Ndoshta, dikush nuk e di, por në Kalanë e Prizrenit ekziston topi, me grykën e kthyer kah pjesa urbane e qytetit të Prizrenit. Fatkeqësisht, nuk është funksional. Por, ç’e do që, disa djemë me vetëdije të lartë qytetare e identitare, kanë siguruar disa fishekzjarre speciale dhe, për çdo ditë, në kohën e iftarit, përmes tyre, vazhdojnë të improvizojnë gjëmimin e topit, si dikur kur Prizreni ishte Prizren dhe kultura e kishte yndyrën origjinale.
Me të vërtetë, një atmosferë fantastike. “Skuadra e topit”, sipas koordinimit me muezinin e xhamisë së “Bajraklisë”, bën ndezjen e fishekjzarreve, ashtu që, së pari ndezen dritat e minaresë, pra para ezanit të akshamit dhe, në atë moment fillon gjëmimi i topit, e pastaj fillon ezani prej të gjitha minareve shtatlarta të qytetit të Prizrenit dhe rrethinës së tij.
Për ta pa nga afër improvizimin e gjëmimit të topit, po edhe për ta vlerësuar e përkrahur këtë angazhim mjaft simpatik, kryetari i Këshillit të BI-së Prizren, Besim ef. Berisha dhe sekretari Orhan ef. Bislimaj, më datë 21.05.2018 (e hënë), dolën fizikisht në kala, aty te topi. Kënaqësi e vërtetë, e mbi të gjitha nostalgji për një traditë, që tash e mbi 50 vjetë është ndërprerë. Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, kryetari Berisha, e falënderoi “skuadrën e topit”, që po kujdesen për t’ia rikthyer Prizrenit gjëmimin e topit, këtë krenari tipike, që filloi gjatë Ramazanit 2017 dhe po vazhdon edhe gjatë këtij viti.
Komuna e Prizrenit dhe organet përkatëse të Ministrisë së Kulturës, duhet të kujdesen që ta funksionalizojnë topin, në mënyrë që i njëjti të gjëmojë, jo vetëm gjatë Ramazanit, por edhe për të gjitha festat kombëtare, si dhe për festat e komuniteteve të tjera fetare dhe etnike.
Prizreni është i bukur për traditat e bukura të tij, e jo vetëm për peisazhin gjeografik.