“Kerkujt Zoti në këtë dynja sikur ky djal – Nuk ia dha kujt, e as pas sodit nuk e falë”, këto janë dy vargje prej tërësisë së ‘Mevludit’, që i dedikohen Pejgamberit a.s..
Nën melodinë e leximit të Kur’anit, e bashkë me ligjëratën / dersin përmbajtësor, si dhe me disa pjesë të mevludit, me kaside e ilahi, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, realizoi program fantastik në xhaminë ‘Antalya”, në Prizren. Vërtetë, atmosferë madhështore e impozante. Mallëngjim e nostalgji, për traditën e mevludit, ndër shekuj. Tamam si tynahere, kur odat tona gjëmonin nga atmosfera e mevludit, të pranishmit u ngritën në këmbë, për të sublimuar përkujtimin, për Muhamedin a.s., të gjithë, me një zë, me një melodi, me një qëllim, me një ritëm, burra e gra, djemë e vajza, i vogël e i madh, recitonin: “Allahume sal-li ala sejjdina, Muhamedinin-nebijj-ji ve ala alihi ve sahbihi ve sel-lim”.
Veç ai, që pati fatin të prezentojë, mund ta dijë emocionin e tubimeve të këtilla.
Pas përshëndetjes nga imami I xhamisë, hfz. Faton ef. Bytyqi dhe përshëndetjes në emër të KBI-së, nga kryetari Mr. Besim ef. Berisha, imamët e Prizrenit e realizuan programin. Në sytë e të pranishmëve shihej hareja e gëzimi. Besa kishte edhe lot, nga kënaqësia, mallëngjimi e nostalgjia.
Ligjëratën kryesore e mbajti, Dr. Gykan ef. Shipkovica, imam në xhaminë “Myderris Ymer Prizreni”, në Prizren, si dhe mësimdhënës në Medrese – Paralelja në Prizren, i cili evokoi momente interesante nga jeta e Pejgamberit a.s..
Këto tubime do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Momente të paharrueshme…!