Komentimi i kaptinës – “Kurejsh”
لِإِيلَافِ قُرَيْش. إِيلَافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْف. فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْت.
الَّذِي أَطْعَمَهُمْ مِنْ جُوعٍ وَآمَنَهُمْ مِنْ خَوْفٍ.
1. “(Allahu e zhduku ushtrinë që synoi shkatërrimin e Qabesë) Për hir të (harmonisë ndërmjet) kurejshëve dhe marrëveshjes së tyre (me fiset e tjera),
2. marrëveshjes për sigurinë (që e gëzonin) gjatë udhëtimeve të tyre, dimër e verë,
3. atëherë pra, le ta adhurojnë (vetëm) Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë),
4. i Cili i ushqeu kur ishin në skamje-uri dhe i siguroi nga frika (e çdo armiku).”
Kaptina “Kurejsh” është kaptinë mekase. Ka zbritur pas sures “Et-Tin” dhe para sures “El-Kariatu”.
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Ka zbritur surja (Li Ilafi kurejshin…) në Mekë”.[1]
Në anën tjetër, Dahhaku dhe Kelbiu transmetojnë se kjo kaptinë ka zbritur në Medinë[2], por një transmetim i tillë nuk është i qëndrueshëm, sepse dihet sigurisht dhe, për këtë të gjithë dijetarët e tjerë janë kompaktë, se kjo kaptinë ka zbritur në Mekë.
Disa dijetarë, si Ubejj bin Ka’bi këtë sure e konsiderojnë si vazhdimësi të sures “El-Fil”. Ubejji pohimin e vet e mbështet në një transmetim nga Amr bin Mejmun el Ezdiu, i cili ka thënë: “E kam falur namazin e akshamit pas Omer ibnul Hattabit r.a., kur ai në rekatin e parë këndoi kaptinën “Ve-t-Tini ve-z-Zejtuni…” kurse në të dytin “Elem tere kejfe…” dhe “Li Ilafi Kurejshin…”, pa i ndarë këto dy kaptina me besmele”[3] Sidoqoftë, dihet fare me siguri se kaptina “Kurejsh” është kaptinë në vete dhe po ashtu dihet se në mes kaptinës “El-Fil” dhe asaj “Kurejsh” kanë zbritur edhe nëntë sure të tjera, kurse në Mus’haf janë radhitur njëra pas tjetrës për shkak të lidhmërisë dhe vazhdimësisë tematike[4].
Kjo sure ka gjithsej 4 ajete, 17 fjalë dhe 73 shkronja.[5] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 106, kurse në radhitjen e zbritjes është e 29-ta.[6]
Emërtimi i kësaj kaptine
Kaptina është emërtuar me emrin e kurejshëve, sepse në të bëhet fjalë vetëm për ata, për marrëveshjen, traditën dhe sigurinë e tyre gjatë dy udhëtimeve të famshme që i bënin për tregti: në Jemen gjatë dimrit, kurse në Sham[7] gjatë verës.
Fisi Kurejsh
Meqenëse në këtë kaptinë bëhet fjalë për kurejshët, atëherë është e udhës të themi disa fjalë për këtë fis të njohur arab, fis nga gjiri i të cilit doli edhe i Dërguari i fundit, Muhammedi a.s.
Kurejshët janë bijtë e Benu Nadr bin Kinane bin Huzejme bin Mudrike bin Iljas bin Medarit, d.t.th. vetëm ata që janë të lindur prej bijve të Nadrit, quhen kurejshë.
Kurejshët kanë qenë fisi më i njohur në Gadishullin Arabik. Vetë fakti se ishin në fqinjësi me Qabenë, ndikonte që të gjitha fiset e tjera arabe të kishin një respekt shumë të madh ndaj tyre. Ky nderim ndaj tyre gjeti shprehjen sidomos pas shkatërrimit të ushtrisë së Ebrehesë, ku u shfaq mrekullia e Allahut në asgjësimin e tyre nga tufa zogjsh, dhe prej atëherë kurejshët njiheshin si popull i mbrojtur prej Allahut ose si fqinjë të Shtëpisë së shenjtë.
