Ibn Xherir et-Teberiu – (224-310 h)
dhe Tefsiri i tij:“XHAMIUL BEJAN AN TE’VILI AJIL KUR’AN”
(“Xhamiul bejan fi tefsiril Kur’an”)
Biografi e tij e shkurtër
Ebu Xha’fer Muhammed bin Xherir bin Jezid bin Kethir bin Galib et Taberi u lind në qytetin Amil të Taberistanit, provincë në Iran, në vitin 224 h.
Qysh si dymbëdhjetë vjeçar lëshoi vendlindjen dhe ia mësyu botës islame për t’u pajisur me dituri e njohuri të reja. Koha në të cilën jetoi e veproi Taberiu, ishte kohë e një lulëzimi të madh të kulturës dhe shkencës në mbarë botën islame, kështu që udhëtimet e tij nëpër qendrat më të njohura islame të kohës si në Bagdad, Kufe, Basra, Egjipt, Mekë dhe Medinë ishin edhe të shpeshta edhe të frytshme.
Me kalimin e kohës arriti të bëhej njëri ndër dijetarët më të mëdhenj të kohës. Ishte muxhtehid i vërtetë pothuajse në të gjitha shkencat islame. U bë i njohur brenda hapësirave të botës islame në lëmin e historisë me veprën “Tarihul umem vel muluk”, e cila vepër edhe sot e kësaj dite njihet si një ndër librat bazë të historisë.
Veprat e tij
Taberiu është autor i shumë veprave kapitale dhe me vlerë, por mjerisht, shumica prej tyre sot nuk gjenden më në mesin tona.
Ndër veprat e tij më të njohura do të numëronim:
– “Leximet (kiraetet) e Kur’anit”,
– “Mospajtimet e dijetarëve – Ihtilaful ulemaul emsar”,
– “ Biografia e sahabëve dhe e tabiinjve”,
– “ Ahkam sherial islam”,
– “Et tebsiru fi ulumid -din”,
– “Tarihul umem vel muluk” dhe
– “Xhamiul bejan an te’ëvili ajil Kur’an” – tefsiri i tij i mirënjohur.
Prej të gjitha këtyre veprave kaq të vlefshme, sot përveç këtyre dy të fundit, mjerisht asnjëra prej tyre, nuk i stolisin më vitrinat e bibliotekave tona. Të gjitha këto u tretën nga dhëmbi i kohës, më shumë nga neglizhenca dhe moskujdesi i duhur i muslimanëve për trashëgiminë e tyre të shtrenjtë kulturore-islame.
Tefsiri i Taberiut
“ XHAMIUL BEJAN AN TE’VILI AJIL KUR’AN”
Ky tefsir madhështor, i cili e bëri të pavdekshëm përjetë emrin e tij në shkencën e tefsirit, është i botuar në 30 vëllime të mëdha, dhe me plot të drejtë konsiderohet si një ndër tefsiret bazë të metodës së komentimit tradicional.
Në të u tubuan komentimet e shkollës së tefsirit të Ibni Abbasit, të shkollës së Ibni Mes’udit, të shkollës së Ali ibën ebi Talibit dhe të asaj të Ubejje bin Ka’bit . E kur këtyre komentimeve u shtohen edhe transmetimet nga Ibni Xhurejxhi, Suddiu, Ibni Ishaku dhe mufessirët e tjerë, atëherë na del në pah se tefsiri i Taberiut vërtet është tefsiri më komplet dhe më i vlefshmi në metodën tradicionale të komentimit, e njëherësh është edhe ndër të parët lëmin e tefsirit.
Ky tefsir u shkrua në gjysmën e dytë të shek. të tretë hixhrij.
Vlerësimet e dijetarëve për këtë tefsir
Dijetarët e kohës së tij, po edhe ata të mëvonshmit e çmuan lartë këtë tefsir me epitetet më meritore.
