Artikujt

Imam Fahrudin Rraziu

Imam Fahrudin Rraziu

dhe tefsiri i tij “Mefatiihul Gajb”

(544 h. - 606 h.)

Të frymëzuar nga Kurani si thesar i pashtershëm i fjalës hyjnore, dijetarët islamë shkruan libra të tërë të tefsirit, në të cilët zunë vend fjalët, mendimet dhe komentimet e tyre, që sot e kësaj dite nuk kanë humbur aspak nga vlera dhe shkëlqimi i tyre.

Padyshim vendin më të spikatur në shkencën e tefsirit dhe sidomos në tefsirin racional e zë Muhammed bin Umer bin Husejn bin Ali et Tejmijj, El Bekrijj, et Taberistani, er Rrazi, i njohur më shumë si Fahrudin er Rraziu ose Ibnul Hatib esh Shafiij, - Imam i mutekel-liminëve, krenaria e Islamit dhe e muslimanëve dhe kurora e dijetarëve të kohës.

Fahrudin Rraziu u lind në qytetin Rrejj në vitin 544 h. dhe vdiç më 606 h. në Hera. Ishte i njohur, i nderuar dhe i respektuar në ndenjet e dijes (vendtubimet e dijetarëve) nga të gjithë. Meqë ishte një det i vërtet i dijes në shkencën e tefsirit, të akaidit (ilmul kelamit), logjikës, filozofisë, astronomisë, mjekësisë shkencave filologjike, fikhut dhe usuli fikhut etj., shumë prej dijetarëve të kohës nga të gjitha anët e botës islame, ia mësynin vendtubimeve ku ai ligjëronte.

Shkroi në lëmenj të ndryshëm. Ibni Halekani thotë: “Librat (veprat) e tij ishin shumë tërheqëse dhe të dobishme”. Duke qenë të tilla, u shpërndanë dhe lexoheshin nëpër tërë botën islame. Shkroi mbi 67 vepra në lëmenj të ndryshëm fetarë-shkencorë.

Në shkencën e Ilmul Kelamit-apologjetikës:

- “El Bejanu vel burhanu fi-rreddi ala ehli zejgi vet tug-jan”

- “Tehdhibu-d-delail ve ujunil mesail”

- “Irshadu-n-nedhair ila letaif el esrar”

- “Risaletun fi nubuvvat”

Në shkencën e Tefsirit:

- Tefsirul Kebir- “Mefatiihul Gajbi”

- “Tefsiru suretil Fatiha”

- Tefsiru es Sagir - “Esraru-t-tenzil ve envaru-t-te’vil”

- “Tefsiru Esmail Husna”

Në shkencën e Usuli Fikhut:

- “El Mahsul”

- “Tenbihul Ishareti”

- “El Mealim”

Në shkencat logjike, filozofi dhe metafizikë:

- “Sherhul isharat li Ibni Sina”

- “Mebahithul vuxhudi vel ademi”

- “Mebahithul xhedeli”

Në mjekësi:

- “Mesail et-tibb”, etj.

Imam Fahru Raziu ka shkruar edhe në gjuhën persiane si: “Err-Rrisaletul kemalijeh”, “Tehxhin ta’xhizil felasifeti” etj., por padyshim ajo që ngriti emrin e tij në kulmet e famës dhe renomesë në botën islame, është kryevepra e tij në shkencën e tefsirit “Mefatihul Gajbi” ose “Tefsirul kebir”.[1]

Dijetarët, pa dallim janë të mendimit se Fahru Rraziu ishte dijetari që e dërgoi Allahu që të ripërtërinte mësimet islame në shekullin VI hixhri.

Edhe dijetarët e proviniencës islame shqiptare, si Hafiz Ibrahim Dalliu në “Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit” dhe të tjerët, nga tefsiri i Rraziut u pajisën dhe u frymëzuan me njohuri të reja për Islamin dhe për kuptimet shumëdimensionale të Kur’anit fisnik. Dalliu në “Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit”, komentet e tij kryesisht i bazon në Rraziun.

 

Vlera dhe karakteristikat e tefsirit të Rraziut

Tefsiri i Fahru Rraziut është një ndër tefsirët më madhështorë të shkruara ndonjëherë në këtë shkencë. Vlera e tefsirit të tij është e madhe, aq më tepër kur dihet se ky tefsir është prej tefsireve racionalë, i cili, përpos ajeteve dhe argumenteve kuranore, përmban edhe argumente logjike-racionale.

Ky tefsir konsiderohet, me plot të drejtë, tefsiri më komplet, më i vlefshmi dhe më origjinali sipas metodës së komentimit racional, që i plotëson të gjitha kushtet e parapara nga dijetarët për lejimin e komentit të librit të Allahut sipas kësaj metode.

Tefsirin e Rraziut e karakterizojnë dhe e dallojnë shumë gjëra nga tefsiret e tjera, si:

- Është plotësisht i pastër nga israiliatet përjashtimisht në disa raste tejet të rralla, kur i cek disa rrëfime israilite vetëm sa për t’i demaskuar si jo të vërteta, siç është fjala për trillimin e disa tregimeve apokrife rreth Harutit dhe Marutit tek çështja e sihrit në Babiloni.

- Me ngulm i refuzoi dhe i hodhi poshtë disa transmetime të trilluara, të cilat cenojnë drejtpërdrejt “të mbrojturit e pejgamberëve- ismetul enbijaë”.

- Është karakteristik pse sjell shumë argumente rreth një çështjeje të caktuar dhe për demaskimin e dyshimeve rreth saj. Rraziu, pas cekjes së një a disa ajeteve gjatë komentimit, prek shumë çështje-mes’ele, pastaj në një çështje të caktuar zgjerohet duke e shtjelluar në mënyrë të shkëlqyer shkencore si nga aspekti gjuhësor, i apologjetikës, filozofik, i kiraeteve, i shkakkut të zbritjes, Usuli fikh, poezi etj.

- Është shumë i pasur në transmetime të “shkaqeve të zbritjes - esbabu en nuzul” rreth një ajeti, të cilat në të shumtën e rasteve i mbështet te ndonjë sahabij ose tabiij i njohur.

- Ajo që karakterizon këtë tefsir është edhe ngjyra filozofike, ku Rraziu shfaqi tërë afinitetin e tij prej dijetari i cili iu kundërvu fuqishëm rrymave të ndryshme filozofike, pastaj mu’tezilëve, rafidinjve etj., duke mbrojtur denjësisht parimet e Ehli Synnetit.

- Karakterizohet për “munasebatet”- lidhmëritë mahnitëse ndërmjet ajeteve dhe sureve, me të cilat i ka tejkaluar dukshëm të gjithë dijetarët para tij, etj.

- Fahru Rraziu gjatë komentimit të disa ajeteve në lëmin e Fikhut dhe Usuli Fikhut anon më tepër nga drejtimi juridik i shkollës shafite, sepse edhe vetë i përkiste këtij drejtimi.

-Fahru Rraziu në këtë tefsir ka cekur edhe mendimet e mufesirëve më të mëdhenj, si: Ibni Abbasit, Muxhahidit, Katades, Suddiut, Seid bin Xhubejrit, Taberiut, Mukatilit, Bakilaniut, Vahidiut, Ibn Kutejbes, Tha’lebiut dhe Zimahsheriut, madje nga ky i fundit zgjodhi mendimet e tij mu’tezilase, të cilave pastaj iu kundërvu me kundërargumente të forta dhe bindëse.

- Ka transmetuar nga aspekti gjuhësor edhe nga filologët më të famshëm, si: Esmeiu, Ebi Ubejde, Zuxhaxhi, Ferrai etj.[2]

- Një e metë e tij që gjithësesi vërehet gjatë shfletimit të këtij tefsiri është se për të argumentuar Rraziu shumë pak u mbështet në hadithet e Pejgamberit a.s.. Këtë ndoshta e bëri nga frika se mos po transmetonte ndonjë hadith të dobët ose apokrif dhe kështu do të sillte lexuesin dhe masën e gjerë në ndonjë lajthitje të padëshirueshme akaidologjike, prandaj shumë prej kritikëve në një masë edhe e e kanë arsyetuar një qëndrim të tij lidhur me këtë çështje.

 

Mendimet e dijetarëve rreth asaj se a e përfundoi

Fahru Rraziu tefsirin e tij

Në mesin e dijetarëve që u morën me biografinë, jetën dhe veprat e mufesirëve, ekzistojnë mospajtime të dukshme rreth faktit se a e ka përfunduar Rraziu komentimin e tefsirit të tij apo jo.

Ed-Davudi në veprën e tij “Tabekatul mufessirine” thotë: “Prej veprave të tij është edhe “Tefsirul Kebir”, i cili nuk është i përfunduar i tëri nga Rraziu….”[3]

Ibn Kadi Shehbeh dhe Ibni Halekani janë të mendimit se Rraziu nuk e ka përfunduar tërë tefsirin e tij.[4]

Ibni Haxher el Askelani thotë: “Ai që e përfundoi dhe plotësoi tefsirin e Rraziut,[5] është Nexhmudin el Kamuli, kurse autori i “Keshfu-dh-Dhununit” pohon se këtë tefsir e përfundoi Shihabudin el Hubi.[6]

Edhe mufesiri bashkëkohor, Muhammed Husejn edh-Dhehebi, mbështetet mendimet e këtyre dijetarëve me një konstatim personal, për të cilin megjithatë thotë se është i bazuar në supozime, e supozimi mund të jetë i saktë ose edhe i gabuar. Dhehebiu ndër të tjera thotë: “Ajo që mund ta them me siguri, është se Fahru Rraziu e ka shkruar tefsirin e tij deri në kaptinën “El-Enbijaë”, pastaj, siç duket, pas vdekjes së tij një pjesë të këtij tesfiri e plotësoi Shihabudin el Hubi, kurse të tërin e përfundoi Nexhmudin el Kamuli”.[7]

Mendimin e Dhehebiut e përkrah edhe dijetari tjetër bashkëkohorë Mennaul Kattan në veprën e tij “Mebahith fi Ulumil Kur’an”.[8]

Por këtë mendim të Dhehebiut nuk e kanë grupi i dijetarëve të tjerë, të cilët kanë po ashtu argumente mjaft të forta se ky tefsir është shkruar në tërësi nga Fahru Rraziu, me përjashtim të sures “El-Vakiatu”, për të cilën edhe këta pajtohen se nuk e ka shkruar ai.

Dijetari bashkëkohor Halil el Mejsi, në parathënien që i bën tefsirit të Rraziut, thotë: “Dijetarët kanë thënë se ky tefsir nuk është i shkruar i tëri nga Rraziu, dhe se ai ka arritur në komentim vetëm deri në suren “El-Enbijaë”, e pastaj këtë e plotësuan Nexhmudin el Kamuli dhe Shihabudin el Hubi. Sipas hulumtimeve që kam bërë, mund të konstatoj me plot kompetencë se Rraziu megjithatë e ka përfunduar tefsirin e tij, për se dëshmon më së miri stili dhe metoda e komentimit, të cilin fund e krye e përshkon e njëjta frymë komentuese.” [9]

Në këtë drejtim ndihmesën më të madhe e ka dhënë studiuesi bashkëkohor i tefsirit, Dr.Ali Muhamed Hasen el Imari në librin: ”Imam Fahrudin er Rraziu”, të cilin e ka botuar Katedra e Kur’anit dhe Hadithit pranë Kuvendit Suprem për çështje islame të Egjiptit. Ai ndër të tjera thotë: “Mendimi im pas studimeve të shumta rreth kësaj çështjeje nëpër thesarin arkivor të së kaluarës, është se imam Fahrudin Rraziu e ka përfunduar në tërësi tefsirin e tij “Mefatihul Gajb”. Mirëpo, pas invadimit tatar në Havarizm në vitin 617 h., d.m.th. 11 vjet pas vdekjes së Rraziut, ka humbur një pjesë e këtij tefsiri, sipas të gjitha gjasëve kaptina “El-Vakiatu”, të cilën pastaj rishtaz e ka komentuar Shemsudin el Hubi sipas metodës së Rraziut dhe ia ka bashkëngjitur këtij tefsiri. Është karakteristike se madje as kaptina “El-Vakiatu” nuk mund të dallohet se nuk është koment i Rraziut, sepse nxënësi i tij ndoqi besnikërisht metodën e mësuesit në komentim, gjë që lexuesi i rëndomtë as që mund ta hetojë.[10]

 

A mund të thuhet për tefsirin e Rraziut se është libër shkencor

Duke lexuar fletët e këtij tefsiri, herë-herë të duket se je duke lexuar ndonjë libër shkencor a filozofik dhe kjo ishte arsyeja që shumë prej dijetarëve të sulmonin metodën e komentimit të Rraziut me pretekst se është thelluar tepër në disa çështje shkencore. Ibni Atije thotë: “Në të ka gjithçka përveç tefsirit”, por këtë mendim të tij nuk e pranojnë edhe dijetarët e mëvonshëm dhe ata bashkëkohorë si Muhammed Ibrahim Selim i cili thotë: “Nuk jam dakord me mendimin e Ibni Atijes, sepse Fahru Rraziu, edhe pse e teproi nganjëherë në sjelljen e shumë argumenteve, megjithatë elaboroi dhe shtjelloi çdo temë ashtu siç është më së miri. Jemi të mendimit se Rraziu këtij qëllimi fisnik ia ka arritur dhe e ka realizuar në tërësi. Nga ana tjetër është fakt i pamohueshëm se ky tefsir i vëllimshëm është më tepër objekt studimi për një rreth më të ngushtë të dijetarëve sesa për masën e gjerë të lexuesve”.[11]

Edhe pse qasja e tillë e komentimit nga Rraziu, për disa ishte një risi e papranueshme në atë kohë, vetëm sot shihet se vlera e këtij tefsiri është shumë e madhe, aq më parë kur të kihet parasysh se atëbotë kur në Evropë as që shihej kund ndonjë shkëndijë e diturisë, Rraziu flet guximshëm për planetet dhe lëvizjet e tyre, gjë që shihet edhe nga komentimi që i bën ajetit 40 të sures Jasin:

وَكُلٌّ فِي فَلَكٍ يَسْبَحُونَ

“Dhe krejt (planetet) notojnë (lëvizin) nëpër orbitat e tyre të caktuara”,

duke thënë ndër të tjera: “ … Kjo argumenton se çdo planet e ka orbitën e tij. Sa u përket 7 planetëve secili prej tyre ka orbitën e tij të caktuar. (në kohën kur jetoi Rraziu njiheshin vetëm 7 planetë, kurse shumë më vonë astronomët zbuluan edhe dy planetë të tjerë të sistemit tonë diellor-Neptunin dhe Uranin, shënim i Abdurrahman Muhammedit, botuesi i tefsirit të Rraziut).

Është thënë se Hëna e ka orbitën e saj, e cila është më e shkurtër se orbitat e planetëve të tjerë, orbitat e të cilëve janë disa më të shpejta e disa më të ngadalshme…

Duhet të themi se planetët kanë formë dhe lëvizje sferike, gjithashtu edhe orbitat e tyre ndjekin të njëjtin shteg sferik. Po ashtu edhe Dielli, si planeti kryesor i sistemit tonë diellor, ka lëvizje sferike dhe është përherë në lëvizje.” [12]

Rraziu ishte dijetar i gjithanshëm: pos tjerash, ai kishte bërë studime edhe në lëmin e mjekësisë dhe të astronomisë. Ai u përpoq ta shpinte edhe më tutje mendimin islam, kështu që u hodh me guxim në oqeanin e shkencës me qëllimin shumë të sinqertë, që argumentet qiellore në gjithësi t’i vinte në shërbim të vërtetimit të fakteve kuranore, prandaj fjalët që i thanë disa mufesirë të vjetër dhe disa bashkëkohorë se ky libër mund të jetë çdo gjë por jo edhe tefsir, janë tepër të rënda dhe tendencioze.

Koha në të cilën jetoi dhe veproi Rraziu, ishte e stërngarkuar me përçarje të brendshme dhe sulme të pareshtura ideologjike nga jashtë. Në këtë kohë në hapësirat islame kundërshtim në mes Ehli Synetit në njërën anë dhe mu’teziles, shiinjve dhe rafidinjve në anën tjetër, ishin shumë të mëdha e të ashpra.

Dijetarët e Ehli Synetit, duke parë se mësimet e këtyre fraksioneve, dhe sidomos mu’teziles dhe rafidinjve kishin marrë hov, bashkuan forcat e tyre dhe iu kundërvënë këtyre grupeve me armën e tyre: filozofinë, logjikën dhe metafizikën. Ndër të parët që iu rrekën këtij misioni dhe detyre madhore ishte Fahru Rraziu i cili duke përfituar nga njohuritë e shumta në Ilmul Kelam, Filozofi, Logjikë etj. me mjaft sukses arriti që t’ia kthejë dinjitetin dhe krenarinë dijetarëve të Ehli Synetit. Ibni Subkiu atëbotë kishte numëruar mbi 29 fraksione me të cilat Rraziu zhvilloi polemika të ashpra dhe ngadhënjeu ndaj tyre me anë të forcës së argumenteve të Ehli Synetit.[13]

Fahru Rraziu ishte këmbëngulës dhe i bindur se rruga që kishte zgjedhur për t’i shërbyer Kur’anit ishte e drejtë dhe sillte rezultate. Mbi këtë bazë filloi tefsirin e kaptinës “El-Fatiha” në komentin e së cilës u zgjerua shumë. Ai në këtë rast qiti në sheh tërë madhështinë dhe urtësinë e Allahut në krijesat e Tij. Kur e komenton pjesën e ajetit “Rabbil alemine” - Zot i botëve”, ai sqaron se ekzistenca nuk është e kufizuar vetëm në botën tonë, sepse hapësira e pakufishme që na rrethon, përfshin edhe mijëra botë (planetë, galaktika) të tjera.

Rraziu në parathënien e tefsirit të tij thotë: “Dije se disa herë kam cekur mundësinë se nga kjo sure (El-Fatiha) mund të nxirren e të shtjellohen mbi 10 mijë çështje (mes’ele), një gjë që disa njerëz xhelozë, injorantë dhe arrogantë, shpeshherë ma kanë kontestuar. E kur iu rreka punës dhe fillova këtë tefsir, e shkrova këtë parathënie për t’ua bërë të gjithëve me dije se ajo që kam thënë, është e arritshme dhe e realizueshme.”[14]

Kur dëshironte të shpjegonte diçka Rraziu, këtë e bënte sipas stilit të tij të njohur, sillte sa më shumë mendime dhe transmetime, që pastaj të zgjidhte njërin si më të afërtin dhe më të saktin.

P.sh. gjatë komentimit të ajetit 44 të sures “El-Bekare”;

أَتَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبِرِّ وَتَنسَوْنَ أَنفُسَكُمْ وَأَنْتُمْ تَتْلُونَ الْكِتَابَ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

“A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?”,

 pasi shpjegon hollësisht kuptimet e fjalëve, ndalet te kuptimi i fjalës “birrun”, për të cilën sjell mendimet e dijetarëve dhe, ndër të tjera, thotë: “Dijetarët kanë disa mospajtime rreth kuptimit të fjalës “birrun” në kontekst të ajetit:

- Suddiu thotë se ky ajet u dedikohet përgjithësisht atyre njerëzve që urdhërojnë nënshtrimin ndaj Allahut, kurse vetë nuk i përmbahen këtij rregulli.

- Ibni Xhurejxhi thotë se ky ajet ka të bëjë me ata njerëz që i urdhërojnë të tjerët për të falë namazin, për të dhënë zekatin po vetë nuk i kryejnë këto detyrime.