I Dërguari i Allahut në lidhje me vlerën e kurejshëve, në një hadith që përcjell Ummi Hani’ë, e bija e Ebu Talibit, ka thënë: “Allahu i dalloi kurejshët nga të tjerët me shtatë cilësi që nuk i janë dhënë askujt para tyre dhe as do t’i jepen dikujt pas tyre: Pejgamberia është tek ata, hilafeti është tek ata (d.t.th. halifët e parë do të jenë prej tyre-sqarim yni), veshja e Qabesë është tek ata, dhënia ujë haxhinjve është tek ata, ngadhënjyen me ndihmën e Allahut ndaj ushtrisë së pronarëve të elefantëve dhe të vetmit ata e adhuruan Zotin për shatë vjet, (në një transmetim tjetër për dhjetë vjet), kur të tjerët nuk e adhuronin (fjala është për të parët në Islam si Ebu Bekri, Aliu, etj.-sqarim yni), dhe enkas për ta (në emër të kurejshëve) ka zbritur një kaptinë e posaçme nga Kur’ani, në të cilën nuk përmendet askush tjetër përveç tyre”.[8]
Një hadith me kuptim shumë të ngjashëm me këtë, e transmetojnë nga Zubejr bin Avvami edhe Taberaniu, Ibn Asakiri dhe Ibn Merdevije, të cilin Ibn Hibbani e konsideron si të besueshëm dhe të fortë.[9]
Po ashtu transmeton Muslimi me senedin e tij nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “Allahu dalloi fisin Kinan nga bijtë e Ismailit, dalloi fisin Kurejsh nga Kinanët, nga Kurejshët dalloi lozën e Hashimit, kurse mua më dalloi nga familja beni Hashim”[10]
Lidhmëria e kësaj kaptine më atë paraprake – “El-Fil”
Lidhmëria mes kësaj sureje dhe asaj paraprake “El Fil”, është shumë e madhe, madje mund të themi fare transparente.
Allahu xh.sh. në suren “El Fil” na tregoi se si shkatërroi ushtarët e Ebrehesë, të cilët kishin ardhur ta shkatërronin Qabenë, si e mbrojti Ai Shtëpinë e shenjtë për hir të kurejshëve dhe për hir të faktit se nga mesi i tyre atë vit do të lindte më i zgjedhuri i njerëzisë-Muhammedi a.s., i cili mbi supet e veta do ta bartte përgjegjësinë e Fjalës së Allahut si misionin e fundit hyjnor të Qiellit drejtuar Tokës.
Fundi i kaptinës “El-Fil” :“Dhe i bëri ata si një gjeth i grimcuar (i përtypur)!”, ndërlidhet fuqishëm me fillimin e kaptinës “Kurejsh”: “(Allahu e zhduku ushtrinë që synoi shkatërrimin e Qabesë) për hir të (harmonisë ndërmjet) kurejshëve dhe marrëveshjes së tyre (me fiset e tjera)”.
Vetë shkronja “Lam” në ajetin “Li Ilafi Kurejshin” është “Lamu-l-akibeti”-“Lam vazhdues-pasues” dhe vetvetiu tregon për një vazhdimësi tematike, kur është fjala për ngjarjen nga surja paraprake. Këtë mendim e përkrahin Ferrai dhe shumica dërrmuese e dijetarëve[11]. Këtë mendim e përkrahin po ashtu edhe Ibni Kutejbe, Sha’raviu etj.
Koment:
لِإِيلَافِ قُرَيْشٍ. إِيلَافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ.
1. “(Allahu e zhduku ushtrinë që synoi shkatërrimin e Qabesë) Për hir të (harmonisë ndërmjet) kurejshëve dhe marrëveshjes së tyre (me fiset e tjera),
2. marrëveshjes për sigurinë (që e gëzonin) gjatë udhëtimeve të tyre, dimër e verë,
Kaptina “Kurejsh” fillon me fjalët: “Li Ilafi Kurejshin…”. Komentatorët, pa dallim së pari janë përpjekur të deshifrojnë kuptimin e vërtetë të pjesëzës “Li” apo të shkronjës “Lam” në fillim të kësaj kaptine. Ata rreth kësaj shkronje dhe lidhmërisë së saj, kanë dhënë tri mendime. Më parë cekëm mendimin e parë të Ferrait dhe të xhumhurit të dijetarëve, se ky “Lam” simbolizon “Lamin vazhdues-pasues”, i cili bën ndërlidhjen kuptimore të kësaj sureje me atë paraprake. Mendimi i dytë rreth kuptimit të këtij “Lami”, është ai të cilin e përkrahin Zuxhaxhi, Kesaiu, Ibn Xherir et-Taberiu dhe Ahfeshi, të cilët mendojnë se “Lami” në fillim të kësaj sureje, nënkupton çudinë-habinë, do të thotë “çudituni për mundësinë që u është dhënë kurejshëve nga ana e Allahut xh.sh. për këto udhëtime të tyre dimër e verë”, kurse këta për çdo ditë e më tepër po zhyten në kufër e mosbesim edhe më të thellë[12]; kurse mendimi i tretë është ai i dijetarëve si Halil bin Ahmed, Sibevejhi, Zemahsheriu, Sabuniu etj. të cilët mendojnë se “Lami” këtu është kushtëzues dhe ka lidhje me fjalën “Fel-ja’budu-le ta adhurojnë!”, në ajetin e tretë të kaptinës në fjalë, që do të thotë: nëse kurejshët nuk e adhurojnë Allahun për asgjë tjetër, atëherë të paktën le ta adhurojnë për hir të të mirave të Tij të shumta ndaj tyre dhe për mundësinë që ua dha atyre të udhëtojnë të qetë e të sigurt gjatë udhëtimeve të tyre, dimër e verë[13].
Kurse rreth kuptimit të fjalës “Ilaf” në këtë ajet, dijetarët po ashtu kanë mendime të ndryshme, meqenëse edhe vetë kuptimi i kësaj fjale dallon në kontekst të fjalisë.
Ndër të tjera, duhet të përmendim se kjo fjalë në aspektin gjuhësor nënkupton: lidhje të besës-besatim mes vetes, harmoni, marrëveshje, garanci, bashkim në fjalë, vepra dhe mendime, traditë, prirje, etj., kurse sa i përket kuptimit të fjalës “Ilaf” në këtë pjesë të ajetit, unë do ta preferoja mendimin e mufessirit të mirënjohur El Alusi i cili ndër të tjera shënon se fjala “Ilaf” do të thotë harmoni, lidhje e marrëveshjes me të tjerët për mossulmim, si dhe dhënie e garancive për udhëtim të qetë e të sigurt të karvaneve të kurejshëve. Alusiu në tefsirin e tij shënon se paria kurejshite kishte lidhur marrëveshje të tilla për mossulmin me fiset arabe dhe me mbretërit përreth tyre; Hashimi në emër të fisit kurejsh kishte lidhur marrëveshje me mbretin e Shamit, kurse Abdu Shemsi dhe Nevfeli kishin lidhur një marrëveshje të tillë me mbretërit e Egjiptit dhe të Abisinisë.[14].
Në një transmetim tjetër që e hasim në tefsirin e Kurtubiut, shënohet se katër bijtë e Abdu Menafit kishin lidhur marrëveshje të tilla me mbretërit e asaj kohe, kështu Hashimi kishte lidhur marrëveshje për mossulmim me mbretin e Shamit, Abdu Shemsi me mbretin e Abisinisë (Etiopisë së sotme), Mutalibi me mbretin e Jemenit, kurse Nevfeli me mbretin e Persisë.[15]
Për ta përforcuar këtë mendim, do të sjellim si shembull edhe fjalët e Atait, i cili për shkakun e këtyre udhëtimeve të kurejshëve transmeton nga Ibni Abbasi të ketë thënë: “Në të kaluarën, kur ndonjërin prej kurejshëve e godiste-pllakoste skamja (uria), meqë askush nuk i ndihmonte, ai me tërë familjen merrte udhën në shkretëtirë për të humbur, derisa vdisnin ashtu të uritur. Kjo traditë e tyre e mbrapshtë vazhdoi deri në kohën e Hashim ibn Abdu Menafit (emri i tij është Amr), i cili një ditë duke parë një familje të tillë të varfër që përgatitej të merrte udhën pa kthim në shkretëtirë, doli para popullit dhe u mbajti një fjalim prekës, duke thënë: Jemi dëshmitarë se disa njerëz të fisit tonë i ka pllakosur skamja (uria), dhe asnjëri prej nesh nuk çan kokën për ta, por i kemi lënë në mjerimin e tyre të vdesin urie. Si mund të lejoni një gjë të tillë kurse ju jeni popull i Shtëpisë së shenjtë, jeni më të zgjedhurit e bijve të Ademit dhe njerëzit ju pasojnë në veprimet tuaja?! Atëherë kurejshët u ngritën dhe u besatuan mes vetes duke i thënë Hashimit: Ne do të të pasojmë në çdo fjalë dhe veprim. Dhe prej këtij momenti çdo familje zgjodhi më të mirët dhe i nisën për udhëtimet e tyre të famshme në Jemen dhe në Sham.
