“Gjithësa zerre që është n’xhihan thirrte me za – Tue i thanë t’gjithë pejgamberit merhaba”, janë këto, dy vargje nga Mevludi, që i kushtohen ardhjes së Pejgamberit a.s., në këtë botë.
Mbrëmje fantastike në Atmagjë të Prizrenit. Kur’an të mrekullueshëm, ders përmbajtësor, pjesë prej mevludit, kaside e ilahi, ishte ky programi, që nuk do të harrohet për shumë kohë. Ekipi i KBI-Prizren: Kujtimi, Shqiproni, Denizi, Menduhi e Aliu, me recitimet e tyre magjepsëse, ngjallën emocione të thella tek të pranishmit. Për këto pak momente, njeriu sikur arrin ta shijojë një hise prej kënaqësisë së xhennetit. Gëzim, hare e lumturi, pa fund! Dashuri sublime për Pejgamberin a.s. Mirënjohje absolute për Allahun, që ia dërgoi njerëzimit shpalljen, për të qenë themel i dinjitetit njerëzor.
Imami i xhamisë, Qëndrim ef. Gashi, me respekt e dashuri i përshëndeti të pranishmit. Ndërsa, një ligjëratë në lidhje me Pejgamberin a.s., e mbajti kryeimami, Dr. Orhan Bislimaj. Ai, përveç tjerash, tha: “Mbajeni mend, të gjitha vlerat e këtij civilizimi bashkëkohor, rrënjët i ka në udhëzimin e Pejgamberit a.s.. Këtë, nuk po e themi vetëm ne myslimanët, këtë po e thonë edhe jomyslimanët, të gjithë. Me udhëzim prej Allahut, Pejgamberi a.s., arrit që ta shndërrojë një shoqëri, skajshmërisht primitive, në një shoqëri përparimtare, e që botës i dha vlera, kulturë e civilizim. Ai e rikuptimësoi qenien e njeriut, e cila, në atë kohë (shek.VII), e kishte humbur çdo dinjitet e kuptim njerëzor. Prandaj, këto manifestime për ditëlindjen e Pejgamberit a.s., janë shumë pak apo asgjë, kundrejt mirësisë së madhe, që Allahu i ka dhënë gjinisë njerëzore…”
Kryeimami, po ashtu tha: “Dijeni se, ajo zemër që ka vetëm pak dashuri për Pejgamberin a.s., nuk mund të jetë zemër e ngurtë e as e keqe, kjo është e vërtetuar me ligjin e Zotit. Ajo zemër, në fakt ka hyrë në autostradën e entuziazmit konstruktiv. Nëse ai person, po supozojmë se ka ndonjë veprim të ligë, këtë e ka për shkak të veseve të mbetura e disa shprehive rutinë, që mund t’i kemi, e të cilat shumë kollaj mund t’i evitojmë, por assesi nuk mund të jetë zemërkeq. Thjesht e shkurt, dashuria ndaj Allahut e ndaj Pejgamberit, në gjuhën praktike, përkthehet si një tharm që ngjizë sinqeritetin, korrektësinë, drejtësinë, mirësjelljen, dashurinë e pafund për bëmirësi, etj.”
Momente të paharrueshme…!