Biznesmeni i njohur prizrenas, pronari i ndërmarrjes gjigante ‘ Hoxhaj Bauunternehmen GmbH’, me seli në Gjermani, z. Urim Hoxhaj, e vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Ai, u mirëprit nga kryeimami, Dr. Orhan ef. Bislimaj. Urim Hoxhaj, edhe pse jeton e vepron në Gjermani, është i lidhur mjaft ngushtë me vendlindjen e tij, Kosovën. Ai dhe familja e tij, janë të njohur për kontributin e tyre bamirës, gjithandej. Në vitin 2015, Urim Hoxhaj, e ka ndërtuar një xhami në Prizren, pra, xhaminë ‘Myderris Ymer Prizreni’, që gjindet te Tranziti i ri. Por, përveç xhamisë, biznesmeni Hoxhaj ka kontribuar edhe në shumë drejtime të tjera, në projekte të ndryshme humanitare, shtëpi për të varfërit, pako ushqimore, ndihmë për të sëmurit, etj. Kryeimami Bislimaj, e njoftoi biznesmenin Hoxhaj, për aktivitetet e KBI-Prizren dhe njëkohësisht e falënderoi shumë për kontributin e tij të madh. Takimi ishte i ëmbël, vëllazëror dhe mbaroi me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, gjithnjë për interesin e përgjithshëm. Zot i Madhërishëm, kompenzoje bamirësinë e bamirësve, me mirësitë e dunjasë dhe ahiretit!