#SelamFest (5-7 Korrik 2019)
Festivali i paharruar…! (4)
Dita e dytë, 6 Korrik 2019 (E Shtunë)
3) “Bisedë zemrash”
Gjatë ditës së dytë, pra më 6 Korrik 2019, SelamFesti, vazhdoi me aktivitetin e lajmëruar: “Bisedë zemrash, në kërkim të paqës së brendshme” me folësin z. Fatmir Muja. Dhe, aktiviteti u organizua në oborrin e xhamisë Sinan Pasha, në Prizren, në ora 18:30, ulur mbi shilte, në ambient të hapur, me çaj nga pastiçeria “Konaku”, pronë e KBI-Prizren si dhe sponsor gjeneral i selamfestit.
Vetë mënyra e organizimit të këtij takimi, e jep mesazhin e vet. Sepse, në kohën e kësaj dinamike bashkëkohore, në kohën kur jemi bërë robër të zyreve e ambienteve të mbyllura, si dhe në këtë kohë, kur jemi larguar nga praktikat e tradicionales, ky aktivitet, në mënyrë mjaft natyrale, përfytyron odat tona me shilte, të shoqëruar me shumë muhabet, dëlirësi natyrore, dashuri shpirtërore, e nën tingujt e përzierjes së çajit.
Fatmir Muja, përveç se është poet i mirë, e tekstshkrues i shumë këngëve, kasideve e ilahive, ai, përmban edhe sharm e ngrohtësi në muhabet.
Atmosferë fantastike, në hijën e xhamisë së Sinan Pashës, e nën ledhatimin e rrezeve të diellit, në perëndim e sipër.
Bashkë me publikun e SelamFestit, ishte edhe kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, Dr. Ajni ef. Sinani. Po ashtu, kësaj radhe ishte edhe kryetari i Këshillit të BI-Prizren, Mr. Besim ef. Berisha, i cili u privua për gati dytë, për shkak të një udhëtimi jashtë Kosovës.
Në mungesë të Mirush Kabashit, Fatmir Mujës, i erdhën në ndihmë Prof.dr. Musa Musai, z. Fahredin Shehu e z. Sabahudin Jashari, të cilët, vërtet këtë takim, e bënë takim zemrash. Ata dhanë këshilla e urtësi mjaft domethënëse për rininë dhe publikun prezent. Besa nuk mungoi edhe satira, nga doktori që kishte ardhur enkas për SelamFest, z. Muhamedali Hajredini nga Gostivari.
Gjatë aktivitetit, përveç furnizimit me çaj, aktivistët e SelamFestit, të gjithë të pranishmëve u dhuruan nga një “shkop” (stick), me citate të ndryshme, nga Kur’ani apo Suneti, që jepnin mesazhe autentike, duke asocuar në këshillat, që të vjetërit tanë u jepnin të rinjëve, në kohën e odave të famshme. Ndërkohë, që, 10 metra më largë, fare afër xhamisë, piktorët i finalizonin piktuart e nisura, e të cilat të nesërmen, pra më datë 07 korrik 2019, kishin për t’u shfaqur, në kuadër të aktivitetit “Kolonia e Piktorëve”.
Momente simpatike, atraktive, e të paharruara. Në sytë e secilit, dukej kurreshtja për befasitë e SelamFestit.
E, në fund të këtij aktivitetit, çershia përmbi tortë ishte performanca e dy brilantëve të përmasave ndërkombëtare, në zhanrin e ilahive e kasideve, z. Egzon Ibrahimit e Mesut Kurtishit, që ishin present gjatë gjithë kohës. Me zërin e tyre magjepsës, pastaj edhe live, e përbyllën në mënyrën më të mirë, këtë “bisedë zemrash”, duke i ujitur zemrat me etjen e pangopësisë për momente të këtilla. Ky është SelamFesti!
4) Tribuna dhe “U nda Hana”
Në ditën e dytë të tij, më datë 06 Korrik 2019, në ambientin e hapur, në “Keji”, pranë lumbardhit e përballë shtatit të xhamisë Sinan Pasha, në Shadërvan të Prizrenit, në ora 21:00, SelamFesti, vazhdoi me aktivitetin e tribunës “Islami fe e paqës dhe dashurisë”. E, protagonist i kësaj tribune, ishte ligjëruesi gojëmbël, intelektuali e punëtori i madh, thirrësi i zemrave, hoxhë Halif ef. Avdulli, nga Vushtrria e Kosovës.
Moderatori i kësaj pjese, Festim Avdyli, para se të fillonte me ligjëratën këshillëdhënëse, e ftoi në skenë mjeshtrin e skenës mbarëkombëtare shqiptare, profesionistin e karrierës në artin e recitimit, z. Mirush Kabashin nga Shqipëria. Me të vërtetë brilante, atmosferë impozante e ralaksim kulturor e artisitik, si asnjë herë tjetër më parë.
Aktori i madh, z. Mirush Kabashi, para të pranishmëve, solli shumë emocion, me poemën “U nda Hana”, e shkruar nga tekstshkruesi i famshëm, z. Fatmir Muja. Përplotë, mall e dashuri për Muhamedin a.s.! Një pjesë nga fillimi i poemës është edhe ky në vazhdim:
“Në qiellin e dynjasë nuk ka më shumë se një hanë. Ajo hanë u nda në dy pjesë për njeriun më të vetmuar mes tokës dhe qiejve. Ai është më i vetmuar se të gjitha zemrat në dynja, por kurrë vetminë nuk e ka ndier. S’ka as nanë, as babë! Është rritur pa përqafimin e tyre por vetë është më i afërt se përqafimi. Aty ku rri ai, s’ka dritë se ai është vetë Kandili Ndriçues. Nuk lexon libra se ai është vetë Libri i Gjallë i Jetës. Nuk zbulon fshehtësitë e jetës se ai është vetë Roja e Fshehtësive. Ai që mësohet njëherë me praninë e tij, në mungesë të tij, fjalët i vdesin në buzë e dynjaja i ngushtohet. Një trung hurme njëherë përjetoi afërsinë e tij dhe kur ai u largua, trungu lotoi. Po t’mos i afrohej përsëri, dynjaja do të notonte në lotë. Trungu qau, por jo edhe zemrat e vdekura në trupat e gjallë. Zemrat që nuk qajnë për ndarjen nuk mallëngjehen as për takimin. Zemrat e gjalla atë e duan edhe pa e parë. Ai është udhëtari i Hixhretit që braktis vendlindjen e tij sepse gjaku nuk guxon të pikojë aty ku buron uji i Zemzemit. Ai është luftëtari që lufton kundër luftës. Ai është udhëtari i Israsë që niset nga toka. Ai është udhëtari i Miraxhit që kthehet nga qiejt. Duke pëshpëritur fjalët e tij, lutësi bëhet lutje. Fjalët e tij nuk janë nga kjo botë, por bota është krijuar për fjalët e tij. Në gjoksin e tij është shkruar fillimi dhe fundi sepse ai është udhëtari i Pafundësisë. Ai i mbyllë sytë po zemra e tij nuk fle. Ai është Muhamedi në shpellën Hira…!”
Vërtet, mallëngjyese!
Pas mbarimit të ricitalit, që njomësoi zemrat e publikut, ashtu si shiu arën, pasoi tribuna me Halil Avdulin. Ëmbëlsirë pës ëmbëlsire! Këshilla, urtësi, e mesazhe të pafund. Në mesin e publikut, nuk dëgjohej asnjë zë, të gjithë në koncentrim maksimal. Mbretëronte një qetësi e përshpirtshme, me shikim kah qielli. Si asnjëherë tjetër, ligjërata dhe recitali para saj, ëmbëltuan ndjenjat e të gjithëve, drejtë paqes, dashurisë, njerzishmërisë, solidaritetit, drejt asaj, që vetë SelamFesti, e ka për synim. Nga ky takim, askush nuk u nda i zhgënjyer e me mendime të zymta. Përkundrazi, të gjithë me buzëqeshje, zemërgjerësi, dëlirësi, e me një ndjenjë se jeta nuk është kjo jetë që servirët, por ajo që përjetohet në të vërtetën e saj, përtej mugëtirës tokësore e djallëzive njerëzore!
Vazhdon…!