Medreseja, digë e identitetit fetar dhe kombëtar gjatë historisë

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

I. Hyrje

 

Burimet themelore të Islamit, Kur’ani dhe Sunneti, dëshmojnë se arsimimi dhe edukimi i pasardhësve në Islam është detyrim me përparësi për prindërit. Këtë e thekson Kur’ani në shumë ajete:

“Lexo, në emër të Zotit tënd i cili të ka krijuar. ...!” (El-Alek, 1-5). 

Ky detyrim prindëror ishte përparësi nëpër të gjitha periudhat historike, pa marrë parasysh moshën e pasardhësve:

“Dhe Ibrahimi ua porositi këtë bijve të vet, si edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu ua ka zgjedhur fenë dhe assesi mos vdisni ndryshe, vetëm si muslimanë!” (El-Bekare, 132).

Edhe Muhammedi a.s. e thekson rëndësinë e arsimit dhe edukimit islam:

“Prindi është i detyruar ndaj fëmijës: t’i jep emër të bukur, ta edukojë mirë dhe ta mësojë ...”. (Hakimi).

“Prindi nuk mund t’i lë apo t’i dhurojë fëmijës së tij asgjë më të mirë se sa edukimin e mirë.”(Tirmidhiu).

Edhe pse ky detyrim prindëror ka pasur rëndësi parësore për muslimanët, megjithatë ky detyrim në praktikë nuk është realizuar gjithnjë si është synuar. Familja nuk ka pasur mundësi që t’ua plotësojë fëmijëve kushtet e caktuara. Për këtë arsye, shtrohej nevoja e edukimit dhe arsimimit institucional, si rrugë e rëndësishme në procesin e formimit të personalitetit musliman të pasardhësve të tyre.

 

II. Historia si manifestim i mësimeve hyjnore      

Gjatë shekujve të parë të mesjetës Evropa karakterizohet si periudhë e errët, jo vetëm në aspekt të mungesës së të dhënave historike por edhe në aspekt të keqeverisjes. Në këtë periudhë në të gjitha fushat e jetës dominonte fjala e Kishës. Nuk kishte përparim në letërsi, art apo shkencë. Jo vetëm kaq, por çdo përpjekje për të përparuar ndëshkohej nga dënimet e rrepta deri në vdekje (Galileu, Bruno, Koperniku etj.). në anën tjetër, sipas Xhorxh Sarton, kjo periudhë për muslimanët ishte dritë e mirëfilltë.[1] Si rezultat i këtij angazhimi kemi edhe konstituimin dhe zhvillimin e disiplinave të para islame, sikur edhe librat e para në fushat fetare dhe ato shkencore. Kjo rezultoi që në vitin 794 në Bagdad të themelohet fabrika e parë e letrës në botën muslimane. Halifi El-Me’muni në vitin 830 në Bagdad e themeloi institucionin e lartë hulumtues, të cilin e quajti Bejt’ul-hikmeh (Shtëpia e Urtësisë), që sot ngjason me Akademinë e Shkencave, e cila kishte bibliotekë të madhe, observatorium, objekte për përshkrim, shkrim, përkthim dhe studime të lira, në krye tësë cilës ishte El-Kindiu.

Muslimanët kudo që shkonin hapnin shkolla, medrese. Kjo ndodhi në Spanjë pas vitit 710, por ndodhi edhe në Sicili një shekull më vonë. Nga Sicilia e Spanja u bartë në Evropë edhe zeja e letrës dhe mjeteve të shkrimit.

Nga kjo periudhë kemi edhe universitetet e para muslimane si ajo e Zejtunit në Tunizi (737), e Kajrevanit në Fesë (859), e El-Ez’herit në Kajro (970-972), Nidhamije në Bagdad (shek. XI) etj. Këto shkolla janë të shumta dhe në çdo cep të botës muslimane. Qendrave të hershme arsimore të botës muslimane të Damaskut, Bagdadit, Basrës, Kufes, shumë shpejt iu bashkuan edhe qendrat e tjera në Nishapur, Samarkand, Buhara, Halep, pastaj Granadë, Kordobë, Sevilje, Toledo, Fes etj. Ky zhvillim ishte manifestim edhe i shpejtësisë së konstituimit të Islamit në hapësirën më të madhe se që e kishte Perandoria Romake në kulmin e fuqisë së saj por edhe i shpejtësisë së zhvillimit dhe komentimit të gjithanshëm të Islamit dhe njëkohësisht absorbuan trashëgiminë shpirtërore të Greqisë së Vjetër, judeo-kristianizmit, Persisë, Indisë etj. Këto dy komponenta janë të mishëruara dhe përbëjnë unitetin organik, siç e quan këtë historiani rus i shekullit XX, L. S. Vasiljev: “Shfaqje e papërsëritshme në historinë botërore e cila me të drejtë quhet botë islame.” [2] Tërthorazi, kjo shtrirje e shkollave të të gjitha niveleve reflektoi edhe në vendet ballkanike dhe shqiptare qysh herët, e për të cilat njoftoi udhëpërshkruesi i famshëm Jakut El-Hameviu në veprën e tij kapitale Mu’xhem’ul-Buldan.

 

III. Medreseja, strumbullari i arsimimit musliman

Medresetë krahas xhamisë (mesxhidit) janë institucionet më të rëndësishme dhe më të shtrira të arsimimit të përshpirtshëm në kulturën islame. Mirëpo, shekujt vijues, i dyti, i treti, i katërti dhe i pesti, tregojnë dhe dëshmojnë lindjen edhe të institucioneve të tjera arsimuese, sikurse janë bibliotekat, zavitë, teqetë, qendrat për përkthim etj. Megjithatë, medresetë kurrë nuk e humbën primatin në arsimimin e muslimanëve dhe të interesuarve të tjerë. Në anën tjetër, përkundër synimit të përbashkët, megjithatë xhamitë dhe medresetë kanë ruajtur rolin specifik të tyre. Xhamitë para së gjithash ruajtën rolin e ibadetit, kurse medresetë rolin edukativ-arsimor, respektivisht rolin e dhënies mësim (ta’lim). Në këtë mënyrë, xhamia nëpërmjet medresesë i përcjellë vlerat e Islamit, kurse medreseja nëpërmjet xhamisë e siguron synimin më të lartë të misionit të tij.

 

IV. Institucionet edukative-arsimore te osmanlinjtë

Qëndrimi i muslimanëve në Ballkan gjatë mesjetës dhe shfrytëzimi i kohëpaskohshëm i hapësirave të hapura (musallave, namaz-xhaheve) e më rrallë edhe të mesxhideve e xhamive, ende nuk është shenjë për konstituimin e institucioneve apo edhe të pushtetit musliman të qëndrueshëm në këto troje. Kjo do të ndodh sidomos gjatë shekullit XV e pas, me formimin e pushtetit ushtarak, drejtues, administrativ dhe gjyqësor. Në këtë periudhë e kemi edhe ndërtimin sistematik të objekteve fetare islame (xhamitë, mesxhidet, namaz-xhahet), objekteve ekonomike (bezistanet, dyqanet), objektevetë komunikacionit (karvan-sarajet, qypritë), objekteve komunale (sahat-kullat, hamamet, çeshmet, shadërvanet), objekteve humanitare (mysafir-hanet, imaretet) dhe të objekteve shkollore (mual-lim-hanet, medresetë, mektebet). Hov të jashtëzakonshëm këtij trendi i dha vetë Sulltan Mehmedi II Fatihu (1432 – 1481). Edhe zonat e reja nën administrimin osman i kushtuan rëndësi jo më të vogël ngritjes dhe ndërtimit në përgjithësi të objekteve dhe në veçanti të objekteve fetare-arsimore-humanitare por edhe mirëmbajtjes së këtyre objekteve.[3] Kështu bëri për shembull edhe Suzi Prizreni në vakuf-namen e tij.

Ndërtimi intensiv që pasoi pas marrjes së këtyre territoreve i mundësoi vendorëve të fitojnë dije dhe shkathtësi për realizmin e objekteve monumentale, sakrale e profane, publike dhe private, si xhamitë e njohura, medresetë, hamamet, çeshmet etj., por e tërë kjo, sidomos në periudhën e hershme, do të jetë sipas sistemit islam arsimor çfarë është praktikuar në botën arabe-islame të kohës në fjalë.

Në këtë aspekt kemi edhe institucionet e para të arsimit siç janë mektebet (mejtepet) - shkollat fillestare, medresetë - shkollat e mesme dhe institucionet e specializuara si Dar’ul-hadith (Institut shkencor i veçantë për studim të traditës pejgamberike) ose Dar’ul-Kurra (Institut shkencor i veçantë për studim të Kur’anit) etj.

Kemi edhe ndarje të tjera, si ato sipas themeluesve të shkollave (emirët, vezirët, pashallarët dhe personalitete të larta shtetërore), sipas kompetencës (profesionalizmit) së profesorëve, pastaj sipasveprave kryesore (Hashije-i texhrid, Miftah, Telvih, Mevakif, Hidaje, Keshaf, respektivisht medresetë harixh, dahil, musile etj.), sipas lartësisë së rrogave të personelit arsimorë dhe atij teknikë ndihmës etj.

 

V. Medresetë në Prizren

Me hyrjen e trojeve shqiptare në rrethin kulturoro-historik musliman në këtë nënqiell fillon një epokë e re. Libri fillon të shkruhet, të përshkruhet, shitblehet, këmbehet për t’u bërë edhe përmbledhjet e para, nga të cilat do të formohen edhe bibliotekat e para. Kryesisht ato do të ndërtohen pranë xhamive (mektebeve) dhe medreseve, kurse në qytete të mëdha do të ndërtohen edhe biblioteka të veçanta. Evlija Çelebia gjatë udhëtimit të tij në trojet shqiptare në shek. XVII mendon se sistemi arsimor lulëzonte, kurse pedagogët përbënin elitën intelektuale me ndikim të fuqishëm në opinion.

Raste të tilla kemi shumë, por ndër rastet më eklatante në Prizren është Xhamia, Mualim-hanja dhe Biblioteka e Suziut në Prizren (1513), Xhamia, Medreseja, Biblioteka, Hamami i Gazi Mehmed-pashës (1573), Xhamia, Medreseja, Biblioteka e Sinan-pashës (1615) etj. Në fund të shekullit XVI Prizreni numëronte tetë xhami dhe po aq shkolla të llojeve të ndryshme[4], kurse dokumentet e kohës dëshmojnë se Prizreni në këtë kohë po zhvillohej në një qendër të mirëfilltë politike, ekonomike, arsimore e tregtare.[5] Madje, kishte edhe imarete (kuzhina), si ajo e Mustafa-pashës, e cila u jepte falas ushqim shumë talebeve dhe muderrisëve të Prizrenit.[6] Në këto shkolla të Prizrenit, janë mësuar lëndët pak a shumë të njëjta si në medresetë e tjera të Perandorisë Osmane: gjuha arabe, osmane e persiane, mësohej Kur’ani dhe komentimi i Kur’anit, Kiraeti, Hadithi (tradita islame), e drejta e sheriatit (fikhu, feraizi hanefij etj.), kelami (maturidij), logjika, retorika, astronomia, gramatika, sintaksa, stilistika, metrika etj. Pas përfundimit të shkollimit, nga medreseja përkatëse, sikur nga ajo e Gazi Mehmed-pashës, lëshohej dokumenti dëshmues, Ixhazet-nameja.

Me kalimin e kohës numri i shkollave varionte nga dekada në dekadë, por është e sigurt se disa funksiononin rregullisht. Sipas Sallnames së vitit 1874, Prizreni i kishte 21 mektebe si dhe 4 medrese. Më 1886 në këtë qytet kishte 17 shkolla për meshkuj, 9 për femra dhe një Ruzhdije (lloj gjimnazi) për fëmijët muslimanë në gjuhën mësimore osmane. Që të gjitha ishin të rangut mesatar.

Mirëpo, pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 pjesa më e madhe e trojeve shqiptare u aneksuan nga sllavët. Fatin politikë të vendit e pësoi edhe sistemi arsimor. Ai u rrëgjua në maksimum dhe mbeti në mëshirë të fatit individual. U mbyllën shumica e medreseve, kurse ato që mbeten përcilleshin në mënyrë rigoroze, sepse ekzistonte frika se rebelimi antiserb e antikristian burimin e ka pikërisht nga këto qeliza. Sipas disa shënimeve statistikore, në viset shqiptare gjatë viteve 1912-1941 u rrënuan 320 xhami, u përdhosën 85 mektebe dhe bibliotekat e tyre.[7] Ushtaraku serb togeri Momir Korunoviq, në mars të vitit 1913, kishte hartuar një projekt shfarosës. Ai së bashku me arkitektin Dushan S. Millosavleviq kishin hartuar edhe Planin Gjeneral, i cili ishte zyrtarizuar më 1924, dhe me pretekst të rregullimit dhe zgjerimit të rrugëve të qytetit të Prizrenit, kishin asgjësuar pjesë të mëdha të trashëgimisë muslimane në Prizren.

Për t’i mbajtur rebelimin nën kontroll, më 1939 Mbretëria Jugosllave lejoi hapjen e vetëm dy medreseve, të Prishtinës dhe të Prizrenit. Mirëpo, ky vendim kurrë nuk u realizua. Meqenëse Medreseja e Gazi Mehmed-pashës në Prizren u mbyll më 1947, qeveria e atëhershme e Kosovës nën tutelën serbo-jugosllave, më 1949 mori vendim për hapjen e një medreseje në Prishtinë, por kjo hapje për shkak të mungesës së infrastrukturës u shty deri më 1951. Më pastaj Medreseja përjetoi disa reformime, duke u avancuar nga shkolla e mesme e ulët në shkollë të mesme pesëvjeçare, e më vonë në katërvjeçare, që vazhdon të jetë deri më sot.

Mirëpo, nevojat e popullit për kuadro të reja ishin të mëdha, kurse medreseja aktuale në Prishtinë nuk mund t‘i plotësonte nevojat e Kosovës, Preshevës, Malit të Zi, etj. Nisur nga këto rrethana, Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, në vitin 1988 e pas, e shtroi nevojën e rihapjes së një medreseje në Prizren, për ta zbutur nevojën për kuadro të reja për veti por edhe për regjionin. Pas një kohe të gjatë arsyetimesh e bindjesh brendapërbrenda Bashkësisë Islame, më 1992 Kuvendi i Bashkësisë Islame në Prishtinë mori vendimin në parim, kurse më 1993 Kryesia e BI mori vendimin për implementimin e vendimit të Kuvendit dhe lejoi hapjen e Medresesë edhe në Prizren, të cilën e quajti Paralele të Ndarë Fizike të Medresesë në Prishtinë. Paraleles së meshkujve të medresesë në vitin 1997-1998 iu shtua edhe Paralelja e Femrave, që paraqet një përmbyllje të ciklit të mesëm arsimor dhe njëkohësisht paraqet rihapjen, vazhdimësinë qindra vjeçare të medreseve në Prizren e regjion.

 

VI. Në vend të përmbylljes

Në përfundim duhet theksuar se themelimi, shtrirja dhe zhvillimi i sistemit shkollor dhe edukativ është rezultat i mësimit islam dhe i raportit të Islamit kundrejt dijes dhe meditimit. Medresetë gjithnjë kanë prezantuar kështjella në të cilat janë filluar, zhvilluar dhe ruajtur vlerat fetare, morale, edukative-arsimore e kulturore, shoqërore e nacionale të cilat paraqesin identitetin e çdo populli.

Edhe Medreseja në Prizren paraqet trashëgimtaren e ish-medreseve në Prizren e më gjerë që si Diell të ndriçojë ndërmjet dy qytetërimeve (atij kristian dhe islam), të hedhë ura mirëkuptimi ndërmjet dy botëve (evropian dhe jashtëevropian), që t’i lidhë fijet ndërmjet dy periudhave kohore (të kaluarës dhe të ardhmes).

Medreseja sot, me objektet dhe infrastrukturën përcjellëse që ka, me kuadrin e kualifikuar dhe premtues, me interesimin e të gjithë faktorëve kompetentë dhe të popullit, dhe me ndihmën e Zotit, është garanci e të ardhmes sonë.


[1] Shih: Xhorxh Sarton, Historia e shkencës islame, Tiranë, 2009.

[2] L. S. Vasiljev, Istorija religija istoka, Beograd, 1987, fq. 86.

[3] Medresetë në periudhën osmane janë të ndikuara nga medreseja Nidhamije e turqve selxhuk dhe kanë ndjekur rrugën e sunizmit. Sipas: Enes Karic, Prilozi, po aty, fq. 133 dhe 135.

[4] Sipas: Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gj. Albanologjike, 1/ 1962, Prishtinë, fq. 93.

[5] Skender Rizaj, Gjurmime Albanologjike seria e shkencave historike, nr. XIII-1983, fq. 62.

[6] Esat Haskuka, Historijsko-geografska analiza urbanih funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, fq 148.

[7] Sipas: Jusuf Osmani, Rezistenca e kuadrit dhe e institucioneve fetare kundër reformës agrare dhe kolonizimit në Kosovë midis dy Luftërave Botërore, në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë, 1995, fq. 488.

 

Tanzil.net

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 17 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës