Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mr. Besim ef. Berisha, bashkë me sekretarin e Këshillit, Dr. Orhan ef. Bislimaj dhe imamët Mr. Sebajdin ef. Krasniqi e Mr. Enes ef. Limani, si dhe qytetarë të tjerë, vizituan xhaminë e fshatit Arbëri (ish-Leskovec) të Komunës së Prizrenit.
Kjo vizitë ishte me shkas, pas meremtimit të tërësishëm të xhamisë, nga donatori Besnik Shala nga Prizreni (nip i Leskovecit), i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Kryetari Berisha, e vlerësoi lartë këtë kontribut mjaft të madh e të rëndësishëm të familjes Shala. Edhe familjarët e Besnik Shalës, ndihen të lumtur, që Allahu ua bëri nasib që ta japin këtë kontribut për xhaminë e fshatit.
Në fakt, ky restaurim e revitalizim i xhamisë, fshatin Leskovec, që tashmë është braktisur nga banorët, megjithatë e bën të pavdekshëm, sepse xhamia, si një institucion edukativ, arsimor e kulturor, e përmban historinë e fshatit dhe e mban të gjallë kujtesën historike për këtë vendbanim. Leskovecasit, tash e tutje, edhe me më shumë kënaqësi do të vazhdojnë faljen e namazit gjatë festave fetare (fitër Bajram e Kurban Bajrami), në xhaminë e fshatit të tyre, kështu duke ruajtur tiparet e fshatit. Në ndërkohë, ata edhe do të rindërtojnë shtëpitë e tyre, siç edhe kanë filluar, pasiqë, ky fshat është edhe vend me bukuri natyrore e peisazh fantastik.
Në xhaminë e meremetuar, u thirr ezani dhe u fal namazi i drekës.
Kryetari, Mr. Besim ef. Berisha, në emër të Këshillit të BI-së Prizren dhe, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë në riparimin e kësaj xhamie, i dhuroi një mirënjohje solemne familjes së donatorit, Besnik Shala.
Për ndryshe, në këtë fshat ekziston edhe një xhami tjetër, akoma më e vjetër se xhamia e meremtuar, e cila ruan një histori dy shekullore. Minareja e kësaj xhamie është prej drurit, e mbështjellur me shtresë alumini. Sipas disa leskovecasve, tashmë ka filluar aksioni për grumbullimin e mjeteve për riparimin edhe të këtij objekti, që ka filluar të rrënohet nga pakujdesia.
E lusim Allahun e Madhërishëm, që ta shpërblejë donatorin Besnik Shala dhe familjen e tij, për këtë hajrat, si dhe t’ua shumë fishojë pasurinë. Zoti i shpërbleftë të gjithë bëmirësit për bëmirësitë e tyre, çfarëdo qofshin ato!