Kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga z. Lulzim Kabashi, kryetar i AAK-së-dega në Prizren, dhe disa nga kandidatët për deputet nga AAK-ja, e vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren. Ata, u mirëpritën nga Kryeimami i Këshillit të BI-së në Prizren, dr. Orhan ef. Bislimaj, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë. Gjatë takimit, u trajtuan tema të ndryshme me rëndësi të veçantë për shoqërinë. Z. Haradinaj theksoi se roli i Bashkësisë Islame të Kosovës ishte dhe mbeti i patjetërsueshëm sa i përket shtet ndërtimit, duke shtuar se respekti ndaj religjioneve është një pasuri e madhe të cilën duhet ruajtur dhe transmetuar brezave pasardhës. Ndërsa kryeimami Bislimaj, falënderoi kryetarin e AAK-së z. Haradinaj për vizitën, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës. Gjatë kësaj vizite, z. Haradinaj i dhuroi medaljen “Me besim në Zot, atdhe e shtet” Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Në emër të Këshillit të BI-së në Prizren, Kryeimami Bislimaj, i dhuroi z. Haradinaj librin “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identit kombëtar”. Takimi u përmbyll me një prononcim për media.
Takimi ishte miqësor dhe kaloi në një frymë të ngrohtë vëllazërore!