Ibn Atijje el Endelusi
481 h./1088 e.r. – 542 h./1148 e.r.
dhe tefsiri i tij
“EL-MUHARRERUL VEXHIZ FI TEFSIRIL-KITABIL-AZIZ”
Biografi e tij e shkurtër
Ebu Muhammed Abdul-Hakk ibn Galib ibn Abdurrahman ibn Atijje el-Muharibi el-Endelusi u lind në vitin 481 h – 1088 e.r në afërsi të Granadës në Spanjë. Rrjedh nga një familje dijetarësh me traditë. Qysh në moshën rinore udhëtoi në të gjitha provincat e Spanjës islame (Andaluzi). U shqua në shumë disiplina shkencore islame, sidomos në tefsir, hadith, fikh dhe gjuhë. Për një kohë të gjatë ishte kadi në qytetin e Almerisë, ku dha shembullin më të mirë të një gjykatësi të drejtë e të paanshëm.
Pa dyshim, Ibn Atijje el Endelusi ishte një ndër dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij, dhe përveçqë ishte dijetar i madh i penës, Ibn Atijje el-Endelusi dha shembullin më të mirë edhe si muxhahid-luftëtar në rrugën e Allahut, duke marrë pjesë në shumë beteja që u zhvilluan me armiqtë në truallin e Spanjës islame. Vdiq në vitin 542 h. – 1148 e.r. në qytetin Lurka.
Mësuesit dhe nxënësit e Ibn Atijjes
Meqenëse rridhte prej një familjeje dijetarësh, ishte e natyrshme që edhe Ibn Atijje të vazhdonte rrugën e të parëve të tij në këtë drejtim. Mësimet e para i mori nga i ati Ebu Bekr Galibi, i cili ishte njohës i madh i shkencave të hadithit, për se edhe kishte fituar gradën “hafidh i hadithit”.
Ibn Atijje nuk kishte lënë pa shkelur vend për të cilin kishte dëgjuar se kishte dijetarë, e aty ku nuk mund të arrinte, u dërgonte letra, nëpërmjet të cilave kërkonte mendimin e tyre rreth një çështjeje të caktuar. Përveç babait, mësues të tij ishin edhe Ebu Ali el-Gassani, Ebu Ali es-Sadfi, Ebu Muhammed Abdul-Xhebbar ibn Sulejman, Ebu Muhammed el-Kajrevani, Ebu Xha’fer ibnul-Kulej’i, e të tjerë.[1]
Në të gjallë të tij arriti famë të madhe në mesin e dijetarëve, kështu që pranë vetes kishte edhe shumë nxënës, të cilët më vonë u bënë dijetarë me nam anekënd Botës Islame, ndër të cilët Ebul-Kasim Abdurrahman ibn Hubejshi, Ebu Bekr Muhammed ibn Ebi Hamza el-Mursi, Ebu Xha’fer Ahmed ibn Meda’ el-Lahmi, Ebu Bekr Muhammed Hajr el-Ishbili, Ebu Bekr ibn Tufejl el-Kajsi etj. Ky i fundit është filozofi i njohur islam me përmasa botërore, autor i veprës po ashtu shumë të njohur “Hajj ibn Jakdhan”.
Ibn Atijje si dijetar
Pseudonimin Ibn Atijje e ka trashëguar nga gjyshi i tij. Me të njëjtin pseudonim njihej edhe babai i tij Galibi, kështu që dijetarët shpeshherë i ngatërrojnë, po dallimi ndërmjet tyre është se Ibn Atijje për të cilin bëhet fjalë, është autor i tefsirit të njohur “El-Muharrerul vexhiz fi tefsiril-Kitabil-aziz” dhe ishte kadi vetëm në Almeri, kurse babai i tij ka qenë kadi në Granadë.
Se për çfarë kalibri prej dijetari bëhet fjalë, mund të konkludojmë nga fakti se të rrallë ishin ata dijetarë që meritonin pozitën e kadiut, do të thotë vetëm ata më të aftët dhe që shquheshin për njohuri të thella në shkenca islame.
