Mbrëmë, me një manifestim fetaro-kulturor (lexim të Kur’anit, ligjëratë, pjesë të mevludit, ilahi e kaside, salavate e dua), Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit e shënoi ngjarjen madhështore të Israsë dhe Mi’raxhit, që u mbajt në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, pas namazit të jacisë.
Israja dhe Mi’raxhi, është ai momenti i jashtëzakonshëm, kur Allahu i Madhërishëm ia shfaqi mrekullinë robit të Tij, Muhamedin a.s., duke i mundësuar udhëtimin qiellor, me trup e shpirt e në gjendje të vetëdijshme, nga Qabja në Mekë e deri në Mesxhidi Aksa në Jerusalem dhe nga aty në mbi shtatë palë qiej e deri në “Sidretu’l Munteha”.
Në këtë udhëtim qiellor, Allahu bisedoi drejtpërdrejt, pa ndërmjetësues, me Muhamedin a.s., ia mundësoi që t’i shohë shumë gjëra prej madhështisë së fuqisë së Krijuesit Fuqiplotë. Në Kur’an, Allahu dëshmon: “Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm, 18). Pra, e pa atë që e pa, pa shumëçka, që për mendjen njerëzore janë krejtësisht të paarritshme.
Njerëzit e besojnë miraxhin e Pejgamberit a.s., por, atë e përjetojnë vetëm besimtarët që falin namazin për hirë të Allahut, si dhe ata që e përkujtojnë këtë ngjarje madhore, me mendje, zemër e shpirt, sa herë që vije ajo.
Këtë kënaqësi, e patën të gjithë ata që dëgjuan këshillat e hoxhës, mr. Behar ef. Mjekiqi, kryetar i KBI-Obiliq, po edhe programin me mjaft inspirim të realizuar nga imamët zemërbardhë të qytetit tonë, Prizrenit.
Tubimin e përshëndeti, kryetari i KBI-Prizren mr. Besim ef. Berisha, kurse duanë në fund të programit e bëri kryeimami dr. Orhan ef. Bislimaj, duke e lutur Allahun që ta mbrojë popullin tonë nga çdo fatkeqësi natyrore e sëmundje shkatërrimtare, që t’i mbrojë familjet tona e shtetin tonë, që t’na dhurojë unitet të përjetshëm, udhëzim në të mira e të mbara, që t’na shpërblejë me xhennet firdevs dhe që t’na mbrojë nga zjarri i xhehennemit.
Programin e moderoi sekretari dr. Faruk ef. Ukallo, kurse për përgatitjen teknike u kujdes Ehat Spahiu.