Kur ktheheshin, me fitimin prej tregtisë, ushqenin të varfrit, dhe njerëzit më nuk vdisinin urie, por të gjithë jetonin në mirëqenie e bollëk. Kjo traditë e tyre ishte e pranishme edhe gjatë shpalljes së revelatës së fundit hyjnore”[16].
Rreth kuptimit të fjalës “Ilaf” edhe imam Kurtubiu ka pothuaj të njëjtin mendim me Alusin, do të thotë se fjala “Ilaf” sipas tij nënkupton harmoninë dhe marrëveshjen e kurejshëve, së pari ndërmjet tyre e pastaj edhe me të tjerët, që të siguroheshin karvanet e tyre dhe të tregtonin lirshëm.[17]
Kurejshët me këto marrëveshje për udhëtimet e tyre të sigurta në Jemen dhe në Sham, ishin në pozitë të privilegjuar, dhe kur i shtohet kësaj edhe garancia nga fiset e tjera arabe për mossulmim të kurejshëve, meqë këta konsideroheshin nga të gjitha fiset arabe si kujdestarë të Qabesë dhe fqinjë të Shtëpisë së shenjtë, atëherë shohim se vërtetë mirësitë e Allahut kishin rrethuar këtë popull. Karvanet e tyre tregtonin gjithandej në siguri të plotë, në kohën kur karvanet e fiseve përreth tyre plaçkiteshin dhe rrëmbeheshin pa mëshirë. Këtë e vërteton edhe Kur’ani famëlartë :
“A nuk e kanë vërejtur ata se Ne e kemi bërë vendin e shenjtë (Mekën) të sigurt, e njerëzit përreth tyre rrëmbehen (plaçkiten-mbyten). Po , a nuk i besojnë ata së kotës, e të mirat e Allahut i përbuzin”. (El-Ankebut, 67)
فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ
3. atëherë pra, le ta adhurojnë (vetëm) Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë),
Pas të gjitha këtyre të mirave të dhuruara nga ana e Allahut xh.sh., do të ishte e logjikshme që kurejshët t’i shprehnin falënderim vetëm Allahut, Atij që i shpëtoi nga ushtria e Ebrehesë, por kot, shumica dërrmuese e kurejshëve ishin zhytur në pellgun e idhujtarisë. Atyre jo vetëm u ishin verbuar sytë e nuk shihnin, por u ishin verbuar mendjet dhe zemrat e nuk logjikonin. Ishin dhënë pas një jete të shfrenuar, një jete të pamoralshme, ku sundonte ligji i të fortit. Madje ishin lënë pas dore dhe ato pak virtyte të mira që kishin nga koha e Hashim ibn Abdu Menafit.
Adhurimi i drejtë kishte humbur çdo kuptim në mesin e tyre, sepse besimi i kotë dhe idhujt kishin zënë vend pothuaj në çdo shtëpi mekase, madje edhe vetë godina e Qabesë ishte mbushur përplot me idhuj të tillë.
Pavarësisht nga këto, Allahu xh.sh. i mbrojti kurejshët, po mbrojti edhe Qabenë që të mos shkatërrohej. Po të ndodhte që Qabeja të shkatërrohej, atëherë do të humbte vlera e saj si Shtëpi e sigurt, kurse së bashku me të do të shkatërrohej edhe fisi kurejsh, i cili më nuk do të kishte as peshë, as respekt e as autoritet në mesin e fiseve të tjera arabe. Deshi Allahu i Plotfuqishëm dhe nuk ndodhi asnjëra prej këtyre të dyjave, Qabeja u mbrojt nga Zoti i saj i Vërtetë, kurse mbijetuan edhe kurejshët dhe vetëmsa fituan autoritet, sepse Allahu xh.sh. kishte filluar ta përgatiste terrenin për ardhjen në jetë të krijesës më të lavdishme, Muhammedit a.s., i cili u lind po atë vit kur Ebreheja sulmoi Qabenë.
Mu për shkak të këtyre mirësive të dhuruara, pason ky urdhër hyjnor i shprehur në ajetin e tretë të kësaj kaptine: “atëherë pra, le ta adhurojnë (vetëm) Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë)”,e të mos i adhurojnë idhujt, adhurimi i të cilëve i kishte larguar ata tërësisht nga feja e pastër e Ibrahimit a.s. (el Hanifijjetu-s-Semha).
Në lidhje me këto mirësi, mufessiri i njohur Fahru Rraziu thotë: “Dije se mirësia është dy llojesh: e para largimi i dëmit dhe e dyta përfitimi i dobisë. Mu për këtë shkak Allahu xh.sh. në suren paraprake “El-Fil” na tregoi se Ai e largoi dëmin që u kanosej kurejshëve dhe Qabesë nga ushtria e Ebrehesë, kurse në këtë sure “Kurejsh”, flet për mundësinë që u është dhënë kurejshëve për të përfituar nga tregtia e tyre dimër e verë.[18].
Kurse Muhammed M. Sha’ravi, në lidhje me kuptimin e këtij ajeti, shprehet: “Allahu xh.sh. ka urdhëruar kurejshët që ta adhurojnë vetëm Atë: “atëherë pra, le ta adhurojnë (vetëm) Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë)”, sepse ata këtë e kanë obligim. Së pari ua mbrojti Shtëpinë e shenjtë-Qabenë, e cila për ta simbolizonte krenarinë dhe autoritetin, pastaj ua mundësoi udhëtimet e tyre tregtare në një siguri të plotë nga rrëmbimet dhe plaçkitjet, atëherë kur në tërë Gadishullin Arabik mbretëronte anarkia dhe ligji i të fortit. Fryt i kësaj tregtie ishte edhe fakti se ata siguronin ushqimin dhe furnizimin e tyre dhe më nuk ndienin as uri e as skamje. Prandaj kurejshët doemos duhej t’i përgjigjeshin kësaj thirrjeje të Allahut, se ndryshe ata do të pësonin fatin e popujve të mëparshëm si dhe nënçmimin e përbuzjen në këtë botë”.[19]
Ja si na tregon Allahu për pësimin e popujve të kaluar, që nuk ishin mirënjohës ndaj dhuntive të Allahut:
“Allahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Allahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi (ua ngjeshi) petkun e urisë dhe të frikës. Atyre u pat ardhur i dërguar nga mesi i tyre, e ata e përgënjeshtruan atë, andaj i kapi dënimi se ishin zullumqarë” (En-Nahl, 112-113).
الَّذِي أَطْعَمَهُمْ مِنْ جُوعٍ وَآمَنَهُمْ مِنْ خَوْفٍ
4. i Cili i ushqeu kur ishin në skamje-uri dhe i siguroi nga frika (e çdo armiku).”
Në të kaluarën Meka ishte një vend i thatë, i pabanuar dhe pa tokë pjellore. Nga të gjitha anët ishte e rrethuar me shkëmbinj të thepisur, ashtu siç është edhe sot. Si e tillë ajo nuk jepte kurrfarë shpresash për ndonjë gjallëri, aq më pak që të ishte e banuar me njerëz. Por qe urtësia e Allahut xh.sh. që këtë vend të thatë, me një natyrë kaq të egër, ta vendoste në epiqendër të ngjarjeve që do të pasonin pas disa shekujsh, ngjarje që përfundimisht do t’ia ndërronin kahen jetës së racës njerëzore, ngjarje që do të lëkundnin nga themelet padrejtësitë që kishin marrë hov në botën e atëhershme. Kjo ngjarje do të ishte lindja e Muhamedit a.s. dhe shpallja e revelatës së fundit hyjnore, të cilën Allahu xh.sh. do t’ia shpallte këtij të dërguari të fundit.
Por, t’i kthehemi pak historisë, atëherë kur Allahu xh.sh. me anë të shkaqeve të Tij, përgatiti terrenin që në Mekë, në këtë luginë të thatë, Ibrahimi a.s. të vendoste me porosinë e Allahut xh.sh. pasardhësin e tij, Ismailin a.s.. Pasi e la aty bashkëshorten e tij, Haxheren, dhe djalin, Ismailin, atëbotë ende një foshnjë e njomë, me lot në sy u drejtua nga qielli dhe u lut:
“Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes e vendosa pranë shtëpisë Sate të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin, pra bëj që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të të falënderuar me mirënjohje, furnizoji ata me fruta.” ( Ibrahim, 37)
dhe:
“(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve”. (Ibrahim, 35).
Dhe, Allahu i Gjithëmëshirshëm e pranoi lutjen e të dashurit të Tij-Ibrahimit a.s. Bëri që zemrat e njerëzve të mallëngjeheshin për familjen e tij, të vendosur në atë luginë të thatë. Pas një kohe të shkurtër, me lejen e Haxheres, në fqinjësi të burimit të Zem-Zemit u vendos fisi Xhurhum, një prej fiseve të atëhershme arabe. Pasi u rrit Ismaili a.s., ai së bashku me babanë e tij, Ibrahimin a.s., filluan të ndërtonin muret e Qabesë mbi themelet ekzistuese që më parë. Jeta filloi të lulëzonte. Meka u kthye në epiqendër të vëmendjes së të gjitha fiseve arabe, sepse ata aty kryenin Haxhin, vizitën e shenjtë. Kaluan shekuj, në një siguri të plotë, dhe prej fiseve të zgjedhura nga loza e Ismailit a.s. Allahu kishte dalluar fisin kurejsh, i cili ishte tani kujdestar i Shtëpisë së Allahut. Ky fis, siç thamë më parë, gëzonte autoritet të pakontestueshëm nga të gjitha fiset e tjera mu për shkak se ishin në fqinjësi të Qabesë, dhe për faktin se Allahu xh. sh. iu përgjigj lutjes së Ibrahimit a.s. i cili, pasi kreu ndërtimin e Qabesë, së bashku me të birin Ismailin a.s. iu lutën Krijuesit:
“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’ua mësojë atyre Librin dhe Urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.” (El-Bekare, 129)
Dhe vërtet I Lartmadhërishmi pranoi prej tyre këtë lutje të sinqertë, sepse nga gjiri i këtij populli-kurejshëve, dërgoi vulën e pejgamberisë-Muhammedin a.s..
Ajeti i 4-t i kësaj kaptine: “i Cili i ushqeu kur ishin në skamje-uri dhe i siguroi nga frika (e çdo armiku).”, të bën ta kuptosh qartë se Allahu xh.sh. gjithmonë e kishte në përkujdesje këtë fis, i mbrojti ata nga rreziqet e ndryshme, i mbrojti nga armiqtë e shumtë që synonin shkatërrimin e Qabesë, siç ishte Ebreheja etj. Për këtë siguri të tyre kaq të madhe dhe për mirëqenien e popullatës së Mekës, na flet edhe ky ajet kuranor: “Po a nuk u siguruam Ne atyre një vend të shenjtë e të sigurt që aty të sillen frutat e çdo sendi si furnizim nga ana Jonë, por shumica e tyre nuk e dinë”. (El-Kasas, 57),
Kurse tërë kjo mirëqenie dhe siguri, padyshim që ishte fryt i duasë së Ibrahimit a.s. kur iu lut të Gjithëmëshirshmit:
“Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan Allahun dhe jetën tjetër, furnizoji me lloje të frutave!” (El-Bekare, 126)
Por, fatkeqësisht, kurejshët harruan këto dhunti të Allahut ndaj tyre. Ata nuk e pritën të Dërguarin nga mesi i tyre me sjellje të mirë, përkundrazi e luftuan atë dhe u përpoqën ta asgjësonin fizikisht. Kurejshët kishin harruar se në një të kaluar shumë të afërt, Allahu i kishte mbrojtur nga Ebreheja, kurse këta tash po e luftonin me të gjitha mjetet të Dërguarin a.s. që Allahu ua kishte dërguar jo vetëm atyre, por mbarë njerëzisë…
Prandaj nuk është e rastësishme kur i Dërguari i Allahut në një fazë të dëshpërimit nga veprimet e bashkëkombësve të vet, kishte thënë: “Mjerë për ju, o Kurejshë” dhe e kishte kënduar kaptinën “Kurejsh”. Këto fjalë të Resulullahut i kishte dëgjuar Esma bint Jezid bin Seken (Ummu Seleme el Ensarije), dhe i transmeton Ibn Ebi Hatimi. Po ashtu nga Ummu Seleme transmetohet të ketë thënë: E kam dëgjuar Resulullahun s.a.v.s., pasi ka kënduar kaptinën Kurejsh, të ketë thënë: “Mjerë për ju, o pari e kurejshëve, (pse nuk) adhuroni Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë), i Cili ju ushqeu kur kishit uri (skamje) dhe ju siguroi nga frika e çdo armiku!” .[20]
Porosia e kësaj sureje
– Fisi Kurejsh, është fisi më i lartë dhe më i ndershëm në mesin e fiseve arabe. Allahu xh.sh. e zgjodhi të Dërguarin e Tij të fundit, pikërisht prej këtij fisi.
