Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit mbajti Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit për mandatin e ardhshëm katër vjeçar 2020-2024.
Kuvendi Zgjedhor ka pasur gjithsej 251 delegatë me të drejtë vote, ndërsa kanë votuar 238 të tillë, nga gjithsej 84 xhami të Komunës së Prizrenit, që i kanë plotësuar kushtet e parapara për të qenë pjesë e procesit zgjedhor. Secila xhami i ka pasur nga tre delegatë: imami sipas pozitës dhe dy xhematlinjë të zgjedhur. Disa xhami apo delegatë janë eleminuar nga e drejta e votimit, ngase nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me Rregullorën e BIRK-ut mbi zgjedhjet.
Në garë për anëtar të Këshillit, kanë qenë 28 kandidatë. Ndërsa, 12 prej tyre që kanë fituar më shumë vota në Kuvendin Zgjedhor, konsiderohen anëtarë të zgjedhur të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Sipas Rregullorës mbi zgjedhjet, çertifikimin e anëtarëve të zgjedhur e bën Komisioni Qendror Zgjedhor, në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të afateve ankimore. Pastaj, Kryesia e BIRK-ut, në afat optimal e bën emërimin e Kryetarit të Këshillit, nga anëtarët e zgjedhur dhe me këtë mbaron procesi zgjedhor.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizreni numron 13 anëtarë, përfshirë edhe kryeimamin, që është anëtarë i Këshillit sipas pozitës.
Kuvendi është mbajtur në Amfiteatrin e Medresesë “Alauddin” – Paralelja në Prizren. Punimet i ka nisur në ora 10:00 dhe i ka mbaruar në ora 17:00. Para votimit, fillimisht janë zgjedhur komisioni i punës dhe ai kandidues. Gjatë gjithë kohës, e kanë mbikqyrur procesi zgjedhor dy anëtarë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Ekrem ef. Simnica dhe Musli ef. Arifaj.
Zgjedhjet kanë qenë për t’u marrë shembull, që nga shpallja e tyre e deri në përfundim. Nuk është evidentuar asnjë parregullsi. Natyrisht, zgjedhjet janë vetiu garë, e në garë të gjithë nuk mund të dalin fitues. Nuk ka arsye për pesimizëm për askë. Ato, pasqyrojnë vullnetin e xhematit, e kjo do të thotë se Këshilli i Bashkësisë Islame është fitues.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, falënderon të gjithë delegatët, nga radha e imamëve dhe xhematlinjëve, për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Zot i Madhërishëm, shtoje bereqetin Tënd në këto zgjedhje! Na udhëzo në atë që është e dobishme për vendin, për shoqërinë, Bashkësinë Islame, për dunjanë dhe ahiretin…!
P.S.
Emrat e anëtarëve fitues, do të publikohen pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve!