Dje, më datë 25 janar 2024, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit mbajti Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit për mandatin e ardhshëm katër vjeçar 2024-2028.
Kuvendi Zgjedhor ka pasur gjithsej 263 delegatë me të drejtë vote, ndërsa kanë votuar 239 të tillë, nga gjithsej 91 xhami të Komunës së Prizrenit, që i kanë plotësuar kushtet e parapara për të qenë pjesë e procesit zgjedhor. Secila xhami i ka pasur nga tre delegatë: imami sipas pozitës dhe dy xhematlinjë të zgjedhur. Disa xhami apo delegatë janë eleminuar nga e drejta e votimit, ngase nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me Rregullorën e BIRK-ut mbi zgjedhjet.
Në garë për anëtar të Këshillit, kanë qenë 29 kandidatë. Ndërsa, 12 prej tyre që kanë fituar më shumë vota në Kuvendin Zgjedhor, konsiderohen anëtarë të zgjedhur të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Sipas Rregullorës së BIRK-ut mbi zgjedhjet, çertifikimin e anëtarëve të zgjedhur e bën Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës, e cila pas përfundimit të afateve ankimore e emron Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit nga anëtarët e certifikuar.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizreni numron 13 anëtarë, përfshirë kryeimamin, që është anëtarë i Këshillit sipas pozitës.
Punimet e Kuvendit kanë nisur në ora 10:00 dhe kanë mbaruar rreth orës 16:00. Gjatë gjithë kohës, e kanë mbikqyrur procesin zgjedhor dy anëtarë nga Komisioni Kryesor Zgjedhor, Ekrem ef. Simnica dhe Fatmir ef. Iljazi.
Zgjedhjet kanë shkuar mbarë e mirë dhe nuk është evidentuar asnjë parregullsi.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, falënderon të gjithë delegatët, nga radha e imamëve dhe xhematlinjëve, të cilët kanë kontribuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Emrat e kandidatëve fitues, do të publikohen pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve!