Për nder të ditëlindjes së Resulullahit, Muhamedit a.s., mbrëmë më datë 26 shtator 2023, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit organizoi program fetar (Kur’an, ligjëratë, pjesë të mevludit, Ilahi, etj).
Programi u realizua nga imamët e KBI-së Prizren dhe u mbajt në xhaminë “Sinan Pasha”, në Prizren, pas jacisë (20:06).
Vërtet, pati atmosferë fantastike. Filloi me Kur’an, të lexuar nga hfz. Daut ef. Lezi.
Në emër të KBI-Prizren, fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Këshillit, Mr. Besim ef. Berisha, i cili foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, ku kërkoi nga të pranishmit leximin e sures El-Fatiha, për shpirtin e policit, heroit Afrim Bunjaku, i rënë dëshmor në krye të detyrës, më datë 24 shtator 2023, në Bajnskë të Mitrovicës.
Ligjëratën kryesore mbi mevludin e mbajti imami i xhamisë ‘Bamirësat’, Naser ef. Kastrati.
E pjesën artistike të programit e realizuan: Hfz. Daut Lezi, Kujtim ef. Bislimaj, Shqipron ef. Saramati, Ali Berisha dhe Deniz Allajbegu.
Duanë e programit e bëri kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj, kurse Programin e moderoi, sekretari dr. Faruk ef. Ukallo.
Pejgamberi Muhamed a.s. u lind në Mekkë, në vitin 571 të kalendarit miladi, nga baba Abdullahi dhe nëna Emine.
Në vitin 610 atij i filloi shpallja prej Allahut, pra zbritja e Kur’anit, nëpërmjet melekut Xhibril. I Dërguari i Allahut vdiç në Medinë në vitin 633 në moshën 63 vjeçare, duke i lënë ymetit thesarin e udhëzimit për në rrugën e drejtë.
Para vdekjes së tij, ai pati lënë një porosi: “Unë po ju lë dy gjëra, gjersa i përmbahuni, kurrë nuk do të devijoni nga rruga e drejtë, e ato janë: Kur’ani – Fjala e Allahut dhe Sunneti – tradita ime si i Dërguar i Allahut.”
Mevludin e Pejgamberit a.s., e shënon e gjithë bota islame, me aktivitete të ndryshme, fetare, shkencore e kulturore.
Urime e gëzuar Muaji i Mevludit – Datëlindja e Muhamdit a.s.!