Allahu xh.sh. i zbriti Muhamedit a.s. Librin e shenjtë-Kur’anin, si mrekulli të patejkalueshme deri në momentet e fundit të jetës mbi këtë tokë, sepse ky është libër që thërret për besimin e vërtetë, duke u bazuar në studime, analiza dhe hulumtime në proceset natyrore të kësaj ekzistence. Pa dyshim, ishte kjo dhurata më e madhe hyjnore për mbarë njerëzimin.
Kur’ani është vula e tërë revelatave hyjnore, të cilin i Dërguari i Allahut u urdhërua t’ia proklamonte njerëzimit. Ky mision i shenjtë nuk nënkuptonte vetëm përcjelljen e tij tek njerëzit, por edhe sqarimin e tij ashtu siç na bën me dije ajeti kuranor:
وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ
“…Ty ta zbritëm këtë Kur’an, t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë” (En-Nahl, 44).
Ky mision i shenjtë i Muhamedit a.s. zgjati rreth 23 vjet, deri në plotësimin e të gjitha dispozitave të Sheriatit, me zbritjen e ajetit të fundit kuranor, disa ditë para vdekjes së tij. I Dërguari a.s. e kreu me nder dhe përgjegjësi të plotë këtë detyrë dhe barrë kaq të rëndë, me të cilën ishte ngarkuar. Ai në asnjë moment nuk u tërhoq e as u zmbraps nga përgjegjësia që kishte marrë mbi supe, sepse qysh në fillim të Shpalljes ishte betuar: “Pasha Allahun, edhe po të ma sillni Diellin në anën time të djathtë e Hënën në të majtën, nuk do ta lë këtë mision derisa Allahu ta bëjë ngadhënjimtare (këtë fe) ose unë të flijohem për të”
Por që ky mision të kishte suksesin e dëshiruar, ishte e nevojshme një parapërgatitje shpirtërore nga ana e Allahut xh.sh. për të Dërguarin e Tij, në mënyrë që ai gjatë komunikimit të kësaj shpalljeje të mos haste në ndonjë vështirësi a paqartësi rreth asaj që i zbriste. Nga dëshira e flaktë që menjëherë të zinte përmendsh atë që i shpallej, Muhamedi a.s. ngutej duke përsëritur fjalët pas Xhibrilit…, siç na dëshmojnë këto ajete kuranore:
لَا تُحَرِّكْ بِهِ لِسَانَكَ لِتَعْجَلَ بِهِ. إِنَّ عَلَيْنَا جَمْعَهُ وَقُرْآنَهُ.فَإِذَا قَرَأْنَاهُ فَاتَّبِعْ قُرْآنَهُ. ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا بَيَانَهُ
“Ti (Muhamed) mos e shqipto atë (Kur’anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij! E kur të ta lexojnë atë ty, përcille (me të dëgjuar) leximin e tij. Dhe pastaj është obligim yni që ta shkoqisim atë.” (El-Kijame, 16-19)
Gjatë komentimit të këtyre ajeteve, Fahru Rraziu thotë: “Ajetet në fjalë argumentojnë se i Dërguari i Allahut e përsëriste me të shpejtë atë që ia lexonte Xhibrili a.s. dhe gjatë diktimit të Xhibrilit e pyeste atë për disa paqartësi dhe kuptime, në mënyrë që të mos i ikte ndonjë gjë, që pastaj ato t’ua përcillte ashabëve. Por i Gjithëfuqishmi ia tërhoqi vërejtjen duke e qetësuar atë të mos ngutej të lexonte e të përsëriste pas Xhibrilit, kur i tha: “Ti (Muhamed) mos e shqipto atë (Kur’anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!”, kurse për pyetjet që ai i bënte Xhibrilit, Allahu i tha: “Dhe pastaj është obligim Yni që ta shkoqisim atë.”, do të thotë Ne e kemi obligim të t’i sqarojmë ty detajet dhe kuptimet”[1]
Me këtë mendim pajtohet edhe Zemahsheriu, i cili gjatë komentimit të këtyre ajeteve, thotë: “Siç duket, i Dërguari a.s. ngutej të përsëriste atë që i shpallej, por Allahu xh.sh. e qetësoi zemrën e tij duke i thënë se nuk kishte nevojë të ngutej, sepse “Ne të garantojmë nxënien përmendsh të tij (Kur’anit)” dhe pastaj sqarimin e asaj që kishte nevojë për sqarim më detal, për se flet edhe ajeti tjetër kuranor:
وَلَا تَعْجَلْ بِالْقُرْآنِ مِنْ قَبْلِ أَنْ يُقْضَى إِلَيْكَ وَحْيُهُ وَقُلْ رَبِّ زِدْنِي عِلْمًا
“Ti mos nxito me Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij tek ti, dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” (Ta-Ha, 114)[2]
Ebu Su’udi, në lidhje me ajetin: “Dhe pastaj është obligim Yni që ta shkoqisim atë.”, thotë: “Këtu bëhet fjalë për sqarimin e ajeteve në të cilat kishte kuptime alegorike dhe dispozita”[3]
Të njëjtin mendim me Ebu Su’udin e mbështet edhe Alusi[4], kurse Shevkaniu, në lidhje me këtë ajet, thotë: “Me këtë ajet synohet sqarimi apo komentimi i hallallit e haramit, dhe i ajeteve që kishin nevojë për sqarime më të thukëta.”[5]
Allahu Fuqiplotë deshi që ky mision i fundit dhe kjo shpallje hyjnore, të përmbyllte të gjitha shpalljet e mëparshme. Dhe vërtet Kur’ani, si libri i fundit hyjnor ishte mrekullia me të cilën Allahu forcoi zemrën dhe misionin e të dërguarit të Tij, duke sfiduar mendjet njerëzore në çdo kohë. Ishte urtësia hyjnore që ky Kur’an të mbetet mrekulli deri në Ditën e Gjykimit, dhe nga ajetet e tij, çdo brez njerëzor të nxjerrë thesaret e urtisë, të cilat do të jenë argumente të pakontestueshme se Kur’ani është fjalë e Allahut, dhe si të tillë i Dërguari a.s. ua përcolli ashabëve të tij, të cilët do të ishin bartës të këtij amaneti dhe përcjellës besnikë të tij tek gjeneratat e ardhshme.
A e komentoi Muhamedi a.s. krejt Kur’anin?
Pas Kur’anit si burim i parë dhe i pakontestueshëm, i cili në vetë esencën e tij përmban shumë ajete, që sqarojnë njëri-tjetrin, vjen Syneti (Hadithi) i të Dërguarit të Allahut, si burim i dytë i. Pra, çdo gjë që vjen nga i Dërguari i Allahut, nëse është transmetuar paraprakisht me sened (varg transmetuesish) të saktë e të besueshëm, pranohet pa kurrfarë hezitimi, sepse i Dërguari i Allahut nuk ka folur në çështje të fesë dhe të Kur’anit, pa qenë i frymëzuar nga ana e Allahut xh.sh., për se dëshmon edhe ajeti kuranor:
وَمَا يَنْطِقُ عَنْ الْهَوَى إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى
“Dhe ai nuk flet nga dëshira (hamendja) e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (En-Nexhm, 3-4)
Ndërsa në lidhje me Synetin (Hadithin) Resulullahu s.a.v.s. thotë: “Mua më është dhënë Libri, e me të edhe po aq sa ai (Syneti)…”[6]
Mirëpo se a e komentoi Muhamedi a.s. tërë Kur’anin apo pjesërisht, tek dijetarët ekzistojnë dallime. Disa dijetarë, me Ibn Tejmijen në krye, janë të mendimit se Pejgamberi a.s. ashabëve të tij ua sqaroi tërë kuptimet e Kur’anit.[7] Por, megjithatë shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se i Dërguari i Allahut nuk e ka komentuar Kur’anin në tërësi, por vetëm disa ajete që kishin të bënin me dispozita të caktuara, dhe disa ajete të tjera për të cilat e pyetnin ashabët e tij kohë pas kohe. Këto ajete kryesisht ishin të natyrës së gajbijateve (gjërave të fshehta), ose ajete që në shikim të parë ishin paksa të komplikuara dhe kërkonin sqarime më të hollësishme. Të këtij mendimi janë El-Huvejbi dhe Es-Sujutiu.[8] Këtë mendim të tyre në një mënyrë e përkrahin edhe shumë prej dijetarëve bashkëkohorë, të cilët megjithatë mendojnë se ajetet e komentuara nga Muhamedi a.s. nuk ishin aq pak, siç pretendon Sujutiu, por ishin me një numër më të madh dhe u mjaftonin ashabëve që të kuptonin se për se obligoheshin.[9]
Argumentet e grupit të parë që thonë se i Dërguari i Allahut ua sqaroi ashabëve të gjitha kuptimet e Kur’anit
– Argumenti i parë i Ibn Tejmijes në lidhje me këtë, është fjala e tij: “Duhet të dimë se i Dërguari i Allahut ua sqaroi ashabëve kuptimet e Kur’anit ashtu siç ua sqaroi edhe shprehjet (fjalët) e tij, sepse ajeti kuranor:
وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ
“…Ty ta zbritëm këtë Kur’an, t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë”. (En-Nahl, 44), përfshin këto dy nocione.
– Argumenti i dytë, sipas tij, janë edhe fjalët e disa ashabëve të mëdhenj, si të Othmanit r.a., të Abdullah ibn Mes’udit e të tjerë, të cilat i transmeton tabiiu i njohur Ebi Abdurrahman Es-Selemi, se ashabët e Muhamedit a.s., kur i mësonin dhjetë ajete të Kur’anit, nuk fillonin mësimin e të tjerave pa i studiuar mirë e hollësisht dispozitat e ajeteve të mëparshme. Madje është e njohur thënia e tyre: “E mësonim Kur’anin e së bashku me të mësonim edhe dijen edhe mënyrën e të vepruarit me ato ajete.” Ndodhte që shumë ashabë të ndaleshin në nxënien përmendsh të një sureje për një kohë të gjatë, siç ishte rasti i Ibn Omerit, të cilit iu deshën disa vjet për ta mësuar e studiuar në tërësi kaptinën “El-Bekare”. Andaj disa prej tyre jo vetëm që e mësonin përmendsh (Kur’anin), por ndaleshin dhe e studionin në hollësi çdo ajet.
Sipas Ibn Tejmijes, ajeti kuranor:
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ
“Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, ashtu që ta kuptoni.” (Jusuf , 2), dëshmon qartë se ky Kur’an është shpallur në gjuhën arabe që njerëzit ta kuptojnë. “Logjika e shëndoshë nuk e pranon faktin që f.v. një popull ta lexojë një libër në ndonjë prej disiplinave shkencore, si p.sh. në mjekësi, matematikë, e të mos e shtjellojnë (komentojnë) detajisht, e po atëherë ç’mund të thuhet për Kur’anin si fjalë e Allahut, që është udhërrëfyes, shpëtim dhe lumturi e tyre, nëpërmjet të cilit ngrenë fenë dhe jetën e tyre.”, – thotë në fund Ibn Tejmije[10]
– Argumenti i tretë, sipas tij, është ajo që e transmetojnë Imam Ahmedi dhe Ibn Maxhe nga Omeri r.a., i cili ka thënë: “Ajeti i kamatës është ndër të fundit që ka zbritur nga Kur’ani, por i Dërguari a.s. vdiq pa e komentuar atë.”
Sipas Ibn Tejmijes dhe bashkëmendimtarëve të tij, del se i Dërguari i Allahut ua kishte sqaruar ashabëve gjithmonë ajetet që i kishin zbritur, përveç këtij të kamatës, meqenëse nuk kishte arritur, sepse e kishte kapluar sëmundja e vdekjes.
Argumentet e grupit të dytë që thonë se i Dërguari i Allahut nuk ua sqaroi ashabëve të gjitha kuptimet e Kur’anit
– Argumenti i parë i këtij grupi që thonë se i Dërguari a.s. nuk ua sqaroi ashabëve të gjitha kuptimet e ajeteve kuranore, përveç disave, pak nga numri, është thënia e Aishes r.a., të cilën e transmeton Bezzari, e cila citohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut nuk bënte ndonjë komentim të Kur’anit, përveç disa ajeteve të pakta, të cilat ia mësonte atij Xhibrili a.s..”
– Argumenti i dytë, sipas tyre, është se i Dërguari i Allahut me qëllim të caktuar nuk ua sqaroi ashabëve të gjitha kuptimet e Kur’anit, sepse muslimanët janë të obliguar në çdo kohë t’i studiojnë e t’i hulumtojnë ajetet kuranore, në mënyrë që të forcojnë bindjen se Allahu xh.sh. është Krijuesi i vërtetë i kësaj gjithësie, për se flasin edhe shumë ajete kuranore.
– Argumenti i tretë sipas tyre, është se, nëse i Dërguari i Allahut do t’ua kishte sqaruar ashabëve të gjitha kuptimet e Kur’anit, atëherë ç’domethënie do të kishte duaja e tij që e kishte bërë për Ibn Abbasin, kur ishte lutur për të: “O Zot, bëje të dijshëm në çështjet e fesë dhe mësoja komentimin.”[11]
Sipas këtij grupi të dijetarëve, nëse i Dërguari a.s. do ta kishte sqaruar krejt Kur’anin, atëherë përse do ta veçonte me këtë dua Ibn Abbasin?
Mendimi i dijetarëve bashkëkohorë rreth argumenteve të këtyre grupeve
Pas analizës dhe studimit të argumenteve të të dyja grupeve, edhe dijetarët bashkëkohorë kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje. Ajo që është me rëndësi të ceket në këtë rast, është fakti se të gjithë dijetarët bashkëkohorë janë bashkuar në çështjen se për të Dërguarin e Allahut nuk kishte ndonjë paqartësi rreth kuptimeve të Kur’anit, sepse ato ia mësonte Allahu xh.sh. nëpërmjet vahjit. Në anën tjetër edhe pse ashabët i kuptonin përgjithësisht nga aspekti gjuhësor tekstet kuranore, megjithatë rreth disa çështjeve të fshehta, ishin të pafuqishëm të gjenin ndonjë përgjigje. Mirëpo, fatmirësisht, në mesin e tyre gjendej i Dërguari i Allahut, i cili aty për aty ua sqaronte atë që nuk e kishin të qartë, sepse për një gjë të tillë edhe urdhërohej nga i Plotfuqishmi..
Ndërsa, sa i përket qëndrimit të dijetarëve bashkëkohorë ndaj argumenteve të të dyja grupeve, mund të themi se këta të fundit kanë marrë një qëndrim të mesëm, duke u ikur dy skajshmërive të theksuara dhe duke u munduar të gjejnë një mesatare dhe pajtueshmëri mes këtyre mendimeve, gjë që deri diku edhe e kanë arritur.
