Kryetari i KBI-Prizren, mr. Besim ef. Berisha, së bashku me kryeimamin dr. Orhan ef. Bislimaj e anëtarët e Këshillit, Valon Ibrahimi e Kujtim Bislimaj si dhe Erol ef. Raka, e priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), z. Memli Krasniqin, kryetarin e degës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj si dhe anëtarin e Kryesisë, z. Kujtim Gashi.
Kryetari Krasniqi, e vlerësoi jashtëzakonisht shumë rolin e Bashkësisë Islame për shoqërinë tonë, duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit, pastaj periudhën e fundit e deri në ditët e sotshme.
Po ashtu, edhe kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale, z. Shaqir Totaj, shprehu konsideratën e tij të lartë për Bashkësinë Islame.
Krasniqi e Totaj, ofruan bashkëpunimin e tyre të parezervë për çdo gjë që është në interes të komunitetit dhe qytetarëve.
Nga ana e tij, kryetari Berisha e falënderoi shumë z. Krasniqin e z. Totajn, për vizitën dhe interesimin e tyre për bashkësinë myslimane.
Takimi ishte mjaft konstruktiv!