Sot, me një solemnitet madhështor e në prezencë të shumë xhematlinjëve, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – xhamia e fshatit Gornje Sella, KK Prizren, organizoi ceremoninë solemne me rastin e mbarimit të Hatmes së Kur’anit për 12 nxënës.
Imami i xhamisë Afri ef. Tahiri, me shumë suksese ua mësoi leximin e Kur’anit nxënësve. Ai, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre, e në mënyrë të veçantë i falënderoi prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Në emër të KBI-Prizren, të pranishmit i përshëndeti anëtari i Këshillit, Anell ef. Avdija, i cili e vlerësoi lartë angazhimin e imamit të fshatit: “Secili imam që jep një kontribut të këtillë, bëhet i pa vdekshëm ndër gjenerata. Këta fëmijë të mektebit dhe të tjerë si vëllezër e motra të tyre, që fitojnë edukatën e mirëfilltë në Mekteb, janë pjesa elite e shoqërisë, ata janë e ardhmja e shëndoshë e shoqërisë.”
Në fytyrën e të pranishmëve, shihej gëzimi, e sidomos te prindërit e fëmijëve që kanë bërë hatme Kur’anin.
Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me lexim të Kur’anit, ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes.
Në fund, Këshilli i BI-së, nxënësve iu shpërndau nga një “çertifikatë” për ndjekjen e Mektebit, si dhe nga nëj dhuratë modeste.
Sipas traditës, duaja e Hatmes në rajonin e Zhupës së Prizrenit është një moment feste.
Suksese, fëmijëve, prindërve dhe imamit Afri ef. Tahiri!