Kryetari i KDTP – Kosova Demokratik Türk Partisi (Partia Turke Demokratike e Kosovës), z. Fikrim Damka, I shoqëruar nga z. Levent Buş dhe z. Furkan Ergüler, e vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Ai, u mirëprit nga kryetari I Këshillit, Mr. Besim ef. Berisha, kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj dhe zyrtarët e tjerë.
Kryetari Damka, e vlerësoi lartë kontributin e Bashkësisë Islame, për proceset nëpër të cilat po kalon shoqëria kosovare. Ai, u interesua edhe rreth nevojave e sfidave me të cilat përballet KBI-Prizren. Po ashtu, z. Fikrim Damka ofroi përkrahjen e subjektit të tij, për pajisjen e xhamive të Komunës së Prizrenit, me nga një pllakë në hyrje të tyre, në disa gjuhë, në mënyrë që vizitorët të marrin informacione rreth të dhënave bazike të akcilës xhami.
Nga ana e tij, kryetari Berisha, e falënderoi për vizitën si dhe e informoi rreth aktiviteteve të Këshillit të BI-së. Kryetari Berisha, e mirëpriti përkrahjen për pajisjen e xhamive me nga një pllakë, edhe për faktin se qyteti i Prizrenit, ka shumë vizitorë të huaj.
Vlen të përmendet se z. Fikrim Damka, në cilësinë e tij si pjesë e komisioneve parlamentare, është interesuar për lehtësira të ndryshe për Bashkësinë Islame. Ai, bashkë me deputetë të tjerë, ka mundësuar lirimin nga shërbimi i ujit, për të gjitha xhamitë e Kosovës dhe objektet fetare të bashkësive të tjera fetare. Me këtë rast kryetari Berisha e kryeimami Bislimaj, e falënderuan shumë për këtë ndihmë, edhe për faktin se, Bashkësia Islame, nuk përfiton asnjë ndihmë nga institucionet e shtetit.
Takimi, ishte mjaft konstruktiv!