Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit bashkë me Departamentin e Gruas, për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuan program të larmishëm në Amfiteatrin e Universitetit “UKSHIN HOTI” në Prizren.
Me moderim të nxënëses së mektebit, Isra Saiti, programi filloi me shfaqje të dokumentarit rreth dhe për mektebin në xhamitë e Prizrenit.
Fjalën përshëndetëse me urim mirëseardhjeje, e mbajti Kryetari i KBI – Prizren, mr. Besim ef. Berisha.
Kryetari Berisha falenderoi prindërit e fëmijëve dhe mualimet për bashkëpunim dhe angazhim të vazhdueshëm në mbajtjen gjallë të mektebit në Prizren.
Për rëndësinë e çlirimit të atdheut, duke pas parasysh gjithmonë fjalët e të parëve tanë, se : “Pa fe, s’ka atdhe dhe pa atdhe, s’ka fe”, foli Kryeimami i Prizrenit, dr. Orhan ef. Bislimaj, njëherit edhe luftëtar i UÇK – së.
Kryeimami Bislimaj, inkurajoi prindërit, që të gjejnë forma të ndryshme për t’i stimuluar fëmijët që mektebin ta kenë gjithmonë në zemrat e tyre, sepse aty, për herë të parë, merren bazat e të kuptuarit për besim në Zot dhe dashuri ndaj Atdheut.
Se sa pasoja ka lënë armiku jonë i pangopur dhe sa e shtrenjtë është Liria, për përjetimet e luftës, vështirësitë dhe deri te plagosja e tij, foli z. Arben Rashkaj nga Prizreni – invalid i luftës.
z. Rashkaj, me shumë emocione tregoi për përjetimet e tij, sa që, të mos përlotesh, ishte e pamundur.
Pjesën artistike të programit, me ilahi, poezi, recitale, monolog, këngë, dramë e skeqe të ndryshme, e ekzekutuan nxënësit dhe nxënëset e mektebit të disa xhamive të Prizrenit.
Zot, mëshiroji të vdekurit dhe na ndihmo neve të gjallëve që të jemi gjithmonë dashamirë të Fesë e Atdheut, ishte kjo lutja e përbashkët!
Urime, KOSOVA jonë!
Ps. Falënderim publik për rektorin e Universitetit, z. Samedin Krrabaj dhe vartësit e tij të stafit udhëheqës brenda Universitetit!