Sot, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – xhamia e fshatit Lubinjë e Epërme (Gorne Lubinje), komuna e Prizrenit, organizoi ceremoninë solemne me rastin e mbarimit të HATMES, nga vijuesit e rregullt të mektebit të xhamisë.
Në këtë tubim madhështor morën pjesë shumë xhematlinjë e qytetar nga fshati dhe më gjerë. Vërtet, atmosferë e bukur e impozante. Aromë xhenneti!
Imami i xhamisë Fatmir ef. Sezairi, me shumë suksese ua mësoi leximin e Kur’anit 20 nxënësve, prej tyre 11 vajza e 9 djemë. Në fjalën e tij, imami Sezairi, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre, e në mënyrë të veçantë prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Në emër të KBI-Prizren, të pranishmit i përshëndeti kryetari mr. Besim ef. Berisha, i cili e vlerësoi lartë angazhimin e imamit të fshatit. Ai tha se këta fëmijë janë e ardhmja e shëndoshë e vendit tonë, sepse tashmë janë pajisur me vyrtytet më të larta të moralit.
Ai e falënderoi imamin për këtë angazhim madhor e afatgjatë. Po ashtu, ai i përgëzoi dhe prindërit për vetëdijën e lartë. Nëpërmjet mektebit, prindërit e arrijnë atë kënaqësinë me fëmijtë e tyre, e që ka qenë synim i pejgamberëve.
Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me lexim të Kur’anit, ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes.
Në fund, Këshilli i BI-së iu shpërndau nxënësve nga një ‘çertifikatë’ për ndjekjen e mektebit, si dhe nga nëj dhuratë modeste.
Sipas traditës, duaja e Hatmes është një moment feste.
Zoti e shpërbleftë imamin Fatmir ef. Sezairi për këtë kontribut.
Shumë urime e shëndet për nxënësit! Inshallah, Kur’ani u bëhet dritë në këtë botë, kurse xhennet në ahiret!