“Selam t’bëjnë trojet tona, Ja Resulallah…”, ishte kjo, njëra prej atyre ilahive impozante, që Deniz Allajbegu, nga Prizreni, me recitimin e tij brilant e zërin melankolik, e zbukuroi programin e mbajtur në xhaminë e fshatit Lubizhdë të Prizrenit.
Aktivitetet për Mevludin – përkujtimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s., janë momente të mira, të hareshme e me plotë kënaqësi. Në të kaluarën tonë, po thuajse, çdo familje ka organizuar Mevlud, me familje, farefis e miqësi. E, ato kujtime, ne i ruajmë si momentet më të lumtura të jetës tonë. Traditat e mira duhet t’i kultivojmë, si pjesë e lavdisë dhe identitetit.
Fjalën hapëse e mbajti imami i xhamisë, Faruk ef. Idrizi. Në emër të KBI-Prizren, i përshëndeti të pranishmit kryetari i Këshillit, Mr. Besim ef. Berisha. E, ligjëratën për Mevludin, e mbajti imami i xhamisë “Pavarësia”, në Prizren, Gjemali ef. Halimi. Ndërsa, imamët e Prizrenit, e realizuan pjesën artistike të programit, që ngjalli ngazëllim e emocion tek të pranishmit.