Për nder të ditëlindjes së Resulullahit, Muhamedit a.s., Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, organizoi program fetar (Kur’an, ligjëratë, pjesë të mevludit, Ilahi, etj.) Programi u realizua nga imamët e KBI-së Prizren dhe u mbajt në xhaminë “Sinan Pasha”, në Prizren, ora 18:00.
Vërtet, pati atmosferë fantastike. Kënaqësi e lumturi! Xhamia ishte e mbushur me xhemat, nga të gjitha shtresat, burra e gra. Fjalë përshëndetëse për të pranishmit, pati kryetari i Këshillit, Mr. Besim ef. Berisha, ndërsa ligjëratën mbi mevludin e mbajti Kryeimami, Dr. Orhan ef. Bislimaj. Po ashtu, fjalë përshëndetëse pati edhe këshilltari për çështje fetare në Ambasadën turke në Prishtinë, zt.Nevzat Sabri Akin.
Pejgamberi Muhamed a.s. u lind në Mekkë, në vitin 571 të kalendarit miladi, nga baba Abdullahi dhe nëna Emine. Për lindjen e tij, u gëzua çdo krijesë, u gëzuan tokë e qiell! Ishte njeri I përkryer, u rrit nën mbikqyerjen direkte të Krijuesit, për të qenë i denjë, për pranimin e shpalljes / pejgamberisë. Të gjithë ata që e kanë njohur, nuk kanë pasur as vërejtjen më të vogël për personalitetin e tij. E, Allahu e di se kujt ia dërgon misionin e pejgamberisë. Në vitin 610 atij i filloi shpallja prej Allahut, pra zbritja e Kur’anit, nëpërmjet melekut Xhibril. I Dërguari i Allahut vdiç në Medinë në vitin 633 në moshën 63 vjeçare, duke i lënë ymetit thesarin e udhëzimit për në rrugën e drejtë. Para vdekjes së tij, ai pati lënë një porosi: “Unë po ju lë dy gjëra, gjersa i përmbahuni, kurrë nuk do të devijoni nga rruga e drejtë, e ato janë: Kur’ani – Fjala e Allahut dhe Sunneti – tradita ime si i Dërguar i Allahut.” Allahu ka vërtetuar në Kur’an, se pas tij, nuk do të ketë pejgamber tjetër.
Ditëlindjen e Pejgamberit a.s., e shenon e gjithë bota islame, me aktivitete të ndryshme, fetare, shkencore e kulturore.
Gjatë muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, do të organizojë edhe disa programe të tjera, nëpër xhamitë e qytetit të Prizrenit dhe të fshatërave.