Frytet e mësimeve të ashabëve do të përcillen edhe tek gjenerata e tabiinjve, sepse çlirimet e mëdha islame që u bënë në kohën e katër hulefai-rrashidinëve, bënë që shumë prej ashabëve të njohur të shpërndaheshin gjithandej në provincat e reja islame, dikush si mëkëmbës, të tjerë si ministra e këshillëtarë e disa si mësues të fesë. Meqenëse shumë joarabë në këto vende të reja islame kishin pranuar Islamin, ndihej nevojë e madhe për sqarimin e dispozitave fetare, po edhe për sqarimin dhe komentimin e ajeteve kuranore, në mënyrë që njerëzit të mos binin në lajthitje në çështjet e fesë.
Disa prej atyre ashabëve që jetuan në vende të ndryshme, themeluan shkolla të veçanta të tefsirit. Kështu shohim që në Mekë u shquan nxënësit e shkollës së Ibni Abbasit, në Irak (Kufë) nxënësit e shkollës së Abdullah ibn Mes’udit, kurse në Medinë nxënësit e shkollës së Ubejj bin Ka’bit.[1]
Këta ashabë të Resulullahut mësimet e marra nga i Dërguari i Allahut, i përcollën besnikërisht deri tek tabiinjtë, kështu që shumë prej nxënësve të këtyre tefsirologëve më eminentë të Islamit, u bënë edhe vetë të njohur për njohuritë e mëdha të tefsirit, dhe transmetimet e tyre ende sot e kësaj dite përcillen nëpër librat e tefsirit.
Shumë prej këtyre tabiinjve u bënë dijetarë të mëdhenj, kështu që edhe shumë ashabë merrnin mësime prej tyre, ose porositnin që të merrej dituria prej tyre. Në lidhje me këtë kemi prononcimin e Ibn Abbasit- mufessiri më i famshëm nga ashabët, duke i thënë popullit të Mekës: “Përse jeni tubuar rreth meje kur në mesin tuaj keni Atain?” E Atai ishte një prej nxënësve të mëdhenj të Ibn Abbasit nga gjenerata e tabiinjve. Ose kemi rastin kur Abdullah ibn Omeri shpesh kërkonte mendimin e tabiiut Seid bin Musejjebit, lidhur me disa çështje.[2]
Kush konsiderohet tabi’i
Dijetarët që u morën me këtë çështje, gjatë përkufizimit të statusit të tabiinjve, dhanë edhe definicionin e qartë se kush mund të konsiderohet tabi’i.
Hatib el Bagdadiu thotë: “Ai që ka shoqëruar të paktën një ashab, quhet tabi’i”[3]
Ibn Kethiri në lidhje me këtë thotë: “Tabi’i konsiderohet ai që ka shoqëruar një ashab, dhe nuk mjafton që ta marrë këtë status vetëm nëse e ka parë atë ashab, në dallim të statusit të ashabëve, të cilëve për ta marrë këtë epitet, u ka mjaftuar vetëm ta kishin parë Pejgamberin a.s…”[4].
Mirëpo, megjithatë, shumica dërrmuese e dijetarëve thonë se tabi’i konsiderohet ai që vetëm ka parë një ashab dhe ka transmetuar prej tij, edhe nëse nuk e ka shoqëruar.
Hakimi thotë: “Tabi’i është ai që ka takuar ndonjë ashab, që ka transmetuar prej tij edhe nëse nuk e ka shoqëruar.”[5]
Vlera e tabiinjve si gjeneratë
Në lidhje me vlerën dhe gradën e tabiinjve, El Iraki thotë: “I Dërguari i Allahut ka dhënë shenjë për ashabët dhe për tabiinjtë, kur ka thënë: “I lumi ai që më sheh mua dhe më beson, dhe i lumi ai që sheh atë që më ka parë mua”[6].
Sidoqoftë, vlera dhe grada e tabiinjve është e pakontestueshme, duke marrë parasysh vlerësimin e lartë për ta edhe nga ana e Pejgamberit a.s., kur thotë: “Gjenerata më e mirë është gjenerata ime (ashabët), pastaj ata që vijnë pas tyre (tabiinjtë) dhe pastaj ata që vijnë pas tyre (tebei tabiinjtë).”[7]
VLERA E TRANSMETIMEVE TË TEFSIRIT NGA TABIINJTË
Në mesin e dijetarëve hasim në mospajtime rreth faktit nëse komentimet e tefsirit nga tabiinjtë, duhet të pranohen apo jo si argumente të pakontestueshme, nëse nuk ceket se ai komentim i tabiinjve ka bazë në fjalët e Muhammedit a.s. ose të ndonjërit prej ashabëve?
Kështu shohim se një grup prej tyre janë kategorikë në qëndrimin se fjalët e tabiinjve nuk mund të merren si argument, sepse ata thjesht nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të Shpalljes së Kur’anit, dhe kjo nënkupton faktin se ata edhe mund të gabojnë në të komentuarit e drejtë të kuptimit të synuar të ndonjë ajeti.
Fakt tjetër është se edhe drejtësia dhe forca argumentuese e tabiinjve, në dallim me atë të ashabëve, nuk precizohet me ndonjë normë të veçantë.
Ibni Tejmije thotë: “Ka thënë Shu’beh bin Haxhaxhi dhe të tjerët: “Fjalët e tabiinjve nuk merren si argument, prandaj si mund të konsiderohen ato si argument në tefsir?! Kjo do të thotë se dikush mund të ketë mendim të kundërt nga ata, prandaj edhe fjalët e tabiinjve nuk mund të konsiderohen si të paprekshme. Por megjithatë, kjo ndryshon vetëm nëse të gjithë tabiinjtë janë unikë rreth një çështjeje të caktuar, kështu që në këtë rast jemi të detyruar ta marrim atë si të saktë e të pranueshme.”[8]
Imam Ebu Hanifja, në lidhje me vlerën e transmetimit nga tabiinjtë, ka thënë: “Ç’ka ardhur nga i Dërguari i Allahut, e pranojmë pa diskutim, ç’ka ardhur nga ashabët, i zgjedhim transmetimet, t’i marrim ose jo, kurse ç’ka ardhur nga tabiinjtë, ata janë njerëz (burra) dhe ne jemi njerëz (burra).”[9]
Në anën tjetër, shumica e mufesirëve janë të mendimit se fjalët e tabiinjve në tefsir, mund të merren si argument, sepse ata në të shumtën e rasteve, transmetimet i kanë dëgjuar nga ashabët, e këta janë të pakontestueshëm në argumentim.
Imam Ahmed ibn Hanbeli në lidhje me këtë çështje ka dy mendime, në njërin transmetimet nga tabiinjtë i pranon si argument, kurse në një tjetër nuk i pranon, ndërsa Ibni Kethiri ka thënë: “Nëse tabiinjtë janë unikë rreth një çështjeje, atëherë këtë e marrim si argument, e nëse nuk janë unikë, atëherë, jo.” [10]
Megjithatë, mendimi në të cilin mbështetemi ne lidhur me këtë çështje, është se tefsiri (komentimet) i tabiinjve mund të merret si argument vetëm nëse paraprakisht i plotëson këto kushte:
1. Nëse transmetimet nga ndonjë tabi’i janë të sferës në të cilën nuk ka vend për mendim personal e as për ndonjë ixhtihad;
2. Që ky tabi’i të mos jetë prej atyre që janë të njohur për transmetimet e marra nga pjesëtarët e Ehli Kitabit, dhe
3. Nëse të gjithë tabiinjtë janë unikë dhe kompaktë rreth një çështjeje të caktuar, atëherë jemi të detyruar ta marrim atë si të saktë e të pranueshme.[11]
BURIMET E TEFSIRIT NË KOHËN E TABIINJVE
Komentatorët e Kur’anit nga tabiinjtë gjatë komentimit të tyre të Librit të Allahut, u mbështetën mbi këto burime:
1. Kometimet që gjenden në vetë Kur’anin fisnik, ku disa ajete janë komentuese (sqaruese) të disa të tjerave.
2. Komentimet e Resulullahut s.a.v.s., të cilat i përcollën ashabët besnikërisht deri tek tabiinjtë.
3. Komentimet nga vetë ashabët, që i bënë Kur’anit, ose disa ajeteve kuranore.
4. Transmetimet (rrëfimet) e ndryshme që tabiinjtë i morën nga pasuesit e librave të shenjtë të mëparshëm (Ehli Kitab), dhe
5. Komentimet që buronin nga vetë ixhtihadi i tabiinjve gjatë studimeve që i bënin Librit të Allahut.[12]
Gjendja e Tefsirit në kohën e tabiinjve
– Në kohën e tabiinjve u shfaqën për herë të parë transmetimet e shkruara nga tefsiri,[13] siç është rasti i tefsirit të Muxhahidit.
– Gjatë kohës së tyre u shtuan mospajtimet në të kuptuarit e disa ajeteve kuranore.
– Në këtë gjeneratë u shfaqën edhe disa mospajtime medhhebiste për disa ajete. P.sh. një mospajtim të tillë e hasim ndërmjet Katades dhe Hasen el Basriut.
– Në këtë periudhë u shfaq për herë të parë tefsiri për secilin ajet kuranor.[14]
– Tefsiri u tubua si një shkencë e veçantë dhe e ndarë tash plotësisht nga Hadithi.
– Në këtë kohë, u shtuan transmetimet e marra nga beni-israilët, të cilët e kishin pranuar Islamin, ca prej tyre vetëm formalisht, dhe ky ishte një gabim i rëndë që do t’u kushtonte shtrenjtë edhe shumë gjeneratave islame të mëvonshme, derisa ato nuk u demaskuan në tërësi. [15]
SHKOLLAT E TEFSIRIT NË KOHËN E TABIINJVE
Ashtu sikur u dalluan për njohuritë e tyre rreth komentimit të librit të Allahut disa nga ashabët, po ashtu edhe gjenerata vijuese pas tyre, ajo e tabiinjve, pati dijetarë të shquar në këtë lëmë.[16]
Këta morën mësimet e drejtpërdrejta nga ashabët të cilët i kishin dëgjuar ato gojarisht nga Resulullahu s.a.v.s. dhe i përcollën besnikërisht deri tek gjenerata tjetër-tabiinjtë, e këta ua përcollën atyre që erdhën pas tyre.
Ndër ashabët më të mëdhenj që themeluan shkolla të tefsirit, nga të cilat dolën nxënës që më vonë do të bëheshin dijetarë të famshëm e me nam, do të përmendnim Abdullah Ibn Abbasin në Mekë, Abdullah Ibn Mes’udin në Kufë, Ubejj bin Ka’bin në Medinë, Ebu Derdanë dhe Temin ed-Dariun në Sham, Amr Ibn Asin në Egjipt dhe Muadh bin Xhebelin e Ebu Musa el Esh’ariun në Jemen.
Tani, shkurtimisht do të flasim për secilën nga këto shkolla, përfaqësuesit më eminentë të tyre dhe do të japim biografitë e shkurtra të më të njohurve.
SHKOLLA E IBN ABBASIT NË MEKË
Pa dyshim, nxënësit e kësaj shkolle të tefsirit ishin më të shquarit dhe bartës të flamurit të dijes tek gjenerata e tabiinjve. Është shumë e logjikshme që ishin më të njohurit, sepse mësues i tyre ishte kush tjetër pos Ibn Abbasit të famshëm, komentatorit të madh të Kur’anit, dhe detit të dijes të këtij Ymeti.
Ibni Tejmije thotë: “Njerëzit më të dijshëm në tefsir, ishin banorët (dijetarët) e Mekës, sepse ishin nxënës të Ibn Abbasit…”
Dijetarët më të dalluar që dolën nga shkolla e tefsirit të Ibn Abbasit, janë: Muxhahid bin Xheber, Seid bin Xhubejr, Ikreme, Ata’ë bin Ebi Rebah dhe Tavus bin Kejsani.
1. Muxhahid bin Xheber
Ky është Muxhahid bin Xheber el Mekki. U lind në vitin 21 h. në kohën e sundimit të Omerit r.a. Vdiq në Mekë në vitin 104 h.[17] Është ndër më të sigurtët në transmetimet nga Ibn Abbasi. Ishte imam i vërtetë, i besueshëm dhe i devotshëm. Në transmetimet e tij në tefsir janë mbështetur Imam Shafiu, pastaj Buhariu në Sahihun e tij e të tjerë.
Muxhahidi ishte më i dijshmi për tefsirin në kohën e tij. Thuhet të ketë thënë: “Tri herë e kam kaluar Kur’anin fund e krye para Ibni Abbasit, duke u ndalur në secilin ajet dhe duke e pyetur për kë ka zbritur dhe si ka zbritur?”.[18]
Meqenëse kishte diapazon të madh të dijes në tefsir, ishte e natyrshme që edhe shumë prej dijetarëve të mëvonshëm të mbështeteshin në të. Sufjan eth-Thevriu për të ka thënë: “Nëse të vjen ndonjë transmetim në tefsir nga Muxhahidi, atëherë ai do të të mjaftojë”, ndërsa Imam Dhehebiu thotë: “I gjithë Ymeti janë kompaktë se Muxhahidi ishte imam, dhe se me mendimet e tij mund të argumentohet. Imamët e 6 librave të mëdhenj (të hadithit) kanë transmetuar (nxjerrë) transmetime prej tij”.[19]
Muxhahidi, përveç prej Ibn Abbasit, ka transmetuar edhe prej ashabëve të tjerë, si Abdullah ibn Umeri, Ebu Hurejre, Abdullah bin Amri etj. Prej tij kanë transmetuar shumë tabiinj dhe tebei tabiinj.
Muxhahidi njihet si njëri ndër komentatorët e parë që gjatë komentimit të ndonjë ajeti përdorte edhe anën logjike, duke i dhënë mendjes nganjëherë hapësirë të tepruar. Në tefsirin e Ibn Xherir et-Taberiut shpesh mund të hasim komentime nga Muxhahidi. F.v., kur Taberiu komenton ajetet 22-23 të kaptinës El-Kijame: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera që Zotin e tyre e shikojnë”, sjell një transmetim nga Muxhahidi se fjala “nadhire” nuk ka të bëjë me shikim-të pamë, por me pritje të shpërblimit, do të thotë, sipas tij e ka kuptimin “intidhar-pritje”.[20]
S’do mend se ky mendim i Muxhahidit do t’i shërbente me vonë Mu’teziles si një mbështetje-alibi e fortë në lidhje me mendimin e tyre rreth pamundësisë për të parë Allahun xh.sh. në Ahiret.
Transmetohet nga djali i Muxhahidit të ketë thënë: “Një njeri i tha babait tim: “A ti qenke ai që po e komenton Kur’anin sipas mendjes sate? Muxhahidi qau me ngashërim, e pastaj iu drejtua atij që e pyeti: “Unë sipas teje qenkam guximtar!, por po të betohem se këto komentime i kam marrë nga më shumë se dhjetë ashabë të Pejgamberit a.s.”[21]
Këso mendimesh të Muxhahidit dhe shoqërimi i tij me disa ish-pjesëtarë të Ehli Kitabit, kanë shtyrë disa dijetarë që, megjithë dëshmitë për devotshmërinë, drejtësinë dhe besnikërinë e tij në transmetime, prapëseprapë të shprehin rezerva ndaj tij. Por kjo megjithatë nuk e zbeh aspak emrin dhe pozitën e Muxhahidit në tefsir, sepse pyetjet që ai u bënte Ehli Kitabit, kishin të bënin në një sferë të lejuar, normat e së cilës i kishte përcaktuar vetë i Dërguari i Allahut .
Tefsiri i Muxhahidit, i cili për shumkënd ka qenë i panjohur, është botuar në Bejrut nga Shtëpia botuese “El Menshurat el Ilmijje”, mjerisht pa vitin e botimit, po sigurisht duhet të jetë në fillim të viteve 90 të shekullit XX, meqenëse kopja elektronike e këtij tefsiri, ka kohë që qarkullon në mesin e dashamirëve të fjalës së shkruar islame, kudo në botë. Në këtë tefsir janë tubuar pothuaj të gjitha komentimet e Muxhahidit, të përcjella nga mufesirët e mëhershëm, duke filluar që nga Taberiu e më vonë. Është botuar në 2 vëllime.
2. Seid bin Xhubejr
Ky është Ebu Muhammed Seid bin Xhubejr bin Hisham el Esedij. Me prejardhje ishte nga Etiopia. Arriti shumë prej ashabëve dhe mori mësime prej tyre, mbi të gjithë prej Ibn Abbasit dhe Abdullah ibn Mes’udit.
Ishte prej tabiinjve më të mëdhenj në dije, si dhe imam i tyre. Arriti famë të madhe në Tefsir, në Hadith dhe në Fikh. U shoqërua shumë me Ibn Abbasin dhe prej tij mori mësimet në Kur’an dhe në tefsir. Ishte njohës shumë i mirë i kiraeteve, të cilat i mori nga shumë ashabë të njohur.
Duke iu drejtuar disa banorëve të Kufës, që kishin ardhur në Mekë për ta konsultuar për disa çështje, Ibn Abbasi u kishte thënë: “A nuk është në mesin tuaj Ibn Ummi Dehma’ë?”– (aludonte në Seid bin Xhebejrin).”[22]
Ismail bin Abdulmelik ka thënë për të: “Seid bin Xhubejri ishte imam yni në muajin e Ramazanit. Ai një natë na lexonte me kiraetin e Abdullah ibn Mes’udit, tjetrën natë me kiraetin e Zejd bin Thabitit, tjetrën me kiraetin e një ashabi tjetër, e kështu me radhë, për çdo natë ndërronte kiraetet.”[23]
Kjo i kishte mundësuar që të ishte njohës i madh i kiraeteve e njëkohësisht edhe i Kur’anit e i kuptimeve të tij. Disa dijetarë e radhitin atë para Muxhahidit dhe nxënësve të tjerë të Ibn Abbasit për nga aftësia. Katadeja ka thënë: “Seidi ishte më i dijshmi prej tabiinjve në tefsir.”
Seid bin Xhubejri ishte kundër komentimit racional të Kur’anit. Për këtë dëshmon Ibn Halekani, i cili transmeton që një njeri e kishte lutur Seidin t’ia shkruante komentimin e Kur’anit, për se ai ishte hidhëruar dhe kishte thënë: “Më me dëshirë do ta pranoja të ma këputnin krahun sesa të bëja një gjë të tillë.” [24]
Ibni Kethiri për Seidi bin Xhubejrin përcjell: “Ishte prej imamëve më të mëdhenj të Islamit në Tefsir, Fikh dhe në shkencat e tjera, dhe ishte shumë vepërmirë.”[25]
Dijetarët që u morën me shkencën e “Ilmul Xherhi vet ta’dili-t”, janë të mendimit se ishte i sigurt në transmetime.
Ebul Kasim et-Taberiu ka thënë: “Ky është i sigurt, imam dhe autoritet i pakontestueshëm”, kurse Ibni Hibbani ka thënë: “Ishte një njeri i devotshëm, me vlera të rralla, dhe nga ai transmetuan të gjithë imamët e 6 librave (të hadithit).”[26]
Ka thënë Husajfi: “Në mesin e tabiinjve më i dijshmi në çështjet e shkurorëzimit ishte Seid bin Musejjebi; në dispozitat e Haxhit ishte Atai; rreth dispozitave të Hallallit dhe Haramit shquhej Tavusi, ndërsa në tefsir Muxhahid bin Xheberi, kurse Seid bin Xhubejri i zotëronte të gjitha këto dije dhe ishte më i dijshmi ndër ta.”[27]
Ali ibn el-Medenij ka thënë: “Nuk ka në mesin e nxënësve të Ibn Abbasit më të dijshëm sesa Seid bin Xhebejri. I thanë: As Tavusi? Ai u përgjigj: As Tavusi e askush tjetër nuk mund të krahasohet me të.”
Sufjan eth-Thevriu ka thënë: “Merreni Tefsirin nga 4 veta, nga Seid bin Xhubejri, Muxhahidi, Ikrimja dhe Dahaku.”
Në vitin 95 hixhri, gjeti vdekjen nga dora e Haxhaxhit, meqenëse ky i qe bashkuar Ibn Esh’athit gjatë një kryengritjeje kudër Haxhaxhit. Atëbotë kishte më pak se 50 vjet.
Biografët kanë shënuar edhe dialogun e tij të fundit me Haxhaxhin, gjë që dëshmon se Seidi vërtet ishte një dijetar guximtar e sypatrembur, kur e tha haptazi fjalën e drejtë para një tirani mizor.
Kur Haxhaxhi e kishte pyetur Seidin se ç’mendonte ai për të , Seidi i paskësh thënë: “Ti e njeh më mirë veten.” Kur Haxhaxhi megjithatë insistoi të dinte mendimin e Seidit për të, ai i tha: “Kjo do të të dëshpërojë e nuk do të të gëzojë.” Haxhaxhi edhe më me ngulm dëshironte të dinte mendimin e Seidit për të, e Seidi ia ktheu: “Ajo që di unë për ty, është se ti je duke vepruar në kundërshtim me Librin e Allahut. Dëshiron të futësh tmerr në zemrat e njerëzve e kjo do të të shpjenë në shkatërrim dhe përfundimisht në zjarr.”
I mllefosur nga kjo përgjigje, Haxhaxhi iu kërcënua: “Për Zotin, unë do të të vras.” Seidi ia ktheu: “Ti po ma shkatërron dynjanë time, por unë do të ta shkatërroj Ahiretin tënd.” Haxhaxhi, i tërbuar, ia ktheu: “Zgjidh cilën vdekje dëshiron”, por Seidi me gjakftohtësi ia ktheu: “Jo, veçse zgjidhe ti për vete, o Haxhaxh, se, për Allahun, me atë që ti të më vrasësh mua, po me atë do të të vrasë ty Allahu në Ahiret.”
Para se t’ia pritnin kokën me shpatë, Seidi u kthye nga Kibla duke lexuar ajetin kuranor: “Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e Tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i bëjnë shok (Allahut)!”, (El-En’am, 79).
Haxhaxhi, nga inati, urdhëroi xhelatët që t’ia kthenin kokën në anën e kundërt të Kiblës, kurse Seidi tha: “Të Allahut janë edhe (anët nga) lindja edhe perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, aty është ana e All-llahut. Vërtet, Allahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.” (El-Bekare, 115).
Atëherë Haxhaxhi, i tërbuar si një bishë, i urdhëroi xhelatët ta shtrinin Seidin me fytyrë përtokë, e Seidi lexoi: “Prej asaj (Tokës) Ne ju krijuam, e juve do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.”. (Ta-Ha, 55). Pastaj ngriti pak supet dhe u lut: “O Allah, mos ia mundëso Haxhaxhit të mbysë dikë tjetër pas meje!”.
Dhe vërtet pesëmbëdhjetë ditë pas vrasjes së Seidit, ethet e vdekjes e kishin kapluar Haxhaxhin. Shpeshherë i binte të fikët dhe, kur përmendej, i tmerruar nga halucinacionet bërtiste: “Ja ku është Seid bin Xhubejri, dëshiron të më ngulfatë, largomani prej meje!.”
Allahu e mëshiroftë Seid bin Xhebejrin, prijësin e dijetarëve në mesin e tabiinjve, dëshmorin që ra për idealet më të shtrenjta islame.
Ahmed ibn Hanbeli dhe Amr bin Mejmuni, pas vdekjes së tij, kanë thënë: “E mbytën Seid bin Xhebejrin, sa kohë që në tokë nuk kishte njeri që të mos kishte nevojë për dijen e tij.”
3. Ikrime el Berberi
Ky është Ebu Abdullah, Ikrime el Berberi el Medeni, shërbëtori dhe shoqëruesi i Ibn Abbasit. Me prejardhje është nga Berberi i krahinave të Marokut. Ishte ndër tabiinjtë e zgjedhur dhe ndër mufesirët më të mëdhenj. Ishte dijetar i madh. Transmetoi shumë nga Ibn Abbasi, nga Ali ibn Ebi Talibi, nga Ebu Hurejra dhe të tjerë.
Udhëtoi pothuaj në të gjitha provincat islame, si në Afrikën Veriore, Sham, Irak, Horasan etj, duke shpërndarë diturinë e tij, meqenëse kishte arritur pozitë dhe gradë të lartë, veçanërisht në Tefsir.
Habib bin Ebi Thabit ka thënë: “Në konakun tim u tubuan 5 veta. Ndenjje më madhështore nuk kam pasur kurrë më parë, e ata të pesë ishin: Atai, Tavusi, Seid bin Xhubejri, Ikrimja dhe Muxhahidi. Dy prej tyre, Muxhahidi dhe Seidi, e pyesnin Ikrimen rreth tefsirit. Nuk kishte pyetje që e pyesnin rreth ndonjë ajeti e ai të mos u përgjigjej. Kur pyetjet e tyre shteruan, Ikrimja filloi t’u dëftonte: Ky ajet ka zbritur për këtë, ky për këtë etj.…”[28]
Se ai kishte autoritet të madh në mesin e dijetarëve, dëshmojnë edhe këto thënie të dijetarëve: Thotë Xhabir bin Zejdi: ”Ikrimja është më i dijshmi ndër njerëz”, kurse Imam Shafiiu: “S’ka mbetur njeri më i dijshëm për Librin e Allahut se Ikrimja”.
Ibn Haxheri transmeton se Ikrimja në disa raste i sqaronte edhe vetë Ibn Abbasit disa paqartësi rreth ndonjë ajeti kuranor. Transmeton Davud bin Ebi Hind nga Ikrimja të ketë thënë: Ibn Abbasi e lexoi ajetin 164 të kaptinës El-A’raf:
“Dhe kur një grup prej tyre thanë: “Përse këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?” Thanë (këshilluesit): “Arsyetimi para Zotit tuaj dhe me shpresë që t’ju largohen gabimeve”.
dhe tha: Ende nuk e kam të qartë a shpëtuan ai popull apo u shkatërruan, e unë fillova t’ia sqaroja dalëngadalë derisa iu bë e qartë se ky popull kishte shpëtuar. Si shpërblim për këtë sqarim që i bëra atij, thotë Ikrimja, ai më dhuroi një bylyzyk”.[29]
Pavarësisht nga këto lavdata të njerëzve dhe të dijetarëve për Ikrimen, megjithatë disa kanë shprehur rezerva nëse është i sigurt në transmetime apo jo; disa kanë thënë se është i sigurt e disa të tjerë se nuk është i sigurt.
Ata që e kritikojnë, thonë se Ikrimja gjoja kishte pohuar se dinte për çdo gjë në Kur’an. Njerëzit madje edhe kishin filluar të shpifnin kundër tij se ky gjoja kishte trilluar edhe fjalë të paqena nga Ibn Abbasi në Tefsir. Megjithatë, fjala e fundit e dijetarëve në këtë rast është se në Ikrimen mund të mbështeten lirisht të gjithë dijetarët, sepse ishte njeri i drejtë, i sigurt dhe besnik. Akuzat në adresë të tij janë plotësisht të pabaza. Mjafton të cekim fjalët e Buhariut në këtë kontekst, kur thotë: “Nuk ka prej nesh, që fjalët e Ikrimes të mos i konsiderojë si argument.” Prej tij hadithe dhe transmetime përveç Buhariut kanë marrë edhe Muslimi, Ebu Davudi e të tjerë.
Në një rast edhe vetë Ikrimja e kishte mbrojtur veten nga këto akuza, duke thënë: “Po dëgjoj se njerëzit po shpifin ndaj meje pas shpine. Nëse janë të sinqertë për ato që thonë, përse nuk po më përgënjeshtrojnë para sysh?”
Transmetohet nga Othman bin Hakimi të ketë thënë: “Isha ulur me Ebi Emame Sehl bin Hanif, kur erdhi Ikrimja dhe i tha: “O Eba Emame. Të përbej në Allahun, a e ke dëgjuar Ibn Abbasin të ketë thënë: Atë që ju rrëfen Ikrimja nga unë, besojeni, sepse ai nuk gënjen (shpif) ndaj meje.” Atëherë Ebu Emamja, pa hezitim, i tha: Po, e kam dëgjuar.”[30]
Merveziu thotë: “Dijetarët janë kompaktë në mendimin se me transmetimet në hadith nga Ikrimja mund të argumentohet”, kurse Ibn Kethiri ka thënë: “Kur vdiq Ikrimja, po atë ditë vdiq edhe Kethir Izzeh, dhe derisa xhenazet e tyre barteshin për në varreza, njerëzit të pikëlluar thonin: Vdiq më i dijshmi prej njerëzve në Fikh (Ikrime), dhe poeti më i madh (Kethir Izzeh).”
Vdiq në vitin 104 sipas hixhretit.
4. Ata’ë bin Ebi Rebah
Ky është Ebu Muhamed Ata’ë bin Ebi Rebah el Mekki. U lind në vitin 27 sipas hixhretit dhe konsiderohet njëri prej tabiinjve më të mëdhenj.
Atai ishte i zi, i çalë, i verbër në njërin sy dhe më vonë u verbua tërësisht. Megjithatë, të gjitha këto mangësi fizike Atain nuk e penguan aspak që të ishte ndër njerëzit më të dashur e më të respektuar në kohën e tij.
Gjatë kohës sa ishte shërbëtor, kohën e tij e ndante në tri pjesë: një për zotërinë e tij, të dytën për obligimet ndaj Allahut, kurse pjesën e tretë e shfrytëzonte për t’u pajisur me dituri, derisa arriti në majën e saj, saqë njerëzit e kohës kishin nevojë për diturinë e tij në çështjet e fesë. Kur zotëria i tij pa përkushtimin e madh të Atait ndaj diturisë, e liroi për hir të Allahut, kështu që Atai u vendos menjëherë në një shtëpizë të vogël rrëzë Qabesë. Kohën më të madhe e kalonte në oborrin e Shtëpisë së Shenjtë, saqë shpeshherë e zinte gjumi pranë saj.
Transmetoi nga shumica e ashabëve të Pejgamberit a.s., dhe prej tyre në radhë të parë nga Ibn Abbasi, të cilin e shoqëronte si një hije e pandashme; pastaj nga Ibn Omeri, Abdullah ibn Amr ibnul Asi, Ebu Hurejra, Aishja etj.
Atai ka pohuar vetë se ka takuar mbi 200 ashabë të Resulullahut s.a.v.s. Ishte dijetar i madh i kohës së vet dhe njëri ndër fekihët më të famshëm të Mekës.
Taberaniu tregon e thotë se në Mekë, Ibni Abbasi mbante rregullisht ligjëratat e tij, kurse pas vdekjes së tij, këto ligjërata i mbante Atai.
Ibni Abbasi shpeshherë u drejtohej banorëve të Mekës me fjalët: “Përse tuboheni rreth meje, o popull i Mekës, kur në mesin tuaj keni Atain.”
Ebu Hanifja për të ka thënë: “Prej atyre që kam takuar, nuk kam parë njeri më të mirë se Atain”, kurse gjatë kohës së haxhit, një njeri thërriste me zë: “Askush të mos u japë fetva njerëzve përveç Atait.”[31]
Edhe pse transmetimet në tefsir nga Atai nuk janë aq shumë, siç janë ato të shokëve të tij, megjithatë kjo aspak nuk e zbeh pozitën e tij të lartë dhe autoritetin e pakontestueshëm që gëzon në mesin e dijetarëve islamë. Vërtet ishte imam i drejtë, besnik, i sigurt në transmetime dhe i devotshëm.
Fakti se ka më pak transmetime në tefsir se të tjerët, është pasojë se ai nuk parapëlqente të zgjerohej në ndonjë çështje për të dhënë mendimin e tij personal. Madje në lidhje me këtë, Abdulaziz bin Refiu tregon: “Atai është pyetur rreth një çështjeje dhe ka thënë: “Nuk e di”. Atëherë i është thënë atij: A nuk do të japësh të paktën mendimin tënd rreth saj, e ai ishte përgjigjur: “Turpërohem nga Allahu të veprohet në tokë me mendimin tim.”[32]
Atai, Allahu e mëshiroftë, vdiq në vitin 114 pas hixhretit.
5. Tavuus bin Kejsan el Jemani
Ky është Abdurrahman Tavuus bin Kejsan el Jemani. Ishte prej të parëve nga gjenerata e tabiinjve nga Jemeni. Me prejardhje ishte nga Persia. Ishte njeri shumë i dijshëm dhe punëtor. Arriti të takonte mbi 50 ashabë të Pejgamberit a.s. Për të thuhet se mbi 40 herë e ka bërë haxhin, vizitën e Shtëpisë së Shenjtë. Ishte misionar i madh islam, saqë Ibn Abbasi me një rast ka thënë: “Ma merr mendja se Tavusi do të jetë një prej banorëve të Xhennetit.”[33]
Transmetoi hadithe dhe rivajete të shumta nga 4 Abdullahët (Abdullah ibn Abbasi, Abdullah ibn Mes’udi, Abdullah ibn Omeri dhe Abdullah ibn Amr ibnul Asi), por më së tepërmi transmetoi nga mësuesi i tij Abdullah ibn Abbasi, sepse më së shumti u shoqërua me të.
Prej tij transmetuan edhe tabiinjtë më të mëdhenj si Muxhahidi, Atai dhe të tjerët.
Ishte dijetar i madh, por, mbi të gjitha, ishte i devotshëm. Vdiq në vitin 106 hixhri.
Nga ai kanë transmetuar imamët e 6 librave të mëdhenj të hadithit. Jahja bin Meini e ka llogaritur si njeri të sigurt në transmetime, kurse të tjerët kanë dëshmuar për drejtësinë, besnikërinë dhe devotshmërinë e tij.
SHKOLLA E ABDULLAH IBN MES’UDIT NË KUFE
Ashtu siç shndriti ylli i Ibni Abbasit në Mekë, po ashtu në Kufë shkëlqeu një yll tjetër i ashabëve të Pejgamberit a.s., e ky ishte Abdullah Ibn Mesudi, të cilit Omeri r.a. ia kishte besuar postin e kadiut të Kufës. Një kohë të gjatë ishte edhe ministër edhe këshilltar në këtë vend, kështu që rreth tij u tubuan shumë njerëz dhe dijetarë. Prej ashabëve, ky kishte më së shumti nxënës. Meqenëse ishte dijetar me nam në shumë shkenca fetare dhe jo vetëm në tefsir, është e natyrshme që edhe nxënësit e tij të kishin qenë dijetarë të mëdhenj të kohës së tyre. Prej më të njohurve të kësaj shkolle, ishin: Alkame bin Kajsi, Mesruku, El Esved bin Jezidi, Murre el Hemedhani, Amir esh Sha’biu, Hasan el Basriu-dijetari i famshëm i Irakut si dhe Katade es-Sedusi. Në vazhdim do të njihemi shkurtimisht me biografitë e secilit prej tyre.
1. Alkame bin Kajs
U lind derisa ishte gjallë Pejgamberi a.s.. Transmetoi nga Omeri, Othmani, Ibni Mes’udi dhe të tjerët. Njihet edhe si transmetuesi më i njohur nga Ibni Mes’udi. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë si të sigurt e besnik në transmetime. Imam Ahmed ibn Hanbeli për të ka thënë: “Është dijetar i dëshmuar, i sigurt, prej njerëzve të mirë dhe dijetarët e 6 librave të mëdhenj të hadithit kanë transmetuar nga transmetimet e tij”. Vdiq në vitin 61/62 h.[34]
2. Mesruk ibnul Exhda’ë bin Malik bin Ummeje el Hemedhani el Kufi
Ishte një dijetar i devotshëm dhe shoqërues i pandashëm i Ibni Mes’udit. Transmetoi nga të 4 hulefai-rrashidinët dhe të tjerët. Ishte imam i pakontestueshëm në tefsir dhe në përgjithësi për Librin e Allahut. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë si të besueshëm dhe të sigurt, në transmetime. Ibn Meini për të ka thënë: “Është aq i besueshëm dhe i sigurt saqë nuk bën fare të bëhet pyetje për të.”[35]
Të gjithë dijetarët e 6 librave të mëdhenj të hadithit kanë transmetuar prej transmetimeve të tij. Vdiq në vitin 63 h.
3. Esved bin Jezid bin Kajs en Nah’ij (Ebu Abdurrahman)
Ishte njëri prej dijetarëve më të mëdhenj të gjeneratës së tabiinjve dhe transmetuesi ndoshta më i njohur i transmetimeve nga Ibni Mes’udi. Transmetoi gjithashtu edhe nga Ebu Bekri, nga Omeri, nga Aliu, nga Hudhejfja nga Bilalli e të tjerë. Të gjithë dijetarët e konsiderojnë si të besueshëm dhe të sigurt në transmetime. Prej tij transmetuan edhe dijetarët e 6 librave të hadithit. Ibn Hibbani për të ka thënë: “Ishte një jurist dhe dijetar i devotshëm.”[36]
Ishte prej atyre që agjëronin agjërimin e kohës (një ditë po një ditë jo), saqë nga agjërimi kishte humbur edhe njërin sy.Vdiq në Kufë. Për vitin e vdekjes biografët kanë mëdyshje nëse ishte viti 74 ose 75 h.
4. Murre el Hemdani
Ky është Ebu Ismail Murre bin Sherahil el Hemdani el Kufij. Ka qenë një dijetar i devotshëm dhe plot mirësi. Transmetoi nga Ebu Bekri, Omeri Ubejj bin Ka’bi dhe natyrisht nga Abdullah Ibn Mes’udi. Prej tij transmetuan Sha’biu dhe të tjerët. Nga shumica e dijetarëve konsiderohet i besueshëm dhe i sigurt në transmetime, dhe mu për këtë shkak dijetarët e 6 librave të mëdhenj të Hadithit, janë mbështetur edhe në të. Harith el Ganevij për të ka thënë: “Murre el Hemdani bënte aq shumë sexhde, saqë dheu kishte filluar t’ia hante fytyrën; ai për çdo ditë falte nga 600 rekate namaz.”[37] Vdiq në vitin 76 h.
5. Amir Esh Sha’bij
Ky është Ebu Amr Amir bin Sherahil esh Sha’bij el Humejri el Kufi. Ishte prej më të mëdhenjve në dije nga gjenerata e tabiinjve. Ishte edhe kadi i Kufës. Transmetoi nga Omeri, Aliu dhe Ibni Mes’udi, edhe pse nuk i kishte dëgjuar drejtpërdrejt, ashtu siç transmetoi edhe nga Ebu Hurejra, Aishja, Ibn Abbasi dhe Ebi Musa El-Esh’ariu.
Vetë Sha’biu thotë: “Kam arritur 500 prej ashabëve të Pejgamberit a.s.”
Ishte fekih, poet, mufessir, dhe të gjithë dijetarët për të dëshmojnë se ishte i besueshëm, i sigurt dhe besnik gjatë transmetimeve. Jepte fetva edhe në praninë e ashabëve të Pejgamberit a.s.. Megjithë dijen aq të madhe, ai asnjëherë nuk i lejoi vetes të jepte ndonjë komentim personal për ndonjë ajet të Librit të Allahut. Ndër të tjera, Sha’biu thotë: “Për tri gjëra kurrë nuk do ta shpreh mendimin tim personal: për Kur’anin, për shpirtin dhe për mendimin e lirë (në tefsir).”[38]
Në tefsirin e Kurtubiut në lidhje me këtë personalitet të madh të tefsirit, hasim edhe këtë konstatim të Ibn Atijes: “Ishin disa dijetarë të mëdhenj e të ditur, si Seid bin Musejjebi dhe Amir esh-Sha’biu, që megjithë dijen e madhe ndaj të tjerëve për Librin e Allahut, ndaleshin nga komentimi i lirë, vetëm nga modestia dhe devotshmëria e tyre.”[39]
Ai në kohën e tij merrej me kritikë ndaj mufesirëve të kohës, dhe nuk ngurronte të kritikonte drejtimet e disa dijetarëve në tefsir. Vdiq në vitin 109 sipas hixhretit.
6. Hasan el Basriu
Ky është Ebu Seid el Hasen bin Ebil Hasen el Basrij. U lind në vitin e dytë të sundimit të Omerit r.a.. U rrit dhe u edukua në një ambient fetar e të devotshëm, në shtëpinë e nënës së besimtarëve, Ummu Seleme, në një atmosferë ku ende rrezatonte freskia, aroma dhe shkëlqimi i pejgamberisë. Tërë këto privilegje i mundësuan Hasanit të vogël të trashëgonte të gjitha këto tipare e cilësi. Ishte dijetar i madh i kohës së vet, ligjërues i mrekullueshëm, këshillues i njerëzve dhe mufesir i patejkalueshëm i kohës së tij. Transmetoi nga Aliu, nga Ibn Omeri, Enesi, Abdullah Ibn Abbasi, Abdullah Ibn Mes’udi, si dhe nga shumë ashabë e tabiinj të tjerë.
Ibni Sa’di për të ka thënë: “Ka qenë besnik dhe i sigurt në transmetime, dijetar i madh, gjuhëtar i pashoq, por mbi të gjitha shumë i devotshëm, saqë për të është thënë se është zotëria i të gjithë tabiinjve”.
Duke folur për virtytet dhe këshillimet e tij të zjarrta që u jepte banorëve të Basrës, Halid bin Safvani thotë: “Hasani është njeri tek i cili është njësoj ajo që e ka brenda dhe ajo që e tregon haptazi, dhe nuk ka dallim prej asaj që e ka në gjuhë nga ajo që e vepron. Kur prej të tjerëve kërkon të bëjnë punë të mira, së pari fillon prej vetes, e kur kërkon që të mos bëhen punë të këqija, i pari është që e lë atë punë. Është i pavarur prej njerëzve dhe nuk lakmon atë që kanë ata, kurse të tjerët i drejtohen atij dhe kërkojnë atë që ai e ka (dijen).”[40]
Ka thënë Bekr el Muzeni: “Ai që dëshiron t’i kënaqet syri dhe zemra duke shikuar dijetarin më të dijshëm që kemi arritur ne, le ta shikojë Hasanin, sepse ne nuk kemi arritur dijetar më të dijshëm se atë.”[41]
Hadithet e transmetuara prej tij, janë të radhitura në të 6 librat e mëdhenj të Hadithit.
Vdiq në vitin 110 sipas hixhretit, në moshën 88 vjeç.
7. Katade bin Deameh es Sedusi
Ofiqi i tij është Ebul Hitab el Ekmeh. Me prejardhje është arab. Ishte banor i Basrës dhe transmetoi nga Ibni Mes’udi, ashtu siç transmetoi edhe nga Enes bin Maliku, Ebu Tufejli, Ibni Sirini, Ikrimja, Atai etj.
Ishte shumë i fortë në nxënien përmendsh (kishte memorie të hatashme të nxënies përmendsh), ishte poet i madh, njohës i mirë i traditës dhe i historisë së arabëve dhe njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës së pastër arabe. Veç këtyre, ishte pinjoll i vërtetë i tefsirit dhe i shkencave të tjera. Për aftësitë e tij memorizuese kanë dëshmuar dijetarët më të mëdhenj si Ahmed ibn Hanbeli, Ibni Sirini etj.
Dijetarët e 6 librave të mëdhenj, fjalët e Katades i konsiderojnë si argumente të pakontestueshme. Vdiq në vitin 117 hixhrij, në moshën 56 vjeç.
SHKOLLA E UBEJJ BIN KA’BIT NË MEDINË
Në Medinën e ndritshme, vendi i hixhretit të Pejgamberit a.s., mësues i tabiinjve në shkencën e tefsirit ishte Ubejj bin Ka’bi.
Prej nxënësve më të njohur të kësaj shkolle do të veçonim: Ebul Alijeh, Muhammed bin Ka’b el Kuredhi dhe Zejd bin Eslem.
1. Ebu-l-Alijeh
Ky është Ebu-l Alijeh Refi’ë bin Mehran er-Rrijahi. Ishte transmetuesi më i madh nga Ubejj bin Ka’bi, pastaj transmetoi edhe nga Aliu r.a., nga Ibn Abbasi, nga Ibn Mes’udi etj., kurse prej tij më së shumti ka transmetuar Rebi’ë bin Enesi.
Nga ana e dijetarëve si Ibn Meini, Ebu Zer’ah dhe Ebu Hatimi, ai konsiderohet autoritet i pakontestueshëm, dhe shumica prej tyre dëshmojnë për dijen dhe vlerën e tij të lartë. Ibn Ebu Davudi për të ka thënë: “Pas ashabëve, nuk ka njeri më të dijshëm në lidhje me kiraetet sesa Ebu-l Alijeh.” [42] Dijetarët e 6 librave të mëdhenj të Hadithit, kanë transmetuar hadithe prej tij. Vdiq në vitin 90 hixhri.
2. Muhammed bin Ka’b el Kuredhi
Ky është Ebu Hamza Muhammed bin Ka’b bin Selim bin Esed el Kuredhi. Transmetoi prej Aliut, Ibn Mes’udit, Ibn Abbasit dhe natyrisht më së shumti prej Ubejj bin Ka’bit.
Ndër dijetarët u afirmua si njeri shumë i sigurt, i drejtë dhe besnik në transmetime. Ishte njohës i madh i hadithit, por mbi të gjitha dijetar i vërtetë në sqarimin e Librit të Allahut.
Ibn Avni për të ka thënë: “Nuk kam parë njeri më të dijshëm në komentimin e Librit të Allahut sesa Kuredhiun”[43], kurse Ibni Hibbani thotë: “Ishte prej dijetarëve më autoritativ të Medinës” Është i pranishëm edhe në 6 librat e mëdhenj të Hadithit.
Vdiq në vitin 118 hixhrij.
3. Zejd bin Eslem
Ky është Zejd bin Eslem el Adevij el Medenij, njëri ndër dijetarët më të mëdhenj të gjeneratës së tabiinjve në lëmin e tefsirit. Dijetarët si Ahmed Ibn Hanbeli, Ebu Zer’ah Ebu Hatimi dhe Nesaiu për të kanë thënë se ishte dijetar i madh dhe autoritativ, i sigurt dhe i besueshëm në transmetime. Ishte një det i vërtet i dijes dhe ishte ndër ata të paktë që kishin guxim ta komentonin Kur’anin edhe sipas mendimit të tij dhe aspak nuk shqetësohej për këtë. Megjithëkëtë, dijetarët nuk kanë transmetuar që të ketë qenë ideator i ndonjë mendimi të humbur, sepse Allahu xh.sh. i kishte dhënë dije aq të madhe, saqë shpeshherë e komentonte Kur’anin sipas ixhtihadit të tij personal. Të gjithë dijetarët bashkëkohanikë të tij ka në dëshmuar për dijen e tij të madhe në shkencën e tefsirit.
Prej tij mësimet në tefsir i morën shumë dijetarë, ndër të cilët më të njohurit janë: I biri i tij, Abdurrahmani, dhe Malik bin Enesi. Vdiq në vitin 136 sipas hixhretit.
* * *
Këta ishin përfaqësuesit më të denjë të shkollave të tefsirit të gjeneratës së tabiinjve në Mekë, Kufë dhe në Medinë. Megjithatë, kishte edhe shkolla të tjera të tefsirit nëpër provincat e tjera islame si ajo e Jemenit, Shamit, Egjiptit,[44] të cilat dijetarët i përmendin më pak. Ne këtu do të përmendim shkurtimisht edhe këto shkolla të tefsirit dhe përfaqësuesit e tyre
SHKOLLA E TEFSIRIT NË SHAM
Mësues të kësaj shkolle të tefsirit ishin Ebu Derdaja dhe Temim bin Evs ed Dariu r.a. Prej kësaj shkolle dolën mufesirë të famshëm si:
1. Abdurrahman bin Ganem el Esh’ariu, të cilin Omeri r.a. e dërgoi në Sham që t’u mësonte Kur’anin dhe Synetin njerëzve të Shamit. Ishte autoritet i pakontestueshëm. Vdiq në vitin 78 hixhri.
2. Omer ibn Abdulaziz, halifja i devotshëm i Emevinjve. Prej shumëkujt konsiderohet si halifi i pestë prej grupit të quajtur “Rrashidin”, d.m.th. emri i tij shpeshherë përmendet krahas Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut r.a. Atë shpeshherë e krahasonin me Omer ibnul Hatabin-sa i përket drejtësisë, me Hasan el Basriun-sa i përket devotshmërisë dhe me Zuheriun-në dije. Vdiq në vitin 101 pas hixhretit.
3. Rexha’ë bin Hajvete el Kindi, i pari i Shamit në aspektin e dijes. Ishte i besueshëm dhe i sigurt në transmetime ndër dijetarët. Vdiq në vitin 113 h.
4. Ka’b el Ahbari
Ky është Ka’b bin Mani’ë el Humejri. Para se ta pranonte Islamin, ishte njër ndër dijetarët më të mëdhenj të hebrenjve. Islamin e pranoi në kohën e sundimit të Omer el Farukut.
Mori pjesë në luftërat vendimtare kundër romakëve. Historianët tregojnë se ishte dijetar i madh, i urtë dhe mendjehollë. Ebu Derdaja për të ka thënë: “Vërtet tek Ibn Humejri (d.m.th. Ka’b el Ahbari) ka potencial të madh të diturisë”[45], kurse Muaviu r.a. për të ka thënë: “Ebu Derdaja është njëri prej të urtëve (mençurve), po ashtu edhe Amr ibnul Asi, kurse Ka’b el Ahbari është prej dijetarëve, dija e të cilit është sikurse frutat, të cilat nuk po arrijmë t’i vjelim sa duhet”. [46]
Kishte njohuri të thella për librat e tjerë të shenjtë. Xhumhuri-shumica dërrmuese e dijetarëve islamë, Ka’bin e konsiderojnë si të sigurt dhe të besueshëm në transmetime, ani pse disa mundohen ta njollosin personalitetin e tij të pastër, për gjoja trillimin e disa israiliateve.
SHKOLLA E TEFSIRIT NË EGJIPT
Mësuesi i kësaj shkolle ishte ashabi i famshëm Amr ibnul Asi. Nga kjo shkollë dolën dijetarë të mëdhenj si:
1. Jezid bin Ebi Habib el Ezdi, që ishte prej dijetarëve më të mëdhenj të Egjiptit. Lejth bin Sa’di për të ka thënë: “Ishte dijetari dhe prijësi ynë”. Me prejardhje ishte nga krahina e Berberit në Afrikën Veriore. Vdiq në vitin 128 h.
2. Merthed bin Abdullah el Jezeni. Transmetoi nga Ebu Ejub el-Ensariu, Ukbe bin Amir, Amr ibnul Asi etj. Vdiq në vitin 90 h.
SHKOLLA E TEFSIRIT NË JEMEN
Nga kjo shkollë, të cilën e udhëhoqën dy ashabë të tjerë të famshëm, Muadh bin Xhebeli dhe Ebu Musa El-Esh’ariu, dolën: Tavuus bin Kejsani.[47] dhe Vehb bin Munebbeh Es San’ani, i cili ishte i sigurt dhe besnik në transmetime. Është i njohur për disa transmetime nga Ehli Kitabët, meqenëse para se ta pranonte Islamin, ishte rabin hebre. Për këtë arsye disa dijetarë e akuzojnë se kishte rënë nën ndikimin e tyre, por kjo nuk qëndron. Ai ishte një njeri shumë i devotshëm, saqë transmetohet nga Muthenna bin Sabah se Vehb bin Munebbehu për 20 vjet rresht, namazin e sabahut e kishte falur me abdest të jacisë.[48] Vdiq në vitin 114 h.
[1] Dr. Abdul Mun’im Nimr “Ilmu-t-Tefsir”, fq. 87, Kajro 1985
[2] Ibn Haxher el Askelani “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll IV, fq. 86, Delhi-Indi 1325 h.
[3] Hatib El Bagdadiu “El Kifaje fi ilmi er-rrivaje”, fq. 48. Bejrut 1993.
[4] Dr. Xhemal Mustafa Abdulhamid en-Nexhar“Menahixh Tefsirijje”, fq. 171,Kajro 2000.(Fusnotë e cituar nga “El-Baithul el hathith sherh Ihtisar Ulumil Hadith”, fq. 162.)
[5]Po aty, fq. 172.
[6] Transmeton Tirmidhiu edhe në një formë tjetër: “Nuk do ta djegë zjarri atë musliman që më ka parë mua ose që sheh atë që më ka parë mua”.
[7] Sahihul Buhari “Kreu mbi vlerën e ashabëve” kapitulli I.
[8] Shih Ibn Tejmije “Mukaddime fi Usuli-t-Tefsir”, fq. 28, Damask 1988.
[9] “Menahixh Tefsirijje”, fq. 179.
[10] Ibn Kethir “Tefsirul Kur’anil adhim”, vëll. I, fq. 5, Kuvejt 1998.
[11] Dr. Hasen Junis Hasen Abidu “Dirasat ve mebahith fi tarihi-t-tefsir ve menahixhi-l-mufessirin”, fq. 54, Kajro 1992
[12] Dr. Xhum’ah Ali Abdulkadir “Zadu-rr-Rragibin fi menahixh el mufessirin” fq. 33, Kajro 1986
[13] Në lidhje me shfaqjen e shkrimeve të para nga tefsiri shohim se me urdhrin e halifes Omer ibn Abdulaziz në vitin 100 h. filloi edhe tubimi i haditheve dhe shkruarja e tyre; ndër to ishin edhe hadithet që kishin të bënin me tefsir. Pastaj pasoi faza e dytë e ndarjes së veçantë të tefsirit nga hadithi… Shih: Dr. Muhammed Sejjid Xhibril “Med’hal ila menahixh el mufessirin” fq. 81, Kajro 1987.
[14] Dr. Abdullah Shehate “Ulumu-t-Tefsir” fq. 17, Kajro 2001.
[15]Po aty fq. 17.
[16] Mennaul Kattan “Mebahith fi Ulumil Kur’an” fq. 348, Kajro, 1995.
[17] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 106, Kajro 1985.
[18] “Menahixh Tefsirijje”, fq. 177.
[19] Imam Hafidh Edh-Dhehebi “Mizanul I’tidal” vëll. III, fq. 9, Kajro 1325 h.
[20] Shih tefsirin e Taberiut, vëll 29, fq. 120
[21] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 109.
[22] “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll IV, fq. 12.
[23] “Dirasat ve mebahith fi tarihi-t-tefsir ve menahixhi-l-mufessirin”, fq. 57; Shih edhe Ibn Halekani “Vefijatul A’ëjan” vëll I, fq. 364, Kajro 1299 h.
[24] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll I, fq. 104; Shih “Vefijatul A’ëjan” vëll. I, fq. 365.
[25] Ibni Kethir, “El Bidaje ven Nihaje”, 9/106
[26] “Dirasat ve mebahith fi tarihi-t-tefsir ve menahixhi-l-mufessirin”, fq. 57
[27] “Vefijatul A’ëjan”, vëll. I, fq. 365.
[28] Ibn Kethir “El Bidaje ve-n-Nihaje”, 9/275
[29] “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll VII, fq. 270.
[30] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I fq. 111.
[31] http://www.islamweb.net
[32] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 115.
[33] Muhammed Abduladhim ez-Zerkani “Menahilul Irfan fi Ulumil Kur’an”, vëll. I, fq. 488, Kajro 1980.
[34] “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll. VII, fq. 278.
[35] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 122
[36] “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll. VII, fq. 342.
[37] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 123.
[38] Shih parathënien e tefsirit të Ibn Xherir et-Taberiut, vëll. I, fq. 28
[39] Shih parathënien e tefsirit të Kurtubiut, vëll. I, fq. 34.
[40] Abdurrahman Re’fet el Basha “Fragmente nga jeta e tabiinjve” fq. 66.
[41] “Tehdhibu-t-Tehdhib”, vëll. VII, fq. 268.
[42] “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll. I, fq. 117.
[43] Safijju-d-din el Hazrexhi “Hulasatu Tehdhibul Kemal”, fq. 205. Kajro 1322 h.
[44] Shënimet për këto shkolla të tefsirit i kemi marrë nga faqja elektronike: http://www.islamweb.net
[45] Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi “El Israilijat fi-t-tefsiri vel hadithi”, fq. 77, Kajro, 1986.
[46] “Tehdhibu-t-tehdhib”, pjesa 8, fq. 440.
[47] Ky njihet me shume si nxënës i Ibn Abbasit meqë shpeshherë shkonte në Mekë për të marrë mësime prej tij, por ishte edhe nxënës i dy ashabëve të lartëpërmendur.
[48] “El Israilijat fi-t-tefsiri vel hadithi”, fq. 86.
Sabri ef. Bajgora