Imam Sujutiu ka thënë: “Tefsiri i tij (d.m.th. i Taberiut) është tefsir madhështor. Ai në të ka sjellë mendime të shumë dijetarëve, të cilat pastaj i ka vlerësuar nga këndi i tij në mënyrë profesionale, përmban sqarime të shumta të rregullave gramatikore dhe sintaksore … me çka i ka tejkaluar të gjitha tefsiret e dijetarëve para tij” [1]
Imam Neveviu ka thënë: “I tërë ymmeti ka rënë në ujdi (ixhmaë) se nuk është shkruar libër më i mirë se tefsiri i Taberiut” [2]
Ebu Hamid el Isfirajini ka thënë: “Nëse dikush udhëton edhe deri në Kinë për ta gjetur dhe lexuar tefsirin e Taberiut, kjo nuk do të ishte e tepërt” [3]
Ibni Tejmije ka thënë: “Sa i përket librave të tefsirit të cilat gjenden në duart e njerëzve, më i sakti prej tyre është tefsiri i Taberiut. Ai në këtë tefsir i cek me isnade të forta e të sigurta fjalët e selefit (sahabëve dhe tabiinjve). Në tw nuk mund të gjesh ndonjë risi (bid’at) dhe nuk transmeton asgjë nga të dyshimtët dhe as nga ata që akuzohen për trillime, shpifje dhe apokrifizëm si Mukatil bin Sulejmani dhe El Kelbiu” .[4]
Autori i “Lisanul Mizan” cek edhe këtë se Ibni Huzejme e ka huazuar tefsirin e Taberiut nga Ibni Halevije, e kur ia ktheu atë pas disa viteve i tha: “E kam lexuar dhe studiuar këtë tefsir prej fillimit e deri në mbarim, dhe kam ardhur deri në konkludimin se nuk ka në fytyrën e tokës njeri më të dijshëm se Ibni Xherir et Taberiun” [5]
Në veprën “Mu’xhemul udebaë” ceket se Taberiu e ka përfunduar punën rreth tefsirit të tij për shtatë vjet, e thuhet edhe kjo se Taberiu gjatë 40 viteve për çdo ditë i ka shkruar nga 40 faqe në lëmenj të ndryshëm të shkencave islame.[6]
Ndërsa vlerësimin më meritor për tefsirin e tij e ka dhënë Ebi Muhammed Abdullah bin Ahmed el Ferganiu, fjalët e të cilit i përcjell El Hafidh Shemsuddin ed Davudi në veprën e tij “ Tabekatul mufessirine”, ku ndër të tjera thuhet: “Prej veprave më komplete të Ibni Xheririt është tefsiri “Xhamiul bejan fi tefsiril Kur’an”, në të cilën ka sqaruar dispozitat ligjore nga Kur’ani, Nasihun dhe Mensuhun – ajetet derroguese dhe ato të derroguara, fjalët e panjohura, kuptimet gjuhësore, mendimet dhe komentimet e dijetarëve rreth kuptimeve të disa ajeteve kuranore, shumë tregime dhe lajme të popujve të mëhershëm, për parashenjat e kijametit, sqarime dhe transmetime të tjera të ndryshme, të cilat vërtet i japin formën e një tefsiri të mrekullueshëm …” [7]
Këto ishin disa nga vlerësimet dhe dëshmitë e dijetarëve më të mëdhenj islamë, rreth tefsirit “Xhamiul Bejan…” të Ibni Xherir et Taberiut.
Metoda e komentimit të cilën e ndoqi Taberiu
Së pari, Ibni Xherir et Taberiu në tefsirin e tij është përpjekur që besnikërisht të na prezantojë gjendjen reale dhe shkallën e kulturës shkencore-fetare të kohës në të cilën jetoi.
S’ka dyshim, Tefsiri i Taberiut për lexuesit qofshin ata të rëndomtë a dijetarë që thellë i njohin metodat e komentimit, është paksa i vështirë, ngase stili i tij gjuhësor është mjaft i lartë.
Taberiu kur dëshironte komentimin e ndonjë ajeti thotë: “Fjala jonë rreth komentit të fjalëve të Allahut është kështu e kështu“, e tek pastaj hyn në komentimin e drejtpërdrejtë të ajetit ose ajeteve, duke sjellë për argumentim pos dy burimeve të para të tefsirit tradicional, edhe fjalët e transmetuara nga as’habët ose tabiinjtë, gjithnjë me sened (varg të transmetuesve).
Mënyra tjetër e hyrjes në koment ishte edhe kjo: “Nëse kjo është kështu atëherë…” dhe më pas vazhdonte komentin.
Taberiu në të shumtën e rasteve hynte edhe në analizimin e një a më shumë transmetimeve. Sqaronte rregullat gramatikore dhe bënte analiza të thukta gjuhësore, pastaj veçonte prej çdo ajeti dispozitat që mund të nxirreshin prej tij, duke pasur kujdes të veçantë se cilës prej tyre t’i jepte më përparësi.
Taberiu i sulmonte ashpër ata të cilët lëshoheshin në komentimin e fjalës së Allahut pa u mbështetur paraprakisht në njërin prej katër burimeve të tefsirit, por mbështeteshin vetëm në sinonimet dhe kuptimet gjuhësore të një fjale kuranore.
Një shembull të tillë kemi kur gjatë komentimit të ajetit 49 të kaptinës Jusuf:
ثُمَّ يَأْتِي مِنْ بَعْدِ ذَلِكَ عَامٌ فِيهِ يُغَاثُ النَّاسُ وَفِيهِ يَعْصِرُونَ
“Mandej, pas asaj vjen një vit (i begatshëm) në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të kenë të vjela (vit i begatshëm në përgjithësi)”
pasi që përmend fjalët dhe transmetimet nga “selefi” lidhur me këtë ajet, thotë: “Disa prej atyre që nuk kanë fare njohuri rreth fjalëve të të parëve tanë (dijetarëve nga selefi) në shkencën e tefsirit, e komentojnë Kur’anin sipas mendjes së tyre, duke u bazuar vetëm në terminologjinë gjuhësore. Një qasje e tillë e tyre ka bërë që këta ta keqinterpretojnë pjesën e ajetit ”ve fihi ja’sirune” si “ve fihi jenxhune minel xhedebi vel kahti bil gajthi”,
duke supozuar se fjala është për “el asru” e cila do të thotë “shpëtim nga vështirwsia”. Ky sqarim i tyre dëshmon vetvetiu për mendimin e tyre si të gabuar dhe është në kundërshtim me fjalët e dijetarëve të kohës së as’habëve dhe të tabiinjve. [8]
Qëndrimi i Taberiut ndaj Isnadeve
Ibni Xheriri edhe pse në tefsirin e tij çdo transmetim e cek me isnade, në shumicën dërrmuese nuk jep ndonjë vlerësim kritik rreth isnadit të cilin e cek se a është i saktë apo i dobët.
Ai mendonte se nuk ka nevojë të hynte në këto gjëra, d.t.th. të vlerësimit të vlefshmërisë dhe saktësisë së isnadeve,, meqë mendonte se kjo punë ishte detyrë e shkenctarëve të Hadithit, të cilët merreshin me shkencën “Ilmul Xherhi vet’adili”.
Megjithatë në disa raste ai jep vlerësimin e vet rreth disa isnadeve, jep kritika të shëndosha në adresë të ndonjërit prej transmetuesve; dikë e vlerëson drejt, nganjëherë e hedh poshtë plotësisht rivajetin në të cilin nuk ka besim, duke e arsyetuar mirë këtë veprim të tij.
Një rast të tillë kemi kur gjatë komentimit të fjalëve të Allahut në suren Kehf, ajeti 94:
قَالُوا يَاذَا الْقَرْنَيْنِ إِنَّ يَأْجُوجَ وَمَأْجُوجَ مُفْسِدُونَ فِي الأَرْضِ
فَهَلْ نَجْعَلُ لَكَ خَرْجًا عَلَى أَنْ تَجْعَلَ بَيْنَنَا وَبَيْنَهُمْ سَدًّا
“Ata thanë o Dhulkarnejn, vërtet Jexhuxhi dhe Mexhuxhi janë duke bërë shkatërrime në tokë, a bën që ne të japim ty një kontribut (në formë tagri a tatimi), e që të bësh një pendë mes nesh dhe mes tyre”
thotë me sa vijon: “Është transmetuar nga Ikrime për fjalën e fundit në këtë ajet “sedden”- pendë, se a duhet të lexohet “sedden” apo “Sudden”. Në lidhje me këto pohime na ka rrëfyer Ahmed bin Jusufi i cili ka thënë: Na ka treguar Kasimi, e ky nga Haxhaxhi, nga Haruni, nga Ejubi e ky nga Ikreme të ketë thënë: “اka është prej veprës së njeriut është “Seddun”, ndërsa çka është vepër e Allahut është “Suddun”.
Ibni Xheriri në lidhje me këtë isnad-varg të transmetuesve thotë: “Ajo çka është cekur nga Ikrime në këtë kontekst, nëpërmjet Ejubit e ky nga Haruni kemi vërejtje, sepse nuk dimë se Haruni të jetë prej shokëve të tij si i sigurt-thikkah” në transmetime”.[9]
Ibni Xheriri gjithashtu ishte njohës i madh i kiraeteve dhe shpeshherë i hidhte poshtë disa lexime, të cilat nuk mbështeteshin në ndonjërin prej imamëve të pranuar të kiraeteve.
Një shembull të tillë, kur flet rreth kiraeteve e kemi kur gjatë komentimit të ajetit 81 të kaptinës El-Enbija:
وَلِسُلَيْمَانَ الرِّيحَ عَاصِفَةً تَجْرِي بِأَمْرِهِ إِلَى الأَرْضِ الَّتِي بَارَكْنَا فِيهَا وَكُنَّا بِكُلِّ شَيْءٍ عَالِمِينَ
“Ndërsa Sulejmanit (ia nënshtruam) erën e fortë që sipas dëshirës së tij ecte me të deri te toka të cilën e kemi bekuar Ne. Dhe Ne jemi të gjithëdijshëm për çdo gjë”
cek ndër të tjera se në të gjitha vendet islame dijetarët e kanë lexuar fjalën “Err Riha” me “fet-ha”, duke u mbështetur në atë se kjo fjalë është kundrinor i imagjinuar i fjalës “Sehharna”- ia kemi nënshtruar”, ndërsa Abdurrahman el A’ërexhi e ka lexuar këtë fjalë me “damme” : “Err-Rrihu”, duke thënë se kjo është kryefjalë.
Pas këtyre fjalëve, Taberiu jep mendimin e vet dhe thotë: “Mendimi im është sikur mendimi i dijetarëve se kjo fjalë duhet të lexohet “Err-Rriha dhe se kirateti i Aërexhit është i papranueshëm.”
Tërë kjo jep të kuptosh se Taberiu vërtet kishte njohuri të thella rreth kiraeteve, madje ai në këtë lëmë ka shkruar një vepër madhështore prej 18 vëllimesh, në të cilat ka cekur të gjitha llojet e kiraeteve të pranuara si dhe për ato që janë të papranuara. Mjerisht, kjo vepër kaq e çmueshme dhe e pazëvendësueshme për kulturën islame me kalimin e kohës është tretur dhe më nuk dihet gjë për fatin e saj.
Qëndrimi i Taberiut ndaj israiliateve
Tefsiri i Taberiut sikur edhe të gjithë tefsiret e tjera të komentimit tradicional janë përplot me tregime, rrëfime e transmetime të israilijateve. Megjithatë në tefsirin e tij për dallim nga të tjerët, ai në të shumtën e rasteve i cek isnadet e transmetuesve edhe pse shumica e tyre janë ose transmetime të dobëta ose apokrife, por ka edhe raste të tilla kur hesht dhe nuk thotë asnjë fjalë.apo sqarim qoftë pozitiv, qoftë negativ, por i mjafton të cekë vetëm senedin si p.sh. kur e komenton ajetin 38 të kaptinës Hudë:
وَيَصْنَعُ الْفُلْكَ وَكُلَّمَا مَرَّ عَلَيْهِ مَلأٌ مِنْ قَوْمِهِ سَخِرُوا مِنْهُ قَالَ إِنْ تَسْخَرُوا مِنَّا
فَإِنَّا نَسْخَرُ مِنْكُمْ كَمَا تَسْخَرُونَ
“Dhe ai ndërtonte anijen, e paria e popullit të tij, sa herë që kalonte pranë tij e përqeshnin. Ai u thoshte: Nëse talleni me ne , edhe ne do të tallemi me ju ashtu siç po talleni ju “
Gjatë komentimit të këtij ajeti, Taberiu sjell si shembull një rrëfim të gjatë e apokrif në lidhje me anijen e Nuhut a.s., duke hyrë në disa detaje fare të panevojshme, dhe, në fund madje as që jep shenjë nëse ky rrëfim është i trilluar-apokrif, por heshtazi kalon mbi të pa thënë asnjë fjalë të vetme demaskimi.
Gabimi i Taberiut në këto transmetime është se ai kur përmend vargun e transmetuesve, cek vetëm fjalët si p’sh. “ na ka rrëfyer njëri prej atyre që flasin gjuhën e Ehli Kitabit, i cili e ka pranuar fenë islame …”, duke e lënë të panjohur emrin e atij që e rrëfen tregimin a ngjarjen, gjë që e komplikon edhe më situatën dhe e len lexuesin në huti dhe shqetësim.
Sipas mendimit tonë , Taberiu ka qenë dashur që disa nga këto rrëfime të mos i cekë fare, por pasi që i ka cekur të paktën është dashur t’i demaskojë si të pavërteta dhe të japë vlerësimin e tij se këto rrëfime janë apokrife dhe të trilluara me qëllime tendencioze. Mirëpo, fatkeqësisht, Taberiu në disa raste të tilla heshti pa nevojë !
Megjithatë edhe përkundër këtyre dobësive kur është fjala për transmetimin e rrëfimeve israilite, prapëseprapë ky tefsir është prej më të dobishmëve dhe më madhështorëve. Vlera e tij është e pakontestueshme, por do të ishte edhe shumë më i vlefshëm, sikur të pastrohej fare prej israilijateve të tilla apokrife, apo të paktën të jepej shenjë për to se janë të trilluara-të vënduara. Kjo do të ishte detyrë e shenjtë për mufessirët e kohës sonë, që të ndërmarrin diçka në këtë drejtim. Pra, do të ishte e domosdoshme që të ceken Isnadet komplet dhe të jepen vlerësimet meritore për israiliatet që gjenden në këtë tefsir, se cilat janë sahih, cilat janë daif e cilat apokrife-të trilluara.[10]
Qëndrimi i Taberiut ndaj disa detajeve të panevojshme
Në anën tjetër Taberiu kishte kujdes që tefsirin e tij të mos e ngarkojë me detaje të panevojshme, për të cilat nuk ka argumente të prera, në dallim nga mufessirët e tjerë që në mënyrë naive ranë në këto gracka.
Sa për ilustrim do të cekim fjalët e tij gjatë komentimit të ajeteve 112-114 të kaptinës El Maide:
إِذْ قَالَ الْحَوَارِيُّونَ يَاعِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ هَلْ يَسْتَطِيعُ رَبُّكَ أَنْ يُنَزِّلَ عَلَيْنَا مَائِدَةً مِنْ السَّمَاءِ قَالَ اتَّقُوا اللَّهَ إِنْ كُنتُمْ مُؤْمِنِينَ قَالُوا نُرِيدُ أَنْ نَأْكُلَ مِنْهَا وَتَطْمَئِنَّ قُلُوبُنَا وَنَعْلَمَ أَنْ قَدْ صَدَقْتَنَا وَنَكُونَ عَلَيْهَا مِنْ الشَّاهِدِين قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ اللَّهُمَّ رَبَّنَا أَنزِلْ عَلَيْنَا مَائِدَةً مِنْ السَّمَاءِ تَكُونُ لَنَا عِيدًا لإَوَّلِنَا وَآخِرِنَا وَآيَةً مِنْكَ وَارْزُقْنَا وَأَنْتَ خَيرُ الرَّازِقِينَ .
“Dhe (përkujto) kur Havarijjunët thanë: O Isa, bir i Merjemes, Zotiyt a mund të na zbresë një sofër nga qielli ? (Isai) Tha: Kinie frikë Allahun nëse jeni besimtarë! (Ata) Thanë: Ne dëshirojmë të hamë nga ajo dhe të na binden (edhe më shumë) zemrat tona dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj! Isai, biri i Merjemes, tha: O Allah, Zoti ynë, zbritna nga qielli një sofër, të na jetë festë (gëzim) për neve dhe për ata (që vijnë) pas nesh, të jetë argument prej Teje, dhe dhurona se Ti je furnizuesi më i mirë!”
ku pasi që cek disa transmetime lidhur me llojin e ushqimit të cilat i zbriti Allahu në sofrën e Isait nga e cila u ushqyen havarijjunët, thotë:
“Mendimi më i drejtë në këtë rast është të thuhet se në atë sofër kishte ushqime të lloj-llojshme, por sipas meje është e tepërt të hyhet në detaje nëse ushqimi në atë sofër ka qenë peshk e bukë, ose hurma të xhennetit etj…, sepse kjo është një dituri që s’ka kurafrë dobie dhe padituri (xhehël) që s’qon farë peshë dhe nuk dëmton”/
Një gjë të tillë e thotë edhe gjatë komentimit të ajetit 20 të kaptinës Jusuf:
وَشَرَوْهُ بِثَمَنٍ بَخْسٍ دَرَاهِمَ مَعْدُودَةٍ
“Dhe e shitën atë (Jusufin) për një çmim të vogël, për disa dirhemë (masë argjendi) të numëruar…”
ku pasi që cek mendimet e disa dijetarëve (mufessirëve) rreth shumës së dirhemëve me të cilët është blerë Jusufi thotë: “Më së drejti është të thuhet se Allahu e ka cekur se Jusufin e kanë blerë për disa dirhemë të panumëruar dhe të papeshuar, e meqenëse as në Kur’an e as në Synnet nuk është cekur sasia e saktë e dirhemëve, mendoj se nuk ka nevojë të hyjmë në detaje të panevojshme se a ishin në pyetje 20, 22 apo 40 dirhemë, sepse kjo vërtet nuk ka kurrfarë peshe as rëndësie. Ne vetëm duhet të besojmë faktin kuranor se Jusufi a.s. është blerë për disa dirhemë, pa hyrë në sasinë e tyre.
Interesimi i Taberiut për rregullat e gjuhës arabe dhe për poezinë
Taberiu në tefsirin e tij kujdes të veçantë i kushtoi edhe përdorimit të sinonimeve të fjalëve arabe si dhe rregullave gramatikore.
E ajo që e shquan Taberiun në këtë aspekt, është edhe përdorimi i poezisë së vjetër arabe gjatë komentimit të disa ajeteve kuranore. Taberiu në këtë rast ndoçi gjurmët e Ibni Abbasit, i cili pos të gjitha njohurive fetare, ishte një det i vërtet i njohjes së poezisë arabe.
Shembull të tillë të poezisë e sjell gjatë komentimit të ajetit 22 të kaptinës El Bekare:
فَلا تَجْعَلُوا لِلَّهِ أَندَادًا وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ
“Pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë-të ngjajashëm)”
ku thotë:“Ka thënë Ebu Xha’feri se fjala “endad”- shokë-rivalë është shumës i njëjësit “niddun”, e “niddun” është “el adlu” dhe “el mithlu” – shembëllim, ashtu siç ka thënë Hasan bin Thabiti, e me të cilat fjalë ka për qëllim:”Nuk jam i barabartë (rival) me të, nuk jam i ngjashëm me Të, pra çdo gjë që është rival me diçka, ai quhet “niddun”.
Interesimi i Taberiut rreth çështjeve të Ilmul Kelamit-Akaidit
Do t’i mbeteshim borxh lexuesit po të mos ceknim edhe mendimet e Taberiut rreth shumë çështjeve të Ilmul Kelamit, të shprehura në këtë tefsir. Ai është një mbrojtës i madh i parimeve të Ehli Synnetit në këtë lëmë dhe njëherësh njohës i thellë i këtyre çështjeve kaq të ndjeshme e delikate, të cilat për shekuj me radhë tronditën botën islame dhe ishin çështje kontestuese në mesin e dijetarëve.
P.sh. gjatë komentimit të ajetit të 7 të kaptinës El-Fatiha:
غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ و لا الضَّالِّينَ
“Jo në (rrugën) të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin Tënd, e as në të atyre që e humbën veten”
duke kundërshtuar mendimin e kaderinjve në çështjen e kufizimit të mundësive për lirinë e veprimit, thotë: “Disa shpifës nga të devijuarit të quajtur “kaderinj”, pretendojnë se njeriu nuk është i lirë në vepra, por është “i dirigjuar”, por ne këtë shpifje të tyre e demantojmë me ngulm, sepse njeriu si qenia më e përsosur në këtë ekzistencë, megjithatë e ka vullnetin e tij të pjesërishëm si dhe lirinë absolute të të menduarit e të të vepruarit.”
Ibni Xheriri në shumë raste kundërshton mendimet kryeneçe të mu’teziles, veçanërisht kur është fjala për mundësinë e të pamit të Allahut. Ai pasi që sjell argumentet e Ehli Synnetit lidhur me mundësinë e të pamit të Allahut, lëshohet në polemika dhe kundërshtime të hapta e të guximshme ndaj komentimeve racionale të mu’teziles, të cilët duke u përpjekur që ta zhveshin Allahun nga çdo ngjashmëri me krijesat, nuk mundën ta pranonin faktin se cilësitë e Allahut mund të jenë një sferë e gjerë për të vërtetuar ekzistencën e vetëm një Krijuesi, e jo vetëm sferë për të menduar për ndonjë ngjashmëri të Allahut me njeriun ose ndonjë prej krijesave të tjera të Tij.
Këto komente të Taberiut mund t’i hasim p.sh. gjatë komentimit të ajetit 64 të sures El Maide:
وَقَالَتْ الْيَهُودُ يَدُ اللَّهِ مَغْلُولَةٌ غُلَّتْ أَيْدِيهِمْ وَلُعِنُوا بِمَا قَالُوا بَلْ يَدَاهُ مَبْسُوطَتَانِ
يُنفِقُ كَيْفَ يَشَاءُ وَلَيَزِيدَنَّ كَثِيرًا مِنْهُمْ مَا أُنزِلَ إِلَيْكَ مِنْ رَبِّكَ طُغْيَانًا وَكُفْرًا
“Jehuditë thanë: Dora e Allahut është e shtrënguar! Qofshin të shtanguar duart e tyre dhe qofshin të mallkuar, pse thanë atë. Jo, duart e Tij janë të shlira. Ai furnizon ashtu si të dojë. Kjo që t’u zbrit ty, do t’u shtojë disave nga ata (nga paria fetare) shumë largimin dhe mohimin…”
dhe të ajetit 67 të sures Ez-Zumer:
وَمَا قَدَرُوا اللَّهَ حَقَّ قَدْرِهِ وَالأَرْضُ جَمِيعًا قَبْضَتُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ
وَالسَّماوَاتُ مَطْوِيَّاتٌ بِيَمِينِهِ سُبْحَانَهُ وَتَعَالَى عَمَّا يُشْرِكُونَ
“Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën (forcën) e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!”
Kështu shohim se Taberiu si mufessir nuk qëndron anash ndaj këtyre çështjeve kontestuese rreth Akaidit në kohën e tij, por guximshëm i bashkëngjitet këtyre polemikave, duke dhënë kontributin e tij të çmuar në mbrojtjen e parimeve dhe mendimeve të Ehli Synetit me vendosmërinë më të madhe.
* * *
Allahu e shpërbleftë Ibni Xherir et Taberiun për kontributin e tij aq të madh në shkencat islame e posaçërisht në atë të tefsirit.
[1] Imam Sijutiu – “El Itkan fi ulumil Kur’an” , fq. 190 , .
[2] Po aty
[3] “Med’hal ila menahixhil mufessirinë”, fq. 100, Kajro 1987
[4]“Fetava Ibni Tejmije” – pjesa II, fq. 192
[5]“Et Tefsir vel mufesirune” – vëll. I , fq. 205, Kajro 1985
[6] El Hafidh Shemsuddin ed Davudi – “Tabekatul mufessirine” , vëll. II fq. 109, Kajro 1994
[7]Po aty, fq.111
[8] Tefsir Ibni Xherir et Taberi, vëll. XXII , fq. 138
[9] Po aty, vëll. XXVI , fq. 13
[10] Fatmirësisht, nw botimet e reja tw kwtij Tefsiri, nga vitet 80 e kwndej, botime tw cilat i kemi kontrolluar, nuk gjenden mw rrwfimet e tilla, ose edhe nwse dikund janw cekur, ato janw cekur nw formw demaskimi. (Sqarim yni S.B.)
Sabri ef. Bajgora