Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka takuar sot kryetarët dhe arkëtarët e Këshillave vendor të BIK me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundin në BIK.
Myftiu Tërnava i ka përgëzuar strukturat drejtuese të Këshillave vendore për punën dhe angazhimin e tyre në terren në realizim e objektivave programore të BIK.
Myftiu falënderoi kryetarët dhe arkëtarët e Këshillave për punën që kanë bërë gjatë muajit të Ramazanit dhe tani për përgatitjet e shkuarjes së besimtarëve në Haxh, si dhe përgatitjet për grumbullimin e Kurbanëve.
Po ashtu, Myftiu Tërnava të pranishmit i njohu edhe me miratimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 1/2014, nga Kryesia e BIK në mbledhjen e mbajtur më 4 shtator 2014, me të cilin rregullohet: Përfaqësimi i zyrtarëve të Këshillave në organizimet e ndryshme, paraqitja e të punësuarve të BIK në mediat publike, respektimi i kompetencave për fetva, bashkëpunimi me shoqata , rregulloret për xhami, si dhe mënyra e organizimit të trajnimeve e seminareve.
Për Udhëzimin Administrativ më shkoqitur foli kryemami, Sabri ef. Bajgora i cili tha, se ky Udhëzim administrativ është përgatitur si nevojë e kohës me qëllim të sqarimit të kompetencave dhe orientimin e duhur të të punësuarëve në BIK. Ai, më tutje tha se udhëzimi është përgatitur pas diskutimit që është realizuar në mbledhjen regjionale të mbajtur në prag të muajit të madhëruar të Ramazanit.
Myftiu Tërnava kërkoi nga udhëheqësit e këshillave që të zbatojnë me përpikëri Udhëzimin Administrativ.
Drejtori financiar, Kasim ef. Gërguri i njohu të pranishmit për përgatitjet që janë bërë për Haxh, si dhe përgatitjet që duhet bërë për grumbullimin e kurbanëve.