“Dashurinë në zemër e kam, sikur unë askush nuk të don – Veç një her me sy me t`pa, lum bafsha ja Resulallah”
Edhe me këto vargje e me një program mjaft cilësor, KBI-Prizren, realizoi manifestimin e radhës në xhaminë “Ebu Bekri r.a.”, në Prizren, për nder të Mevludit – përkujtimit të Ditëlindjes së Muhamedit a.s..
Fillimisht, imami i xhamisë, Mr. Sebajdin ef. Krasniqi, me gëzim e dashuri, i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirardhje. Përshëndetje, në emër të KBI-së, bëri kryetari Mr. Besim ef. Berisha, ndërsa ligjëratën për lindjen e Pejgamberit a.s., për jetën e biografinë e tij, mbajti Naser ef. Kastrati, imami i xhamisë “Kurilla”, Prizren. Ai, në ligjëratën e tij, I kushtoi rëndësi shënimit të Mevludit – ditëlindjes së Pejgamberit a.s., duke thënë se kjo ngjarje nuk duhet të kalojë në heshtje. Gjersa, ne si myslimanë, po i bëjmë përgatitjet për shumë festa të tjera, atëherë, përkujtimi i ardhjes së Pejgamberit a.s., në këtë botë dhe si i dërguar për shoqërinë njerëzore në përgjithësi, ka prioritet më shumë se sa të tjerat, madje as që mund të krahasohet me ndonjë ngjarje tjetër.
Vërtet, ishte një mbrëmje e bukur, me ligjërata përmbajtësore, me lexim të bukur të Kur’anit, me recitim brilant të kasideve e ilahive, etj. Mbi të gjitha, kishte ngrohtësi vëllazërore, momente fantastike, nostalgji e emocione!