Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, organizoi mbledhjen me imamët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Përveç tjerash, në epiqendër të diskutimeve ishte projekti për shërbime fetare.
Administrata e Këshillit të BI-së Prizren, përmes video-projektorit, elaboroi kornizën e re mbi shërbimet fetare, ndërsa të pranishmit kontribuan me diskutimet e tyre, duke dhënë sugjerime adekuate dhe mjaft të rëndësishme. Në mënyrë të veçantë, të pranishmit diskutuan mbi shërbimin e varrimit, pasiqë, shumë agjensione private, në mënyrë perfide, janë duke grabitur shuma marramendëse prej qytetarëve që janë sprovuar me vdekje, në emër të shërbimeve të varrimit.
Sipas modelit të ri, Këshilli i BI-së Prizren, do të unifikojë shërbimin e varrimit, duke ofruar shërbim dinjitoz për besimtarët e vdekur, prej fillimit deri në fund, por edhe korrektësi për familjet e tyre. Qytetarët, që janë sprovuar me vdekje, duhet t’i drejtohen Këshillit të Bashkësisë Islame, apo imamit të lagjës, për menaxhimin e varrimit, pa pasur nevojë për të kërkuar ndihmë prej personave të jashtëm, apo agjensioneve private. Për çdo nevojë, gjatë 24 orëve, KBI, ofron shërbim dinjitoz dhe korrekt.
Rregullorja e re, ofron shërbimet fetare FALAS, për paguesit e rregulltë të anëtarësisë. Po ashtu, Këshilli i BI-së Prizren, në shenjë mirënjohje dhe respekti, i liron nga pagesa e anëtarësisë vjetore familjen e dëshmorit të luftës së UÇK-së, Invalidin e UÇK-së, si dhe personat me asistencë sociale.
Imamët, gjatë diskutimeve shprehën shqetësimin në adresën të Komunës së Prizrenit, e cila, ka mbetur prej komunave të vetme të Kosovës, që nuk ofron bashkëpunimin me Bashkësinë Islame, për shërbimet e varrimit, duke I krijuar terren agjensioneve private për të keqpërdorur gjepin e qytetarëve, në gjendjen e tyre emocionale.
Pati edhe diskutime të ndryshme, në lidhje me aktivitetet e kaluara, si dhe me projektet e mundshme për të ardhmen…!
(P.S. Befasia e mbledhjes, ishte surpriza simpatike e tortës, që Ehat Spahiu uroi dy zyrtarët e KBI-së Prizren, Orhan Bislimaj dhe Faruk Ukallo, me rastin e mbarimit të doktoratës. Ishte një ëmbëlsirë e mirë dhe e bollshme.)