Bukë, kripë e zemër! Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit – Shoqata “Bereqeti”, në Prizren, shtroi darkën e mikëpritjes, për më shumë se 500 vëllezër e motra nga Shqipëria, që tashmë janë akomoduar në lokacionin, i njohur si ‘Kampi Gjerman’, në Prizren.
Në këtë darkë, mori pjesë Kryetari i KBI-Prizen, Mr. Besim ef. Berisha, Kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj dhe koordinatori i degës së shoqatës “Bereqeti”, Mr. Kurtish ef. Hoxhaj.
Një falënderim meritor, për njerëzit bëmirës të Prizrenit e Kosovës, për Komunën e Prizrenit dhe institucionet relevante, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha përgatitjet për menaxhimin e kësaj situate.
Një mirënjohje për shumë familje që kanë strehuar nëpër shtëpitë e tyre shumë të tjerë. Pa harruar asnjëherë t’i falënderojmë edhe shumë vullnetarë, që po shërbejnë ‘fi sebililah’.
Por, mos të harrojmë se Komuna ka nevojë për ndihmën e bëmirësve, e sidomos nëse kjo gjendje vazhdon edhe për një periudhë më të gjatë.
Zoti i ndihmoftë vëllezërit në Shqipëri! Zoti i nderoftë kosovarët mikëpritës! Zoti ua shtoftë bereqetin bëmirësve kontributdhënës!