Kryetarja e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, znj. Artnet Haskuka, së bashku me anëtarët znj. Igballka Rama, Marin Përgjoka, Caner Tatar dhe Veron Tara, e vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Ata u mirëpritën nga kryeimami, dr. Orhan ef. Bislimaj.
Kryetarja Haskuka dhe anëtarët e Këshillit u interesuan për gjendjen fizike të objekteve të Bashkësisë Islame që evidentohen në listën e mbrojtjes, e sidomos për ato që gjenden në Zonën Historike të Prizrenit.
Kryeimami Bislimaj i falënderoi shumë për vizitën dhe interesimin e tyre. Ai shprehu shqetësimin për gjendjen jo të mirë të disa xhamive, siç janë:
– Xhamia e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia), e cila është duke u dëmtuar përditë e më shumë;
– Xhamia e ‘Suzi Zerrinit’, përfshirë objektin e bibliotekës që vazhdon të mbetet i uzurpuar fatkeqësisht me miratim të Gjykatës;
– Minareja e xhamisë ‘Iljaz Kuka’ e cila është në prag të shembjes;
– Xhamia ‘Mesxhdi’ që është në gjendje shumë të keqe fizike me minaren që është shtrembëruar;
– Xhamia Muderris Ali ef., etj.
Po ashtu, kryeimami e ngriti si shqetësim edhe gjendjen jo të mirë fizke të Hamamit Gazi Mehmet Pasha dhe oborrit të tij.
Takimi mbaroi me premtimin se duhet bashkëpunim akoma më i ngusht për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.