Imamët, unanimisht e përkrahin Centralizimin / integrimin e xhamive të fshatrave të Komunës së Prizrenit, duke filluar nga data: 1 janar 2024
Në dy takime të ndara, dje e sot (8 e 9 nëntor 2023), Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit organizoi mbledhje me të gjithë imamët e xhamive të fshatrave, në lidhje me Centralizimin / integrimin financiar të xhamive të fshatrave të Komunës së Prizrenit, në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Komisioni i Centralizimit / Integrimit i KBI-Prizren, në përbërje të Dr.Orhan ef. Bislimaj, Dr.Faruk ef. Ukallo, Naser ef. Kastrati, Afrim ef. Memaj dhe Nailj ef. Skenderi, e shpalosën konceptin e integrimit të xhamive të fshatrave, për nga aspekti i të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive.
Secili prej imamëve, pati rastin që të kontribuoj me sugjerime e rekomandime, në mënyrë që ky proces të zbatohet në mënyrë sa më efikase. Është inkurajuese, se të gjithë imamët, unanimisht e përkrahin një proces të tillë, natyrisht, duke respektuar disa specifika që i kanë fshatrat.
Gjersa qyteti i Prizrenit numron 40 imamë aktivë, fshatrat e komunës së Prizrenit, numrojnë mbi 50 imamë aktivë.
KBI-Prizren, tash e disa vite ka përmbushur disa kontribute në lidhje me integritetin personal e profesional të imamëve, e sidomos të atyre në fshatra, kurse përmes këtij integrimi, do të mundësohet një barazim i plotë i të gjithë imamëve, qytet e fshatra, në nivel të Komunës së Prizrenit.
Në këtë mbledhje, Komisioni i Centralizimit, kërkoi nga imamët përkushtim sa më të madh për ta realizuar këtë proces të rëndësishëm.
Në javën e ardhshme, më datë 15 nëntor 2023, do të mbahet mbledhja me të gjithë Këshillat e xhematit të xhamive të fshatrave të Komunës së Prizrenit.