Artikujt

Kontributi i Ebu Hanifës në shkencën e hadithit

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

 

Hyrje

Kontributi i Imam Ebu Hanifës[1] në shkencën e hadithit dhe njohja e tij e hadithit është e pamundur të shtrohen në një shkrim të shkurtër. Për këtë arsye, synimi ynë është që të për­piqemi në m­ë­nyrë sa më përmbledhëse t’i shtrojmë të dhënat më kryesore dhe të ndihmojmë në shpjegimin dhe qartësimin e disa çasteve kyç. Po ashtu, ky shkrim ka për synim ta provojë të vërtetën para të p­a­in­formuarve, por edhe para kundërshtarëve dhe të përgën­j­e­sh­trojë fanatikët lidhur me paragjykimet e tyre lidhur me qënd­ri­min e E­bu Hanifës rreth hadithit dhe përdori­mit të tij në shqyr­ti­min e çësh­t­je­ve islame në akaid, fikh etj. Du­het pranuar se kohëve të fundit ja­në bërë disa shkrime lid­h­u­r me këtë temë nga kënde të nd­r­y­sh­me, andaj, përpjekja jonë do të jetë që të kemi sa më pak përsëri­t­j­e.[2]

 

Interesimi i Ebu Hanifës për hadithin dhe shkencat e hadithit 

Ebu Hanifa qysh në rini është interesuar për Kur’anin dhe Hadithin, sikurse edhe shumica e fëmijëve muslimanë të kohës së tij, por shkaku i moshës së tij të re, transmetimet e tij të ha­di­thit nuk janë pranuar.[3] Ai mësoi hadithin në Kufë, e më vonë në Basra. Por, mësimet i vazhdoi edhe në Medinë dhe Mekë.[4] Bashkëkohësit dhe nxënësit e tij e theksojnë intere­simin e tij për hadith, por dhe udhëtimet e tij në kërkim të hadi­thit në vende e shkolla të ndryshme. Këtë rast e pohon një transmetim të cilin e shënon Ibn Abd’ul-Berri, e në të cilin Ebu Hanife thotë:

“Kur në vitin 93 h. me babain shkova në haxhillëk, kam qe­në 16 vjeç. Me këtë rast e kam parë një plak, rreth të cilit qenë tu­b­u­ar njerëzit. E kam pyetur babain: Kush është ai plak? Është për­gji­gjur: Ai është Abdullah b. El-Haris b. Xhez’iu, njëri nga as’habët e Pejgamberit (s.a.v.s.)! E kam pyetur sërish: Ç’mund të merret prej tij? Më ka thënë: “Hadithet të cilat i ka dëgjuar prej Pej­ga­m­b­e­rit(s.a.v.s.)! E kam lutur që të afrohemi, në mënyrë që të dë­gjoj diç prej tij. Kur iu afrova, e kam dëgjuar se si thekson se Pej­gam­beri i Zotit (s.a.v.s.) ka thënë: Kush e kupton fenë, Allahu do t’ia plo­­sojë nevojat e tij dhe do ta furnizojë atë nga nuk e lloga­rit ai!  [5]

Dijetarët mendojnë se Ebu Hanifa kishte përzgjedhur rreth 40 mijë hadithe, e të cilat i kishte marrë nga dijetarë të shquar të Kufës, Irakut dhe vendeve të tjera. Kur dëgjonte se ndonjë mu­­haddith kishte ardhur në Kufë për t’ua mësuar hadithin nje­rëz­ve, ai e dërgonte ndonjërin nga nxënësit për të dëgjuar se ç’fliste mbi hadithin, që të shihte se mos vallë ai posedon hadi­the që ky nuk i ka e t’i merrte prej tij.[6]

Edhe Muhammed ibn El-Hasani e pohon një gjë të tillë. Thotë:

“E kam dëgjuar Ebu Jusufin duke thënë: “Me Ebu Hanifën i diskutonim gjërat që kishin të bënin me kapituj të ndryshëm të di­turisë. Kur ai e thoshte mendimin me të cilin ne pajtoheshim, unë dilja dhe i vizitoja dijetarët e Kufës, që të gjeja ndonjë ha­dith apo thënie që do ta përforconte thënien e tij. Ndoshta gjeja dy apo tre hadithe dhe vija tek ai. Ndonjërin e pranonte e ndo­njërin e refuzonte dhe thoshte: “Ky nuk është i vërtetë (sa­hih) apo nuk është i njohur (ma`ruf), edhe pse i përshtatej mendimit të tij. Kurse unë i thosha: “Prej nga e di këtë? Ai tho­shte: “Unë jam i ditur falë diturisë së dijetarëve të Kufës.”[7]

Edhe Imam Abdu’l-Vehhab Esh-Sha'rani cek se Ebu Ha­ni­fa i ka mësuar hadithet nëpërmjet mësuesit të tij, Ata'it, ndërsa Ata'i ka qenë nxënës i Ibn Abbasit (r. a.).[8]

Sa është angazhuar Ebu Hanifa në tubimin dhe studimin e hadithit, dëshmon shembulli i Amr ibn Dinarit, muhaddith i njo­hur nga Meka, i cili kur Ebu Hanifa merrte pjesë në lig­jë­ra­tat e tij, vetëm atij i drejtohej.[9]

Edhe thëniet e Mekkij ibn Ibrahimit dhe të Jezid ibn Ha­ru­nit flasin afirmativisht për kompetencën e Ebu Hanifës në hadith:

أحفظ أهل زمانه.

“(Ebu Hanife) ishte hafidhi më i madh i hadithit në kohën e tij.”[10]

Edhe shembulli i Mis'ar b. Kidemit, hafidhit të besueshëm të hadithit nga Iraku, i cili, duke u kujtuar, thotë për Ebu Hanifën:

طلبت مع أبي حنيفة الحديث فغلبنا ، وأخذنا في الزهد فبرع علينا ، وطلبنا معه الفقه فجاء منه ما ترون.

“Së bashku me Ebu Hanifën e kemi kërkuar (studiuar) ha­di­thin dhe ai na tejkalonte! Kemi garuar në zuhd dhe ai na e tejkalonte! Kemi zgjidhur çështje fikhore (sheriatiko-juridike), e ai ka arritur atë që tashmë e dini!” [11]

Shpeshherë Ebu Hanifa ulej në ligjëratat e Malikut, edhe pse ky ishte më i ri se Ebu Hanifa. Një ditë, derisa ishte ulur me Abdullah ibn Mubarekun, erdhi një njeri, të cilit Maliku i tre­goi respekt të jashtëzakonshëm dhe e uli afër vetes. Kur shkoi ky njeri, Imam Maliku e pyeti Abdullahun: “A e di kush është ai?” Ky ishte Ebu Hanifa nga Iraku, i cili, vetëm nëse dëshiron, mund të dëshmojë se kjo shtyllë është e bërë prej arit.”[12]

Me një rast tjetër Abdullah ibn Mubareku thotë:

أفقه الناس أبو حنيفة ، ما رأيت في الفقه مثله.

“Ebu Hanifa është juristi më i madh. Unë nuk kam parë ndonjë si ai në fikh (jurisprudencë).[13]

Rastet e tilla janë të shumta, që dëshmojnë namin dhe kom­petencën e Imam Ebu Hanifës në shkencat islame.

 

Raporti i Ebu Hanifës ndaj hadithit

Imam Ebu Hanife qëndrimet e tij besimore, por edhe fik­ho­re, pas Kur’anit, i ka bazuar në Sunnet, në burimin e dytë të Sheri’atit. Këtë e ka bërë duke u bazuar në ajetin kur’anor: “E bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni.” (Ali Imran, 132) Përkundër këtij fakti, qarqe të caktuara si në kohën e tij, ashtu edhe aktualisht, trillojnë, shpifin dhe e zhvlerësojnë kontributin e Imam Ebu Hanifës në hadith dhe në përdorimin e hadithit në shkencat islame nga ana e Imamit. Qysh gjatë jetës së tij, ai pati dëgjuar për, kinse, preferimin e analogjisë kundrejt hadi­thit[14] në çështjet fikhore, me ç’rast pati reaguar prerazi:

“Gënjejnë, për Zotin! Shpifin të gjithë ata të cilët thonë se ne preferojmë analogjinë ndaj sunnetit! Vallë, a ka nevojë të pë­r­do­ret analogjia kur ekziston teksti i qartë i hadithit?” Imami vaz­h­don të pohojë: “Ne e kemi përdorur analogjinë vetëm në rast do­mosdoshmërie dhe këtë, nëse nuk kemi mundur të gjejmë kurr­fa­rë dëshmie në Kur’an, sunnet dhe në praktikën e as’habëve.” [15]

Është e njohur edhe thënia e Imam Ebu Hanifës si për­gji­gje atyre që përpiqeshin ta denigrojnë atë:

 “Nëse hadithi është sahih, ai është medhhebi im.” [16]

Këtë e forcon edhe rasti vijues: I qortuar nga halifi Xha’fer El-Mensuri se po i jep përparësi analogjisë kundrejt hadithit, Ebu Hanifa përgjigjet:

“O sundues i besimdrejtëve! Atë që e ke dëgjuar nuk është e vërtetë. Unë e marr së pari Librin e Zotit, pastaj Sunnetin e Pej­ga­m­berit, pastaj vendimet e Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut, dhe vetëm më pastaj vendimet e as’habëve të tjerë. Por, nëse tek ata gjej qëndrime të ndryshme, unë i drejtohem gjykimit të lirë.”[17]

Dijetarët konsiderojnë se arsyeja që Imam Ebu Hanifa nuk u preokupua me transmetimin e hadithit aq sa u preokupua me të kuptuarit e tij, fikhun e tij dhe mbledhjen e teksteve, konsis­ton në konfirmimin e meseleve, unifikimin e dispozitave, njoh­jen e de­ro­gimit dhe të deroguarës, të përgjithshmes dhe të ve­çan­tës dhe të tërësishmes dhe të përcaktuarës.[18] Kështu patën vepruar edhe Ebu Bekri, Omeri, Uthmani e Aliu (r. a.). Ata qe­në në përcjellje të Mu­hammedit a. s., por nuk shquhen në trans­me­tim të hadithit.[19]

Disa thonë se arsyeja për këtë atak ndaj Ebu Hanifës ka qenë për shkak të kushteve, kritereve rigoroze të Ebu Hanifës në pranimin dhe transmetimin e hadithit. Ka shumë kushte, por disa më kryesoret janë këto:

1. Hadithi refuzohet nëse e kundërshton shkronjën e Kur­’­anit apo kuptimin e përgjithshëm të një fjale të tij, duke u ba­zu­ar në fja­lët e Muhammedit a. s.: “Hadithi duhet domosdo të pajtohet me Kur’anin, e nëse e kundërshton Kur’anin, ai nuk është prej meje.”[20]

2. Nëse një hadith është në kundërshtim me hadithin tjetër autoritativ (meshhur).[21]

3. Nëse transmetuesi i hadithit nuk është fakih (jurist).[22]

4. Nëse transmetuesi i hadithit sillet në kundërshtim me hadithin e transmetuar.

5. Nëse hadithi vjen në kundërshtim me hadithin, të cilin e konfirmon edhe analogjia etj.[23]

6. Ka edhe një çështje të cilën e fokuson Kastalaniu në ko­men­tin e Sahihut të Buhariut, i cili thotë se arsye me relevancë është edhe qëndrimi i Ebu Hanifës se “imani as nuk shtohet as nuk pakësohet”dhe se “imani përbëhet nga besimi dhe shqip­ti­mi, por jo edhe nga veprimi”. Ky qëndrim i ka shtyrë shumë dijetarë që të kenë qëndrim negativ ndaj transmetimeve të Ebu Hanifës dhe Ebu Hanifës në përgjithësi.[24]

Duke e marrë parasysh se muhadithët apo fakihët e tjerë ki­shin vendosur rregulla më të lehta për pranim dhe trans­me­tim të haditheve, në pajtim me këtë ata kanë shënuar dhe tu­bu­ar më shumë hadithe se sa Ebu Hanifa. Por, ky fakt nuk është tregues se Ebu Hanifa nuk e njeh shkencën e hadithit apo e njeh atë në më­nyrë të kufizuar. Përkundrazi, tregon në njohjen solide të shk­en­cës dhe në aftësinë për të diferencuar hadithet e vërteta nga të pavërtetat, apo ato që nuk plotësojnë kriteret për t’u përdorur.

Është me rëndësi të ceket edhe një gjë që e aktualizon Al-lameh Shibli Nu’mani. Ai thekson se koncepti muxhtehid dhe muhaddith janë dy kategori tërësisht të ndryshme. Muhaddithi me vëmendje i hulumton të gjitha llojet e tregimit – udhëzimit, rrëfimit, thëniet për virtytet dhe të dhënat biografike.Muxhte­hidi, nga ana tjetër, kryesisht merret me ato transmetime nga të cilat mund të nxirret parimi i ligjit. Për këtë arsye, muxhtehidët shumë më rrallë citojnë transmetime hadithesh krahasuar me muha­di­thët. Kjo edhe është një arsye me rëndësi përse Ebu Hanifa më pak njihet si muhaddith e më shumë si fakih[25] dhe përse disa ma­ni­pulojnë me faktet, ndërsa këtë e bëjnë për interesa të ngushta.

Ndër kontributet më të vlefshme të Ebu Hanifës në zhvi­llimin e shkencës për hadithin është vlerësimi i transmetimeve, në bazë të të cilave ka nxjerrë udhëzime juridike, e në pajtim me hadithin. Burimi parësor i udhëzimeve juridike është Kur’­ani, kurse pas tij vjen hadithi. Ndërmjet tyre nuk ka dallim thel­bë­sor-Kur’ani është wahj metlu’ (shpallje e shkruar), ndërsa ha­di­thi është wahj gajru metlu’ (shpallje e pashkruar), por ndërmjet tyre ekziston dallimi në aspekt të dëshmisë. Meqenëse trans­me­timet ndryshojnë në aspekt të shkallës së dëshmisë dhe ky fakt duhet të merret parasysh gjatë nxjerrjes së udhëzimeve ju­ridike. Klasifi­kimi i transmetimeve sipas tradicionalistëve në sahih (autentik, i vërtetë), hasem (i mirë), da’if (i dobët), mesh­hur (mirë i njohur), aziz (i shtrirë i kufizuar), garbi (i rrallë) është i mangët, sepse nuk i vlerëson si burime të urdhëresave juridike. Ata vetëm trans­me­ti­met da’ifë i konsiderojnë të pa­bazuar, duke i lënë të gjithë të tjerët barabartë të pranueshëm. Vlerësimi i tillë për ta nuk ka qenë i domosdoshëm, sepse nxje­rrja e urdhëresave dhe udhëzimeve juri­di­ke edhe nuk ka qenë detyrë e tyre. Ebu Hanifa ndihej i thirrur ta ndërmarrë këtë punë pioniere në sistematizimin e fikhut. Në paj­tim me këtë, transmetimet i ka ndarë në tre grupe:

1) Mutewatir – është hadithi transmetuesit e të cilit në çdo fazë të transmetimit kanë qenë të mjaftueshëm ashtu që nuk ekziston mundësia të pranohet gënjeshtra si e vërtetë.

