KBI-Prizren organizoi ceremoninë solemne, me rastin e fillimit të ndërtimit të xhamisë në lagjën ‘Bajër’, Prizren.
Tubimin e nderoi me pjesëmarrjen e tij, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava. Para të pranishmëve, Myftiu Tërnava me një fjalim përmbajtësor foli për rëndësinë e ndërtimit të xhamive dhe rolin e tyre në jetën shoqërore.
Në emër të KBI-Prizren, tubimin e përshëndeti, kryetari Mr. Besim ef. Berisha, i cili foli për kronologjinë e punimeve, duke filluar nga dhurimi i vendit e deri te investitori.
Në vazhdim, tubimin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i familjes që e ka dhuruar truallin, z. Bedredin Rototo, nga Prizreni.
Po ashtu, i entuziazmuar e me emocione, fjalë përshëndetëse mbajti edhe investitori i xhamisë, haxhi Faruk Haxhiu nga Prizreni, i cili ka shprehur dëshirën e tij, që në emër të Zotit ta ndërtojë këtë xhami.
Duanë e bëri, imami i pensionuar, Muharrem ef. Haxhiu.
Tubimi filloi me lexim të Kur’anit, nga hfz. Daut ef. Lezi, imam i xhamisë Emin Pasha në Prizren, si dhe mbaroi me tekbire. Atë e moderoi sekretari, Dr. Faruk ef. Ukallo.
Në fund, investitori haxhi Faruk Haxhiu shtroi drekë solemne për mysafirët.
Zoti i shpërbleftë të gjithë kontribuesit në hajrate…!