Në prezencë të shumë qytetarëve, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit në bashkëpunim me Këshillin e Xhematit, e përuruan solemnisht ndërtimin e xhamisë në fshatin Murademë të Prizrenit.
Në këtë solemnitet, morën pjesë krerët nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, si dhe shumë imamë e personalitete publike.
Në emër të fshatit, të pranishmit i përshëndeti kryetari z. Nebi Memaj, njëherit koordinator i Këshillit Nismëtar.
Në emër të Kryesisë së BIRK-ut dhe myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava, të pranishmit i përshëndeti kryeimami Sabri ef. Bajgora, kurse në emër të KBI-Prizren i përshëndeti kryetari Mr. Besim ef. Berisha. Po ashtu, fjalë përshëndetëse mbajti kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj, pastaj imami i deritanishëm Behlul ef. Hoxhaj, si dhe vendasi Ali ef. Vezaj, ish-kryetar i KBI-Prizren.
Në emër të bamirësave, tubimin e përshëndeti z. Urim Hoxhaj nga Prizreni, i cili konsiderohet prej atyre që kanë kontribuar më së shumti me mjete të gatshme.
Që të gjithë e vlerësuan lartë ndërtimin e xhamisë, për të cilën thanë se do të jetë burim i vlerave fetare, kombëtare e qytetare. Ata, e ftuan xhematin, që ta zbukurojnë xhaminë me prezencën e tyre, si dhe t’i motivojnë fëmijtë për të ndjekur mësimet në mektebin e xhamisë.
Tubimi filloi me lexim të Kur’anit nga Ajdin ef. Thaqi, përfundoi me dua nga Ali ef. Vezaj dhe u udhëhoq nga sekretari Dr. Faruk ef. Ukallo.
Pjesë e delegacionit të Kryesisë së BIRK-ut, ishte edhe sekretari i përgjithshëm Ahmet ef. Sadriu, drejtori për diasporë Ekrem ef. Simnica, anëtari i Kryesisë Reshat ef. Mexhiti dhe ndihmës kryeimami, Fatmir ef. Iljazi.
Fshati Murademë është prej fshatrave të vetëm të rajonit të Lumës së Prizrenit, që nuk ka pasur xhami. Për ngritjen e saj kanë kontribuar mbi 230 donatorë. Xhamia është ndërtuar me material cilësor dhe posedon infrastrukturë të plotë. Ajo, e ka edhe bodrumin 150 m2 që do të shërbejë për nevojat e fshatit, për mekteb si dhe aktivitetet të ndryshme organizative e kulturore.
Xhamia filloi të ndërtohet më 14 shkurt 2020 ndërsa mbaroi më datë 07 janar 2021.
Zot i Madhërishëm, bamirësave dhe familjeve të tyre, shtoja bereqetin, jepju rehati e lumturi në këtë botë, e mbi të gjitha dhuroja shpërblimin e xhenetit Firdews, në ahiret.