Imam Nesefiu dhe tefsiri i tij
“Medariku-t-tenzili ve hakaiku-t-te’vili”
Imam Nesefiu pa dyshim është ndër dijetarët më të mëdhenj islamë. Emri i tij i plotë është Abdullah ibn Ahmed ibn Mahmud en-Nesefi, i njohur edhe si Ebul Berekat.
U lind në vendin Ejdhexh në afërsi të Isfahanit, mirëpo nuk dihet saktësisht viti i lindjes së tij.
Ofiqin En-Nesefi e mori sipas qytetit Nesef në provincën e Sindit, një vend në mes lumit Amu-darja dhe qytetit të Samerkandit. Për hir të kontributit të madh në lëmin e shkencave islame, mori titullin e nderit “Hafidhuddin” (Mbrojtës i fesë), që përmendet shpesh në shënimet rreth jetës së tij.
Vdiq dhe u varros në vendlindje, në vitin 701 apo 710 h., mirëpo vitin 701 h. e përkrahin shumica e dijetarëve dhe duket të jetë më i saktë.
Nesefiu si dijetar
Nesefiu mori mësime nga dijetarë më eminentë të asaj kohe si Shemsul eimmeti el Kurdi dhe Ahmed ibn Muhammed el Attabi, dhe me kalimin e kohës edhe vetë arriti të zinte vend në grupin e dijetarëve të mëdhenj islamë të kohës së tij.
U shqua në shumë disiplina shkencore sidomos në ato të tefsirit, fikhut dhe usuli fikhut. Biografët për të, ndër të tjera, kanë shënuar se ishte njeri shumë i devotshëm, modest dhe me virtyte të larta.
Dr. Dhehebiu për të, ndër të tjera, thotë: “Ai ishte një prej dijetarëve më modestë e në të njëjtën kohë edhe dijetari më i famshëm i gjeneratave të mëvonshme. Ishte dijetar i kompletuar dhe pa konkurrencë në kohën e tij. Ishte i patejkalueshëm në shkencën e fikhut dhe usuli fikhut, ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe në shkencën e tefsirit dhe atë të Ilmul Kelamit”. [1]
Veprat e Imam Nesefiut
Imam Nesefiu shkroi vepra të shumta, ndër të cilat do të veçonim këto:
– “Medariku-t-tenzili ve hakaiku-t-te’vili” – tefsiri i tij i mirënjohur,
– “Kenzu-d-dekaik” – vepër në fikh,
– “El-Menar” – vepër në usuli-fikh,
– “Keshfu-l esrar” – koment i gjerë i veprës “El-Menar”,
– “El-Vafi” – vepër në fikh, sipas shkollës juridike hanefite,
– “El-Kafi” – koment i gjerë i veprës “El-Vafi”,
– “El-Musaffa” – koment i veprës së Ebul Hafse en-Nesefiut,
– “Umdetul Akaid” – vepër në Ilmul-kelam,
– “Kitabul menafi’i fi sherhi-n-nafi’i” – vepër në fikh, dhe
– “Kitabu sherhil hidaje.”[2]
Tefsiri i tij
Nesefiu në tefsirin e tij “Medariku-t-tenzili ve hakaiku-t-te’vili” veproi ngjashëm si Kadi el Bajdaviu. Në fakt, Nesefiu kishte vërejtur se tefsiri i Zemahsheriut kishte vlera të jashtëzakonshme, kështu që e shfrytëzoi atë maksimalisht duke mënjanuar në këtë rast të gjitha idetë e mu’teziles. Nga ky tefsir, Nesefiu me kujdes kishte përzgjedhur pjesët më të mira, të cilat korrespondonin edhe me mendimet e Ehli-synetit.
Në disa raste kur në tefsirin e Zemahsheriut haste ndeshje mendimesh mes Ehli-synetit dhe mu’teziles, Nesefiu, me një qëndrim vërtet dinjitoz, mbronte parimet e Ehli-synetit dhe hidhte poshtë me argumente të qëndrueshme mendimet e mu’teziles.
Raste të tilla kemi mjaft, ndërsa si shembull mund të sjellim rastin e komentimit të ajetit 103 të sures “El-En’am”:
لاَّ تُدْرِكُهُ الأَبْصَارُ وَهُوَ يُدْرِكُ الأَبْصَارَ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ
“Të parët (shikimet e njerëzve) nuk mund ta përfshijnë Atë (Allahun), e Ai e përfshin të parët. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur.”
kur Nesefiu më tepër se zakonisht, arsyeton saktësinë e mendimit të Ehli-synetit, se besimtarët do të mund ta shohin Allahun në Ahiret, dhe në këtë mënyrë e hedh poshtë mendimin e mu’teziles se Allahu nuk ka kurrfarë mundësie të shihet nga besimtarët në Ahiret.
Duke komentuar ajetin 4 të sures “El-Felek”:
وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ
“Dhe prej dëmit të atyre që lidhin dhe fryejnë nyja.”
Nesefiu thekson se në këtë ajet flitet për femrat (personat) që merren me “sihër”- magji, të cilat duke fryrë në nyja gjatë lidhjes së tyre flasin disa fjalë të caktuara. Ai pastaj thotë: “Ky është argument i qartë për pasaktësinë e qëndrimit të mu’teziles, të cilët mohojnë realitetin e magjisë si të mundshme dhe të realizueshme.”
Ndërsa në fund të sures “En-Nas”, ai sjell hadithet e vërteta rreth ngjarjes së sihrit që i është bërë Resulullahut s.a.v.s., shkak i së cilës ishte zbritja e dy sureve të fundit të Kur’anit – (El-Felek dhe En-Nas). Madje ai thekson hadithin se gjatë leximit të ajeteve të këtyre dy sureve nga ana e Xhibrilit a.s., zgjidhej çdo nyjë dhe magjia nga trupi i Pejgamberit a.s. largohej. Në bazë të këtij hadithi, Nesefiu argumenton se është i lejuar shërimi me fjalë kuranore apo të synetit i atij që i është bërë magji, dhe nuk lejohet kurrsesi me formula magjike dhe fjalë të huaja, të cilave nuk u dihet kuptimi.
Përveç veprës së Zemahsheriut, Nesefiu në një masë konsultoi edhe tefsirin e Bejdaviut “Envaru-t-tenzil ve esraru-t-e’vil”, për se tregon edhe ngjashmëria e emrave të tefsireve të këtyre dyve.
Pavarësisht nga kjo, Nesefiu tefsirit të tij i jep edhe ngjyrimin e tij personal, duke sjellë argumente të shumta, kryesisht duke u përqendruar në stilistikën e gjuhës arabe dhe mundësinë e sqarimit të teksteve të paqarta kuranore.
Në dallim nga Zemahsheriu, Nesefiu në fund të sureve nuk sjell hadithe të pasigurta që flasin për vlerat e sureve. Nga tërë kjo, shihet se tefsiri i Nesefiut radhitet ndër tefsire racionale të lejuara. Tefsiri i tij është i madhësisë mesatare, mirëpo varësisht nga formati i botimit, diku është botuar në dy e diku në katër vëllime. Në lidhje me mënyrën dhe metodën e komentimit që Nesefiu ka ndjekur në këtë tefsir, do të sjellim fjalët e tij nga parathënia: “Disa prej atyre të cilëve nuk u kthehet fjala, më lutën që të shkruaja një tefsir në të cilin të përfshija në mënyrë të shkurtër karakteristikat e tefsirit duke përfshirë këtu kuptimet alegorike në gjuhën arabe, kuptimet e fshehta aluzive, metaforat kuranore, qëndrimet e Ehli-synetit rreth shumë çështjeve dhe distancimin nga risitë (bidatet), të cilat ymetin e kanë sjellë në gjendje të mjerueshme… Shumë herë gjatë shkrimit të këtij tefsiri kam dashur ta lija në gjysmë dhe të rifilloja, sepse nuk isha i sigurt se do të mund ta kryeja këtë detyrë aq delikate që i parashtrova vetes. Mirëpo në fund, me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm, iu rreka seriozisht kësaj pune dhe e përfundova pavarësisht nga shumë pengesa që më dolën, dhe e quajta “Medariku-t-tenzil ve hakaiku-t-te’vili”.
Gjatë leximit të këtij tefsiri mund të vërehet se Nesefiu i është përmbajtur me përpikëri parimit që kishte cekur në parathënie. Ai i kushtoi rëndësi të veçantë analizës gjuhësore të tekstit kuranor, duke mos i dhënë hapësirë të tepruar kësaj sfere, sepse dëshironte që komentimi të ishte çështja kryesore në këtë lëmë. Përveç kësaj ai merret edhe me mënyrat e leximit të kiraeteve, duke sjellë si shembull disa kiraete të pranueshme lidhur me leximin e disa ajeteve mirëpo në të njëjtën kohë jep shenjë edhe për disa nga kiraetet e papranueshme
Komentimi i ajeteve – dispozita
Gjatë komentimit të ajeteve dispozita, Nesefiu si njohës i mirë i çështjeve të fikhut, sjell shkurtimisht qëndrimet e medhhebeve lidhur me ndonjë dispozitë. Këtë e bën në mënyrë të shkëlqyeshme, ngase me pak fjalë thotë shumë. Kjo cilësi e tij e të shprehurit shihet kur komenton ajetin 222 të kaptinës “El-Bekare”:
وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُواْ النِّسَاء فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّىَ يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللّهُ إِنَّ اللّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ
“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni (për marrëdhënie seksuale) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrojuni atyre ashtu siç ju ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.”
Nesefiu, me disa fjalë, sqaron dispozitat se kur burri mund t’i afrohet bashkëshortes së tij pas pastrimit mujor. Fillimisht ai sjell mendimin se fjala “jat’hurne” në këtë ajet, sipas kiraeteve të vlefshme, mund të lexohet edhe si “jettahherne”, por në këtë rast kuptimi ndryshon. Në rastin e parë mendohet për ndaljen e rrjedhjes së gjakut nga mitra, kurse në të dytin për pastrimin pas ndaljes së menstruacionit. Pas kësaj ai sjell qëndrimin e shkollës juridike hanefite, sipas së cilës burri ka mundësi të ketë marrëdhënie me gruan edhe para se gruaja të lahet pas përfundimit të afatit më të gjatë të parashikuar për ciklin menstrual, po nuk ka të drejtë të ketë marrëdhënie kur rrjedhja e gjakut ndalet, para përfundimit të këtij afati, derisa të mos lahet.
Nesefiu, në disa rreshta, ka arritur të shpjegojë edhe shkakun e zbritjes së këtij ajeti, kur thotë se arabët në kohën e injorancës, izoloheshin tërësisht nga gratë e tyre gjatë ciklit të tyre menstrual. Kështu që me ato nuk hanin, nuk pinin e as nuk flinin në të njëjtin shtrat. Kjo traditë e kohës së injorancës ndaj femrës me menstruacion ishte edhe shkak që njëri prej besimtarëve ta pyeste të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë veprim të tyre, dhe si përgjigje zbriti ky ajet, i cili e sqaroi shumë qartë këtë çështje.
Si arabët e kohës së injorancës, ndaj grave të tyre në të njëjtën mënyrë silleshin edhe çifutët, ndërsa të krishterët as që interesoheshin për gjëra të tilla, kështu që marrëdhënie intime me gratë e tyre kishin edhe gjatë periudhës së menstruacionit. Sipas kësaj, thotë Nesefiu, shohim se Islami këtë çështje e zgjidhi vërtet në mënyrë shumë të drejtë, me se na bëri të qartë se gjatë këtij cikli na ndalohet vetëm marrëdhënia intime me gruan, po kurrsesi ta izolojmë atë e të mos kemi kujdes për ndjeshmërinë e saj gjatë këtyre ditëve.[3]
Qëndrimi i Nesefiut ndaj medhhebit hanefi
Në shumë vende në këtë tefsir, Nesefiu nuk heziton të përkrahë botërisht mendimin e Ebu Hanifes dhe të medhhebit të tij dhe përpiqet që me argumente të qëndrueshme të vlerësojë atë mbi medhhebet e tjera juridike. Në tefsirin e tij mund të hasim shpeshherë fjalët: “Sipas qëndrimit tonë…”, me se synohet përkatësia e tij në medhhebin hanefi.
Ndoshta ky është fakti që tefsiri i Nesefiut lexohet me ëndje nga pjesëtarët e shkollës juridike hanefite, si në trevën e Ballkanit, së cilës shkollë juridike i përkasim edhe ne.
Qëndrim i tij ndaj israiliateve
Kur bëhet fjalë për israiliatet, Nesefiu sjell shumë pak prej këtyre rrëfimeve dhe është shumë i kujdesshëm që përmes tyre të mos futet në besimin e myslimanëve diçka që nuk përkon me besimin e pastër islam.
Nesefiu në tefsirin e tij ka përdorur shumë pak israiliate, por edhe kur i ka cekur, ai të shumtën i ka demantuar si të pabaza dhe të papranueshme, andaj të rralla janë rastet kur ai pas rrëfimeve të tilla nuk jep kurrfarë komentimi. P.sh., duke komentuar fjalët e mbretëreshës Belkizë, kur ajo i dërgon dhurata të çmueshme Sulejmanit a.s., të transmetuara në këtë ajet kuranor:
وَإِنِّي مُرْسِلَةٌ إِلَيْهِم بِهَدِيَّةٍ فَنَاظِرَةٌ بِمَ يَرْجِعُ الْمُرْسَلُونَ
“Po, unë do t’u dërgoj atyre një dhuratë (të madhe), e do të shoh se ç’do të na sjellin të dërguarit (me dhuratë).”. (En-Neml, 35), e shohim Nesefiun tek flet rreth dhuratave të shumta e të mëdha që i qenë dërguar Sulejmanit a.s. nga ana e Belkizës, të cilat ishin: 500 djem të rinj, të veshur në rroba femrash; pastaj 500 vajza të reja, të veshura në rroba meshkujsh; 1000 kuaj, 1000 tulla ari e argjendi, kurora e zbukuruar me margaritar ë e gurë të çmueshëm…, dhe në fund, për çudi, për tërë këtë nuk përmend fare burimin se nga do ta ketë marrë këtë legjendë, madje as që flet për besueshmërinë apo saktësinë e këtij rrëfimi!![4]
Mirëpo, në anën tjetër, kur i komenton ajetet që flasin për Davudin a.s., Nesefiu vepron ndryshe. Kështu, kur flet për thashethemet që i janë mveshur Davudit a.s. nga jehudinjtë se ai gjoja ishte shumë i padrejtë ndaj luftëtarëve të tij, dhe sidomos ndaj njërit prej tyre, të cilin e kishte dërguar vazhdimisht në luftë derisa ishte vrarë dhe pastaj ia kishte marrë gruan, ai pasi përmend këtë ngjarje menjëherë argumenton bindshëm se kjo është një shpifje e hapët ndaj Davudit a.s., se kjo nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, dhe thotë: “Një veprim i tillë nuk i ka hije as një besimtari të rëndomtë e lëre më Davudit a.s., njërit prej pejgamberëve të dalluar të Allahut xh.sh.” Për më tepër, pas këtyre fjalëve, si argument tjetër shtesë, ai sjell edhe fjalët e Aliut r.a., i cili përkitazi me këtë ngjarje, ka thënë: “Për atë që rrëfen ngjarjen e Davudit në mënyrën si i rrëfejnë legjendat e trilluara israilite, dënimi është goditja me 160 shkopinj, dënim ky që parashihet për ata që shpifin ndaj të dërguarve të Allahut”.[5]
Nga tërë kjo mund të përfundohet se për rastin e parë Nesefiu nuk kishte reaguar fare, duke mos i bërë komentim, meqë ishte i bindur se rrëfimi i parë nuk prekte drejtpërdrejt në çështje të besimit dhe, sipas tij, mund të ceket pa ndonjë koment, ngase, si i tillë, në vete përmban mundësinë e të qenit i saktë apo edhe gënjeshtër, ndërsa në rastin e fundit vërehet një reagim i tij shumë i ashpër, sipas të gjitha gjasave për arsye se ka të bëjë me besimin – akaidin, me se deshi të tregonte se të dërguarit e Allahut janë të mbrojtur nga mëkatet e tilla.
Fjala përmbyllëse rreth këtij tefsiri
Në fund, mund të konkludojmë se tefsiri i Nesefiut, është një vepër tejet e dobishme dhe e vlefshme si në sferën e tefsirit ashtu edhe në atë të fikhut dhe të akaidit, dhe si i tillë ai është mirëpritur nga gjenerata të shumta, sidomos nga ata që i përkasin shkollës juridike hanefite.
Dr. Dhehebiu, kur flet për vlerën e këtij tefsiri, në fund thotë: “Allahu u dha dobi të shumta njerëzve jo vetëm me këtë vepër, por edhe me veprat e tjera të Nesefiut, Allahu e pastë mëshiruar!”[6]
[1] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi, “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. I, fq. 288.
[2] Ahmed Mustafa Tashkubrizade, “Miftahu-s-seade ve misbahu-s-sijade fi mevduatil ulum”, Bejrut 1985, vëll. II, fq. 167-168.
[3] “Tefsiru-n-Nesefij”, vëll. I, fq. 123.
[4] “Tefsiru-n-Nesefij”, vëll. III, fq. 166
[5] “Tefsiru-n-Nesefij”, vëll. IV, fq. 29-30.
[6] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I, fq. 293.
Sabri ef. Bajgora