Sot, më datë 13.12.2018, kemi pranuar “AKTGJYKIMIN” e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative, i cili e mbështet kërkesëpadinë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit, si të bazuar, ndërsa e anulon “AKTVENDIMIN” e Ministrisë së Kulturës – Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), duke e kthyer çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje.
Ky Aktgjykim,tashmë edhe ligjërisht, e vërtetoi vlerësimin e Këshillit të Bashkësisë Islame dhe Iniciativës Qytetare, se “Aktvendimi” i Ministrisë së Kulturës, ka qenë jo profesional, tërësisht subjektiv dhe me paragjykime të thella kundër xhamisë si institucion fetar.
Xhamia duhet t’i kthehet mozaikut të Kalasë, jo vetëm për qenësinë e saj si faltore, por si një aset historik, që ka qenë me shekuj, e që në vitin 1912, ka përjetuar kulturocidin nga okupatori serb. Ajo, pret drejtësinë dhe vetëm drejtësinë. Qytetarët e komunës së Prizrenit, përmes peticionit mbi 31.000 nënshkrime, e kanë dëshmuar se e duan xhaminë në vendin e vet. Vullnetin e tyre, e ka mbështetur dhe Komuna e Prizrenit si pronare legjitime, po edhe Këshilli për Trashëgiminë Kulturore, si organ kompetent këshilldhënës për këtë zonë. Por, është vetë Ministria e Kulturës – IKMM-ja, ajo që vazhdon ta mohojë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit dhe faktet historike të xhamisë.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, shpreh konsideratë meritore për aktgjykimin e Gjykatës dhe, në në vazhdimsi, do të shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore, për ta realizuar vullnetin e besimtarëve islamë për xhaminë, si një realitet i pamohueshëm i Kalasë së Prizrenit…!