Me prezencë të shumë xhematlinjve, ditën e dielë, me datë 10.01.2021, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – xhamia e fshatit Lubizhdë, KK Prizren, organizoi ceremoninë solemne me rastin e kryerjes së HATMES së Kur’anit, nga vijueset e rregullt të Mektebit të xhamisë.
Imamët e fshatit, Faruk ef. Idrizi dhe Amir ef. Ademi, me shumë sukses, kanë arritur që t’ua mësojë mësimin e leximit të Kur’anit 8 nxënëseve. Imami Faruk ef. Idrizi, në fjalën e tij, tregoi rreth ecurisë së mësimit në Mekteb, si dhe falënderoi edhe prindërit për interesimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Në fjalën e tij, kryetari i KBI-Prizren, Mr. Besim ef. Berisha, vlerësoi lartë angazhimin e hoxhallarëve të fshatit. Po ashtu, e vlerësoi lartë dhe vetëdijën e prindërve, të cilët i kanë motivuar fëmijtë e tyre, për të ndjekur mësimet në mektebin e xhamisë. Tubimin e përshëndetën edhe kryetari i fshatit, Nehat Vehapi dhe drejtori i shkollës fillore Ekrem Rexha “Drini”, Dr. Senad Neziri.
Në fytyrën e të pranishmëve, shihej gëzimi dhe hareja, e sidomos te prindërit e fëmijëve që kanë bërë hatme Kur’anin.
Ceremonia u mbajt në xhaminë e fshatit, filloi me tekbire ndërsa mbaroi me duanë e Hatmes.
Sipas traditës, duaja e Hatmes, në këtë fshat është një moment feste. Pas ceremonisë, familjet e nxënësve, i marrin mysafirët e ftuar për të drekuar në shtëpi, familjarisht.
Suksese, fëmijëve, familjeve dhe imamëve Faruk ef. Idrizi dhe Amir ef. Ademi…!