– Ndonëse në vitet e para të Islamit, Resulullahu s.a.v.s. përjetoi vuajtje e mundime nga fisi i vet, megjithatë, pas çlirimit të Mekës, ky fis në tërësi e pranoi Islamin si fe të tyre, nga gjiri i të cilit dolën burra të mëdhenj, ushtarakë, dijetarë e njerëz të devotshëm, që ia rritën namin Islamit në të katër anët e botës. Madje edhe Imam Mehdiu i cili para fundit të Botës do t’i bashkojë muslimanët nën një flamur, do të jetë pikërisht prek këtij fisi.
[1] Muhammed esh-Shevkani “Fet’hu-l-Kadir”, vëll. V, fq. 502
[2]Po aty, fq. 502
[3] El Alusi “Ruhu-l-Meani fi tefsiri-Kur’ani-l-Adhim ve-s-Seb’i-l-methanij”, vëll.30, fq. 238, Bejrut, pa vit botimi
[4] Sejjid Kutb “Fi Dhilali-l-Kur’an” vëll VI, fq 3983, Bejrut, 1986, botimi i XII-të
[5] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 347, Bejrut-Liban, 2001.
[6] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll XXX fq. 553
[7] Termi “Sham”, gjeografikisht përfshin një pjesë të territorit të Sirisë së sotme, Palestinës, Jordanit dhe Libanit.
[8] Transmetojnë Buhariu, Taberaniu, Hakimi, Ibn Merdevije dhe Bejhekiu
[9] Shevkaniu “Fet’hul Kadiir”,vëll. V, fq, 502
[10] Dr. Muhammed Seid Ramadan el Buti “Fikhu-s-Sireh”, fq. 49, Damask, 1977
[11] El-Imam Ebu Ferexh Xhemaluddin Abdurrahman el Xhevzij el Bagdadij “Zadu-l mesir fi Ilmi-t-Tefsir”, vëll. IX, fq. 238. Bejrut, 1984
[12] Fahru Rrazi, “Et-Tefsirul Kebir”, vëll 32, fq. 105; Në lidhje me këto mendime shih edhe “Qasje studimore rreth katër përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe” nga Emin Behrami, fq. 65, Prishtinë, 1997
[13] Muhammed Ali es-Sabunij “Safvetu-t-Tefasir”, vëll, 20, fq. 606, Halep-Siri, pa vit botimi
[14] El Alusi “Ruhul Meani…”, vëll. 30. fq. 238
[15] Kurtubiu “El Xhamiu Li Ahkamil Kur’an”, vëll. 20, fq. 204, Kajro, 1372 h.
[16] Fahru Rraziu “Et Tefsiru-l Kebir”, vëll. 32, fq. 107
[17] Kurtubiu “El Xhamiu Li Ahkamil Kur’an”, vëll. 20, fq. 200
[18] Fahru Rraziu, “Et-Tefsiru-l-Kebir” vëll. 32. fq. 107
[19] Muhammed M. Sha’ravi “Tefsir suretej El-Fil ve Kurejsh”, fq. 44, Kajro, pa vit botimi
[20] Muhtesar Tefsir Ibn Kethir, vëll.3 fq. 680
Sabri ef. Bajgora