Ibn Atijje radhitet në mesin e dijetarëve më të mëdhenj të Ehli Synetit. Allahu xh.sh. i kishte dhuruar aftësi të mëdha, po edhe zgjuarsi të pashoqe, të cilat i shfrytëzoi për mrekulli, duke e lënë të pashlyeshëm emrin e tij në historinë islame. Disa dijetarë e konsiderojnë si dijetar të gjithanshëm për disiplinat fetare që ishin të njohura deri atëherë. Megjithatë famën më të madhe e arriti me tefsirin e tij “El-Muharrerul vexhiz fi tefsiril-Kitabil-aziz”, për të cilin dijetarët kanë folur me pietet të lartë, duke e vlerësuar madje si tefsirin më të mirë të shkruar ndonjëherë nga dora e njeriut.
Në lidhje me të si dijetar dhe komentator i Kur’anit, shumë dijetarë kanë shprehur fjalë miradie. F.v. Ebu Hajjani në parathënien e tefsirit të tij për Endelusin shprehet: “Ai është pa dyshim prej mufessirëve më të shquar që u morën me komentimin e Librit të Allahut. Ai ishte imam dhe shembull për mufessirët e tjerë. Ishte shumë i sjellshëm, rridhte prej një familjeje me tradita islame, ishte i zgjuar dhe shumë punëtor.”[2]
Përveç tefsirit u shqua edhe në fikh, sidomos në atë të medhebit malikij, të cilin e kishin pothuaj të gjithë banorët e Andaluzisë. Falë këtyre njohurive të thella në fikh dhe shkencat ndihmëse të saj, edhe punoi si kadi. U shqua gjithashtu edhe në shkencat e hadithit, për se mund të bindemi gjatë leximit të tefsirit të tij, ku shohim se gjatë komentimit përdor shumë hadithe.
Njohuritë nga hadithi i kishte përvetësuar nga babai i tij, për të cilin thamë se ishte “hafidh” i shkencës së hadithit. Ishte i njohur edhe në shkencat e gjuhës arabe, dhe me ëndje shkruante poezi, të cilat edhe sot e kësaj dite vlerësohen lart.
Përveç tefsirit, nga veprat e tij ka mbijetuar vetëm edhe një vepër tjetër e quajtur “El-Bernamexh”, e cila është ende dorëshkrim, por është e vlefshme, sepse përmban shënimet autobiografike për të gjitha veprat e tij, mjerisht të humbura e të shkatërruara nga pakujdesia e muslimanëve, pastaj shënime për mësuesit dhe nxënësit e tij etj.[3]
Tefsiri i Ibn Atijjes
S’ka dyshim se tefsiri i tij, për të cilin do të bëjmë fjalë, është një prej veprave më madhështore të shkruara ndonjëherë në shkencën e tefsirit, me metodën e komentimit tradicional. Ibn Atijje gjatë shkrimit të tefsirit të tij shfrytëzoi përvojat e shumë dijetarëve para tij. Ai nganjëherë në mënyrë kritike u qaset mendimeve të mufessirëve para tij, po në shumë raste jep edhe alternativat dhe mendimet e tij personale. Ibn Atijje për metodologjinë e tij të shkrimit ishte dhe mbeti shembull i përkryer për shumë gjenerata dijetarësh pas tij.
Tefsiri i Ibn Atijjes “El-Muharrerul vexhiz fi tefsiril-Kitabil-aziz” konsiderohet një prej tefsireve më të mira dhe më të sakta të shkruara ndonjëherë në këtë lëmë. Ka shumë dijetarë që me plot të drejtë thonë se ky tefsir është ende i patejkalueshëm, sepse Ibn Atijje në të mblodhi materien nga të gjithë librat e tefsirit para tij, duke i përzgjedhur më të mirët, duke i shkurtuar dhe klasifikuar me një mjeshtëri dhe afinitet të rrallë prej dijetari. Një mendim të tillë e ka shprehur edhe mendimtari i madh i Granadës, Ibn Xhuzijj, ndërsa Ibn Ferhuni dhe Sujutiu Ibn Atijjen e llogarisin në mesin e dijetarëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Edhe Ibn Halduni i famshëm, në veprën e tij të njohur në përmasa botërore “El-Mukadime”, thotë: “…Pastaj në mesin e mufessirëve të mëvonshëm të Magrebit[4] u shfaq Ebu Muhammed Abdul Hakk ibn Atijje, i cili bëri një përzgjedhje të kombinuar të të gjithë tefsireve të shkruara para tij, gjithnjë duke gjurmuar tek më të saktit dhe më të mirët prej tyre. Ai e arriti këtë sepse në mënyrë të shkëlqyeshme i radhiti të gjitha këto pjesë të zgjedhura në veprën e tij madhështore, të cilën e përdorin dijetarët e Magrebit dhe të Spanjës”.
Fjalë miradije për tefsirin e tij ka shprehur edhe shejhul islam Ibn Tejmije, i cili duke bërë një krahasim në mes këtij tefsiri dhe “Kesh-shafit” të Zemahsheriut, thotë: “Tefsiri i Ibn Atijjes është më i mirë dhe më i besueshëm në transmetimin e komentimeve tradicionale sesa ai i Zemahsheriut. Tefsiri i Ibn Atijjes është ndikuar më pak nga risitë, edhe pse disa prej tyre mund të hasen në të. Vërtet ky tefsir është shumë më i mirë dhe më i vlefshëm sesa “Kesh-shafi” i Zemahsheriut, dhe mbase është tefsiri më i denjë i shkruar deri më sot”[5].
Duke i krahasuar këto dy tefsire, pra të Ibn Atijjes dhe të Zemahsheriut, dijetari tjetër, Ebu Hajjani thotë: “Tefsiri i Ibn Atijjes është më komplet dhe më i spastruar, ndërsa tefsiri i Zemahsheriut është më i shkurtër po më i komplikuar për t’u kuptuar.”[6]
Ndërsa dijetari bashkëkohor Dr. Dhehebiu, në lidhje me këtë tefsir, jep këtë vlerësim: “Ibn Atijje s’ka dyshim se bëri një punë shumë të mirë në këtë tefsir duke sjellë disa elemente të reja dhe freskuese në shkencën e tefsirit, për se emri i tij mori dhenë. Ky tefsir është argumenti më i fortë se autori i tij atëbotë ishte i paarritshëm në disiplinat e gjuhës arabe si dhe në disiplinat e tjera… Mjerisht që ky tefsir është ende dorëshkrim”.[7]
Gjatë kohës kur Dr. Dhehebiu kishte dhënë këto vlerësime, tefsiri i Ibn Atijjes vërtet ende ishte dorëshkrim, por fatmirësisht, ndoshta dy vjet më vonë, ky tefsir do ta shihte dritën e botimit për herë të parë në Doha të Katarit, në vitin 1977, kur emiri (princi) i Katarit dha një donacion personal. Botimi në Katar doli me një cilësi të lartë shtypi në 15 vëllime. Pas kësaj, Ministria e Vakëfit e Marokut shtypi botimin tjetër të këtij tefsiri në 16 vëllime. Botimi i këtij tefsiri zgjati për vite të tëra, dhe vëllimi i fundit doli nga shtypi në vitin 1992.[8]
Metoda e komentimit e Ibn Atijjes
Tefsiri i Ibn Atijjes është mjaft i vëllimshëm dhe bën pjesë në radhën e tefsireve të gjata. Në parathënien e tij, Ibn Atijje thekson se këtë tefsir e kishte shkruar për disa vjet. Pavarësisht nga koha e gjatë e shkrimit, ai megjithatë i qëndroi besnik metodologjisë që e kishte përcaktuar që në fillim të punës. Së pari ai shkroi parathënien, në të cilën shpjegoi arsyet që e shtynë t’i hynte kësaj pune kaq të mundimshme dhe të vështirë. Pas kësaj parathënieje dhe para se të hynte në komentim, ai shkroi disa kapituj që kanë të bëjnë me shkencat kuranore dhe ato të tefsirit, për të cilat mendonte se janë të domosdoshme të kuptohen para se të fillojë të lexohet tefsiri. Këta kapituj janë:
– Hadithet dhe thëniet e ashabëve dhe të disa dijetarëve në lidhje me vlerën e Kur’anit famëlartë.
– Vlera e komentimit të Kur’anit.
– Komentimi i hadithit “Kur’ani është shpallur në shtatë dialekte”.
– Tubimi i Kur’anit dhe historiku i vokalizimit të tij – vënia e shenjave të pikësimit.
– Rreth disa fjalëve kuranore, të cilat gjenden edhe në disa gjuhë të tjera përveç arabishtes.
– Thëniet e dijetarëve për mrekullinë e patejkalueshme të shprehjeve kuranore.
– Emërtimet e Kur’anit.
-Komentimi i Eudhu-Besmeles etj.[9]
Ibn Atijje nuk u shqua vetëm se përcaktoi metodologjinë komplete të punës, d. m. th. hartimin e planit të detajizuar se si t’i qasej komentimin të Librit të Allahut, por u shqua edhe për faktin se ai kështu bënte hapat e parë konkretë në një metodologji pune e cila do t’u shërbente shumë gjeneratave të mëvonshme të mufessirëve. Ai kësodore tefsirin e shndërroi në një shkencë të mirëfilltë, e cila mbështetet në baza të shëndosha, në studim të përpiktë, në radhitje të bukur dhe me qasje dinamike të komentimit.
Karakteristikat kryesore të punës së tij në komentimin e Kur’anit mund të përkufizohen në këto pika:
1. Qysh në parathënie të tefsirit të tij, Ibn Atijje thekson se komentimi i Kur’anit është një gjë e rëndësishme, prandaj ai që dëshiron t’i qaset Librit të Allahut për ta komentuar, patjetër duhet të ketë njohuri të bollshme paraprake në disiplina të shumta shkencore, në mënyrë që me një përgjegjësi të plotë dhe përkushtim të kryejë punën e tij. Komentimin e Kur’anit nuk mund ta bëjnë njerëzit e rëndomtë, por vetëm dijetarët e mirëfilltë, prandaj ai që i hyn kësaj pune seriozisht, duhet të flejë fare pak, vetes duhet t’ia kufizojë në një masë të madhe pushimin dhe t’i përkushtohet me tërë qenien diturisë, derisa të mos arrijë nivelin e dëshiruar.
Ibn Atijje është shumë real dhe shumë modest kur nuk ngurron dhe e pranon se atij personalisht i është dashur shumë kohë derisa arriti të gjitha këto parakushte.[10]
2. Sipas tij, gjëja e dytë që duhet ta bëjë secili dijetar, është zgjedhja e një disipline të veçantë shkencore islame, dhe në të të perfeksionohet maksimalisht. Ai pranon se me dëshirë kishte zgjedhur shkencën e tefsirit dhe komentimin e Librit të Allahut, sepse, sipas tij, të komentuarit e Kur’anit është shkenca bazë e Sheriatit, dhe se të gjitha shkencat e tjera janë shkenca ndihmëse në krahasim me të. “Jam bindur, – thekson Ibn Atijje, se shkenca e tefsirit është shkenca që të afron më së shumti tek Allahu i Madhërishëm, i pastron nijetet (qëllimet), largon nga e padobishmja dhe nxit për atë që është vërtet e dobishme dhe e vlefshme.”[11]
3. Gjatë komentimit të Kur’anit, Ibn Atijje shfrytëzoi e përdori veprat më të mëdha e më të sakta nga trashëgimia e tefsirit. Megjithatë ai në këtë rast nuk ishte vetëm një përcjellës pasiv i qëndrimeve të autorëve të mëparshëm, përkundrazi Ibn Atijje lëshohej në dialogë me mendimet e tyre, duke dhënë shenjë se cila mund të ishte e saktë e cila jo. Lexuesi i tefsirit të Ibn Atijjes shumë lehtë mund ta vërejë kontributin e tij personal në këtë lëmë. Sa i përket tefsireve të cilat i shfrytëzoi do të shohim se më së shumti përdori tefsirin e Ibn Xherir et-Taberiut, i cili si nga të tjerët ashtu edhe nga ky, është pranuar si më i vlefshmi prej tefsireve tradicionale, e pastaj përdori edhe tefsire të tjera me radhë, duke zgjedhur prej tyre gjërat më të mira.
Në disiplinat e gjuhës arabe më së shumti përdori veprat e autorëve të mëdhenj si Halil ibn Ahmedi, pastaj Sibevejhi, Ferrai, Muberridi etj. Në lëmin e fikhut shfrytëzoi më së shumti “Muvettain” e Imam Malikut, drejtimit juridik të të cilit edhe i takonte. Në lëmin e Akaidit përdori veprat e Bakilaniut, Esh’ariut, Imam Xhuvejnit etj.[12]
4. Një karakteristikë e veçantë e këtij tefsiri është se Ibn Atijje, nëpërmjet komentimit (tefsirit), ngërthen në mënyrë të barabartë të gjitha njohuritë (shkencat) e tjera duke mos lënë anash asnjë prej tyre. Në të njëjtën kohë ai kritikoi ashpër të gjithë ata mufessirë që komentimit iu qasën vetëm nga një aspekt, qoftë gjuhësor, qoftë juridik, qoftë akaidologjik apo tjetërfare, ndërsa vetë ishte ndër të parët që i gërshetoi të gjitha këto shkenca në të komentuarit e Kur’anit, prandaj edhe tefsiri i tij është vlerësuar dhe ende vlerësohet lart nga dijetarët.
5. Kur është fjala për qëndrimet e dijetarëve të mëhershëm të tefsirit, ai nuk i pranon ato qëndrime pa verifikuar mirë vargun zinxhiror në transmetimet deri tek ata. Kjo sidomos kur ka të bëjë me qëndrime kundërthënëse të dijetarëve të mëdhenj lidhur me disa çështje të caktuara. Ai tërheq vërejtjen sidomos për qasjen e komentimit të simboleve (shprehjeve) të komplikuara kuranore dhe atyre të fshehta-alegorike (batin). Ibn Atijje thekson se këto dy metoda të komentimit shumë lehtë mund ta hutojnë mufessirin që ai të gabojë dhe t’i shmanget komentimit të drejtë e të saktë. Ai ishte ithtar i mendimit që dijetarët t’i qasen Kur’anit sa më shumë në komentimin e kuptimit të jashtëm e sa më pak të atij të brendshëm – alegorik. Ndoshta kjo edhe ishte arsyeja kryesore që Ibn Atijje të mos thellohej aq shumë në komentimin stilistik-gjuhësor dhe alegorik të ajeteve kuranore, siç kishte bërë, fjala vjen, Zemahsheriu.
6. Gjatë komentimit të disa ajeteve dhe fjalëve që gjenden në të, ai i komenton ato sipas radhitjes, duke mos kaluar në tekst herë para e herë prapa, siç kanë vepruar disa mufessirë, por e ka ndjekur këtë metodologji: së pari komentonte ajetin në tërësi, pastaj nxirrte dispozitat e caktuara nga ai, bënte analizën gjuhësore-gramatikore, fliste për kiraetet apo mundësitë e leximit të një fjale të ajetit në disa mënyra, varësisht se për cilin kiraet bëhet fjalë, mirëpo gjithmonë ishte i kujdesshëm që të tërhiqte vërejtjen se nëse bëhej fjalë për ndonjë kiraet të papranueshëm (shadh-dh) ai e tregonte dobësitë e atij kiraeti.
7. Ibn Atijje, siç theksuam më pare, i takonte drejtimit juridik të malikinjve, por megjithatë aspak nuk ishte fanatik në këtë drejtim. Si çdo dijetar tjetër i madh, që kishte arritur gradën e ixhtihadit, edhe ky përpiqej që për disa çështje juridike të sillte mendimin më të saktë e më të pranueshëm, pa marrë parasysh nëse ai mendim, të cilin e parapëlqente, ishte i ndonjë shkolle tjetër juridike e jo i malikinjve. Në tefsirin e tij mund të gjejmë shumë shembuj të tillë të mosanimit nga medhhebi juridik të cilit i takonte.[13]
8. Si përfaqësues i denjë i shkollës tradicionale të tefsirit, Ibn Atijje së pari fillon komentimin e Kur’anit me vetë Kur’anin, nëse ekzistojnë ajete që sqarojnë njëri-tjetrin. Ai madje tërheq vërejtjen se asnjë mufessir nuk bën të sjellë ndonjë mendim përfundimtar rreth një ajeti të caktuar, përderisa të mos bindet se në Kur’an nuk ekziston ndonjë ajet tjetër që mund të jetë sqarues i tij. Pas kësaj ai i qaset komentimit të ajetit me hadithe nga i Dërguari a.s., pastaj me fjalët e ashabëve dhe të tabiinjve e më pas ai përdor edhe mendimet e dijetarëve të mëdhenj para tij.
Një shembull të komentimit të Kur’anit me Kur’an nga Ibn Atijje e shohim tek komenton ajetin e fundit të kaptinës “El-Fatiha”:
غَيرِ المَغضُوبِ عَلَيهِمْ وَلاَ الضَّالِّينَ
“…e jo në (rrugë) të atyre (ndaj të cilëve) që Je i hidhëruar, dhe që kanë humbur!”
Është i njohur fakti se në lidhje me këtë ajet kuranor ekziston një hadith sahih (i vërtetë) i përcjellë besnikërisht nga Pejgamberi a.s. se (gajril magdubi alejhim) janë hebrenjtë, kurse (ed-dal-lin) janë të krishterët, por pavarësisht nga kjo, Ibn Atijje me ngulm ka hulumtuar dhe ka sjellë një lidhje tjetër të shkëlqyeshme të ajeteve, kur si ajet sqarues për pjesën e parë të ajetit (gajril magdubi alejhim) sjell ajetin 61 të kaptinës “El-Bekare”:
وَبَآؤُوْاْ بِغَضَبٍ مِّنَ اللَّهِ ذَلِكَ بِأَنَّهُمْ كَانُواْ يَكْفُرُونَ بِآيَاتِ اللَّهِ وَيَقْتُلُونَ النَّبِيِّينَ بِغَيْرِ الْحَقِّ ذَلِكَ بِمَا عَصَواْ وَّكَانُواْ يَعْتَدُونَ
“…e ata (hebrenjtë) kundër vetes shkaktuan hidhërimin e Allahut. Kjo ndodhi ngase ata mohonin argumentet e Allahut, mbytnin pejgamberët pa kurrfarë të drejte, dhe për shkak se kundërshtuan dhe i kalonin kufijtë në të keqe.”
Ndërsa në lidhje me pjesën e dytë të ajetit (ed-dal-lin) që flet për të krishterët, sjell ajetin 77 të kaptinës “El-Maide”:
قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لاَ تَغْلُواْ فِي دِينِكُمْ غَيْرَ الْحَقِّ وَلاَ تَتَّبِعُواْ أَهْوَاء قَوْمٍ قَدْ ضَلُّواْ مِن قَبْلُ وَأَضَلُّواْ كَثِيرًا وَضَلُّواْ عَن سَوَاء السَّبِيلِ
“Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë”.”
Tërë kjo elokuencë në sjelljen e argumenteve të qarta nga Kur’ani, na flet për potencialin e madh të këtij dijetari të famshëm, i cili mu për shkak të këtyre gjërave, vlerësohet si njëri ndër mufessirët më të mirë të të gjitha kohëve.
9. Disa dijetarë, si Ibn Tejmijje dhe dijetari bashkëkohor Dr. Dhehebiu, në disa raste kanë kritikuar Ibn Atijjen se për disa çështje akaidologjike është më i përafërt me qëndrimet e mu’teziles sesa të Ehli Synetit. Por, nëse analizohen hollësisht këto qëndrime të tij, do të shohim se këta dy dijetarë nuk kishin të drejtë për këto kritika, sepse ai ishte vërtet një dijetar që mbrojti denjësisht parimet e Ehli Synetit. Ai ka kritikuar ashpër qëndrimet e ngurta të mu’teziles lidhur me cilësitë dhe emrat e Allahut, pastaj për mundësinë për ta parë Allahun xh.sh. nesër në Ahiret etj., por keqkuptimi nga ana e dy dijetarëve të sipërtheksuar qëndron në faktin se Ibn Atijje i analizonte në detaje edhe mendimet e Ehli Synetit, dhe pastaj ato i pranonte pas bindjes e jo vetëm të imitonte dijetarët tradicionalistë pa i shkoqitur mirë e mirë ato mendime.[14]
Ndikimi i Ibn Atijjes tek mufessirët e mëvonshëm
Meqenëse Ibn Atijje ishte ndër të parët që themeloi disa parime në shkencën e tefsirit dhe iu qas komentimit me një metodologji të re e tërheqëse, nuk është aspak çudi pse shumë mufessirë të tjerë pas tij, ta merrnin atë si shembull dhe të ndiqnin po këtë metodë të punës që ai e trasoi. Kjo flet më së miri se çfarë vlere të madhe ka tefsiri i tij. Meqenëse jetoi në Spanjë, ishte shumë e natyrshme që nga mësimet e tij të ndikoheshin më së shumti dijetarët e Andaluzisë dhe të Magrebit. Prej dijetarëve më të njohur që ndoqën këtë metodologji pune është Kurtubiu. Kjo mund të vërehet lehtë, nëse i krahasojmë këto dy tefsire midis tyre, për se dëshmojnë edhe shumë dijetarë.
Ibn Halduni thotë se Kurtubiu pothuajse në tërësi ndoqi këtë metodologji të punës të Ibn Atijjes, me një dallim që Kurtubiu i kushtoi kujdes më të madh besueshmërisë së haditheve, por në anën tjetër përdori më shumë israiliate, gjë që nuk mund të thuhet edhe për Ibn Atijjen, i cili, ndonëse diku-diku ka përdorur israiliate, ato i ka përmendur vetëm në mënyrë kritike dhe sa për t’i shpërfillur.
Nga tefsiri i Ibn Atijjes ishte i ndikuar me të madhe edhe dijetari tjetër i madh, Ebu Hajjani i cili në parathënien e tefsirit të tij pranon se e kishte shfrytëzuar shumë tefsirin e Ibn Atijjes dhe atë të Zemahsheriut.
Ndërsa Abdurrahman ibn Muhammed eth-Thealebi nga Algjeria, në parathënien e tefsirit të tij, thotë se për bazë kishte tefsirin e Ibn Atijjes, të cilin e kishte shkurtuar dhe e kishte plotësuar me disa gjëra të vlefshme nga tefsiret e tjera dhe e quajti “El-Xhevahirul hisan fi tefsir-l-Kur’an”.[15]
[1] Ibn Atijje El-Endelusi “El-Muharrerul vexhiz fi tefsiril-Kitabil-aziz”, vëll. I, fq. 5, Duha-Katar, 1977
[2] Po aty, fq. 7-8.
[3] Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. I, fq. 178 Kajro 1985.
[4] Fjala Magreb në të kaluarën përfshinte Marokun, Tunisin, Mauritaninë, Algjerinë, një pjesë të Libisë, një pjesë të Saharës Perëndimore si dhe Spanjën e Portugalinë, ndërsa sot me këtë emërtim njihet vetëm Maroku.
[5] “Fetava li Ibn Tejmijje”, vëll II, fq. 194.
[6] Ebu Hajjan “El-Bahrul Muhiit”, vëll. I, fq. 9.
[7] “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. I fq. 180.
[8] Fehd ibn Abdurrahman er-Rumi, “Buhuth fi Usuli-t-Tefsiri ve menahixhihi” fq. 149, Rijad 1413 h.
[9] Ibn Atijje, “El-Muharrerul-vexhiz fi tefsiril-Kitabil-aziz”, fq. 13-98
[10] Po aty fq. 7.
[11] Po aty fq. 8-9.
[12] Nga parathënia e shkruar me rastin e botimit të tefsirit të Ibn Atijjes. fq. “Xh” 3-4.
[13] Po aty, fq. “Xh” – 9-10.
[14] Për më gjerësisht shih parathënien e shkruar për tefsirin e Ibn Atijjes, fq. “Xh” – 19-20.
[15] Abdurrahman ibn Muhammed eth-Thealebi “El-Xhevahirul hisan fi tefsir-l-Kur’an”. fq.3, Bejrut, pa vit botimi.
Sabri ef. Bajgora