2) Meshhur – është hadithi transmetuesit e të cilit në të gjitha fazat, përveç fazës së parë, janë po aq të shumtë sikurse edhe në traditën mutevatir.

3) Ahad – është hadithi i cili nuk është as mutevatir, as meshhur.

Deri sa dispozita juridike e nxjerrë nga tradita mutevatir është e plotfuqishme dhe e bazuar, dispozita juridike e nxjerrë nga meshhuri nuk është e plotëfuqishme por, në mënyrë sup­le­me­n­tare mund t’i përkufizojë urdhëresat absolute të Kur’anit dhe kë­shtu ta plotësojë. Tradita ahad, meqë autenticiteti i saj është ve­të­m parashtrim, në asnjë mënyrë nuk ndikon në udhë­zi­met e q­ar­ta të dhëna në Kur’an. Ebu Hanife, duke zgjedhur rrugën e mes­me, duke dëshmuar objektivitetin e gjykimit të tij dhe mend­je­mprehtësinë e mendjes së tij, nuk e ka refuzuar në tërësi tregi­mi­n e një personi (siç bënë mu’tezilitët) por as duke i pranuar për përfundimtare (siç bënë tradicionalistët) duke i kuptuar tek­s­tu­alisht dhe sipërfaqësisht, duke ndjekur rrugën e disa as’habëve, të Omerit (r. a.), Aishes r. a. dhe Abdullah ibn. Mes’udit (r. a.).[26]

Kjo i ka shtyrë disa mosnjohës të realitetit që të kons­ta­toj­në gabimisht se Ebu Hanifa shumë vendime i ka marrë me h­a­mendje e jo në bazë të Sunnetit të Pejgamberit të Allahut.[27] Lidhur me të tillët Imam El-Kevtheriu, All-llahu i Madhëri­shë­m e mëshiroftë, thotë:

“Kush mendon se Ebu Hanifa ka ditur pak hadithe apo se ka i përdorur shumë hadithet e dobëta (daif), ai nuk di asgjë nga gjërat që duhet ditur, siç nuk i di kushtet e pranimit të haditheve të caktuar nga dijetarët e mëdhenj (imamët e hadithit). Pos kë­saj, ky bën gabim të madh kur njohuritë e imamëve muxhtehidë i mat me peshoren e vet që ka e që me siguri se është e çrregullu­a­r­.[28]

 

Kompetenca në kritikën e transmetuesve dhe në metodologjinë e studimit të hadithit

Kompetenca e Ebu Hanifës në kritikën dhe vlerësimin e hadithit ofron prova të mjaftueshme për ekspertët që ta kla­si­fikojnë ndër njohësit e jashtëzakonshëm të kësaj disipline. Mendim të këtillë kanë pasur edhe Tirmidhiu, El-Bejhekiu, Imam Edh-Dhehebiu, Hafidh Ibn Haxher El-‘Askalaniu etj.[29]

Madje, Ebu Hanife nuk ishte muxhtehid vetëm në fushën e të drejtës islame, por ishte muxhtehid edhe në fushën e hadithit dhe të fushave të hadithit. Burime të shumta provojnë se Ebu Hanifa ka kontribuar në përkufizimin e metodave të studimit të hadithit, siç është metoda e leximit dhe citimit të hadithit nga ana e nxënësit te mësuesi është më e mirë se citimi i hadi­thit nga ana e mësuesit te nxënësi.[30]

Po ashtu, lejimi i tij që te leximi i hadithit para mësuesit mund të përdoret shprehja haddethena / na ka treguar, na ka përcjellë dhe ahberena / na ka njoftuar, lajmëruar, me çka i ësh­të kundërvënë ‘Abdullah b. El-Mubarekut, Ahmedit dhe Nesaiut, më së miri e vërtetojnë ixhtihadin e tij në këtë fushë. Me me­to­dën e tij janë pajtuar edhe ekspertët nga Hixhazi, Kufa, e si­do­mos nga Sufjan Eth-Thevriu.

Ebu Hanife iu kundërvu mendimit të Ez-Zuhriut, Esh-Sha’biut, Alkamit, Malikut e të tjerëve, të cilët pohuan se al-munawala,[31] si metodë e studimit të hadithit, është e të njëjtit nivel dhe fuqi sikurse edhe es-sama’[32]. Kjo metodë e tij më vo­në u aprovua thuajse nga të gjithë ekspertët e hadithit, sikurse ‘Abdullah b. El-Mubareku, Esh-Shafiu, Ahmed b. Hanbeli, En-Ne­veviu etj., gjë që që e radhit Ebu Hanifën në shkencëtar të pavarur dhe në këtë shkencë të hadithit.

Ebu Hanifa është i shquar edhe me kontributin e tij të jas­h­tëzakonshëm në bazat e hadithit: në metodologjinë e shkencës së hadithit, në njohjen e njerëzve (transmetuesve) dhe pozitën e tyre, transmetimet nga mësuesit e tyre dhe transmetimet e nxënësve prej tyre. Ebu Hanifa dha kontribut të veçantë në përpilimin e rregullave të hadithit që u trajtuan në shumë libra të metodologjisë së hadithit, që i transmetuan nga njerëzit e këtij lëmi. Muhadithi i mirënjohur, Mes`ud ibn Shejbe es-Senedi, në librin e tij “Et-Ta`lim” shkroi një kapitull të posa­çëm që ka të bëjë me këtë çështje dhe tha: “Dije që fjalët e Ebu Hanifës rreth xherhit dhe ta`dilit (dëmtimi apo mosdëmitimi i transmetuesve të hadithit) janë të pranuara, i kanë pranuar dijetarët që merren me këtë lëmi dhe kanë vepruar sipas tyre, sikurse që i kanë marrë nga Imam Ahmedi, Buhariu, Ibn Muini dhe të tjerët.[33]

Meritat e Ebu Hanifës në shkencën e hadithit janë të kon­siderueshme, edhe pse të lëna në harresë dhe të pazhvilluara nga ai nivel. Fjala është për meritën e Ebu Hanifës në formu­li­min dhe aplikimin praktik të parimit të kritikës racionale (dira­jat), që nuk ka paralele në historinë e mësimit. Ibn Haxheri lidhur me këtë thotë se fatkeqësisht nuk ka pasur interesim për përpunimin e sistemit të kritikës shkencore dhe nuk janë shkr­uar vepra të mjaftueshme. Ebu Hanifa fillimet e kësaj kritike i ka gjetur tek as’habët, por që, për fat të keq, në periudhën e më­vonshme, kjo çështje u shty në plan të dytë.[34]

 

Musnedi i Ebu Hanifës

Imam Ebu Hanifa ka pasur hadithe të shumta. Hafidh Ze­kerija ibn Jahja në veprën e vet El-Menakib e thekson tran­s­me­ti­min e Jahja ibn Nasir ibn Haxhibit, i cili thotë:

“E kam dëgjuar Ebu Hanifen – e mëshiroftë All-llahu i Ma­dhëruar - i cili ka thënë: ‘Posedoj disa arka plot me hadithe; nuk kam transmetuar prej tyre, përveç pak, që është e dobishme.’”[35]

Po ashtu, El-Muveffiku transmeton se Ibn Xhurejxhiu ka thënë:

“Ebu Hanifja – e mëshiroftë All-llahu i Madhëruar – u për­gjigjej meseleve (jepte fetva) duke u mbështetur në bazë të saktë (në ajet kur`anor ose në hadith).”[36]

Hasan ibn Zijadi thotë:

“Imam Ebu Hanifa transmetoi katër mijë hadithe të karak­te­rit juridik (ehadithu’l-ahkam): dy mijë të Hammadit dhe dy mijë të mësuesve të tjerë. Këto hadithe i kishte zgjedhur nga katërdhjetë mijë hadithe, e mëshiroftë All-llahu.”

Ne`im ibn Amri thotë:

“E kam dëgjuar Ebu Hanifën duke thënë: “Çudi, njerëzit thonë: “Unë jap fetva duke u mbështetur në arsyen time, po unë nuk jap fetva vetëm se i mbështetur në hadith!! [37]

Por, vepra më e rëndësishme e Ebu Hanifës në hadith është Musnedi[38], një përmbledhje hadithesh që i atribuohet Imam Ebu Hanifës. Por, ai nuk shkroi një libër të tillë. Atë e mblodhën dhe e shkruan nxënësit e tij, pas vdekjes së tij. Në këtë mënyrë kemi disa vepra të njohura me hadithe të vlefsh­me:

KitEbu’l-athar i Ebu Jusufit,

KitEbu’l-atharu’l-merfu'a, i Muhammed b. Hasan Esh-Shejbaniut,

KitEbu’l-atharu’l-merfu'a ve’l-mevkufe, i Muhammed b. Hasan Esh-Shejbaniut,

Musnedi i Hasan b. Zijad El-Lu'lu'it,

Musnedi i Hammadit, birit të Ebu Hanifës.[39]

Ebu’l-Muejjid El-Havarizmi (vd. 665. h.), i motivuar nga fjalët denigruese të dijetarëve të ndryshëm adresuar ndaj Ebu Hanifës se ai nuk e njeh hadithin, se ai nuk ka vepër hadithesh, se ai nuk i ka kushtuar kujdes hadithit në punën e tij etj., iu përvesh punës dhe pas një angazhimi hulumtues zbuloi 15 musnede të Ebu Hanifës.[40] Puna e tij rezultoi edhe me shumë informacione dhe dëshmi se qyteti Kufa në kohën e Ebu Ha­ni­fës ishte qendër shkencore dhe intelektuale. Kjo gjendje ishte qysh nga qëndrimi i Abdullah ibn Mes’udit si guvernator në Kufa, i dërguar nga Umeri (r. a.). Kufa kultivoi frymën intelek­tu­ale që pak qytete e posedonin. Po ashtu, vizitat dhe udhëti­met e shum­ta të Ebu Hanifës në shumë qendra shkencore të asaj kohe flasin vetvetiu se vetëm fanatikët sektarë dhe pseu­do­intelektualët mu­nd ta kontestojnë kompetentësinë e Ebu Hani­fës në hadith dhe shkencën e hadithit.[41] ‘Ali b. Ebi Talibi (r. a.), madje qysh më he­rët, qe fascinuar me ‘Abdullah b. Mes'udin r. a. dhe suksesin e arritur në Kufë: “Ky vend është përplot me dije / hadith dhe fikh­.”[42]

 

Pozita e Imam Ebu Hanifës në shkencën e hadithit

Përkundër kritikave të një numri dijetarësh, shumica e tyre konsiderojnë se Imam Ebu Hanifa është imam në hadith dhe shkencën e hadithit.

Ebu Davud Es-Sixhistani, autor i Sunenit, njërës prej gja­shtë përmbledhjeve më të njohura të hadithit, pohon: Allahu e mëshiroftë Malikun, Shafiiun dhe Ebu Hanifën, të cilët ishin imamë në hadith.”[43]

Abdulmelik ibn El-Mubareku për Ebu Hanifën thotë: “Vërtet ai është truri (shpirti) i shkencës (së hadithit).”[44]

Hafidh Edh-Dhehebiu, në veprën Mizanu’l-i'tidal, ka kri­ti­kuar muhaddithë të shumtë për shkak të mangësive, por Ebu Hanifën, Shafiun dhe Buhariun nuk i ka përmendur në kon­tekst negativ. Ngjashëm vepron edhe Hakim En-NejsEburi në veprën e tij të njohur Ma'rifetu ulumi’l-hadith.[45]

Ibn Tejmijje flet me respekt për Ebu Hanifën.[46] E konsi­deron njërin prej imamëve më të njohur dhe fakih më të ditur dhe më të madh se Tahaviun e të ngjashëm. Në një vend tjetër Ibn Tejmijje cek se të katër imamët kanë qenë imamë në ha­di­th, tefsir, tesavvuf dhe fikh.[47]

Këta dhe kolosë të tjerë të shkencës së hadithit dhe të Isla­mit, në përgjithësi, janë pajtuar që Ebu Hanifa ka qenë imam ed­he në hadith, duke pranuar saktësinë, mbamendjen dhe ba­zu­esh­mërinë në pranimin dhe transmetimin e hadithit. Në këtë frymë Abdullah b. Davud El-Hurejbiu përfundon: Musli­manët në na­mazin e tyre duhet t’i lexojnë dua Ebu Hani­fës, për shkak të kuj­desit, ruajtjes dhe kontributit të tij në su­nnet dhe fikh. [48]

Njohjen dhe vlerën e Ebu Hanifës në hadith e spikat edhe Imam Es-Serahsiu:

“Ebu Hanifa ka qenë njohësi më i madh i hadithit në kohën e tij. Mirëpo, për shkak të kriterit të tij rigoroz në aspekt të sak­tësisë së sasisë dhe kujdesit të madh që transmetimet e dobëta mos të përzihen me ato autentike, pak ka transmetuar hadit­h.”[49]

Lidhur me këtë Imam Alauddin El-Kasani pohon se hadi­theve që Imam Ebu Hanifa i ka shpallur për autentike askush pas tij nuk ka mundur t’u gjejë të meta dhe mangësi.[50] Në anën tjetër, Imam Shemsuddin Salih Shafi’iu pohon se Ebu Hanifa bën pjesë ndër hafizët më të mëdhenj të hadithit, duke shtuar se Ebu Hanifa është i pari që nxori zgjidhje sheriatiko-juridike nga hadithi. Ai shton: Si do të mund të nxirrte aq shumë për­fundime dhe të zgjidhte aq shumë çështje sheriatiko-juridike, sikur mos t’i kishte kushtuar kujdes të duhur!? [51] Edhe shumë autorë të tjerë kanë dhënë mendimet e tyre të vërtetuara lidhur me Ebu Hanifën dhe kompetencën e tij në shkencën e hadithi­t.[52]

Në fund e shohim të udhës të themi se shumë muhaddithë, me kalimin e kohës, kanë tentuar ta heqin etiketën si dijetar jo mjaft i udhëzuar në shkencën e hadithit nga Ebu Hanifa që ia patën ngjitur disa fanatikë sektarë dhe rigjidë. Edh-Dhehebiu, Ibn Kethiri, En-Neveviu, Es-Sem'aniu e të tjerë kanë konsu­mu­ar shumë kohë që të dëshmojnë se Ebu Hanifa nuk është aspak më i vogël në hadith se sa që ka qenë në fikh.

 

Në vend të përmbylljes

Imam Ebu Hanifa ishte dijetar i përmasave botërore, që nuk njeh kufij kohorë e hapësinorë, gjuhësorë, racorë apo te­rritorialë. Ai paraqet autoritetin kulmor në shumë shkenca, sikur­se janë akaidi, fikhu e hadithi etj. Mënyra e punës së tij i bëri parimet e shkollës së tij ndriçues jo vetëm për pasuesit e tij, por në përgjithësi për muslimanët. Ndodhi që sistemi juridik që e hartoi mexhlisi privat i juristëve, me në krye Ebu Hanifën, të bëhej ligj i vendeve dhe perandorive me shekuj.

Njohja e Ebu Hanifës e hadithit dhe e shkencës së hadithit dhe roli i tij në këtë fushë, përkundër kontestimeve nga grupet apo individët kundërshtarë, janë evidente dhe impozante. Thu­aj­se shumica e autoriteteve shkencore kontributin e tij e vle­rë­sojnë, ndërsa vepra “El-Musned” (e botuar edhe në gjuhën shq­i­pe) paraqet dëshminë më të mirë për konfirmimin tonë.

Me këto mendime nuk pretendojmë të themi se “gjykimet e Ebu Hanifës janë të pagabueshme dhe përfundimtare”, por pre­tendojmë se “qëndrimet e Ebu Hanifës kanë qenë korrekte, aq sa ka qenë e mundshme për një muxhtehid.” [53]

 


[1] Imam Ebu Hanife – Nu'man ibn Thabiti (80-150 h./699-767), njëri ndër dije­tarët dhe personalitetet më të mëdha që i ka pasur bota muslimane dhe bota në përg­j­i­thësi.

[2] Krahaso: Muhammad bin Al-Hasan Ash-Shaybani, The Muwatta of Imam Muhammad, London, 1425/2004, fq. 29 e tutje, sidomos fq. 32.

[3] Sidomos Shkolla e Kufës ishte rigoroze në pranimin e haditheve nga njerëzit e rinj në moshë. Sipas: Al-lameh Shibli Nu’mani, Imam Ebu Hanifa – zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 20.

[4] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 35.

[5] Ibn Abdu’l-Berr, Xhami’u bejani’l-ilmi ve fadlih, 1/45, Daru-l-kitabi ilmijji, Bejrut, pa vit botimi, sipashttp://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/­TEKS­TOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.

[6] Sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, kryejuristi musliman, pjesa e katërt, dorëshkrim në Logos-A, Shkup, që pritet të botohet gjatë vitit 2012.

[7] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[8] Esh-Sha’rani, El-Mizanu’l-kubra, Hajderabad, India, 1394 h., fq. 83 sipas:http://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf. Krhs.: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 36 etj.

[9] Ukud’ul-Juman, Kreu 10, sipas: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 41.

[10] Ibnu Maxheh `Ilm Hadith, fq. 166, sipas: http://alhaadi.org.za/articles­/­taq­le­e­d/­1174-a-glimpse-of-imaam-Ebu-haneefahs-rahmatullahi-alayh-expertise-in-the-science-of-hadeeth.html, në:http://breziiri.com/2011/03/09/veshtrim-rreth-njo­hu­rive-te-imam-ebu-hanifes-ne-shkencen-e-hadithit.

[11] Edh-Dhehebi, Menakibu Ebi Hanife, botim egjiptian, pa vend dhe vit botimi, fq. 27, sipas:http://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/­TEKS­TO­VI­/­ZBOR­NIK_6_2_.pdf.

[12] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 42.

[13] Tahdhibut-Tahdhib, vol. 10, fq. 450, sipas: http://alhaadi.org.za/articles/taqle­ed­/1174-a-glimpse-of-imaam-Ebu-haneefahs-rahmatullahi-alayh-expertise-in-the-science-of-hadeeth.html, në:http://breziiri.com/2011/03/09/veshtrim-rreth-njo­hu­rive-te-imam-ebu-hanifes-ne-shkencen-e-hadithit.

[14] Shih një analizë të frytshme: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 141-147. Muhammad bin Al-Hasan Ash-Shaybani, po aty, fq. 32 e tutje.

[15] Muhammed Ebu Zehre, Ebu Hanife – hajatuhu ve atharuhu ve arauhu ve fikhuhu (Kajro, pa vit botimi), fq. 273.

 [16] إذا صح الحديث فهو مذهبي , ابن عابدين في “ الحاشية “ ,1/63 .

[17] Ash-Sha’rani, Kitab’ul-Mizan, vëll. 1, bot. III, Egjipt, 1925, fq. 92-93. Një ver­sion të ngjashëm e thekson edhe Muhammed Ebu Zehre, po aty, fq. 274.

[18] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[19] Po aty.

[20] Ahmed Emin, Duha’l-islam, II, botimi IX, Kajro, 1979, fq. 186.

[21] Ibrahim Dzananovic, Idztihad u prva cetiri stoljeca islama, Sarajevo, 1986, fq. 65.

[22] El-Mekkij, I, fq. 163, sipas: Ahmed Emin, II, po aty, fq. 190.

[23] Sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra 5, Shkup, 2009, fq. 462-264. Konsulto gjer­ë­sisht: Mustafa Es-Sibai, Es-Sunnetu we mekanetuhu fi’t-teshri’i’l-islam, Bejrut, 1976, fq. 422-423.

[24] Al-lameh Shibli Nu’mani, Imam Ebu Hanifa – zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 119.

[25] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 42-43.

[26] Al-lameh Shibli Nu’man, po aty, fq. 150-158.

[27] Disa dijetarë harrojnë se imamët e mëdhenj përfundimet e tyre fikhore nuk i kanë bazuar në transmetime të pasigurta. Në këtë frymë ka vepruar edhe Imam Maliku, i cili i kundërshton mbi 70 hadithe joautentike, duke e përdorur ana­lo­gjinë në vend të tyre. Shih: Muhammed Muhammed Ebu Zehv, El-Hadithu ve’l-muhaddithune ev 'inajetu’l-ummeti-islamijje bi’s-sunneti’n-nebevijje, Daru-l-kitabi-l-'arebi, Bejrut, 1984, fq. 286, sipas: http://www.ipf. ­unze. ­ba/filead­min­/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.

[28] Sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[29] Tirmizi, KitEbu’l-‘ilel, i shtypur së bashku me Sunenin e tij, 5/696. El-Bejheki, Delailu’n-nubuvve, 1/43-46. (botim i Bejrutit, 1405 h.). Zafer Ahmed el-Osmani Et-Tehanevi, I'lau’s-sunen, Idaretu’l-Kur'ani ve‘l-'ulumi’l-islamijje, Karaçi, Pakis­tan, 1985, fq. 332. Edh-Dhehebi, Mizan al-i’tidal, 1/380. Ibn Haxher,Tehdhibu’t-tehdhib, 1/670. (Botimi: Mu’essesetu’r-risale, Bejrut, 1996). Krhs.: Et-Tahanevi, po aty, fq. 332. Muhammed Abdurreshid En-Nu'mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanifete fi’l-hadithi, Daru’l-beshairi’l-islamijje, Bejrut, 1995, fq. 66-67.

[30] Shih gjerësisht për këtë: Es-Sujuti, Tedribu’r-ravi, 2/10 dhe Zafer Ahmed el-Uthmani Et-Tehanevi,I'lau-s-sunen, po aty, fq. 332.

[31] El-Munawala (Dorëzimi) ndodh kur mësuesi i jep nxënësit të vet ndonjë për­mbledhje të hadithit dhe i deklaron se ai këto hadithe i ka dëgjuar prej mësuesve të vet. Në këtë rast nxënësi këtë përmbledhje munde ta për­shkruajë ose even­tu­a­lisht ta mësojë përmendsh dhe ato hadithe pastaj t’i transmetojë prej mësuesit përkatës. Shih: Mehmed Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, Logos-A, Shk­u­p, 1417/1997, fq. 49.

[32] Es-Sam’a (Dëgjimi) ndodh kur nxënësi ta dëgjojë hadithin nga goja e më­su­e­sit, qoftë ky ta shqip­tojë nga mbamendja apo nga libri. Sipas: Mehmed Hanxhiq, po aty, fq. 48-49.

[33] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[34] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 140-141 e tutje.

[35] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[36] Shih: Menakibu el-Muveffik, 1/95-96, sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[37] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[38] Gjatë vitit 2009 me angazhimin e Rrustem Spahiut, edhe në gjuhën shqipe e kemi veprën El-Musned të Imam Ebu Hanifës (Dr. Fuad Sediq, Musnedi i Imam Ebu Hanifes, Prishtinë, 2009, fq. 288).

[39] Kemi edhe musnede të tjera, si atë nga: El-Vehbiu, El-Harisi, El-Buhariu, Ibn el-Muzafferi, Muhammed b. Xha'fer al-'Adli, Ebu Nu'ajm El-Asbehaniu, Ebu Be­kr Muhammed b. 'Abdulbaki El-Ensariu, Ibn ebi El-'Avvaam Es-Sa'diu, Ibn Husrew el-Belhiu, Ebu el-Muejjid Muhammed b. Mahmud El-Hawarizmi dhe Ibn 'Ukde. Po ashtu, ekziston edhe musnedi i Darekutnit, Ibn Shahinit dhe i Hatib el-Bag­dadit. Shih: M. Es-Siba’i, po aty, fq. 413-415.

[40] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 414.

[41] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 415. Muhammed Ebu Zehre, po aty, fq. 146. M. Han­xhiq, po aty, fq. 23.

[42] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 416. Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.

[43] Ibn Abdu’l-Berr, po aty, 2/163.

[44] Muhammed Ebu Zehreh, po aty, fq. 374.

[45] Ma’rifetu ulumi’l-hadithi, fq. 240-249, sipas: http://www.ipf.unze.ba­/­file­a­d­min/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf .

[46] Ibn Tejmijje, Minhadžu’s-sunneti’n-nebevijje, 4/194-195.

[47] Ibn Tejmijje, po aty, 1/172-173.

[48] En-Nu’mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife fi’l-hadithi, fq. 32.

[49] Es-Serahsi, Usulu’l-fikh, 1/350. (Botim: Daru’l-kitabi’l-arebi, 1372 h.) Krhs.: En-Nu’mani, Mekanetu-l-Imam Ebi Hanife, fq. 57

[50] El-Kasani, Beda’i-sana’i fi tertibi’sh-shera’i, 2/97. (Botim egjiptian, 1327 h.). Krhs.: En-Nu’mani, Mekanetu-l-Imam Ebi Hanife, fq. 58, sipas: http://www. ­ipf. ­unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.

[51] Shih: En-Nu’mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife, fq. 66.

[52] Shih: Ikdu’l-xhevheri-s-semin, fi erbe’ine hadithen, min ehadithi sejjidi’l-mur­selin, fq. 4-6. (Botim egjiptian, 1322 h.); Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife, fq. 66-67.

[53] Al-lameh Shibli Nu’man, po aty, fq. 223.

 

Tanzil.net

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 12 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës