dhe më sfiduese të kësaj periudhe, pa dyshim, ishte Suzi Prizreni, i cili në vazhdim do të jetë objekt shqyrtimi.
II. Jeta e Suzi Prizrenit
Në periudhën e ndërrimit të kulturës dhe qytetërimit kristian me kulturën dhe qytetërimin musliman, të cilat në shikim të parë janë dy fe të afërta, por në realitetin historik shpeshherë dy antipode dhe armiqë të përbetuar, i pari në rënie, fikje e tërheqje, kurse i dyti në rritje e lulëzim, në periudhën kur kundërthëniet shoqërore-politike patën arritur kulmin e tyre, në Prizren u lind Muhamedi, i biri i Mahmudit i biri i Abdullahut, nga Prizreni, në popull dhe në literaturë i njohur si Suziu[10]. Në popull njihet edhe si: Soziu, Sozi Baba, Suzi Çelebiu etj.
II.1. Emri dhe prejardhja nacionale e Suziut
Një kohë të gjatë nuk është ditur emri i plotë i Suziut dhe i të parëve të tij. Me të drejtë Franz Babingeri pati tërhequr vërejtjen se emri Suzi është nofkë poetike e jo emër i vërtetë. Mirëpo, këtë enigmë e zgjodhi dr. Aleksej Olesnicki. Ky në vjeshtën e vitit 1930 e vizitoi Prizrenin dhe nga imami i xhamisë së Suzi Prizrenit, hafiz Kemal Kajseriu, i huazoi për disa ditë ca dokumente të vjetra osmane. Ndër këto dokumente ishte edhe Vakuf-nameja e Suzi Prizrenit. Duke e studiuar këtë dokument A. Olesnicki e zbuloi emrin e vërtetë të Suzi Prizrenit por dhe shumë të dhëna të tjera me rëndësi kapitale.[11] Nga hulumtimet që janë bërë vërehet se nofka “Suzi” është emër i vonshëm, atëherë kur Suziu kishte formuar veten e tij dhe ishte afirmuar në rrethin ku ka jetuar dhe vepruar.
Sikur edhe shumë të dhëna të tjera biografike që janë të mjegulluara, ashtu edhe të dhënat rreth lindjes së tij janë të mjegulluara. Aleksej Olesnicki lindjen e tij e vendosi diku ndërmjet vitit 1455 dhe 1465[12], por as vetë ai nuk ishte plotësisht i sigurt. Rezultatet e deritanishme shkencore nuk ofrojnë diçka më tepër lidhur me këtë çështje. Mendohet se Suziu u lind, u rrit dhe u edukua në Prizren.
Më e qartë nuk është as çështja e prejardhjes nacionale të Suziut. Në mungesë të provave të dorës së parë duhet kundruar me kujdes burimet dytësore rreth këtyre çështjeve, siç janë defterët kadastralë, sallnamet, sixhilët e ndryshëm, udhëpërshkrimet e të tjera, në mënyrë që të zbardhen të dhëna të reja.
Për prejardhjen e Suziut ekzistojnë disa hipoteza. Disa mendojnë se ai është ardhacak turk, disa thonë se është me prejardhje sllave, përkatësisht serbe[13] dhe ka edhe hipoteza të tjera. Ne mendojmë se këto hipoteza janë rezultat i ngarkesave ideologjike dhe i dëshirës së tyre që personalitetet e mëdha të përvetësohen, e herë-herë edhe të diskreditohen. Këtë rrëmujë e kanë shkaktuar apo thelluar edhe shkencëtarët diletantë, pa njohuri më të thella dhe më të gjithanshme kulturore-historike.
Konsiderojmë që hipoteza se Suzi Prizreni është ardhacak nga Turqia është e paqëndrueshme historikisht dhe logjikisht. Këtë e argumentojmë me provën se në të gjitha veprat historike-letrare turke, por edhe në vakufnamen dhe epitafin e tij shënon se Suziu është “zerrin – prizrenas”. Po ashtu, është një rregull i pashkruar, i cili lehtë mund të identifikohet në literaturën muslimane, sipas së cilës, kudo që të jetojë, të shkollohet apo të veprojë një personalitet, por edhe një njeri i zakonshëm, ai do të quhet sipas vendit nga e ka prejardhjen, sipas përkatësisë nacionale apo së paku do të quhetmuhaxhir.[14] Këtë e provon edhe historia e hershme islame. Selman Farisiu nga Persia, Bilal Habeshiu nga Abisinia, Imam Buhariu nga Buhara, Imam Gazaliu nga Gazeli (Horasani), Sami Frashëringa Frashëri etj. janë shembull eklatant. Një gjë e tillë është edhe me Suziun. Ky quhet Suzi Zerrini(Suzi Prizreni). Sikur Suziu të mos ishte prizrenas, pa dyshim do të quhej ndryshe, për më tepër si i huaj. Këtë mendim se Suziu është prizrenas e mbante edhe Aleksej Olesnicki, por, si duket, vetëm e vetëm për të provuar që Suziu të konsiderohet “autokton me prejardhje sllave, ose më saktë, serbe.”[15] Këtë mendim të tij Olesnicki e argumenton me faktin se të islamizuarit (muslimanët) e rinjë, me rastin e pranimit të Islamit, kurse për t’iu ikur emrave të tyre të mëhershëm me prejardhje joislame, merrnin emrin Abdullah (Rob i Allahut). A. Olesnicki mendon se Suziu është serb, por për t’i ikur emrit të vërtetë të gjyshit të tij, e ka emëruar atë me Abdullah. Edhe pse një dukuri e këtillë në fillim ka qenë e shpeshtë, hipoteza e Aleksej Olesnickit në lidhje me Suziun është e paqëndrueshme, për arsye se marrja e emrit Abdullah nuk ka qenë tipike dhe karakteristike vetëm për muslimanët e rinjë me prejardhje serbe apo sllave, por edhe për muslimanët e rinjë shqiptarë dhe për popuj të tjerë. Nëse është kështu, kurse mendojmë se kjo është më se e sigurt, nga një anë, dhe nga ana tjetër, nëse struktura nacionale e popullsisë së Prizrenit në periudhën e Suziut ka qenë në epërsi të konsiderueshme të shqiptarëve, që edhe kjo është më se e sigurt[16], atëherë me të drejtë Suziu do të konsiderohej shqiptar, të parët e të cilit e kanë pranuar Islamin.
II.2. Arsimimi i Suziut
Mbi shkollimin e Suziut edhe sot e kësaj dite nuk kemi të dhëna. Nuk dimë as për vendin, as për kohën e shkollimit të Suziut. Megjithatë, disa autorë mendojnë se Suziu u lind, u rrit dhe u edukua në Prizren. Sami Frashëri thekson një të dhënë se pas shkollimit Suziu punoi një kohë si kadi.[17] Kemi edhe një informacion interesant, një anekdotë që ende qarkullon në Prizren, e sipas të gjitha gjasave ka qenë ndodhi e vërtetë, të cilën e ka shënuar edhe Petar Kostiq. Sipas kësaj anekdote, Suziu, duke u kthyer nga Konstantinopoli në vendlindje pas shkollimit të përfunduar, u ndal të pushojë në Tetovë. Aty hasi në një kadi, i cili abuzonte me kompetencat e detyrës së tij. Suziu lidhur me këtë dukuri që e hasi i shkroi Sulltanit një letër të thurur në vargje, kundër kadiut të këtillë. Këtë denoncim Shejh’ul-islami ia dorëzoi sulltanit. Sulltani e eliminoi problemin, por në shenjë mirënjohjeje për këtë gjest të mirë dhe për besnikëri ndaj hilafetit, i dhuroi Suziut të dhjetën (ushrin) e të ardhurave shtetërore nga fshati Grazhdanik.[18] Këtë të dhënë e provon edhe Vakuf-nameja e Suziut, të cilën ndonëse jokomplete, e përktheu A. Olesnicki në studimin e tij, shpesh të theksuar në shkrimin tonë.
II. 3. Aktiviteti i Suziut dhe vendosja e tij në Prizren
Duke i hulumtuar shkrimet dhe veprimtarinë e gjallë të Suziut vërejmë se Suziu pati arritur arsimim dhe ngritje intelektuale të lartë. Fliste osmanishten, arabishten dhe persishten por edhe gjuhët vendore të kohës. Ishte mjaft inteligjent dhe tregoi rezultat në të gjitha fushat. Gjithnjë shihej në kontakt dhe në prani të dijetarëve dhe krijuesve. Shkrimet e tij të gjetura, të cilat ruhen në Zagreb, Berlin e qendra të tjera vërtetojnë për shkallën e lartë intelektuale të Suziut. Po ashtu, këtë fakt e provon edhe biblioteka e tij e pasur dhe e llojllojshme e lënë vakuf. Suziu si personalitet gëzonte renome të lartë. Franz Babingeri i shkroi Aleksej Olesnickit duke e theksuar se vetëm dy autorë, Sebaiu dhe Suziu, meritonin vëmendje, sepse me përshkrimet e tyre ofrojnë histori reale dhe objektive për kohët e bujshme në Ballkan.
Nga ajo që mund të lexohet dhe të konkludohet nga shkrimet e tij është e qartë se Suziu me kënaqësi ka kryer detyrën e imamit, hatibit e mualimit, pastaj të muezinit dhe të tjera.
Një pjesë të jetës së tij Suziu e kaloi si sekretar personal i Ali Bej Mihaloglut, njërit nga akinxhinjtë[19]më të dalluar në Perandorinë Osmane, për të cilin do të flasim kur të trajtohet Suziu si historian dhe poet.
Nuk kemi të dhëna se kur u vendos Suziu në Prizren. Vakufnameja e tij e legalizuar në vitin 1513 jep të kuptojmë se ai më herët është kthyer dhe vendosur në vendlindjen e tij në Prizren pas shkollimit dhe aktivitetit ushtarak të tij. Kjo kuptohet edhe nga fakti se për ta fituar atë pasuri, për t’i ndërtuar gjithë ato objekte dhe për t’i lënë vakuf ato objekte kërkohet kohë, që jep të kuptojmë se Suziu një kohë më të gjatë jetoi në Prizren.
Lidhur me Suziun duhet sqaruar edhe dy çështje: E para është nofka “Çelebi” e cila i atribuohet Suziut dhe e dyta është vdekja e Suziut.
II. 4. Nofka “Çelebi”
Çështja e nofkës, ofiqit “çelebi”[20] është e rëndomtë thuajse nga të gjithë autorët turq, evropianë dhe të vendit kur është fjala për Suziun. Sipas dijes sonë, i pari i cili e tërhoqi vërejtjen për përdorimin e gabueshëm të nofkës çelebi për Suziun është Hasan Kaleshi, pa dyshim orientalisti më i madh shqiptar. Ai konsideron se i pari këtë nofkë e futi në përdorim poeti i lashtë prizrenas Sa’ji, autor i veprës “Tezkere”. Nga ky e transmetoi Surreja, kurse prej tij Franz Babingeri, e nga ky e huazoi edhe Aleksej Olesnicki. Me rastin e botimit kritik të Gazavet-names edhe Agah Sirri Levend, i ndikuar nga A. Olesnicki, e përdori këtë nofkë. Mirëpo, Hasan Kaleshi mendon se nofka çelebi është përdorur gabimisht duke u përcjellë nga njëri autor në tjetrin. H. Kaleshi kundërshton përdorimin e shprehjes çelebi për Suziun dhe lidhur me këtë problem sjellë argumente bindëse:
Në vakufnamen e Suziut askund nuk përmendet nofka çelebi. Por, në vend të saj përmendet nofkaMewlana Suzi (Zotëriu ynë Suziu);
Ndër dëshmitarët të cilët gjenden në vakufnamen e Suziut, pesë persona e bartin nofkën çelebi. Sikur Suziu ta kishte këtë nofkë, sigurisht se do ta shënonte në vakufname;
Në mbishkrimin, epitafin e varrit të Suziut qëndrojnë vetëm fjalët Suzi Zerrini (Suzi Prizreni), por jo edhe nofka çelebi;
Ndër qytetarët (e hershëm – NI) të Prizrenit Suziu nuk njihet si “Suzi Çelebiu”, por vetëm si Suzi, Sozi, Sozi Baba, apo edhe Xhamia e Suziut (Suzi Camisi), Kroni i Suziut (Suzi çesmesi), Ura e Suziut (Suzi Koprusu) e shprehje të ngjashme;
El-Latifi, poet bashkëkohës i Suziut, gjithashtu nuk e përmend nofkën çelebi, por thekson se Suziu i përket tarikatit nakshibendij, prandaj edhe ka qenë i njohur si Suzi Nakshibendij;[21]
Një varg dokumentesh të cilat hyjnë në një sixhil të Prizrenit, kurse i cili tash gjendet në Akademinë e Shkencave, emri i Suziut gjithnjë shënohet si “Mulla Suziu”[22];
Edhe shkencëtari i madh Sami Frashëri, Suziun e quan vetëm Suzi[23], pa nofka e shtesa të tjera.
Është e qartë se Hasan Kaleshi me të drejtë konkludon se përdorimi i nofkës çelebi për Suziun ka qenë në gabim, i cili iu atribua Suziut për shkak të pjesëmarrjes së tij në ekspeditat e shumta ushtarake të Ali bej Mihaloglut, në cilësi të sekretarit personal të tij.
II. 5. Vdekja e Suziut
Vdekja e Suziut është çështje që kërkon sqarime. Literatura nuk ofron qartësi të mjaftueshme, madje përcillet me një lloj misterioziteti. Aleksej Olesnicki transmeton një gojëdhënë të dëgjuar në Prizren, e cila edhe tash aty-këtu dëgjohet, sipas së cilës Suziu ka vdekur në një përleshje me jobesimtarët në periferi të Prizrenit, te shpella afër vendbanimit të Nashecit[24], dhe këtë gojëdhënë e merr për të vërtetë.
Mendojmë se Aleksej Olesnicki ka ngatërruar gjerat dhe mendimi i tij nuk është i qëndrueshëm. Ja disa arsye:
– Në përditësinë muslimane është traditë që luftëtarët muslimanë në vendin ku bijnë shehid aty edhe varrosen. Mirëpo, Suziu është i varrosur në oborrin e xhamisë së tij e jo në Nashec, që hedh poshtë pretendimet e Olesnickit;
– Po të kishte rënë shehid Suziu, në epitafin e tij të varrit do të shënohej nofka “shehid”, që për periudhën në fjalë ishte traditë e pashmangshme[25], kurse për këtë çështje në epitafin e tij nuk ka kurrfarë shenjash se nuk është vdekje e zakonshme;
– As bashkëkohësi i tij, El-Latifi, por edhe dokumentet e tjera të shumta ku përmendet emri Suzi nuk japin shënime të drejtpërdrejta as të tërthorta lidhur me vdekjen e tij në shpellën e Nashecit;
– As Mehmed Tahir efendiu në Kronikën[26] e tij të njohur ndër shkencëtarët si El-Menakib, nuk e përmend se Suziu ka rënë shehid. Është mirë e njohur se Tahir efendiu ka qenë i njoftuar me ndodhitë e ndryshme në Prizren sikur edhe me personalitetet e mëdha në të kaluarën e Prizrenit.[27]
As kronikat turke, as dokumentet e tjera, deri tash të njohura, nuk shënojnë në këtë periudhë ndonjë luftë rreth Prizrenit, kështu që Suziu nuk ka zhvilluar luftë, për më tepër, atëherë Suziu kishte rreth 69 vjet[28], dhe nuk ka qenë i aftë të zhvillojë luftë.
Në bazë të epitafit të Suziut, i cili edhe sot ekziston, mund të konstatojmë se Suziu ka vdekur në vitin 931 hixhrij, përkatësisht ndërmjet 29. 10. 1524 – 17. 10. 1525 sipas kohës së re.
Këto të dhëna i lexojmë nga mbishkrimi në epitafin e varrit të Suziut, i cili nuk ndryshon për nga forma dhe dimensionet me atë të vëllait të tij, Nehariut. Këto nishane në bazë kanë rrethin me diametër 20 cm. Nishanet në kokë nuk kanë turban, por në mënyrë konike mbarojnë sikur edhe nishanet në këmbë. Në anën e kokës janë të gëdhendura mbishkrimet me shkronja të mëdha nes’h xhel-li, në prozë, në gjuhën arabe[29]. Mbishkrimi i Suziut ka pesë radhë:
ألمتوفي ألمرحوم ألمغفور
سو زۑ زريني
في تاريخ سنة
تسعماء إحدى و ثلثين
رحمة واسعة.
“I vdekuri, i mëshiruari, i faluri
Suzi Zerrini
Vdiq në vitin
Nëntëqind e tridhjetë e një
Ndaj tij past mëshirë e gjerë.”[30]
Nëse tekstin e sipërm dhe atë që e sjellë A. Olesnicki[31] e krahasojmë, vërejmë se te Olesnicki është i pranishëm edhe invokacioni هوا لبا قى (Ai është i përjetshëm). Nga A. Olesnicki, pa ndonjë shikim kritik, por edhe pa shikuar në vend të ngjarjes, si duket, këtë invokacion e huazoi edhe Hasan Kaleshi. Mirëpo, historikisht, ky invokacion në mbishkrimet e varrezave paraqitet në shekullin XVIII[32], e jo në gjysmën e parë të shekullit XVI.
Gjithashtu, te A. Olesnicki dhe Hasan Kaleshi vërejmë prefiksin پر “prî” kur është fjala për Prizrenin. Ky prefiks nuk gjendet në të vërtetë në epitafin e Suziut. Në epitaf lexojmë përjashtimisht سوزي زريني (Sûzî Zerrînî), pa prefiksin “prî”.
Për të dëshmuar se nuk është fjala për ndonjë gabim apo dëmtim të epitafit, të shkaktuar nga dhëmbi i kohës apo të qëllimtë, as për ndonjë vendbanim tjetër, theksojmë edhe epitafin e vëllait të Suziut, Nehariut. Edhe me këtë rast Prizreni është quajtur “زريني “ (Zerrini), pa prefiksin “pri”:
“Ka ndodhur vdekja e të mëshirshmit
Të falurit Nehariut
Zerrinit në vitin
Nëntëqind e njëzet
E nëntë
Ndaj tij past mëshirë e gjerë.” [33]
Nuk është pa rëndësi të theksohet një shënim me rëndësi nga dorëshkrimi i Tefsirit /Komentit/ të Kur’anit në gjuhën persiane nga Husein Kashifiu, të cilin e vakufoi Sofi Sinan pasha, veziri i madh i Sulltan Muratit (1588-1589) për xhaminë e Gazi Mehmed pashës, dorëshkrim ky i cili gjendet në Bibliotekën e Gazi Mehmed pashës në Prizren, ku përveç tjerash shkruan:
… و شرط أن يوضع و يقرأ في جامع بنأء اخوا ألدستور ألمشار اليه أعني المرحوم ألمغفور له محمد باشا بقصبة زرين وقفا صحيحا شرعيا علي قول من جوز وقف ألمنقولات …[34]
“… Ai i cili e ka kushtëzuar që (ky tefsir[35]) të vehet dhe të lexohet në xhaminë të cilën e ka ndërtuar vëllai i vezirit të përmendur, d.m.th.: I mëshiruari dhe i faluri nga Zoti, Mehmed pasha, në kasabën eZerrinit. Këtë e ka lënë vakuf si vakuf korrekt dhe sipas sheriatit, sipas fjalëve të atyre të cilët e mendojnë të lejueshëm lënien vakuf të luajtshmërive …”.[36]
Nuk e kemi të qartë nga ka rrjedh kjo inkonsekuencë te A. Olesnicki dhe H. Kaleshi në çështjen e prefiksit “pri”, të tepërt në rastin e deshifrimit të emrit të Prizrenit? Si duket, që të dytë janë mbështetur në format standarde të vakufnameve dhe nuk janë angazhuar sa duhet në leximin e drejtë të epitafit. Në këtë çështje ka ndihmuar sigurisht edhe vështirësia e leximit korrekt të mbishkrimit, sepse epitafi sigurisht ka qenë i pluhërosur dhe i gëlqerosur nga dhëmbi i kohës apo edhe nga banorët e lagjes.
III. Veprimtaria e Suziut
III.1. Fëmijëria dhe rinia
Gjatë hulumtimit dhe studimit të veprës së Suziut në pikëpamje të veprimtarisë së tij, paraqiten dy probleme:
– Problemi i parë konsiston, siç cekëm më herët, në mungesën e burimeve historike që të ndriçohet vepra e tij;
– Problemi i dytë konsiston në aktivitetin e llojllojshëm të Suziut, por njëherit edhe aq të frytshëm sa që është vështirë të përcaktohet se në cilën fushë është më i frytshëm: si luftëtar, historiograf, udhëpërshkures, poet, vakif apo si imam, hatib e mual-lim.
Në pamundësi që të merremi me të gjitha pikëpamjet e jetës dhe të aktiviteteve të tij, në vazhdim do t’i trajtojmë disa rrafshe, të cilat njëherit janë trajtuar më pak lidhur me Suziun.
Nëse Suziun e përcjellim në pikëpamje kronologjike, do të hasim në Suziun fëmijë. Për fat të keq, kjo periudhë është e errët në aspekt të informacioneve, sepse nuk kemi kurrfarë të dhënash. As vetë Suziu por as bashkëkohësit e tij nuk kanë lënë shënime për familjen e Suziut, për veprimtarinë e tyre etj. Edhe faza vijuese, ajo e nxënësit dhe e studentit është mjaft e varfër dhe çdo gjë që dimë për të mund të nxirret nga aktiviteti i mëvonshëm. Këto të dhëna tregojnë se Suziu ka qenë nxënës dhe student i zellshëm, nga më të dalluarit e kohës së tij. Po ashtu, mund të themi se Suziu ka qenë lexues i pasionuar, sidomos lexues i poezisë dhe i historisë. Ka lexuar poetët e mëdhenjë, mistikët e njohur, teologët me renome të ehli sunetit dhe xhematit.
Pas shkollimit të përfunduar disa të dhëna Suziun e prezantojnë në funksionin e kadiut dhe atë të suksesshëm. Këtë e themi në bazë të shënimit nga vakufnamja e tij, kur sulltani i dha të dhjetën pjesë (ushrin) nga të ardhurat e tokës në fshatin Grazhdanik[37], i cili vend gjendet në periferi të qytetit të Prizrenit dhe edhe sot njihet po me këtë emër.
III. 2. Veprimtaria shoqërore-politike
Mirëpo, detyrën e kadiut si duket e kreu për një kohë të shkurtër. Ndonëse nuk kemi shënime të sakta, ka gjasa që Suziu ndërmjet viteve 1480 dhe 1490 u vendosë në pallatin e Ali be Muihalogllut[38], i cili në gjysmën e dytë të shekullit XV ka qenë prijësi i akinxhinjve rumelian.[39] Edhe pse Suziu ishte në moshë të re, kjo nuk i mungoi që me aftësitë e tij të imponohet dhe të bëhet sekretar personal i Ali be Mihalogllut. Këtë detyrë e kreu edhe pas cvdekjes së Ali be Mihalogllut më 913 hixhrij/1507, në Plevne të Bullgarisë, në pleqëri të shtyrë[40], kur në sundim erdhi i biri i Ali beut, Mehmed beu.[41] Si duket, Suziu nuk mbeti edhe shumë kohë te Mehmed beu, sepse qysh më 1513 e hasim në Prizren, kur edhe e legalizoi vakufnamen e tij. Sipas Kronikës së Mehmed Tahir Efendiut, Suziu xhaminë e tij e ndërtoi pas vitit 900 hixhrij[42]/ 1494. Sipas mendimit tonë, ndërtimi ndodhi nga fundi i dekadës së parë të shekullit XVI. Këtë e themi duke e marrë parasysh se Suziu ishte në shërbim të Ali beut deri në vitin 1507, kur ai vdiq, kurse Suziu qëndroi edhe për një kohë të shkurtër në postin e sekretarit te Mehmed beu, d.m.th. deri kah viti 1510 më së largu.
III. 3. Suziu si poet e historian
Suziu i talentuar dhe me shpirt të rafinuar qysh gjatë jetës së Ali beut dëshiroi t’i përjetësojë veprat e pavdekshme të eprorit të tij. Ai trimëritë e Ali beut në gazevate (luftra) me jomuslimanët nuk i bëri duke shkruar një histori klasike, por ngjarjet historike i shkroi me gjuhë poetike. Këtë punë e nisi para vdekjes së Ali beut, kurse e përfundoi pas vdekjes së tij.[43]
Këtë vepër Suziu e quajti Gazevat name-i Ali beg Mihaloglu (Libri i pushtimeve të Ali be Mihaloglut) dhe sipas kronikave më të vjetra, pastaj edhe sipas Alejksej Olesnickit[44] dhe të disa hulumtuesve të tjerë, përmban 15 mijë bejte, përkatësisht 30 mijë distihe. Siç theksuam edhe në fillim, Akademia e Shkencave në Zagreb dhe Preussische Statsbibliothek në Berlin, në vitin 1929, në përmbeldhjet e tyre orientale fituan fragmente nga Gazevatnameja e Suziut dhe atë fragmentet e Berlinit përmbanin 1688 bejte, kurse të Zagrebit 217 bejte. Deri në vitin 1958, kur shkencëtari turk Agah Sirri Levend e publikoi veprën e Suziut, mendohej se këto janë vetëm fragmente prej gjithsej 15 mijë bejtesh. Levendi e botoi këtë vepër në bazë të fragmenteve të Berlinit dhe Zagrebit dhe të dy dorëshkrimeve të gjetura në Turqi. Në bazë të veprës së botuar mund të konstatohet se nuk janë përshkruar të gjitha luftrat. Ndonëse Hasan Kaleshi dyshon në numrin e përgjithshëm të bejteve, 15 mijë bejteve, konsiderojmë se këtë çështje duhet t’ua lëmë hulumtimeve më të reja shkencore, që ato ta thonë fjalën e fundit.[45]
Karakteristikë tjetër e kësaj vepre është vepra e shkruar në metrin poetik methnevij, ku rimohet pjesa e parë e bejtit me të dytin. Në fillim ka një hyrje më të gjatë, pastaj i rradhitë luftrat e Ali Beut dhe në fund e përshkruan dashurinë romantike të Ali beut me një femër.[46]
Përveç kësaj vepre poetike-historike, Suzi ka shkruar edhe poezi të tjera, sikurse janë nadhiret[47], poezi didaktike-satirike[48] dhe të tjera[49].
III. 4. Suziu vakif dhe bamirës
Suziut nxënës e student, kadi, luftëtar, sekretar personal i prijësit të akinxhinjve, Ali be Mihaloglut, poet e historiograf, në vazhdim do t’i shtojmë edhe Suziun vakif dhe bamirës të muslimanëve dhe popullit në tërësi.
Suziu ishte mjaft aktiv dhe i gjallë në rrafshin shoqëror, politik, por edhe shkencor e kulturor. Kjo i solli Suziut edhe të mira materiale – pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. I udhëhequr nga mësimet kur’anore-sunetike, këto të mira materiale Suziu i vakufoi. Mirëpo, deri në viti n 1930 nuk kemi pasur vakuf-name të Suziut në dorë. Atë vit Aleksej Olesnicki, i bëri një vizit Prizrenit dhe nga imami i xhamisë së Suziut, hafiz Kemal Kajseriu, mori një përshkrim të vonshëm të vakufnames së Suziut, së cilës i mungojnë si shqyrtimi gjyqësor ashtu edhe dëshmitarët.[50]
Hasan Kaleshi pohon se gjatë vizitës së tij në Prizren, nga imami i xhamisë së Suziut gjeti një përshkrim të vërtetuar të Vakufnames së Suziut. Sipas tij, ky përshkrim dallon dukshëm nga ai i Aleksej Olesnickit, ku përveç tjerash ka nënshkrimin e 22 dëshmitarëve dhe urdhëresën si të menaxhohet pasuria pas vdekjes së vajzës së tij, Aishes, pastaj gjendet lista e librave të vakufuara dhe dispozitat si të përdoren ato.[51]
Mirëpo, me sa dimë, këtë vakufname Hasan Kaleshi nuk e ka publikuar, kurse ne, për shkak se nuk disponojmë me këtë vakufname, nuk mund të themi asgjë më tepër.
Suziu Vakufnamen e legalizoi, mendohet për atë origjinale, në muajin Rebi’ul-ahir të viti 919 hixhrij, përkatësisht në qershor–korrik të vitit 1513 në Prizren. Struktura e saj përbëhet nga dy pjesët kryesore: Hyrjes (Instroductio) dhe Tekstit (Expositio). Hyrja është në gjuhën arabe, kurse teksti është i shruar në gjuhën turke.[52]
Nga vakufnameja e Suziut vërejmë se ai kishte ndërtuar dhe kishte lënë vakuf mesxhidin (xhaminë), i cili është ndër mesxhidet e parë në Prizren. Përveç xhamisë, ka vakufuar edhe mualim-hanen(mësonjtoren), për të cilën orientalisti Nimetullah Hafizi, pohon se është shkolla e parë në Prizren.[53]Këtë e pohojnë edhe autorë të tjerë.[54] Pranë mesxhidit dhe mualim-hanes, Suziu e themeloi edhe Bibliotekën, të cilën gjithashtu e vakufoi për nevojat e besimtarëve dhe qytetarëve të Prizrenit. Mehmed Tahir Efendiu thekson se Suziu i ndërtoi dy biblioteka, kurse Umer beu e përfundoi ndërtimin e tyre.[55]
Sipas provave historike Biblioteka e Suziut është e para në Kosovë[56] dhe ndër më të lashtat në rajon. Sipas vakufnames, të cilën e përmend Hasan Kaleshi, mund të konkludohet se veprat që i ka vakufuar Suziu në bibliotekën e tij janë të rangut më të lartë, me autorët më të mëdhenjë të botës muslimane, në gjuhë arabe, persiane dhe turke. Aty gjenden vepra nga fusha e hadithit (të traditës), të drejtës së sheriatit (jurisprudencio), tesawufit (misticizmit islam) si veprat e Feriddudin Attarit, Xhelaluddin Rumiut dhe sidomos veprat e filozofit të njohur, Imam Gazaliut e shumë të tjera. Kjo na cytë të mendojmë se jo vetëm Suziu por edhe qytetarë të tjerë në këtë periudhë në Prizren lanë mundur të lexojnë dhe ta përdorin këtë literaturë kaq serioze.[57]
Përveç këtyre që përmendem, Suziu ka vakufuar edhe:
– Të ardhurat në naturë nga livadhi (çairi) dhe ara;
– Ispenxhen (tatimet), të cilat merren nga banorët të cilët jetojnë në këtë çifllëk (në Grazhdanik);
– Tatimet e tjera të rëndomta (rusum-i urfije);
– Mullirin me katër çikrike që gjendet në zonën e kësaj prone, në lumin Lumëbardh, i cili rrjedhë nëpër qytet;
– Dy livadhe (çaire) të mëdha në periferi të qytetit.[58] Duket se këto dy livadhe i janë lënë në shfrytëzim vajzës së tij, Aishes, deri sa të jetë gjallë, që pastaj të inkuadrohen në tërësinë e vakufeve të tjera të Suziut.[59] Gjithashtu, Suziu para se të vdesë e ka vakufuar edhe shtëpinë e tij.[60]
Pranë xhamisë Suziu e ndërtoi edhe kronin dhe urën , të cilat mbajnë emrin e tij në kujtesën e popullit edhe sot, të cilat për fat të keq mund të vërehen vetëm nga fotografitë e vjetra.
Në Prizren ende qarkullon legjenda sipas së cilës Suziu e ndërtoi kanalin për ujitje në gjatësi prej 5-7 km, i cili fillonte nga Kërk Bunari dhe mbaronte në fshatin Grazhdanik. Disa thonë se kanali ekzistonte qysh në kohën e mbretit serb Car Dushanit, e mbase edhe më herët[61]. Sido që të jetë, merita e Suziut është se e ndërtoi kanalin, e më së paku e rindërtoi, e aftësoi kanalin për ujitjen e fushës në Prizren.
Kah fundi i tekstit të vakufnames lexojmë edhe kushtet (shartet) ase si duhet shfrytëzuar këtë pasuri. Kështu, ai kushtëzon se deri sa ai të ejtë gjallë do të kryejë në xhaminë e tij detyrën e imamit, mualimit dhe muezinit dhe për këto do të merrë të ardhurat e përmendura nga vakudi. Pas vdekjes së tij imami dhe mualimi bëhet një person, kurse muezini dhe ndihmësi në mualim-hane personi i dytë. Të dy këta persona marrin të ardhura nga vakufi në përpjesëtim dy të tretat. Suziu thotë më tej se “imami dhe muezini së bashku le të mbikqyrin çifllëkun e tij të përmendur dhe nga të ardhurat …., le t’i riparojnë vendet të cilat kërkojnë përtëritje.”[62]
III. 5. Disa karakteristika për Suziun dhe veprën e tij
Pjesën e fundit të jetës së tij Suziu e kaloi si imam, hatib, mualim dhe muezin në xhaminë e tij. Duke e marrë parasysh faktin se xhamia e tij është ndër xhamitë e para në qytet, se shkolla e tij është ndër të parat në Prizren e rajon, kurse Biblioteka e tij e para në Prizren e rajon, pastaj literatura e vakufuar e shumë të tjera, mund të konkludohet se Suziu ka qenë ndër intelektualët e parë dhe më të mëdhenjë të kohës së tij. Gazavet-nameja e tij sot në qarqet shkencore të botës konsiderohet si më tipike në llojin e vet.
Ka të dhëna nga disa autorë se Suziu ka kultivuar edhe aspekte të tesavufit[63]. Meqenëse nuk kemi akces të plotë në veprën e tij, vlerësimet përfundimtare do të mund të shtyheshin për ndonjë studim më të përimtë, në ndonjë monografi, çfarë e meriton Suziu dhe vepra e tij.
III. 6. Gjendja aktuale e vakufeve të Suziut aktualisht
Një pjesë e vakufeve të Suziut edhe sot janë në gjendje relativisht të mirë. Themi relativisht, sepse në kompleksin e xhamisë është një shtëpi e Suziut, në të cilën sot banon një familje, e cila sipas dëshirës bën modifikime të ndryshme, ndërsa ankesat e Bashkësisë Islame si pronar i vakufeve të Suziut nuk hasin në përkrahje të organeve përkatëse gjyqtare dhe shtetërore.
Përmbyllje
Periudha e sundimit të Sulltan Mehmed II Fatihut është karakterizuar me lulëzimin e diturive të shumta islame, e sidomos me lulëzimin e poezisë. Ndër më të dalluarit në këtë periudhë është edhe Suziu nga Prizreni.
Për fëmijërinë e hershme dhe për shkollimin e Suziut nuk kemi gati asnjë informatë, përveç të dhënës se ka lindur në vitin 1455 në Prizren, kurse ka vdekur në vitin 1524 gjithashtu në Prizren. Gjatë jetës së tij është marrë me detyrën e kadiut, pastaj ka qenë në shërbim të prijësit të akinxhinjve, Ali be Mihalogllut, si sekretar personal i tij, pastaj si imam dhe mësues në xhaminë dhe shkollën, të cilat i ndërtoi nga pasuria e tij dhe të cilat i vakufoi në vitin 1513.
Është interesant se shkolla dhe biblioteka e Suziut numërohet si e para në Kosovë e rajon. Përveç këtyre Suziu c vakufoi edhe pasuri të tjera të shumta për të mirën e xhamisë, shkollës, bibliotekës dhe të varfërve të kohës.
Krahas të mirave materiale, Suziu pas vetes la edhe vepra të shkruara. Deri sot dimë diç më tepër për librin Libri i pushtimeve të Ali be Mihalogllut, të cilën Suziu e shkroi në gjysmën e dytë të ejtës së tij. Me këtë vepër Suziu i përshkroi sukseset e komandantit të tij, i përshkroi rrethanat historike të asaj periudhe dhe e përjetësoi suksesin e komandantit bashkë me ushtrinë e tij. Por, për shkencën e historiografisë dhe gjuhësisë osmane-turke dhe botërore, vepra ka një rëndësi të jashtëzakonshme si në pikëpamje historike, fetare, politike, por edhe në pikëpmaje të zhvillimit të gjuhës dhe sidomos të poezisë në përgjithësi.
Është për të shpresuar se në të ardhmen institucionet kompetente do të angazhohen seriozisht në prezantimin e shkrimeve për Suziun dhe më apstaj të preokupohen me studimet analitike dhe krahasimtare të tyre nga pikëpamje të ndryshme, shumështresore, çfarë ka qenë jeta dhe veprimtaria e Suziut.
[1] Shih: Encyclopedie de l’Islam, I, pp. 953, Leiden, 1913, cituar sipas: Aleksej Olesnicki, Suzi Čelebi iz Prizrena turki pesnik-istorik XV-XVI veka – Prilog biografiji, Glasnik Skopskog Naučnog Društva XIII, Skopje, 1934, fq. 69.
[2] Dr. Franz Babinger, Die Geschichte der Osmanes u thre Werke, Leipzig, 1927, pp. 34, cituar sipas: A. Olesnicki, op. Cit., fq. 69.
[3] Shih: A. Olesnicki, op. Cit., fq. 69.
Fragmenti zagrebas i veprës së Suzi Prizrenit gjendet në Përmbledhjen Islame në Akademinë Jugosllave me nr. 535/1, ndërsa ai i Berlinit me Ms.or.qu-1468. Fotokopia e dorëshkrimit të Berlinit është e regjistruar me nr. 1131.
[4] Grup autorësh, Historija naroda Jugoslavije, I, Zagreb, 1953, cituar sipas: Esat Haskuka, Historijsko-geografska analiza urbanih funkcija Prizrena, Djakovica, 1985, fq. 92-93.
[5] Shih: Esat Haskuka, op. cit., fq. 106.
[6] Skender Rizaj, Historia e përgjithshme – Koha e Re (1453-1789), Prishtinë, 1985, fq. 17.
[7] Hasan Kaleshi, Shënime nga e kaluemja e Prizrenit gjatë periodës turke, Përparimi – revistë kulturore, VII/7-8, Prishtinë.
Me këtë rast dua të tërheq vëmendjen se Prizreni është pushtuar nga osmanlinjt menjëherë pas Betejës së Kosovës, por ky pushtim nuk ka qenë i qëndrueshëm për shkak se Osmanët nuk kishin ndonjë interesim të theksuar të qëndronin për shkak të sistemit të vazalitetit, ku sundonte pushteti i deriatëhershëm por duke e njohur autoritetin politik dhe ekonomik të osmanlinjve. Por, pas rebelimeve të herë pas hershme nga grupime të pakënaqura nga popullata e vendit, Osmanët vendosën që përfundimisht ta pushtojnë Prizrenin.
[8] Gjerësisht: Hasan Kaleshi & Redzep Ismaili, Prizrenac Kukli beg i njegove zaduzbine, Prilozi za Orijentalnu filologiju, VI-II-IX, 1958-1959, Sarajevo, 1960, fq. 143. Krhs.: Muhamed Tërnava, Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës deri në fund të shekullit të XVII, Gjurmime albanologjike, Seria e historisë, IX/1979, Prishtinë, 1980, fq. 45 e tutje.
[9] Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime albanologjike, 1/1, 1962, Prishtinë[, fq. 101-113. Krhs.: Fuad Koprulu, Opci pogled na razvoj turskog jezika i knjizevnosti u Anadoliji (XIII-XVI), Islamska Misao, IX/1987, br. 107-108, Sarajevë, fq. 28 etj.
[10] A. Olesnicki, op. cit., fq. 70.
Fjala “suzi” rrjedh prej infinitivit të foljes ‘Sukhtan – Suhtan’ që do të thotë: të ndriçosh, ndriçim, të digjesh, djegie, nxehtësi, temperaturë etj. Shih për këtë: Lugatname Dah Khoda, Vellimi 29, fq. 699. Botimi i Universitetit të Teheranit-Fauklteti i Filologjise’ Instituti i gjuhës dhe letërsisë persiane, Teheran, viti 1345 Hixhri Shemsi; Krhs.: Farhangi Bozorgi Farsi, dr. Mahshid Mashiri. Botimi i Shtëpisë botuese ‘Soruosh’ – Teheran, 1369 H.K. Këto të dhëna i sigurova duke iu falënderuar zotëri Abdullah Rexhepit, i cili ndjek studimet pasuniversitare në Teheran.
[11] Ibid., fq. 69-70. Gjithashtu: Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 102.
[12] A. Olesnicki, op. cit., fq. 71. Shih: Mehmed Mujezinovic, Natpisi na nadgrobnim spomenicima Suzi-Čelebije i Neharija u Prizrenu, Prilozi sa Orijentalnu filologiju, XII-XIII, 1962-1963, Sarajevo, 1965, fq. 268. Krhs.: Hasan Kaleši, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 104.
Sipas traditës së gjallë dhe sipas disa shënimeve, Suziu ka pasur vëllnë me emrin Ramadan efendiu, i mbiquajtur “Nehariu”. Sipas mbishkrimit në varrin e tij, i cili gjednet së bashku në turben e Suziut, ka vdekur në vitin 929 hixhrij, apo ndërmjet 20.XI. 1922-9. XI. 1523.
[13] A. Olesnicki, op. cit., fq. 71.
[14] Ibid., fq. 71.
[15] Ibid., fq. 71.
[16] Krahaso: Halil Inalcik, Od Stefana Dusana do Osmanskog Carstva, Prilozi za Orijentalnu Filologiju, III-IV/1952-1953, Sarajevo, 1953, fq. 23-54; Muhamed Tërnava, Përhapja e islamizmit…., op. cit.; Gasprer Gjini, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stoljeca, Zagreb, 1986, fq. 67-204.
[17] Shemsuddin Sami Frashëri, Qanu’ul-A’lam, IV, fq. 2684, cituar sipas: Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 102.
[18] Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar, op. cirt., fq. 102-103.
[19] Akinci – nga turqishtja do të thotë kalorës, sulmues i trupave sulmuese turke, jo të rregullta, në periudhën e hershme. Këta i vëzhgonin dhe i hulumtonin territoret kufitare dhe u raportonin njësive të rregullta ushtarake osmane. Kanë vepruar me taktikë guerile, kurse paguheshin nga ajo që rrëmbenin nga pala kundërshtare. Sipas: Nexhat Ibrahimi, Leksikoni i thukët islam, dorëshkrim.
[20] Fjala çelebi në literaturë ka kuptime të shumta, por kuptimet më të spikatura janë: zotëri, dashamirës, i sjellshëm; pastaj zotëri apo beg; ndonjëherë është përdorë edhe për ata që dinë shkrim dhe lexim; çelebi janë quajtur edhe dijetarët të cilët nuk kanë marrë pjesë në kuvendet shkencore. Çelebi janë thirrur edhe shokët e padishahëve, pastaj ata që e pasojnë tarikatin mevlevij; nofkë për princat në perandorinë osmane; ata që posedojnë kulturë qytetare. Gjerësisht për nocionin çelebi shih: İslam Ansiklopedisi, cilt 8, İstanbul, 1993, s. 258.
Për kuptimet e nocionit çelebi, shih edhe: Fehim Nametak, Traktat o izrazu Čelebi od Hasan Kafije Pruščaka i kasnija upotreba te riječi, ANALI Gazi-husrev-begove biblioteke, II-III, Sarajevë, 1974, fq. 33-40.
[21] Hasan Kaleši, Prizren kao kulturni centar, op. cit.,, fq. 105.
[22] Ibid., fq. 105.
[23] Ibid., fq. 105.
[24] A. Olesnicki, op. cit., fq. 71.
[25] Mehmed Mujezinovic, op. cit., fq. 268.
[26] Ja si e përshkruan Tahir efendiu Suziun në Kronikën e tij:
Biografia e zotërisë sonë Suzi – Allahu ia shenjtëroftë sekretin dhe xhaminë e tij
Edhe i nderuari ynë Suzi ka ndërtuar një xhami të vetme,
dhe kjo ka ndodhur pas të nëntëqindave.
Dhe e ka gjallëruar me vakëfe sidomos me toka,
që kishte blerë nga thesari i mbretit.
Deri më tash një e treta (e saj) ishte përherë e myezinit,
e pjesa tjetër e imamit, kështu kemi vepruar.
Ka vakëfuar një pronë për bukëpjekësin e tij në afërsi të xhamisë,
dhe shtëpinë e vet, po ashtu, aty afër.
Ajo kishte pjesën e epërme, e pjesa e poshtme ka qenë mekteb,
Ymer beu e ka rinovuar dhe i ka ngritur minarenë.
(Sipas: Nehat Krasniqi, Kronika (Menakib) e Tahir Efendiut burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane, Revista Edukata Islame, nr. 57, Prishtinë, 1995, fq. 86.
[27] Mehmed Tahir efendiu, kronika El-Menakib, e cila gjendet në dorëshkrim në Bibliotekën e Bashkësisë Islame të Prizrenit, kurse të cilën e kemi në përgatitje e sipër edhe në gjuhën shqipe. (Këtë Kronikë më vonë në gjuhën shqipe e ka përkthyer Nehat Krasniqi op. cit., fq. 59-113.
[28] Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 104; Krhs.: M. Mujezinovic, op. cit., fq. 268.
[29] Mehmed Mujezinovic, op. cit., fq. 266-267.
[30] Ibid., fq. 266-267.
[31] Turbeja (Mauzoleu) e Suziut dhe e Nehariut është e gjatë 4.25 m, e gjerë 2.65 m, kurse e lartë është 2.25 m, me mure të trasha rreth 30 cm. Krhs. A. Olesnicki, op. cit., fq. 71.
[32] M. Mujezinovic, op. cit., fq. 267.
[33] Ibid., fq. 267.
[34] Teksti gjendet në Tefsirin e Kashifiut.
[35] Tefsiri i Husein Kashifiut, i cili gjendet në Bibliotekën e Këshillit të Bashkësisë Islame te xhamia e Gazi Mehmed pashës, rradhitet ndër dorëshkrimet më të vjetra në gjuhën persiane në Ballkan dhe sipas të gjitha gjasave është ekzemplar unikal.
[36] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 95. Krhs.: Mehmed Mujezinovic, op. cit., fq. 268.
[37] Shih: Vakufnamja e Suziut, në: A. Olesnicki, op. cit., fq. 78-80.
[38] Ibid., fq. 71.
[39] Ibid., fq. 73.
[40] Nuzhet Mehmed Paşa, Ahval-I Gazi Mihal, Istanbul, 1315/1897, fq. 76 dhe 78, Biblioteka Nacionale e Parisit, Ancien Fonda turc. N. 98, fol. 72 ab dhe 73 a., cituar sipas: A. Olesnicki, op. cit., fq. 73.
[41] A. Olesnicki, op. cit., fq. 74-75.
[42] Nehat Krasniqi, Kronika (Menakib) e Tahir Efendiut, op. cit..
[43] A. Olesnicki, op. cit., fq. 75.
[44] Ibid., fq. 69.
[45] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 103.
[46] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 106. Krhs.: A. Olesnicki, op. cit., fq. 71.
[47] Nadhireh – Poezi e cila është kënduar sipas tjetrës, me të cilën pajtohet në temë, trajtë, metër dhe rimë.
[48] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 106.
[49] Ibid., fq. 103.
Mendojmë se Suziu ka shkruar edhe në zhanret e tjera të poezisë dhe këtë e mbështesim në faktin se Suziu i shkroi Sulltanit shkresë-ankesë në stilin e poezisë e të ngjashme.
[50] A. Olesnicki, op. cit., fq. 70 dhe 78.
[51] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 92.
[52] A. Olesnicki, op. cit., fq. 78.
[53] Nimetullah Hafiz, Specificnost prizrenskog turskog govora, Prilozi za Orijentalnu Filologiju, 27/1977, Sarajevo, 1979, fq. 62.
[54] Libra të rrallë (Përmbledhje e librave të vjetra), prizren, 2006, fq. 5 dhe 7.
[55] Nehat Krasniqi, op. cit..
[56] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 92
[57] Ibid., fq. 92.
[58] Vakufnameja e Suziut sipas Al. Olesnickit, op. cit., fq. 78-80.
[59] Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar, op. cit., fq. 103.
[60] Nehat Krasniqi, op. cit., fq.
[61] M. Grujic, Jedan primjer nepouzdanosti narodne tradicije, GSND, XIV, vëll. 8 (1935), fq. 230, cituar sipas: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 103.
[62] Vakuf-nameja sipas: A. Olesnicki, op. cit., fq. 79-80.
[63] A. Olesnicki, op. cit., fq. 76.