Mendimet e tyre rreth argumenteve të grupit të parë
– Dijetarët bashkëkohorë, si kundërpërgjigje ndaj argumentit të parë të grupit që thonë se i Dërguari i Allahut ua ka sqaruar ashabëve të gjitha kuptimet e ajeteve kuranore, thonë: “Sa i përket argumentit të parë të Ibn Tejmijes dhe të atyre që e përkrahin atë në lidhje me kuptimin e ajetit: “li tubejjine lin-nasi ma nuzzile ilejhin”- “që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre”, mund të konstatojmë se nuk është argumentim me vend, sepse kjo urdhëresë nga Allahu xh.sh. për Pejgamberin a.s., që t’ua shpjegonte njerëzve atë që u është zbritur, nënkupton në radhë të parë sqarimin e atyre ajeteve, që ashabët i kuptonin më me vështirësi, e këto ishin ajetet dispozita dhe ato “muteshabih”- të cilat kërkonin edhe disa sqarime shtesë, por jo edhe ajetet që ishin të pakapshme për mendjet e asaj kohe, e ajete të tilla në Kur’an ka shumë.”
– Në lidhje me argumentin e tyre të dytë, dijetarët bashkëkohorë kanë këtë kundërpërgjigje: “Sa i përket asaj që është transmetuar nga Othmani dhe Ibn Mes’udi r.a., se nuk kalonin në ajetet e tjera pa i mësuar ato dhjetë të parat, as kjo nuk argumenton se i Dërguari a.s. u kishte sqaruar atyre të gjitha kuptimet e Kur’anit. Në thënien e dy ashabëve të mëdhenj, vërehet se ata ishin të vëmendshëm që të mos kalonin në ajetet e tjera pa i mësuar me përpikëri dispozitat me të cilat ishin ngarkuar nga i Plotfuqishmi në ajetet paraprake, në mënyrë që ta përsosnin edhe më përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre.”
– Kurse, sa i përket argumentit të tyre të tretë, se vetëm ajeti i kamatës kishte mbetur pa u sqaruar në detaje nga i Dërguari i Allahut, dijetarët bashkëkohorë edhe këtë e refuzojnë, sepse kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton faktin se Resulullahu s.a.v.s. i kishte sqaruar të gjitha ajetet kuranore, me përjashtim të ajeteve dispozita, siç thamë më parë, të cilat kishin nevojë të sqaroheshin pak më hollësisht.
Se i Dërguari a.s. nuk ua komentoi ashabëve krejt ajetet kuranore, na flet edhe fakti tjetër, se, pas vdekjes së Resulullahut s.a.v.s., në mesin e ashabëve aty-këtu kishte mendime të ndryshme rreth kuptimit të ndonjë ajeti të caktuar. Natyrisht, po të kishin pasur ndonjë tekst të cituar nga i Dërguari i Allahut rreth atij ajeti, sigurisht që nuk do të lindnin mospajtime pas vdekjes së tij.[12]
Mendimet e tyre rreth argumenteve të grupit të dytë
Sa u përket argumenteve të grupit të dytë, të cilët thonë se Pejgamberi a.s. nuk ua ka sqaruar ashabëve të gjitha kuptimet e ajeteve kuranore përveç një numri të vogël të tyre, dijetarët bashkëkohorë, argumentin e parë të tyre e konsiderojnë si të pabazë, sepse hadithi i cituar sipas tyre, është i klasifikuar nga dijetarët si “hadith i papranueshëm dhe i panjohur”, për arsye se është transmetuar nga Muhamed bin Xha’fer Ez-Zubejri, i cili nuk është i besueshëm nga dijetarët e hadithit.
– Kurse, sa u përket dy argumenteve të tjera të këtij grupi, edhe dijetarët bashkëkohorë mendojnë se janë më të fuqishëm në argumentim sesa argumentet e grupit të parë, dhe i pranojnë pa ndonjë hezitim. Kurse në fjalën e tyre përfundimtare lidhur me faktin nëse i Dërguari i Allahut e ka komentuar tërë Kur’anin apo vetëm disa ajete, thonë: “I Dërguari i Allahut megjithatë nuk e ka sqaruar Kur’anin në tërësi, por i ka sqaruar shumicën e ajeteve dispozita, dhe shumë ajete të tjera, për të cilat ashabët bënin vazhdimisht pyetje. Është fakt se për disa ajete, as i Dërguari i Allahut nuk kishte njohuri të fliste, siç ishin ajetet rreth momentit të Kiametit, ajeti rreth shpirtit dhe të disa gajbijateve të tjera.”[13]
Dijetarët bashkëkohorë këtë konstatim të tyre e mbështetin edhe në një thënie nga Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Tefsiri është katër llojesh: Një prej tyre është që arabët e njohin prej vetë fjalëve-sinonimeve të tyre, tjetri është ai të cilin e kuptojnë njerëzit nga vetë natyra dhe inteligjenca e tyre e lindur (fitreja), pastaj është tefsiri, që e kuptojnë dhe e zbërthejnë vetëm dijetarët, dhe tefsiri që nuk e di askush tjetër përveç Allahut.”[14]
Në anën tjetër, një grup dijetarësh bashkëkohorë me Dr. Xhemal Mustafa Abdulhamid en-Nexh-xhar në krye, vihen në mbrojtje të Ibn Tejmijes, duke thënë se fjalët e këtij dijetari të madh janë keqkuptuar nga Imam Sujutiu dhe nga Dr. Dhehebiu, sepse nga fjalët e Ibn Tejmijes, nuk mund të kuptohet assesi që ai ishte ithtar i mendimit se i Dërguari i Allahut ua ka sqaruar ashabëve të tij të gjitha kuptimet e Kur’anit.
Si argument për këtë konstatim të tij, dr. Xhemal en-Nexh-xhari sjell vetë mendimin e Ibn Tejmijes rreth burimeve të tefsirit tradicional kur thotë: “…Nëse në Kur’an dhe Synet nuk gjejmë komentim në lidhje me ndonjë çështje, atëherë kthehemi tek fjalët e ashabëve, sepse këta, pas dy burimeve të para, ishin njohësit më të mirë të Librit të Allahut, sidomos dijetarët dhe më të mëdhenjtë prej tyre.”[15]
Dr. Nexhari thotë se “sikur Ibn Tejmije të insistonte me ngulm në pohimin se i Dërguari a.s. e ka komentuar tërë Kur’anin, atëherë nuk do ta sillte këtë mendim në lidhje me komentimet e ashabëve”[16], dhe në fund sjell këtë konstatim: “Duke i bashkuar fjalët dhe mendimet e Ibn Tejmijes në lidhje me këtë çështje, e jo duke i ndarë ato me përzgjedhje, mund të përfundojmë se mendimi përfundimtar i Ibn Tejmijes është se i Dërguari i Allahut nuk e ka komentuar tërë Kur’anin prej fillimit e deri në fund, fjalë për fjalë, madje as shumicën e tij, dhe jo ashtu siç i kanë kuptuar fjalët e tij Imam Sujutiu dhe dr. Dhehebiu si dhe ata që i përcollën fjalët e këtyre dy dijetarëve pas tyre. Allahu i mëshiroftë dijetarët tanë të mëhershëm, këta të sotmit dhe ata që do të vijnë pas nesh. S’ka dyshim se secili prej tyre do të shpërblehet në bazë të nijetit dhe përpjekjeve të tij.”[17]
Për ç’arsye Muhamedi a.s.nuk e komentoi Kur’anin në tërësi
Po të donte Allahu xh.sh. që këtë Kur’an ta komentonte dikush prej njerëzve, me një komentim përfundimtar, pas të cilit të mos kishte nevojë për ndonjë komentim shtesë, sigurisht që kjo meritë dhe ky nder do t’i takonte të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit a.s.. Kjo megjithatë nuk ndodhi, sepse i Dërguari i Allahut, ashabëve u komentoi, sipas nevojës, vetëm disa pjesë kuranore. Në këto komentime-sqarime të Pejgamberit a.s. bëjnë pjesë ajetet dispozita, me të cilat obligoheshin besimtarët, dhe disa nga ajetet që kishin të bënin me urdhëresat dhe ndalesat hyjnore etj. Mund të shtrohet pyetja: Për ç’arsye i Dërguari i Allahut nuk e ka sqaruar-komentuar tërë Kur’anin në të gjallë të tij?
Në lidhje me këtë çështje, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Dijetari më i njohur bashkëkohor, Muhamed Mutevel-li Sha’ravi, jep këtë përgjigje: “Aftësitë mendore-logjike të njerëzve në kohën e zbritjes së Shpalljes nuk ishin në gjendje të absorbonin kuptimet e të gjitha mistereve që përmbajnë fjalët e Allahut, dhe për këtë arsye ai nuk i rëndoi ashabët me gjëra që nuk përputheshin me realitetin e kohës dhe me aftësinë e tyre mendore. Ishte kjo një prej urtësive më të mëdha hyjnore, sepse Allahu i Madhërishëm deshi që çdo gjeneratë të shuajë etjen në detin e pafund të ëmbëlsisë kuranore.”[18]
Pra, Allahu xh.sh. deshi që në fjalën e Tij të fundit të zbritur për mbarë njerëzimin – në Kur’an, të përfshinte një thesar të tërë urtësish e sekretesh të Universit, të cilat do të mund t’i kuptonin e deshifronin vetëm gjeneratat e mëvonshme, të cilave do t’ua mundësojë këtë nëpërmjet zbulimeve të mirëfillta shkencore, në mënyrë që të gjithë të binden se ky Kur’an vërtet është fjalë e Allahut dhe mrekulli deri në ditën kur do të dalim para Madhërisë së Tij. Ja se ç’thotë Allahu xh.sh.:
سَنُرِيهِمْ آيَاتِنَا فِي الْآفَاقِ وَفِي أَنْفُسِهِمْ حَتَّى يَتَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُ الْحَقُّ أَوَلَمْ يَكْفِ بِرَبِّك
أَنَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri sa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)
Në Kur’an ka shumë ajete që flasin për disa mrekulli shkencore që janë zbuluar vetëm në këta dy shekujt e fundit. Natyrisht që gjeneratat e mëhershme nuk kanë qenë në gjendje t’i deshifronin këto ajete, por me kalimin e kohës ato u bënë realitet i dukshëm. Sa për ilustrim, po cekim vetëm shkurtimisht se në Kur’an flitet për formën eliptike të Tokës (shih ajetet: El-Hixhr, 19, dhe En-Naziat, 30); për lëvizjen e Tokës rreth boshtit të vet dhe rreth Diellit (shih ajetin En-Neml, 88); për lëvizjet e planeteve rreth orbitave të përcaktuara (shih: Jasin, 38-40); pastaj flitet rreth gravitacionit të planetëve (shih: Er-Rr’ad, 2). Në anën tjetër Kur’ani flet edhe rreth etapave zhvillimore nëpër të cilat kalon embrioni në barkun e nënës (shih ajetet: El-Mu’minun, 12-14) dhe në shumë ajete të tjera bëhet fjalë për gjëra të tilla, para të cilave shkenca dhe njerëzimi mbeten të mahnitur.
Nga gjithë kjo që u tha rreth këtyre ajeteve, mund të përfundohet se i Dërguari a.s. nuk ua ka shpjeguar ashabëve të tij të gjitha kuptimet e ajeteve kuranore. Atyre u mjaftonte sqarimi i dispozitave që kishin të bënin me besimin, legjislacionin dhe normat morale. Nga kjo shihet se Allahu xh.sh. i kurseu mendjet e tyre nga stërngarkesa, sepse kjo ishte një prej urtësive të Tij, që çdo brez a gjeneratë të përfitojë nga Kur’ani famëlartë dhe nga të vërtetat e pakontestueshme të tij.
Mirëpo, shtrohet pyetja: A thua ç’do të ndodhte sikur i Dërguari i Allahut ta kishte komentuar tërë Kur’anin dhe prej tij të kishte zbuluar e nxjerrë të gjitha urtësitë dhe të kishte shkoqitur detajet?!
Përgjigjja është se, sikur i Dërguari i Allahut të bënte një gjë të tillë, atëherë sigurisht që do të ndodhte një prej këtyre dy gjërave:
– Ose kjo botë do të ndalej nga ripërtëritja (përparimi) në formën që ka dëshiruar Allahu;
– Ose kuptimet e Kur’anit fisnik do të ngurtësoheshin e më nuk do të ishin joshëse e as tërheqëse për dikë, meqenëse askush më nuk do të kishte të drejtë të shtonte ndonjë koment tjetër mbi komentin e të Dërguarit të Allahu.
Për fat të mirë, nga mëshira e Allahut për robërit e Tij, asnjëra prej këtyre nuk ndodhi, sepse i Lartmadhërishmi i dha rast mendjes njerëzore që të thellohet në dije e në njohuri, që nga ky Kur’an, që është mrekulli e përjetshme, të nxjerrë thesarin e çmueshëm të dijes e të njohurive.[19]
Në anën tjetër, dijetari tjetër bashkëkohor, dr. Muhamed Sejid Xhibril, në fjalën e tij të fundit gjatë shtjellimit të çështjes nëse Kur’ani është komentuar në tërësi nga Pejgamberi a.s. apo jo, thotë: “Disa kuptime të Kur’anit në të kuptuarit dhe në të komentuarit e tyre janë lënë të tilla, në mënyrë që dijetarët nëpër kohë, në bazë të ixhtihadit të tyre pas hulumtimeve dhe studimeve të mirëfillta, të nxjerrin kuptimet e dëshiruara dhe të synuara, në mënyrë që shkencat islame të mbeten gjithmonë të gjalla e të ripërtërihen…”[20]
Dhe, vërtet, nëse bota vazhdon me këtë trend të zhvillimit teknologjik, sigurisht se do të bëhen edhe shumë zbulime kolosale, por me siguri, çdo zbulim i mirëfilltë shkencor, patjetër që do të ketë mbështetje të fortë edhe në ndonjë prej ajeteve kuranore, sepse, meqë Kur’ani është fjalë e Allahut, atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta as në të kaluarën dhe as në të ardhmen:
لاَ يَأْتِيهِ الْبَاطِلُ مِنْ بَيْنِ يَدَيْهِ ولاَ مِنْ خَلْفِهِ تَنزِيلٌ مِنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍ
“Atij (Kur’anit) nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit“ (Fussilet, 42).
Disa shembuj të komentimeve-sqarimeve nga Resulullahi s.a.v.s., bërë disa ajeteve kuranore
(El-Fatiha)
– Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu e gjithashtu edhe Ibn Hibbani në Sahihun e tij nga Adij bin Hibbani, të ketë thënë: I Dërguari i Allahut rreth ajetit 7 të kaptinës El-Fatiha:
غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَ لاَ الضَّالِّين
“…e jo në të atyre ndaj të cilëve je i hidhëruar, dhe që kanë humbur!”
ka thënë: “Ata ndaj të cilëve është i hidhëruar Allahu, janë hebrenjtë, kurse të humburit janë të krishterët.”
– Po ashtu transmeton Ibn Merdevije nga Eba Dherr el Gaffariu të ketë thënë: E pyeta të Dërguarin e Allahut për fjalët: ”El magdubi alejhim” – “Ata ndaj të cilëve është i hidhëruar Allahu”e më tha: ”Këta janë hebrenjtë”. I thashë: po “Ed-dal-lin” – “Të humburit”, më tha: “Këta janë të krishterët.”
(El-Bekare)
– Transmeton Taberaniu nga Ebi Emame të ketë thënë: I Dërguari i Allahut për ajetin kuranor:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ
“Haxhi është në muajt e caktuar…” (El-Bekare, 197)
ka thënë: “Këta muaj janë: Shevvali, Dhul Ka’de dhe Dhul Hixh-xhe”.
– Transmeton Taberaniu me sened të pranueshëm nga Ibn Abbasi të ketë thënë: I Dërguari i Allahut në lidhje me ajetin:
فَلاَ رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلاَ جِدَالَ فِي الْحَجِّ
“(Ai që është duke e kryer Haxhin) nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje.” (El-Bekare, 197)
ka thënë: “Er-Rrefethu” është t’u afrohesh grave për marrëdhënie intime gjatë ditëve të Haxhit; “El Fusuka”, janë mëkatet-gabimet, kurse “El Xhidalu” është kur dikush grindet dhe polemizon me shokun e vet.”
– Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Hibbani nga Ibn Mes’udi që në lidhje me ajetin 238 të kaptinës El-Bekare:
حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلَاةِ الْوُسْطَى وَقُومُوا لِلَّهِ قَانِتِينَ
“Vazhdoni (të falni) rregullisht namazet, e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze).”
të ketë thënë: ka thënë Resulullahu s.a.v.s. ”Salatul vusta”- është namazi i ikindisë.”
– Në lidhje me të njëjtin transmetim, por nga rrugë të tjera të isnadeve, transmetojnë edhe Ahmedi e Tirmidhiu nga Semurete, pastaj Ibn Xheriri nga Ebu Hurejre dhe Ebi Malik El-Esh’ariu etj.
(Ali Imran)
– Transmeton Hakimi nga Enesi r.a. të ketë thënë: Është pyetur i Dërguari a.s. për ajetin 97 të kaptinës Ali Imran:
وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنْ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً
“Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo…”
se ç’është “Sebil”?, e ai tha: “Sebil” – është mundësia materiale (ushqimi i mjaftueshëm që merr me vete dhe ai që i lë familjes derisa të kthehet nga Haxhi, – (sqarim yni) dhe mjeti i udhëtimit.”
(El-En’am)
– Transmetojnë Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga Ibn Mes’udi, të ketë thënë: Kur zbriti ajeti:
الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُوْلَئِكَ لَهُمْ الْأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ
“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (El-En’am, 82)
shumë njerëzve u erdhi rëndë, prandaj u brengosën dhe i thanë Resulullahut s.a.v.s.: O i Dërguar i Allahut, a thua cili prej nesh nuk i bën mizori-padrejtësi vetvetes?
Atëherë Muhamedi a.s. ua ktheu: “Kjo nuk ka të bëjë me atë që po mendoni ju, a nuk keni dëgjuar se ç’ka thënë njeriu i urtë (Llukmani duke e këshilluar të birin, fjalët e të cilit janë cekur në Kur’an, – sqarim yni):
وَإِذْ قَالَ لُقْمَانُ لاِبْنِهِ وَهُوَ يَعِظُهُ يَابُنَيَّ لا تُشْرِكْ بِاللَّهِ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
“(I kujto popullit tënd) Kur Llukmani, duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i bëj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe.” (Llukman, 13),
…pra mizoria (padrejtësia më e madhe) është shirku.”
– Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Ebi Seidi e ky nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë në lidhje me ajetin:
يَوْمَ يَأْتِي بَعْضُ آيَاتِ رَبِّكَ لَا يَنفَعُ نَفْسًا إِيمَانُهَا لَمْ تَكُنْ آمَنَتْ مِنْ قَبْلُ
“(në) ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë” (El-En’am, 158),
“Kjo ditë është kur dielli lind nga Perëndimi.”
Ky hadith ka edhe shumë rrugë të tjera të sakta të transmetimit, të cekura edhe në Sahihun e Buhariut edhe në atë të Muslimit nga Ebu Hurejra e të tjerët.
– Transmeton Taberaniu dhe të tjerët, me sened të mirë, nga Omer ibn Hattabi të ketë thënë: I Dërguari i Allahut në lidhje me ajetin:
إِنَّ الَّذِينَ فَرَّقُوا دِينَهُمْ وَكَانُوا شِيَعًا لَسْتَ مِنْهُمْ فِي شَيْءٍ إِنَّمَا أَمْرُهُمْ إِلَى اللَّهِ
ثُمَّ يُنَبِّئُهُمْ بِمَا كَانُوا يَفْعَلُونَ
“Vërtet ndaj atyre që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhamed) nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm te Allahu, Ai do t’i njohë me atë që punuan.” (El-En’am, 159)
i ka thënë Aishes: “Këta janë ata që sjellin risi dhe pasojnë epshin-egon”.
– Në lidhje me këtë ajet, Taberaniu me isnad të saktë e të shëndoshë, transmeton edhe nga Ebu Hurejra të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Këta janë ata që sjellin risi (të dëmshme), dhe janë pasuesit e epsheve e të mendimeve të kota, nga ky Ymet.”
(El-A’ëraf)
Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Hakimi dhe të tjerët nga Berra’ë bin Azibi të ketë thënë: I Dërguari i Allahut, duke folur për momentin e marrjes së shpirtit të pabesimtarit, ka thënë: “…Ndërsa, kur pabesimtarit t’i jetë afruar fundi i jetës në këtë botë, për të kaluar në Ahiret, nga qielli zbresin melaiket e tmerrshme të ndëshkimit, me fytyra të zeza e të vrenjtura, dhe me vete sjellin rroba të vrazhda (ferra-ferra) të Xhehennemit dhe ulen para tij; pastaj vjen meleku i vdekjes dhe i ulet te koka duke i thënë me vrazhdësi: “O shpirt i keq (i ndyrë). Dil (shko) në hidhërimin dhe dënimin e Allahut. Në ato çaste shpirti i pabesimtarit nxirret me vështirësi, sikurse gërhanët që me vështirësi nxirren nga leshi i lagur, dhe menjëherë e mbështjellin me ato rroba të vrazhda të Xhehennemit, duke kundërmuar erë më të rëndë e më të keqe se të çfarëdo coftine në fytyrë të tokës. Pastaj ky shpirt i keq ngrihet në hapësirat qiellore dhe në çdo grup të melaikeve që hasin, ato pyesin: Cili është ky shpirt i keq e i ndyrë? U thuhet: filan filani, duke e thirrur me emrat më të këqij me të cilët e kanë thirrur në këtë botë, derisa të mos arrijë te qielli i kësaj bote, kur kërkohet leje për të vazhduar më tutje (më lart) me të, por këtij shpirti të keq nuk i lejohet të shkojë më tutje në sferat e larta qiellore, dhe pastaj i Dërguari a.s. e lexoi këtë ajet kuranor:
إِنَّ الَّذِينَ كَذَّبُوا بِآيَاتِنَا وَاسْتَكْبَرُوا عَنْهَا لَا تُفَتَّحُ لَهُمْ أَبْوَابُ السَّمَاءِ وَلَا يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ حَتَّى يَلِجَ الْجَمَلُ فِي سَمِّ الْخِيَاطِ وَكَذَلِكَ نَجْزِي الْمُجْرِمِينَ
“Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, të tillëve nuk u hapen dyert e qiellit dhe ata nuk do të hyjnë në Xhennet derisa të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët” (El-A’ëraf, 40)
…dhe pastaj i Dërguari i Allahut vazhdoi: “Allahu i urdhëron melaiket: Shkruani librin (emrin) e tij në regjistrin Sixh-xhin (libri i xhehennemlinjve), në fund të tokës.
Pastaj melaiket shpirtin e tij e hedhin me rrëmbim e forcë poshtë në tokë… Më pastaj i Dërguari a.s. lexoi këtë ajet kuranor:
وَمَنْ يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَكَأَنَّمَا خَرَّ مِنْ السَّمَاءِ فَتَخْطَفُهُ الطَّيْرُ أَوْ تَهْوِي بِهِ الرِّيحُ فِي مَكَانٍ سَحِيقٍ
“… E kush i bën shok Allahut, ai është sikur të bjerë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin era e stuhishme e hedh në ndonjë vend të humbur” (El-Haxh-xh, 31)
(El–Enfal)
– Transmeton Ebu Shejhi nga Ibn Abbasi ta ketë dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke komentuar ajetin:
وَاذْكُرُوا إِذْ أَنْتُمْ قَلِيلٌ مُسْتَضْعَفُونَ فِي الأَرْضِ تَخَافُونَ أَنْ يَتَخَطَّفَكُمْ النَّاسُ فَآوَاكُمْ وَأَيَّدَكُمْ بِنَصْرِهِ وَرَزَقَكُمْ مِنْ الطَّيِّبَاتِ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ
“Rikujtoni kur ishit pakicë e të dobët në tokë, dhe frikësoheshit se do t’ju rrëmbenin njerëzit (idhujtarët), e Ai ju mundësoi vend të sigurt (në Medinë) dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij, ju furnizoi me të mira, që të jeni mirënjohës.” (El-Enfal, 26)
Shokët e pyetën se kush janë këta njerëz nga të cilët kishim frikë. I Dërguari a.s. u përgjigj: “Këta janë persianët.”
– Transmeton Tirmidhiu nga Ebi Musa el Esh-ariu të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Allahu m’i zbriti dy siguri për ymetin tim, dhe lexoi ajetin 33 të sures El-Enfal:
وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنْتَ فِيهِمْ وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ
“Po Allahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhamed) të jesh në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i dënojë, derisa ata të kërkojnë falje (istigfar).”
Pastaj tha: “Kur të kaloj unë nga kjo botë, ymetit tim do t’ia lë istigfarin deri në Ditën e Gjykimit.”
– Transmeton Muslimi dhe të tjerët nga Ukbe bin Amir të ketë thënë: E kam dëgjuar Resulullahun s.a.v.s. derisa ishte në minber pasi që lexoi ajetin kuranor:
وَأَعِدُّوا لَهُمْ مَا اسْتَطَعْتُمْ مِنْ قُوَّةٍ وَمِنْ رِبَاطِ الْخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدُوَّ اللَّهِ وَعَدُوَّكُمْ وَآخَرِينَ مِنْ دُونِهِمْ لَا تَعْلَمُونَهُمْ اللَّهُ يَعْلَمُهُمْ
“E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje) ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i di ata…” (El-Enfal, 60)
tha: “Forca (në këtë rast) është hedhja me shigjetë (me mjet lufte).”
(Et-Tevbe)
Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi nga Ebu Seid el Huderiu të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Kur të shihni ndonjë njeri që vjen rregullisht në xhami, dëshmoni për imanin e tij, sepse Allahu xh.sh. thotë:
إِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللَّهِ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَأَقَامَ الصَّلَاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَلَمْ يَخْشَ إِلَّا اللَّهَ فَعَسَى أُوْلَئِكَ أَنْ يَكُونُوا مِنْ الْمُهْتَدِينَ
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm dhe atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë e që e fal namazin, jep zekatin dhe nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” (Et-Tevbe, 18)
– Transmeton Muslimi dhe të tjerët nga Ebi Seidi, të ketë thënë: “Dy njerëz nuk pajtoheshin dot mes vetes lidhur me atë se çfarë kishte për synim ajeti 108 i sures Et-Tevbe:
لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِ
“Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar për respektin ndaj Allahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të”
Njëri prej tyre thoshte se fjala është për xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinë, kurse tjetri thoshte se fjala është për xhaminë në Kuba. Pastaj që të dy erdhën tek i Dërguari a.s. dhe e pyetën në lidhje me këtë, e ai u dha këtë përgjigje: “Në këtë ajet është fjala për xhaminë time (në Medinë) – (sqarim yni).”
(Junus)
– Transmeton Muslimi nga Suhejbi e ky nga i Dërguari a.s. të ketë thënë në lidhje me fjalët e Allahut:
لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ
“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (Xhenneti) po edhe më tepër (e shohin Allahun)…” (Junus, 26)
“fjala “husna” d.m.th. Xhenneti, kurse “zijadeh” do të thotë “e shohin Allahun xh.sh..”
– Në lidhje me këtë ajet, po ashtu transmeton Ibn Merdevije nga Ibn Omeri r.a. e ky nga Resulullahu s.a.v.s., të ketë thënë: (Lil-ledhine ahsenu) – janë ata që kanë dëshmuar se nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, (el-husna) është Xhenneti, kurse (ez-zijadeh) është shikimi në Allahun xh.sh..”
– Transmeton Ebu Davudi dhe të tjerët nga Omer ibn Hattabi të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Është një kategori njerëzish prej robëve të Allahut, të cilëve ua kanë lakmi pejgamberët dhe dëshmorët”. I thanë: Cilët janë ata, o i Dërguar i Allahut?, ai tha: “Këta janë ata njerëz që janë dashur në mes vetes vetëm për hir të Allahut, pa interes të pasurisë a të prejardhjes. Këta njerëz nuk do të frikësohen e as nuk do të dëshpërohen atë ditë kur njerëzit do të frikësohen e do të dëshpërohen” e pastaj lexoi ajetin 62 të sures Junus
أَلاَ إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لاَ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ
“Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) dhe as kurrfarë brengosjeje.”
– Në lidhje me këtë ajet, po ashtu transmeton Ibn Merdevije nga Ebu Hurejre të ketë thënë: Është pyetur i Dërguari i Allahut për ajetin 62 të sures Junus:
أَلاَ إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لاَ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ
“Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosjeje”
kurse përgjigjja e tij ishte: “Këta janë ata që duhen në mes vetes vetëm për hir të Allahut xh.sh.”
– Transmetojnë Ahmedi, Seid bin Mensuri, Tirmidhiu dhe të tjerët nga Ebu Derdaja, i cili, kur ishte pyetur rreth komentimit të ajetit 64 të kaptinës Junus:
لَهُمْ الْبُشْرَى فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الآخِرَةِ
“Atyre u jepen myzhde në jetën e dynjasë dhe në jetën tjetër (për hyrje në Xhennet)…”,
kishte thënë: Nuk më ka pyetur për këtë askush që kur e kam pyetur Resulullahun s.a.v.s. për të dhe atëherë më pati thënë: “O Ebu Derda, prej se ka zbritur ky ajet, pos teje, nuk më ka pyetur askush rreth këtij. Kjo është ëndrra e mirë (ru’ja) që sheh muslimani në gjumë, ose dikush e sheh për të. Pra, kjo është përgëzimi për të në jetën e kësaj bote, kurse përgëzimi për botën e ardhshme, është Xhenneti.”
(Ibrahim)
– Transmetojnë Tirmidhiu, Nesaiu, Hakimi, Ibn Hibbani dhe të tjerët nga Enesi r.a. e ky nga Resulullahu s.a.v.s. të ketë thënë, në lidhje me ajetin 24 të sures Ibrahim:
أَلَمْ تَرَى كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلاً كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ
وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ
“A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë rrënjët e së cilës janë thellë (në tokë) e degët janë lart.”
“ajo është pema e hurmës”,
kurse për ajetin 26 të po kësaj sureje:
وَمَثَلُ كَلِمَةٍ خَبِيثَةٍ كَشَجَرَةٍ خَبِيثَةٍ اجْتُثَّتْ مِنْ فَوْقِ الْأَرْضِ مَا لَهَا مِنْ قَرَارٍ
“Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar,”
ka thënë: “ajo është handhali – kungulli i egër e i idhët (bot. Citrullus colocynthys)”.
– Lidhur me po këtë ajet të sures Ibrahim
أَلَمْ تَرَى كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلاً كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا
ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ
“A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë rrënjët e së cilës janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart”,
kemi edhe një komentim tjetër, të cilin e transmetojnë Ahmedi, Ibn Merdevije me sened të mirë nga Ibn Omeri, e ky nga Resulullahu a.s.v.s. të ketë thënë: “Kjo është pema e hurmës, së cilës nuk i pakësohen (nuk i bien) fletët.”
– Transmetojnë të gjithë autorët e koleksioneve të hadithit nga Berra’ë bin Azibi e ky nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “Kur muslimani pyetet në varr, dëshmon se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Tij. Ky është sqarimi i fjalëve të Allahut:
يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآخِرَةِ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ .
وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ
“Allahu forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të dëshmisë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët Allahu i bën të humbur. Allahu punon çka të dojë.” (Ibrahim, 27)
– Transmeton Muslimi nga Thevbani të ketë thënë: I erdhi të Dërguarit të Allahut një rabin çifut dhe e pyeti: Ku do të jenë njerëzit në momentin për të cilin flet ajeti 48 i kaptinës Ibrahim:
يَوْمَ تُبَدَّلُ الْأَرْضُ غَيْرَ الْأَرْضِ وَالسَّمَاوَاتُ وَبَرَزُوا لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّارِ
“Ditën kur Toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në të tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.”,
për se Resulullahu iu përgjigj: “Do të jenë në errësirë të plotë, mu para urës (së Siratit)” – ( sqarim yni).
– Transmetojnë Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe të tjerët nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Jam njeriu i parë që e kam pyetur të Dërguarin e Allahut rreth këtij ajeti (d.t.th. rreth ajetit 48 të kaptinës Ibrahim):
يَوْمَ تُبَدَّلُ الْأَرْضُ غَيْرَ الأَرْضِ وَالسَّمَاوَاتُ وَبَرَزُوا لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّارِ
“Ditën kur Toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në të tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.”,
se ku do të jenë njerëzit në ato momente, o i Dërguar i Allahut? Ai tha: “Do të jenë mbi urë (Sirat).”
(El-Hixhr)
– Transmetojnë Taberaniu, Ibn Merdevije dhe Ibn Hibbani nga Ebu Seid el Huderiu, i cili është pyetur nga disa njerëz nëse e kishte dëgjuar të Dërguarin a.s. të fliste diçka rreth ajetit 2 të kaptinës El- Hixhr:
رُبَمَا يَوَدُّ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْ كَانُوا مُسْلِمِينَ
“Ata që nuk besuan, shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë muslimanë.”,
e ai tha: Po e kam dëgjuar Resulullahun tek thotë në lidhje me këtë ajet: “Allahu do t’i nxjerrë disa njerëz besimtarë nga zjarri pasi ta kenë marrë dënimin për atë që i ka shtyrë të futeshin në Xhehennem, tok me idhujtarët. Më parë idhujtarët do t’i drejtohen këtij grupi me fjalët nënçmuese: Ju thoni që keni qenë të dashurit e Allahut në jetën e dynjasë, atëherë përse jeni këtu me ne në zjarr?” Kur Allahu dëgjon këtë bisedë të tyre, jep leje që dikush të ndërmjetësojë për ta, dhe në ato momente ndërmjetësimi vjen nga të gjitha anët: nga melaiket, nga pejgamberët dhe nga besimtarët e mirë, derisa të gjithë ata besimtarë që kishin bërë ndonjë mëkat (me të cilin kishin merituar zjarrin e Xhehennemit përkohësisht, – sqarim yni), të nxirren e të dalin nga Xhehenemi me lejen e Allahut. Në ato çaste idhujtarët thonë nga dhembja: Ah sikur të ishim sikur këta (të ishim muslimanë, qoftë edhe mëkatarë) dhe të na arrinte shefati (ndërmjetësimi) edhe neve e të kishim dalë së bashku me ta.”
Ky hadith nga rrugë të tjera të transmetimit transmetohet edhe nga Ebi Musa el Esh’ariu, Xhabir bin Abdil-lahu dhe Aliu r.a.
(El-Isra’ë)
Transmeton Tirmidhiu, kurse Nesaiu e vërteton saktësinë e thënies nga Ebu Hurejra e ky nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë në lidhje me fjalët e Allahut:
إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًا
“Vërtet, lutja e agimit është e përcjellë.” (El-Isra’ë, 78)
“Për këtë (këndimin e Kur’anit në namazin e sabahut) dëshmojnë melaiket e natës dhe ato të ditës.”
– Transmetojnë Ahmedi dhe të tjerët nga Ebu Hurejre të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në lidhje me ajetin 79 të kaptinës El-Isra’ë:
وَمِنْ اللَّيْلِ فَتَهَجَّدْ بِهِ نَافِلَةً لَكَ عَسَى أَنْ يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًا مَحْمُودًا
“Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin-namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.”
“Ky është vendi (i lavdishëm), nga i cili do të më mundësohet të ndërmjetësoj për Ymetin tim.”, ndërsa në një version tjetër: ”ky është (shefati) ndërmjetësimi.”
(El-Kehf)
– Transmeton Ahmedi nga Ebi Seid el Huderiu e ky nga Resulullahu s.a.v.s. që në lidhje me ajetin:
الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ
عِنْدَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (El-Kehf, 46),
të ketë thënë: “Këto janë: tekbiri, (fjala Allahu ekber, sqarim yni), tehlili (fjala La ilahe il-la Allah), tesbihu dhe hamdi (fjalët: Subhanallahi vel hamdu lil-lahi ve la ilahe il-la Allahu vallahu ekber) dhe: havleka (fjalët La havle ve la kuvvete il-la bil-lah)”.
– Po ashtu transmeton Ahmedi nga Nu’man bin Beshiri e ky nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “Subhanallahi, vel hamdu lil-lahi, ve la ilahe il-la Allahu, vallahu ekber”, janë “El-Bakijatu es Salihatu.”
– Të njëjtin transmetim, porse nga Ebu Hurejra, e transmeton edhe Ibn Xheriri.
(Ta-Ha)
– Transmeton Bezzari me sened të shëndoshë nga Ebu Hurejre e ky nga i Dërguari a.s. që në lidhje me fjalët e Allahut:
وَمَنْ أَعْرَضَ عَنْ ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë”, (Ta-Ha, 124)
të ketë thënë: “Ky është ndëshkimi në varr”.
(Es-Sexhde)
– Transmeton Ibn Ebi Hatimi nga Ibn Abbasi e ky nga Pejgamberi a.s. që në lidhje me fjalët e Allahut:
تَتَجَافَى جُنُوبُهُمْ عَنْ الْمَضَاجِعِ يَدْعُونَ رَبَّهُمْ خَوْفًا وَطَمَعًا وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ
“I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuri) atyre, ata japin.” (Es-Sexhde, 16)
të ketë thënë: “Kjo është të ngriturit për të falur namaz të natës.”
(Gafir)
– Transmetojnë Ahmedi, Hakimi, Ibn Hibbani dhe autorët e Suneneve nga Nu’man bin Beshiri të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Duaja është adhurim” e pastaj lexoi fjalët e Allahut:
وَقَالَ رَبُّكُمْ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ إِنَّ الَّذِينَ يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِي سَيَدْخُلُونَ جَهَنَّمَ دَاخِرِينَ
“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem”. (Gafir, 60)
(Edh-Dharijat)
– Transmeton Bezzari nga Omer ibnul Hattabi të ketë thënë në lidhje me kuptimin e ajeteve 1, 3 dhe 4 të kaptinës Edh-Dharijat:
وَالذَّارِيَاتِ ذَرْوًا – (Edh-Dharijat, 1) janë erërat,
فَالْجَارِيَاتِ يُسْرًا – (Edh-Dharijat, 3)janë anijet në det, kurse
فَالْمُقَسِّمَاتِ أَمْرًا – (Edh-Dharijat, 4) janë melaiket. Po të mos e kisha dëgjuar të Dërguarin eAllahut të thoshte kështu, as unë nuk kisha thënë.”
(Er-Rrahman)
– Transmeton Begaviu nga Enes ibn Maliku të ketë thënë: E lexoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ajetin 60 të kaptinës Er-Rrahman:
هَلْ جَزَاءُ الإِحْسَانِ إِلاَّ الإِحْسَانُ
“A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër, përveçse e mira!”
dhe pastaj na tha: “A e dini se çfarë ka dëshiruar të thotë Zoti juaj?” Ashabët thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Atëherë ai tha: “Allahu thotë: A ka shpërblim tjetër për atë që e begatova me besimin në një Zot, përveç Xhennetit.”
(El-Buruxh)
– Transmeton Ibn Xheriri nga Ebi Malik el Esh’ariu të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në lidhje me ajetet:
وَالْيَوْمِ الْمَوْعُودِ وَشَاهِدٍ وَمَشْهُودٍ
“Pasha ditën e premtuar. Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!” (El-Buruxh, 2-3)
(El jevmul mev’ud) – “është Dita e Gjykimit, (shahid) – është dita e xhumasë, kurse (mesh’hud) – është dita e Arefatit.”. Ky hadith përcillet edhe nga rrugë të tjera të transmetimit.
(Ez-Zelzeletu)
– Transmeton Ahmedi nga Ebu Hurejra të ketë thënë: “E lexoi Pejgamberi a.s. këtë ajet:
يَوْمَئِذٍ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا
“Atë ditë, ajo (Toka) i rrëfen tregimet e veta” (Ez-Zelzele, 4)
dhe pastaj na tha: “A e dini se cilat janë lajmet e saj (Tokës)?” Ashabët thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Atëherë tha: “Kjo do të thotë se Toka do të dëshmojë për çdo njeri dhe popull, se çfarë punuan mbi sipërfaqen e saj, dhe në Ditën e Gjykimit ajo (Toka) do t’i thotë secilit: Ti ke punuar këtë e këtë në filan ditën, etj.”
(El-Maun)
– Transmetojnë Ibn Xheriri dhe Ebu Ja’la nga Sa’d ibn Ebi Vekasi të ketë thënë: E pyeta Resulullahun s.a.v.s. për ajetin:
الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ
“Të cilët janë të shkujdesur (të harrueshëm), për namazin e tyre” (El-Maun, 5)
e ai më tha: “Këta janë ata që e vonojnë namazin nga koha e tyre.”
(El-Kevther)
– Transmetojnë Ahmedi dhe Muslimi nga Enesi r.a. të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut në lidhje me ajetin e parë të kaptinës “El-Kevther”:
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ
“Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhamed), shumë të mira.”
“Kevtheri, është një lum që Allahu ma ka dhënë mua në Xhennet”.
– Ky hadith transmetohet edhe nga rrugë të tjera të shumta të transmetimit.
(En-Nasr)
– Transmeton Ahmedi nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Kur zbriti kaptina:
إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْح. وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا.
فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
“Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës). Dhe i pe njerëzit duke hyrë grupe-grupe në fenë e Allahut. Atëherë, pra, madhëroje Zotin tënd me falënderim dhe kërko falje prej Tij. Ai vërtet është pranues i madh i pendimeve.” (En-Nasr, 1-3),
i Dërguari i Allahut tha: “Më është paralajmëruar vdekja ime” (Më është bërë me dije vdekja ime).”
(El-Felek)
– Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu nga Aishja r.a. të ketë thënë në lidhje me ajetin e 3 të kaptinës “El-Felek”:
وَمِنْ شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ
“dhe prej dëmit të natës kur ajo ngryset”,
“Më mori i Dërguari i Allahut për dore, ma dëftoi Hënën kur doli dhe më tha: “Kërko mbrojtje tek Allahu prej kësaj (hënës në të sosur), sepse kjo është “gasiku” – “errësira kur ngryset”.
* * *
Këto ishin vetëm disa nga komentimet e të Dërguarit të Allahut, bërë disa ajeteve kuranore, të cilat i shkëputëm me përzgjedhje nga vepra madhështore e Imam Sujutiut “El Itkan fi Ulumil Kur’an”[21], komente që gjenden pothuaj në të gjitha koleksionet e hadithit nën kapituj të veçantë “Kapitulli i tefsirit të Kur’anit”, si dhe në të gjithë librat e tefsirit, qofshin ata të komentimit tradicional apo racional.
[1] Fahru Rraziu Tefsirul Kebir-Mefatihul Gajbi, vëll.15, fq. 225.
[2] Zemahsheriu El-Kesh-shaf, vëll. IV, fq. 165
[3] Tefsir Ebu Su’ud vëll. V, fq. 431
[4] Alusiu Ruhul Meani, vëll. 29, fq. 142
[5] Imam Esh-Shevkaniu Fethul Kadir, vëll. V, fq. 338.
[6] Transmeton Ebu Davudi në kreun “Syneti”, kapitulli V, si dhe Tirmidhiu në kreun “Dituria”, kapitulli X.
[7] Ibn Tejmije Mukaddimetu fi Usuli et-Tefsir, fq. 5
[8] Imam Sujutiu El Itkan fi Ulumil Kur’an, vëll. II, fq. 384
[9] Dr. Abdul Mun’im Nimr Ilmu-t-Tefsir, fq. 23, Kajro 1985
[10] Ibn Tejmije Mukaddimetu fi Usuli et-Tefsir, fq. 6
[11] Transmeton Buhariu në kapitullin “Mbi biografinë e Ibni Abbasit” (2/306)
[12] Dr. Muhamed Husejn Edh-Dhehebi Et-Tefsir vel mufessirune, vëll. I, fq. 53, Kajro 1985
[13] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I, fq. 55
[14] Mennaul Kattan – “Mebahith fi ulumil Kur’an”, fq.260-261, Kajro 1995
[15] Ibn Tejmije “Mukaddime fi Usuli-tTefsir”, fq. 93.
[16] Dr. Xhemal Mustafa Abdul Hamid en-Nexhar “Menahixh tefsirije”, fq. 100-101, Kajro, 2000.
[17] “Menahixh tefsirije”, fq. 103.
[18] Muhamed M. Sha’ravi, “Havatiri havlel Kur’anil Kerim”, fq. 35, Kajro 1988.
[19] Muhamed. M. Sha’ravi, “Havatiri havlel Kur’anil Kerim”, fq. 38
[20] Dr. Muhamed Sejjid Xhibril “Med-hal ila menahixh el mufessirin”, fq.40, Kajro, 1987.
[21] Shih vëll II, prej fq. 420-450.
Sabri ef. Bajgora