Komentimi i kaptinës “En-Nasr”
إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْح. وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا.
فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
1. “Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës)”
2. Dhe i pe njerëzit duke hyrë grupe-grupe në fenë e Allahut.
3. Atëherë, pra, madhëroje Zotin tënd me falënderim dhe kërko falje prej Tij. Ai vërtet është pranues i madh i pendimeve.”
Kaptina “En-Nasr” është kaptinë medinase, e zbritur pas sures “Et-Tevbe-El-Beraetu”. Ka gjithsej 3 ajete, 17 fjalë e 77 shkronja.[1] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 110, kurse në radhitjen e zbritjes është e 114.[2] Sipas të gjithë dijetarëve, është kaptina e fundit komplete e zbritur nga Kur’ani, ndërsa së bashku me kaptinat “El-Kevther” dhe “El-Asr”, janë kaptinat më të shkurtra në Kur’an, me nga gjithsej tri ajete.
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abasi se kjo kaptinë (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) ka zbritur në Medinë.[3]
Emërtimi i kësaj kaptine.
Kjo kaptinë është emërtuar “En-Nasr”, sepse nga vetë ajeti i parë i saj, shohim realizimin e premtimit të Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, se ai do të ngadhënjente me ndihmën e Allahut dhe do të hynte triumfalisht në Mekë, kurse pas çlirimit të saj, do të shihte njërën prej shenjave më të mëdha të ngadhënjimit të misionit të tij, kur njerëzit do ta përqafonin fenë islame grupe-grupe, e jo individualisht si deri atëherë.
Kjo kaptinë nga komentatorët njihet edhe me emërtimin: “Suretu-t-Tevdi’ë”-“Surja lamtumirëse”, sepseështë sure që paralajmëron lamtumirën e Resulullahut s.a.v.s. nga kjo botë.
Kur zbriti kjo sure, i Dërguari i Allahut tha: “Më është njoftuar vdekja ime”.
– Transmetojnë Ibn ebi Shejbete, Abdullah bin Hamidi, Bezzari, Ebu Ja’la, Ibn Merduvije si dhe Bejhekiu në “Ed-Delail”, nga Ibn Omeri të ketë thënë: “Kjo kaptinë i ka zbritur të Dërguarit të Allahut në mes të ditëve të Teshrikut, në Mina, duke e kryer Haxhin lamtumirës. Pas zbritjes së kësaj sureje, i Dërguari i Allahut e kuptoi se misioni i tij ishte në përfundim dhe se kjo sure ishte lamtumirëse (e cila paralajmëronte vdekjen e shpejtë të tij), prandaj urdhëroi që t’ia sillnin devenë e tij, dhe, pasi shkoi tek turma e madhe e njerëzve, u ngrit dhe mbajti hytbenë e tij të njohur në haxhin lamtumirës”[4]
Vlera e kësaj kaptine
– Kaptina “En-Nasr” ka një vlerë të madhe, sepse vetë i Dërguari i Allahut e ka potencuar këtë në hadithin e tij, të cilin e transmeton Tirmidhiu nga Enes bin Maliku r.a., kur thotë: “…Kaptina (Idha xhae nasrullahi vel-fet’h) ka vlerën e ¼ së Kur’anit…”[5]
– Transmetohet nga Aliu r.a.të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure. Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe (Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)”[6]
– Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se ky hadith është hasen, të cilin e përcjell nga Enes ibn Maliku të ketë thënë: i Dërguari i Allahut i tha njërit prej ashabëve të tij. A nuk u martove ende o filan? Ai i tha: Jo ende për Zotin o i Dërguari i Allahut? , sepse nuk kam asgjë (prej pasurisë) që të martohem!! Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: A nuk e ke (a nuk e di) (Kul huvallahu ehad…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/3 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha xhae nasrullahu vel fet’h …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Kul ja ejjuhel kafirun …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha zulziletil erdu zilzaleha…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; Pra martohu![7]
Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine
– Transmetojnë Ibn ebi Shejbete, Ibn Xheriri, Ibnul Mundhiri dhe Ibn Merduvije nga Aishja r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut, nga fundi i jetës së vet shumë shpesh përsëriste fjalët:”Subhanallahi ve bihamdihi, ve estagfiruhu ve etubu ilejhi”– Lartësimi dhe lavdatat qofshin për Allahun, faljen e të Cilit e kërkoj; dhe pendohem para Tij”. Atëherë – vazhdon Aishja , e pyeta: – O i Dërguar i Allahut, po të shoh që shumë shpesh je duke i përsëritur këto fjalë: ”Subhanallahi ve bihamdihi, ve estagfiruhu ve etubu ilejhi”, dhe ai (Muhammedi a.s.) m’u përgjigj: “Zoti im më ka paralajmëruar për një shenjë, të cilën do ta shoh në popullin (Ymetin) tim, dhe më ka urdhëruar që, pasi ta kem parë atë shenjë, ta lavdëroj Atë, të kërkoj falje prej Tij dhe të pendohem. Dhe unë, atë shenjë e pashë vërtetë, e ajo është: “Idha xhae nasrullahi vel fet’h. Ve re’ejten-nase jed-hulune fi dinil-lahi efvaxha. Fesebbih bihamdi rabbike vestagfirhu, innehu kane tevvaba” – “Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës)”. Dhe i pe njerëzit duke hyrë grupe-grupe në fenë e Allahut. Atëherë, pra, madhëroje Zotin tënd me falënderim dhe kërko falje prej Tij. Ai vërtet është pranues i madh i pendimeve.”[8]
– Ibni Abbasi rrëfen se si një ditë Omeri r.a. e kishte marrë pranë vetes në një tubim, ku ishin veteranët e luftës së Bedrit, dhe kur disa prej tyre e panë Ibni Abbasin aq të ri në mesin e tyre, u prekën dhe i thanë Omerit: Përse gjithnjë e merr këtë djalosh pranë vetes në tubimet tona, përderisa edhe ne kemi djem të moshës së tij?” Atëherë Omeri ua ktheu: “Sepse ky djalosh është i tillë çfarë është” (duke aluduar dijen dhe zgjuarsinë e tij)”. Dhe kur, një ditë tjetër, Omeri r.a. më ftoi në një tubim të tyre, e kuptova se më kishte ftuar vetëm që para tyre t’i demonstroja njohuritë e mia. Omeri r.a. u ngrit dhe i pyeti veteranët e luftës së Bedrit: “Ç’thoni për fjalët e Allahut “Idha xhae nasrullahi vel fet’h…”? deri në fund të kaptinës
Disa prej tyre thanë: “Allahu na ka urdhëruar ta falënderojmë Atë dhe të kërkojmë falje prej tij (istigfar), pasi që na mundësoi të ngadhënjejmë dhe ta çlirojmë Mekën”, kurse të tjerët heshtën. Atëherë Omeri r.a. m’u drejtua me fjalët: Vallë kështu mendon edhe ti, Ibn Abbas? Jo, – ia ktheva unë. Po atëherë ç’thua ti për këto fjalë të Allahut, më pyeti prapë Omeri r.a.? Ky është paralajmërim i vdekjes së Resulullahut s.a.v.s., – ia ktheva unë, – sepse pas fitores dhe ngadhënjimit, Allahu e urdhëronte të Dërguarin e Tij ta madhëronte Atë dhe të kërkonte falje e pendim nga Ai (në prag të vdekjes).
Atëherë Omeri tha: “As unë nuk di për ndonjë komentim tjetër përveç këtij që thua ti, o Ibn Abbas.”[9]
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Kafirun”
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Kafirun”, është e fuqishme mu për faktin se në suren paraprake, Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarin a.s. të distancohej publikisht nga besimi i kotë i pabesimtarëve, dhe t’u tregonte atyre se ai adhuronte vetëm Allahun, krijuesin e ekzistencës. Dhe, si shpërblim për kët guxim të të Dërguarit të Tij, që i thirri haptazi idhujtarët me emrin më të urryer-“pabesimtarë-qafira”, Allahu xh.sh. realizoi premtimin e Tij të përsëritur edhe në disa sure të tjera para sures “En-Nasr”, se ngadhënjimi dhe fitorja do të ishte në anën e Muhammedit a.s. dhe ai së shpejti do ta shihte një shenjë të madhe, të paraljmëruar në Ymetin e tij, shenjën e suksesit të misionit të tij kur njerëzit do ta pranonin Islamin me mumër shumë të madh, grupe-grupe, fise-fise.
Fahrudin er-Rraziu mbi lidhmërinë e kësaj sureje me disa sure paraprake, thotë: “Allahu xh.sh., kur i premtoi të Dërguarit të Vet në kaptinën “Ed-Duha”, ajeti 5 : “E Zoti yt do të të japë ty, e ti do të kënaqesh”, dhe në kaptinën “El-Kevther” , ajeti 1: “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira.”, kjo nënkuptonte faktin se autoriteti i tij po rritej dita-ditës dhe së shpejti do të shihte frytet e misionit të tij, sepse për një kohë të shkurtër, ndodhi çlirimi i Mekës, pa luftë, të cilën gjë askush as që kishte mundur ta paramendonte; pastaj në vitin vijues, delegacione të shumta nga tërë Siujdhesa Arabike kishin mësyrë Medinën për ta pranuar dhe publikuar fenë islame para Muhammedit a.s. Kjo zaten ishte edhe fitorja më e madhe e Muhammedit a.s., sepse zemrat e robëruara të njerëzve nga prangat e paganizmit, nga drita e Islamit u çliruan përjetë.
Rraziu vazhdon edhe më tutje dhe thotë: Allahu xh.sh. në këtë kaptinë e urdhëron Pejgamberin a.s. që pas ardhjes së ndihmës së Allahut: (Idha xhae nasrullahi)– “Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut” , ta madhëronte dhe ta lartësonte Atë; kurse pas çlirimit të Mekës (vel fet’h)– “dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës)”, ta falënderonte Atë për të gjitha këto mirësi, ndërsa pasi ta kishte parë shenjën e madhe që i qe premtuar: “Ve re’ejten-nase jed-hulune fi dinil-lahi efvaxha”-“Dhe i pe njerëzit duke hyrë grupe-grupe në fenë e Allahut”, atëherë të kërkonte falje dhe mëshirë për veten dhe për mbarë besimtarët, sikur për këtë jepte shenjë edhe një ajet tjetër kuranor, kur Allahu i drejtohet Muhammedit a.s.: “Kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve”. (Muhammed-19)[10]
Koment:
إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْح
1. “Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës)”
Sipas komentatorëve, fjala “En-Nasr” do të thotë: të ndihmosh dikë për të realizuar një qëllim të caktuar, ose ngadhënjim, fitore dhe nënshtrim i armiqve, kurse “El-Fet’h” do të thotë arritje e një aspirate që ka qenë e pakapshme (e parealizueshme) deri në atë moment[11] ose çlirim i vendbanimeve të sunduara nga zullumqarët (në këtë rast çlirimi i Mekës).[12]
Pjesëza “idha”–(kur) në fillim të kësaj sureje ka kuptimin e kohës së shkuar dhe vjen në kuptimin e njëjtë si pjesëzat “kad”–(tashmë), ose “idh”-(kur-pasi), do të thotë flet për diçka që tashmë ka ndodhur, e në këtë rast ky ishte çlirimi i Mekës dhe pranimi i Islamit grupe–grupe nga fiset arabe.
S’ka dyshim, pothuaj të gjithë komentatorët janë unikë rreth faktiti që kjo sure flet për një ngjarje madhështore në historinë islame, ngjarje e cila ndërroi përfundimisht kahet e rrugës së njerëzimit, që ishte ngadhënjimi i së vërtetës dhe çlirimi i Mekës.
Nga shkaqet e zbritjes, pamë se pothuaj të gjitha faktet flasin se kjo sure ka zbritur pas çlirimit të Mekës dhe ka zbritur disa muaj para se i Dërguari a.s. të shpërngulej pranë fqinjësisë së Allahut xh.sh.
Madje, disa nga komentatorët e Kur’anit, si Kurtubiu, japin hollësisht edhe ngjarjet që pasuan në ditët e fundit të jetës së Resulullahut, duke thënë se pasi pati zbritur kjo sure, derisa i Dërguari i Allahut ishte duke kryer Haxhin lamtumirës, i zbriti edhe ajeti: ”Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (El-Maide, 3), dhe i Dërguari a.s. jetoi edhe 80 ditë.
Pastaj zbriti ajeti: ”Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: Allahu u përgjigjet për çështjen e “kelale-s” (ai që nuk lë prindër as fëmijë që e trashëgojnë)…”-(En-Nisa’ë, 176), dhe i Dërguari jetoi edhe 50 ditë.
Më pas zbriti ajeti: ”Juve ju erdhi i dërguar nga mesi juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët” (Et-Tevbe, 128), dhe i Dërguari a.s. jetoi edhe 35 ditë. Kurse pas zbritjes së ajetit të fundit kuranor: ”Dhe ruajuni asaj dite kur do të ktheheni tek Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë” (El-Bekare, 281)”, i Dërguari a.s. jetoi vetëm 21 ditë, kurse Mukatili thotë se pas zbritjes së këtij ajeti, i Dërguari jetoi edhe 7 ditë[13].
Në anën tjetër, Fahru Rraziu dhe disa të tjerë, janë të mendimit se kjo sure ka zbritur para çlirimit të Mekës, dhe ishte një paralajmërim nga ana e Allahut xh.sh. se së shpejti do të vinte ndihma e Allahut e çlirimi dhe se njerëzit do të hynin në Islam grupe-grupe, prandaj Pejgamberi a.s. urdhërohej që, pasi të ndodhte kjo, të kërkonte faljen dhe mëshirën e Allahut.
Pavarësisht nga disa indikacione se kjo sure edhe mund të kishte zbritur para çlirimit të Mekës, si një shenjë-mrekulli për ngjarjet që do të pasonin më vonë, megjithatë, mendimi më i pranueshëm është që kjo sure të ketë zbritur pas vitit të nëntë hixhrij, do të thotë një vit e ca pas çlirimit të Mekës, dhe disa muaj para vdekjes së Resulullahut s.a.v.s.
وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا
2. Dhe i pe njerëzit duke hyrë grupe-grupe në fenë e Allahut
Sipas historianëve, viti i nëntë hixhrij konsiderohet si viti më i suksesshëm i Resulullahut s.a.v.s., sepse në atë vit, që u quajt “senetul vufud”-“viti i delegacioneve” , nuk mbeti gati asnjë fis arab pa e pranuar Islamin. Dhe këto ishin frytet më të mëdha të misionit profetik të të Dërguarit të Allahut.
Po t’i kthehemi historisë në një retrospektivë të shkurtër, do të shohim vështirësitë e papërshkrueshme të Pejgamberit a.s. gjatë thirrjes së tij në Islam. Ishte i vetëm dhe pa ndonjë përkrahje të madhe nga të afërmit e tij. Por megjithatë, ai nuk u ndal dhe me shpresën tek Allahu se do t’i mundësonte që këtë mision ta përmbushte me sukses, vazhdoi rrugën e tij të mundimshme. Pranë tij u tubuan disa njerëz, ose, thënë më mirë, një grup i vogël, të cilët pas pak kohe do të jepnin shembujt më të lartë të heroizmit dhe guximit, duke mundësuar lartësimin e fjalës së Allahut. Dhe kështu muslimanët, pas shumë vuajtjeve dhe persekutimeve u shpërngulën në Medinë, dhe aty vunë bazat e shtetit të ardhshëm islam. Nuk kaluan më shumë se tetë vjet nga migrimi dhe Allahu xh.sh. e realizoi premtimin se Muhammedi a.s. do të hynte në Mekë triumfalisht, do ta çlironte atë pa luftë dhe gjatë kësaj ngjarjeje madhështore ai do të jepte shembullin më të lartë njerëzor, shembullin e një strategu vizionar e të mëshirshëm, kur banorëve të Mekës, të cilët deri atëherë e kishin munduar e i kishin bërë një mijë të liga, u tha: “Shkoni, jeni të lirë!”
Kjo sjellje e tij bëri që shumë fise arabe, të cilat deri atëherë kishin qenë armiq të Islamit, të vendosnin përfundimisht për rreshtim në rrugën e drejtë. Madje disa prej këtyre fiseve gjatë kuvendimeve të tyre të fshehta më parë kishin thënë: Të presim se çfarë do të ndodhë, nëse Muhammedi fiton ndaj kurejshëve dhe i nënshtron ata, atëherë ai me të vërtetë qenka i Dërguar i Zotit, dhe do t’i bashkohemi, po, nëse ai humb nga kurejshët, atëherë ai nuk është i dërguar po një shpifës, dhe ne do të jemi me kurejshët. Fatmirësisht ndodhi ajo e para, ngase Allahu xh.sh. vazhdimisht e ndihmoi të Dërguarin e Tij në lartësimin e fjalës së Vet, derisa ai me plot sukses përmbylli misionin e tij profetik.
Pra, viti i nëntë ishte vit i delegacioneve, vit kur fiset nga Meka, Taifi, Hevazini, Jemeni dhe nga vendet e tjera të Gadishullit Arabik, vinin në Medinë në grupe të mëdha, ta pranonin Islamin. Dhe kjo ishte ajo shenja e madhe për të cilën ishte paralajmëruar Muhammedi a.s. nga ana e Allahut xh.sh., sipas hadithit që e transmeton Aishja r.a., të cilin e cituam më lart, kur thotë se i Dërguari i Allahut kishte thënë: “Zoti im më ka paralajmëruar për një shenjë, të cilën do ta shoh në popullin (Ymetin) tim, dhe më ka urdhëruar që pasi ta kem parë atë shenjë, ta lavdëroj Atë, të kërkoj falje prej Tij dhe të pendohem. Dhe unë, atë shenjë e pashë vërtet, e ajo është: “Idha xhae nasrullahi vel fet’h…” deri në fund të sures.
فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
3. Atëherë, pra, madhëroje Zotin tënd me falënderim dhe kërko falje prej Tij. Ai vërtet është pranues i madh i pendimeve.”
Pas fitores dhe ngadhënjimit-çlirimit të Mekës dhe hyrjes masive të njerëzve në Islam, është e natyrshme që duhej të pasonte falënderimi i të Dërguarit a.s. ndaj Allahut xh.sh., sepse vetëm nga Ai dhe nga askush tjetër vjen ndihma e vërtetë: “…Ndihma (e vërtetë) vjen vetëm prej Allahut, ngadhënjyesit, të urtit” (Ali Imran, 126).
Në këtë ajet kuranor, i Dërguari a.s. porositet nga Krijuesi i tij që ta lartësonte me madhërim Atë dhe të kërkonte falje e mëshirë nga Ai.
Shtrohet pyetja: A thua i Dërguari a.s. kishte ndonjë gabim apo kishte bërë ndonjë mëkat që tash t’i lutej Zotit për falje dhe të pendohej tek Ai?
Komentatorët, tek sqarojnë kuptimin e vërtetë të këtij ajeti, janë unanimë se ky ajet ka të bëjë më shumë me Ymetin e Muhammedit a.s., por ftesa për një gjë të tillë bëhet nëpërmjet Pejgamberit a.s. Me këtë dëshirohet të na bëhet me dije se ç’rëndësi të madhe ka istigfari, madhërimi i Allahut dhe pendimi. Kurse, nga aspekti i akaidit, kjo çështje është e prerë, do të thotë ata janë të mbrojtur nga mëkatet, ndonëse edhe ata mund të kenë ndonjë lëshim të vogël, që nuk ndërlidhet me shpalljen. Fundja edhe ata ishin njerëz nga mishi dhe shpirti, ashtu si njerëzit e tjerë, përveçse ata, Allahu xh. sh., i dalloi nga të tjerët me shpallje.
Porosia e kësaj sureje
– Besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për faktin se ndihma dhe përkrahja e vërtetë vjen vetëm prej Allahut xh.sh.
– Allahu i Plotfuqishëm e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do, dhe i ndihmon të ngadhënjejnë ata që angazhohen me përkushtim në ngritjen e idealit islam.
– Në këtë sure jepet një mesazh i qartë se Islami me ndihmën e Allahut, do të jetë triumfues ndaj të gjitha feve dhe ideologjive të tjera që janë pjellë e imagjinatës njerëzore.
– Besimtari duhet të jetë mirënjohës ndaj dhuntive të Allahut xh.sh., të cilat janë të panumërta. Ai duhet të kërkojë falje dhe të pendohet për gabimet e bëra, sepse Allahu fal shumë dhe është i mëshirshëm. Pendimi është një portë që rri gjithmonë e hapur për të hyrë në mëshirën e Allahut xh.sh., andaj njeriu nuk bën assesi të jetë pesimist dhe të humbë shpresën duke menduar se Allahu nuk i fal gabimet, meqë Vetë i Lartmadhërishmi në Kur’an ka thënë: “Thuaj, o robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që fal shumë dhe është mëshirues!”, (Ez-Zumer, 53)
Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut na porosit për istigfar-kërkim faljeje dhe pendim, kur thotë: “Kërkoni falje nga Allahu, sepse unë shtatëdhjetë herë në ditë kërkoj falje prej Tij”.
– Muhamedi a.s. ishte dhe do të mbetet gjithmonë simbol i thirrësit më të madh dhe më të përkushtuar në rrugën e Allahut. Ky i Dërguar, mëshirë për mbarë njerëzinë, kur h. Aishja pasi e kishte parë t’i ishin ënjtur këmbët nga namazi i shumtë, i tha: Përse po falesh kaq shumë, kur ty Allahu t’i ka falur të gjitha? – ai u përgjigj: “Vallë a të mos jem rob falënderues dhe mirënjohës!”
– Në këtë sure gjejmë edhe paralajmërimin për lamtumirën e Resulullahut nga kjo botë kalimtare për në botën e Amshimit.
[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 403, Bejrut-Liban, 2001.
[2] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll XXX fq. 589
[3] Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadiir” vëll.V, fq. 515
[4] Dr. Vehbete ez-Zuhajli, “Et-Tefsirul Munir”, vëll. XXX, fq. 446
[5] Tirmidhiu (4895), Hadithi arrin katëgorinë “Hasen bi-sh-shevahid”; Shih “Kitabul Xhami’ë…” fq. 326.
[6] El-Kitabul Xhami’ë li fedailil Kur’an, fq. 302; Këtë transmetim e kanë përcjellë dhe shënuar si “Sahih”, Imam Ahmedi (1/89); Imam Tahaviu në Sherh meanil athar 1/290; Bezzari 3/82; dhe Ebu Ja’la 1/356. Në lidhje me këtë transmetim, Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij Telhisul habir 2/19, thotë se Isnadi i tij është “i mirë”-“hasen”.
[7] Kitabul Xhami’ë… fq. 326
[8] Transmeton Muslimi
[9] Sahihul Buhari; Shih “Muhtesar Tefsir Ibn Kethir”, vëll III, fq. 687, Bejrut 1981.
[10] Fahru Rraziu “Et-Tefsirul Kebir-Mefatihul Gajb”, vëll.32, fq. 149.
[11] Po aty fq. 151.
[12] “Et-Tefsirul Munir”, vëll 32, fq. 448.
[13] Kurtubiu, “El Xhamiu li ahkamil Kur’an” vëll. XX, fq. 233
Sabri ef. Bajgora