Këshilli i BI-së Prizren, organizoi debat publik me imamët e KBI-Prizren, në lidhje me plan-programin mësimor në Mekteb, niveli i parë.
Kryeimami, Dr. Orhan ef. Bislimaj dhe sekretari Dr. Faruk ef. Ukallo, përmes video-projektorit, para të pranishmëve e shpalosën plan-programin në tërësi, duke dhënë shpjegime dhe arsyetime përkatëse, për secilën pikë. Ata u përgjigjën edhe në pyetjet e parashtruara.
Në anën tjetër, imamët patën rastin që të parashtrojnë pyetje dhe të japin mendimin e tyre për çështje të caktuar. Po ashtu, ata dhanë edhe propozime konkrete e sugjerime të ndryshme, gjithnjë duke iu referuar praktikës personale nga terreni.
Në përgjithësi, vlerësimi i imamëve ishte mjaft pozitiv për plan-programin. Pati edhe diskutime interaktive, në lidhje me implementimin dhe realizimin e projektit.
Debati u mbajt në selinë e KBI-Prizren, në dy grupe të ndara. Grupi i parë filloi në ora 10, ndërsa grupi i dytë në ora 13. Ai, do të vazhdojë edhe nesër, e enjte, po ashtu në dy grupe tjera të ndara, në mënyrë që t’u jepet mundësia imamëve për të dhënë opinionet e tyre. Pastaj, propozimet dhe sugjerimet e arsyeshme, do të inkorporohen në verzionin final të plan-programit mësimor dhe i cili do të shërbejë si platformë për zhvillimin e mësim – besimit në Mekteb, niveli i parë.
E lusim Zotin e Madhërishëm, që të japë bereqetin e tij, në punën tonë!