- Ebi Muslimi mendon se ky ajet ka të bëjë me çifutët e Medinës, të cilët para ardhjes së Muhammedit a.s. i paralajmëronin idhujtarët mekas se një i dërguar i Allahut do të shfaqet prej mesit të tyre, i cili do të thërrasë për drejtësi e bamirësi, por kur Allahu e dërgoi Muhammedin a.s., ata nga xhelozia nuk e pranuan, veçse mohuan shpalljen e të Dërguarit.”

Rraziu pajtohet me mendimin e këtij të fundit duke shtuar se ajeti ka të bëjë përgjithësisht me çifutët që i urdhëronin të tjerët për të ndjekur e mësimet e Tevratit, kurse vetë i hodhën pas shpine, madje nga arroganca e tyre mohuan edhe misionin e Pejgamberit të fundit të Allahut - Muhammedit a.s.[15]

Në fund, është me interes të theksohen edhe disa fragmente nga porosia që ua la pak para vdekjes Imam Fahrudin Rraziu nxënësve të tij dhe dijetarëve të mëvonshëm: “Dijeni se unë kam qenë i flaktë për dituri dhe i dhënë me afsh pas saj, prandaj edhe shkrova për çdo gjë, sepse ajo sa arrita të kuptoja pas leximit dhe studimit të vazhdueshëm, është se këtë botë të ndjeshme materiale e drejton dhe e mbikëqyr Mbikqyrësi i saj, i Cili është i zhveshur nga çdo ngjashmëri me krijesat. Një kohë të gjatë u mora me mësimet e Ilmul Kelamit (apologjetikës) dhe filozofisë por në të nuk pashë ndonjë dobi që mund mund të krahasohej me të mirat që gjeta në Kur’anin e madhëruar, sepse Kur’ani thërret që madhështia dhe krenaria të jenë të tëra vetëm për Allahun xh.sh…

Ju porosis që kur të vdes lajmin e vdekjes sime të mos e përhapni, më qefinosni dhe më vendosni në varr duke kënduar pjesë nga Kur’ani, dhe pasi të më keni mbuluar me dhe, lutuni për mua dhe thoni: “O Allah i gjithëmëshirshëm e fisnik, të erdhi i varfri dhe i nevojshmi, ki mëshirë ndaj tij”. [16]

Allahu e mëshiroftë Fahru Rraziun për kontributin e tij dhënë shkencës së Tefsirit!


[1]  Imam Fahruddin Err-Rraziu “Mefatihul gajbi”, vëll. I, fq. 15. (Nga parathënia e botuesit).

[2] Muhammed Ibrahim Selim “Kissatu-s-Sihri ve-s-sehareti”, fq. 17, Kajro 1985.

[3] Hafidh Shemsuddin Ed-Davudi “Tabekatul mufessirin”, vëll. II, fq. 216., Kajro 1994.

[4] “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll. I, fq. 227.

[5] Ibn Haxher el Askelani, “Ed-Durer el kamineh”, vëll. I, fq. 304, Damask 1978.

[6] “Et-Tefsir vel mufessirun”, vëll. I, fq. 278.

[7]Po aty, fq. 227.

[8] Mennaul Kattan “Mebahith fi Ulumil Kur’an”, fq. 378-379, Kajro 1995.

[9] Muhammed Sejjid Xhibril “Med-hal ila menahixhil mufessirin”, fq. 17, Kajro 1985.

[10] Abdul Mun’im en Nimr, “Ilmu-t-Tefsir”, fq. 128, Kajro 1987.

[11] “Kissatu-s-Sihri ve-s-sehareti”, fq. 16

[12] Fahru Rraziu “Mefatihul Gajbi”, vëll. 25, fq. 76-77.

[13] Dr. Ali Muhamed Hasen el Imari, “Imam Fahrudin er Rrazi”, fq. 29, Kajro 1988.

[14] Nga parathënia e Tefsirit të Rraziut, vëll. 1, fq. 3

[15]Po aty, vëll. II, fq. 24

[16]Po aty, vëll. I, fq. 16-18.

Sabri ef. Bajgora

Tanzil.net

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 10 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës