Me një solemnitet madhështor e në prezencë të shumë xhematlinjëve, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – xhamia e fshatit Pllanjane, KK Prizren, organizoi ceremoninë solemne me rastin e mbarimit të HATMES, nga vijuesit e rregullt të mektebit të xhamisë.
Imami i xhamisë Selvir ef. Azari, me shumë suksese ua mësoi leximin e Kur’anit 31 nxënësve, prej tyre 25 vajza e 6 djemë. Ai, falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre, e në mënyrë të veçantë falënderoi prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Në emër të KBI-Prizren, të pranishmit i përshëndeti kryeimami dr. Orhan ef. Bislimaj, i cili e vlerësoi lartë angazhimin e imamit të fshatit: “Secili imam që jep një kontribut të këtillë, bëhet i pa vdekshëm ndër gjenerata. Këta fëmijë të mektebit dhe të tjerë si vëllezër e motra të tyre, që fitojnë edukatën e mirëfilltë në Mekteb, janë pjesa elite e shoqërisë, ata janë e ardhmja e shëndoshë e shoqërisë.”
Në fytyrën e të pranishmëve, shihej gëzimi dhe hareja, e sidomos te prindërit e fëmijëve që kanë bërë hatme Kur’anin.
Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me lexim të Kur’anit, ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes. Tubimin e përshëndetën edhe disa imamë që ishin prezentë.
Në fund, Këshilli i BI-së, nxënësve iu shpërndau nga një “çertifikatë” për ndjekjen e Mektebit, si dhe nga një dhuratë modeste.
Sipas traditës, duaja e Hatmes është një moment feste.
Suksese fëmijëve, familjeve dhe imamit Selvir ef. Azari!