Artikujt

Komentimi i kaptinës “El-Ihlas”

Komentimi i kaptinës “El-Ihlas”

       لْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ. اللَّهُ الصَّمَدُ. لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ. وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ

 

1. “Thuaj: Ai, Allahu është Një!

2. Allahu është Ai, të Cilit krijesat i drejtohen (mbështeten) për nevojat e tyre.

3. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.

4. Dhe askush nuk është i barabartë me Atë.”

 

Kaptina “El-Ihlas” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “En-Nas” dhe para sures “En_Nexhm”. Ka gjithsej 4 ajete, 15 fjalë e 47 shkronja.[1]  Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 112, kurse në radhitjen e zbritjes është e 22-ta.

Këtë mendim e përkrahin Ibn Mes’udi, Hasani, Atau, Ikrimja dhe Xhabiri.

Në anën tjetër Ibn Abbasi në një mendim tjetër të tij, Katadeja, Dahhaku dhe Suddiu janë të mendimit se kjo sure ka zbritur në Medinë,[2] por ky mendim është i paqëndrueshëm.

 

Emërtimi i kësaj kaptine

Kjo kaptinë njihet me shumë emra, por më i njohuri ndër ta është emërtimi “El-Ihlas”, sepse kjo kaptinë kryesisht flet për Tevhidin e pastër (Njëshmërinë) e Allahut xh.sh. dhe zhveshjen e Tij nga cilësitë që nuk përkojnë me Qenien e Tij hyjnore, të cilat ia mveshin njerëzit nga injoranca. Kjo sure është distancim i hapur nga shirku (politeizmi) dhe thërret në besimin monoteist e të pastër në një Zot të vetëm, Sunduesi i Universit.

Emërtimet e tjera të kësaj kaptine janë: “Et-Tefrid”, “Et-Texhrid”, “Et-Tevhid”, “En-Nexhat”, “El-Vilajetu”, “El-Ma’rifetu”. Pastaj njihet edhe me emërtimin po ashtu shumë të njohur ”El-Esas”, sepse kjo sure në vete përmban bazamentet themelore të besimit islam.Fahru Rraziu ka numëruar deri njëzet emërtime të kësaj sureje fisnike. Përveç emërtimeve që cekëm, ai përmend edhe këto: “En-Nisbetu”, “El-Ma’rifetu”, “El-Xhemal”, “El-Mukashkishetu”, “El-Meudhetu”, “Es-Samed”, “El-Maniatu”, “El-Mahdar”, “El-Muneffiretu”, “El-Beraetu”, “El-Mudhekkiretu”, “En-Nur” dhe “El-Eman”.[3]

 

Vlera e kësaj kaptine

Vetë emërtimet e shumta të kësaj kaptine tregojnë për vlerën e madhe të saj, mirëpo për vlerën e mirëfilltë të saj ka treguar edhe vetë i Dërguari i Allahut në shumë hadithe, të cilat gjenden pothuaj në të gjitha koleksionet e mëdha të Hadithit.

- Transmetojnë Muslimi, Darimiu dhe Nesaiu nga Ebu Derdaja të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “(Kul huvallahu ehad), është e barabartë me 1/3 e Kur’anit”[4]

- Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Tubohuni (afrohuni), sepse do t’jua lexoj 1/3 e Kur’anit”. Kur njerëzit u tubuan, i Dërguari a.s. doli para masës dhe lexoi: (Kul huvallahu ehad…), pastaj hyri brenda, kurse ne shikuam njëri-tjetrin me habi dhe thamë: I Dërguari i Allahut na tha se do të na lexonte 1/3 e Kur’anit dhe tha se ky njoftim i kishte ardhur nga qielli?! – thotë Ebu Hurejra. Pas pak kohe, vazhdon ai, i Dërguari i Allahut doli prapë dhe na tha: “Unë ju thashë se do t’jua lexojë 1/3 e Kur’anit, pra dijeni se kjo (kaptina El-Ihlas) është sa 1/3 e Kur’anit”.[5]

- Transmeton Buhariu nga Ebu Seid el Hudriu r.a. të ketë thënë: “U tha Resulullahu s.a.v.s shokëve të vet: “A mund ta lexojë dikush prej jush 1/3 e Kur’anit për një natë”. Ishte kjo një gjë e vështirë për ashabët, të cilët i thanë: O i Dërguar i Allahut, cili prej nesh mund ta përballojë këtë, për se i Dërguari a.s. u tha: Kul huvallahu ehad…” është 1/3 e Kur’anit”[6]

- Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi me sened të saktë nga Aishja r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut dërgoi njërin prej shokëve të vet si kryesues të një ekspedite vëzhguese, i cili gjatë qëndrimit në terren, shokëve të vet në çdo namaz ua këndonte kaptinën “El-Ihlas”, me të cilën po ashtu edhe përfundonte namazin. Kur u kthyen në Medinë, ata ia përmendën këtë veprim të tij Pejgamberit a.s., për se ai u tha: “Pyeteni shokun tuaj përse ka vepruar kështu?”. Kur e pyetën shokun e vet përse kishte vepruar kështu, ai u përgjigj: E dua këtë sure, meqenëse në të përmenden cilësitë e Mëshiruesit, dhe për këtë arsye e fal namazin me të. Atëherë i Dërguari i Allahut u tha atyre: “Shkoni e thuani shokut tuaj se edhe Allahu xh.sh. e do atë.”[7] Ndërsa në një rivajet tjetër nga Enesi r.a. citohet të ketë thënë: “Dashuria ndaj saj do të të fusë në Xhenet”[8]

- Transmetohet nga Enesi r.a. se një njeri kishte thënë: O i Dërguar i Allahut! Unë e dua këtë sure: (Kul huvallahu ehad), ndërsa i Dërguari a.s. i kishte thënë: “Dashuria ndaj saj do të të fusë në Xhenet”.[9]

- Transmeton Buhariu nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Çdoherë që i Dërguari a.s. binte për të fjetur, mblidhte shuplakat e tij, u frynte atyre dhe lexonte: (Kul huvallahu ehad…), (Kul eudhu bi rabbil felek) dhe (Kul eudhu bi rabbi-n-nas), pastaj me shuplaka prekte trupin a tij aq sa arrinte, duke filluar prej kokës dhe fytyrës së tij. Këtë veprim e përsëriste tri herë radhazi.”[10]

- Ka thënë i Dërguari i Allahut: Ai që e lexon (Kul huvallahu ehad) dhjetë herë, prej fillimi deri në fund, Allahu do t’ia ndërtojë atij një pallat në Xhennet.”[11]

- Transmetohet nga Ibn Dejlemiu, i cili i kishte shërbyer Pejgamberit a.s., të ketë thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut: “Kush e lexon (Kul huvallahu ehad) njëqind herë në namaz ose jashtë tij. Allahu do Ta shpëtojë nga Zjarri (i Xhehemit)”[12]

- Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se ky hadith është hasen, të cilin e përcjell nga Enes ibn Maliku të ketë thënë: i Dërguari i Allahut i tha njërit prej ashabëve të tij. A nuk u martove ende o filan? Ai i tha: Jo ende për Zotin o i Dërguari i Allahut? , sepse nuk kam asgjë (prej pasurisë) që të martohem!! Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: A nuk e ke (a nuk e di) (Kul huvallahu ehad…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/3 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha xhae nasrullahu vel fet’h …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Kul ja ejjuhel kafirun …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha zulziletil erdu zilzaleha…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; Pra martohu![13]

- Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: Isha duke ecur me Pejgamberin a.s., kur ai e dëgjoi një njeri duke lexuar (Kul huvallahu ehad), ndërsa i Dërguari a.s. kishte thënë: “U bë detyrim”. Cka u bë detyrim? - e pyeta unë, kurse ai tha: “Xhenneti”.”[14]

- Transmetohet nga Ubej bin Ka’bi të ketë thënë: Resulullahi s.a.v.s. në rekatin e parë të Vitrit e lexonte: (Sebbih isme rabbike-l-A’ëla), në të dytin, (Kul ja ejjuhel kafirun), ndërsa në të tretin (Kul huvallahu ehad).[15]

- Transmetohet nga Ebu Hurejra të ketë thënë se i dërguari i Allahut në dy rekatet e nanazit të sabahut lexonte (Kuj ja ejjuhel kafirun) dhe (Kul Huvallahu ehad)[16]

- Transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë: “I dërguari i Allahut pasi që i falte dy rekate (synet) të sabahut thoshte: “Sa të mira janë këto dy sure të cilat lexohen në dy rekatet e (synetit të) sabahut: “Kul Huvallahu ehad” dhe “Kul ja ejjuhel kafirune”.[17]

- Transmetohet nga Abdullah ibn Omeri r.a. të ketë thënë; ““E kam përcjellë me shikim të dërguarin e Allahut njëzetë e katër apo njëzetë e pesë herë, duke lexuar në dy rekatet (synet) para (farzit të) sabahut dhe në dy rekatet pas (farzit të) akshamit suret: “Kul ja ejjuhel kafirune”dhe “Kul huvallahu ehad[18]

-Po ashtu transmetohet edhe nga Xhabiri r.a. në një hadith të gjatë gjatë përshkrimit të haxhit të Pejgamberit a.s., i cili citon se i dërguari i Allahut  në namazin e tavafit pas Mekami Ibrahimit, i ka kënduar (Kul ja ejjuhl kafirun) dhe (Kul huvallahu ehad).[19]

- Transmetohet nga Aliu r.a.të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure. Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe (Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)[20]

- Transmetohet nga Abdullah ibn Hubejb el-Ensariu të ketë thënë: Na zuri një rigë e hollë shiu dhe u errësua, ndërkohë që që ne pritnim të Dërguarin e Allahut të na falte namazin.... Pasi që i Dërguari a.s. doli që të falej me ne, më tha: Thuaj! Çfarë të them o i Dërguar i Allahut e ai më tha sërish: Thuaj: “Kul huvallahu ehad”, dy “muavvedhetejnët”, sa herë që të ngrysesh (të biesh për të fjetur) dhe sa herë që të gdhihesh (zgjohesh) nga tri herë, dhe ato do t të mjaftojnë për çdo gjë”.[21]

Të njëjtin hadith e transmeton Nesaiu nga Ukbe ibn Amir el Xhuhenij, me shtesën në fund të fjalëve të Resulullahut s.a.v.s: “Askush nuk ka kërkuar mbrojtje prej Allahut me diçka të ngjashme sikurse këto (sure)”[22]

- Dijetari i madh, Shejhul Islam-Ibn Tejmije ka thënë: “Një grup dijetarësh kanë thënë se Kur’ani famëlartë përmban tri dimensione tematike: 1/3 – ka zbritur për Tevhidin-Njëshmërinë e Allahut, 1/3 tjetër përmban tregime-rrëfime për popujt dhe për pejgamberët e kaluar, kurse 1/3 e fundit përmban urdhra dhe ndalesa. Duke u nisur nga fakti se kaptina “El-Ihlas” përmban në vete konotacionet e dimensionit të Njëshmërisë së pastër të Allahut, d. m. th. Tevhidit, atëherë mund të thuhet me plot të drejtë se kjo sure simbolizon vërtet 1/3 e Kur’anit, ashtu siç ka pohuar edhe vetë i Dërguari a.s.”[23]

 

Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine

- Transmetojnë Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Xheriri nga Ubejj bin Ka’bi të ketë thënë: “Idhujtarët i thanë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s: O Muhamed, tregona prejardhjen (gjenealogjinë) e Zotit tënd? – për se Allahu xh.sh. zbriti këtë kaptinë: (Kul huvallahu ehad…)

- Katadeja, Dahaku dhe Mukatili transmetojnë e thonë: “Erdhën një grup çifutësh tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë: Na e përshkruaj Zotin tënd, sepse Zoti ynë e ka përshkruar Veten në Tevrat, prandaj na trego se prej çkaje është Ai? Prej cilit lloj është? A është nga ari, nga bakri apo nga argjendi? A ha dhe a pi Ai? Prej kujt e ka trashëguar këtë botë dhe kush do ta trashëgojë atë prej Tij?, dhe Allahu xh.sh., si kundërpërgjigje për këto pyetje, zbriti këtë kaptinë: (Kul huvallahu ehad…)[24]

 

Lidhshmëria e kësaj kaptine me disa nga kaptinat paraprake

Lidhmëria e kësaj kaptine me disa nga kaptinat paraprake, sidomos me atë “El-Kafirun”, është shumë e fuqishme, mu për faktin se surja “El-Kafirun”, është kaptinë në të cilën kishte një distancim të hapur nga pabesimtarët (idhujtarët) dhe besimi i tyre i gabuar, kurse në suren “El-Ihlas” shohim vërtetësimin e Njëshmërisë së Allahut xh.sh., i Cili dallohet për cilësi të përkryera e të përhershme, të cilat tregojnë për pafillimësinë dhe pambarimësinë e Krijuesit, tregojnë se Allahu është i zhveshur nga çdo e metë dhe është larg çdo përgjasimi me krijesat.

Mu për këtë arsye, shpeshherë, këto dy kaptina këndohen së bashku në namaz .

- Është përcjellë me transmetime të sakta se i Dërguari i Allahut këto dy sure i këndonte në namazin e sabahut, në namazin pas tavafit rreth Qabesë, në namazin e “Duhasë”, në synetin e akshamit dhe në namazin e udhëtarit.[25]

 

Koment:

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ

1. “Thuaj: Ai, Allahu është Një!

Besimi i drejtë në Allahun xh.sh., ishte boshti i tërë revelatave hyjnore. Ishte kjo pikë kyçe e misionit të të gjithë pejgamberëve të Allahut, që të thërrisnin popujt e tyre në besimin e drejtë në Krijuesin e Vetëm të kësaj ekzistence. Por, mjerisht, njerëzit, të nxitur nga lakmia dhe epshet e tyre, dhe gjithmonë të cytur nga shejtani i mallkuar, shpeshherë ranë pre e këtyre grackave, kështu që humbën e devijuan nga rruga e vërtetë e besimit në një Zot..

Disa të tjerë humbën arsyen dhe verbërisht ndoqën rrugën e idhujtarisë, duke i bërë shok Allahut xh.sh. Ishte kjo një besëtytni që u zhvillua nëpër shekujt e kaluar e që vazhdon pa ndërprerë edhe sot e kësaj dite, me të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, ani pse tash në mënyrë shumë më të sofistikuar.

Allahu xh.sh., njeriut nuk ia imponoi me dhunë besimin në Të, por e la të lirë për ta gjetur e zgjedhur të vërtetën, të cilën Ai sa e sa herë e sqaroi në Librat e Shenjtë dhe përmes të dërguarve të Tij të zgjedhur.

Në kohën e dërgimit të Muhammedit a.s., ky devijim besimesh kishte arritur kulmin. Njerëzit kishin humbur arsyen dhe besimin e drejtë e të mirëfilltë në një Zot. Në këtë gjendje të një kaosi të përgjithshëm, çifutët dhe të krishterët, si pjesëtarë të “Ehli Kitab-it”, kishin bastarduar tërësisht parimet e besimit të drejtë në Njëshmërinë e Allahut të Plotfuqishëm. Të parët, duke pohuar në mënyrë të palogjikshme se Allahu-Zoti ishte zot personal vetëm i tyre dhe se Uzejri a.s. ishte “djalë” i Tij, kurse të dytët, kishin shkuar edhe më larg në këtë devijim, duke pohuar se Allahu është një Qenie hyjnore e përbërë prej tri komponenteve të pandashme: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, të cilët në të njëjtën kohë përbëjnë edhe tërësinë unikate hyjnore !!! Që absurdi të ishte edhe më i madh, këta i mveshën Isait a.s. (Jesuit) atribute hyjnore, se ai gjoja qenkësh djalë i Zotit apo edhe vetë Zoti, i formësuar në njeri, që paskësh zbritur në këtë botë për t’u sakrifikuar për mëkatet e mbarë njerëzimit!!!

Grupi i tretë e këtij mozaiku të shëmtuar atëbotë, ishin idhujtarët (mushrikët) e Siujdhesës Arabike, të cilët së bashku me popujt e tjerë të atëhershëm, si persianët, indianët, kinezët e të tjerët, besonin në idhuj, në planete, në fenomene të ndryshme natyrore, në zjarr, në njerëz të cilët i kishin mitizuar dhe pastaj prej tyre kishin krijuar legjenda e më pas edhe i kishin hyjnizuar, si Buda, Brahma, Konfuçio etj.

Dhe, erdhi momenti i së vërtetës, erdhi drita që çau këtë errësirë shekullore, e cila kishte ngulfatur deri në skajshmëri arsyen e shëndoshë njerëzore. Zbriti Fjala e Allahut, që përundimisht të vinte në vend të vërtetën, të dallonte besimin e drejtë, në një Zot, nga ai i shtrembër, në shumë zota. Mu për këtë arsye thirrja e parë në Islam iu përkushtua mbëltimit dhe rrënjosjes së realitetit të Njëshmërisë së Allahut xh.sh. në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Kjo zaten ishte forma më e përsosour e cila besimin e drejtë e fuqizoi në shpirtin, mendjen dhe zemrën njerëzore.

Allahu xh.sh. i zhvleftësoi të githa besimet e kota e të gabueshme, kur zbriti fundamentet bazë të fesë islame dhe tregoi qartë, në shumë kaptina kuranore, sidomos në këtë sure, se Ai nuk ka shok në Njëshmërinë e Tij, nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur nga askush, dhe me Të askush nuk është i barabartë në sundim dhe as që është i ngjashëm me Të.

Allahu xh.sh. në fillim të kësaj sureje, në formë urdhri i drejtohet Muhammedit a.s. me fjalët: “Thuaj!” që t’ua bënte me dije idhujtarëve dhe pjesëtarëve të “Ehli Kitab-it” se Allahu nuk është ashtu siç e përshkruani ju, por është Një, i Vetëm dhe i Pashoq.

Ai ka atribute dhe cilësi me të cilat e ka cilësuar dhe përshkruar Veten, dhe këto atribute në terminologjinë islame quhen “Esmaul Husna”-“Emrat e bukur hyjnorë” - ose “Sifatullah”-“Cilësitë e Zotit”.

Kjo sure fillon me të përmendurit e emrit më të madh hyjnor “Allah”, i cili argumenton për Qenien më të Lartë Absolute dhe përfshin të gjithë emrat e tjerë të bukur, që përshkruajnë Madhështinë hyjnore dhe Lartmadhërinë e Krijuesit.

Emri i dytë i ndritur i Zotit në këtë sure, është emri hyjnor “El-Ehad”, i cili tregon Njëshmërinë e Allahut xh.sh., dhe është shumë më përfshirës sesa emri tjetër i përdorur në disa vende të tjera - “El-Vahid”, i cili po ashtu do të thotë –“Një”, sepse emri “Ehad” përmban elementet plotësuese të emrit “Vahid”- i cili simbolizon Njësinë Absolute…[26]

 

اللَّهُ الصَّمَدُ

2. Allahu është Ai, të Cilit krijesat i drejtohen (mbështeten) për nevojat e tyre.

Emri i bukur i Allahut “Es-Samed”, nënkupton Qenien Absolute, tek i Cili ka nevojë të drejtohet çdo krijesë. “Fjala “Es-Samed” do të thotë edhe zotëri, që nënkupton faktin se Allahu xh.sh. është Zotëria dhe i vetmi Sundues i Cili përmbush nevojat dhe kërkesat e krijesave. [27] Të gjithë janë të varur nga Ai, ndërkohë që Ai nuk është i varur prej askujt. Tek mëshira e Tij gjen strehim secili që i drejtohet. Atij i përulen dhe i janë nënshtruar ç’ka në qiej dhe në Tokë:

 Gjithçka ka në qiej e në Tokë i bën sexhde vetëm Allahut me dëshirë ose me dhunë, (i bëjnë sexhde) edhe hijet e tyre në mëngjes e mbrëmje(Err-Rra’d, 15).

Allahu xh.sh. është Absolut në sundim. Në dorën e Tij është çdo gjë. Ai merr e jep, shpërblen e ndëshkon, ngjall e vdes krijesat e Tij.

Ky ajet: “Allahu është Ai, të Cilit çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë”, është një përgjigje shumë e qartë nga ana e të Plotfuqishmit se kush vërtet është Zotëria i këtij Universi. Nuk ka idhull, krijesë njerëzore e as engjëllore që mund të pretendonte një gjë të tillë. Këto janë vetëm shpifje dhe fjalë të idhujtarëve, po edhe të “Ehli Kitab-ëve”, të cilët i bënë shok Allahut në hyjni. Tek Allahu nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësimi. Tek mëshira e Tij hyjnore mund të gjejë strehim dhe prehje shpirtërore secili që i drejtohet me përultësi e sinqeritet, që e pranon Atë për Zot dhe Krijues. A nuk thotë Allahu xh.sh. në shumë vende në Kur’anin famëlartë, që vetëm Atij t’i drejtohen lutjet, sepse vetëm Ai është që i pranon ato, si f.v. në ajetet:

 “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më binden Mua dhe le të më besojnë Mua”. (El-Bekare, 186);

pastaj:

 “Zoti juaj ka thënë:”Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…”  (Gafir, 60)

dhe:

Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje…” (El-Aë’raf, 55)

Në këtë mënyrë, Allahu xh.sh. mënjanon të gjitha ndërmjetësimet, vetëm e vetëm që lutja të drejtohet tek Ai që duhet, sepse vetëm Ai i di hallet e robërve të Vet dhe ka mundësi t’ua plotësojë nevojat e tyre.

Në një hadith të Resulullahut s.a.v.s. thuhet: “Nuk ka musliman që e lut Allahun, me kusht që në atë lutje të tij të mos ketë mëkat ose shkëputje farefisi, e që Allahu të mos i japë njërën prej këtyre tri gjërave: Ose t’i përgjigjet shpejt lutjes së tij, ose t’ia plotësojë atë lutje më vonë, ose t’i largojë nga ai ndonjë dëm të ngjashëm me atë që e ka goditur”.[28]

Ndërsa, nga praktika e Resulullahut s.a.v.s., i cili gjatë lutjeve të tij, me përultësinë më të madhe i drejtohej të Vetmit Strehimtar, i Cili dëgjon lutjet dhe përdëllimet, na është përcjellë kjo dua: “O Zoti im, më udhëzo në rrugën e drejtë, në të cilën i ke udhëzuar robët e Tu! Më fal mua siç i ke falur robët e Tu. Kujdesu për mua ashtu siç kujdesesh për të dashurit e Tu. Më beko në çdo gjë që më jep. Më ruaj nga të këqijat që më afrohen, sepse vetëm Ti përcakton gjithçka dhe askush nuk mund t’i përcaktojë veprimet e Tua, Ai që është nën mbrojtjen Tënde, nuk poshtërohet kurrë, i Madhëruar e i Lartësuar je vetëm Ti, o Zoti ynë”.[29]

. لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ

3. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.

Ky ajet është ndër ajetet më madhështore nëpërmjet të cilit Allahu xh.sh. zhvishet nga çdo mangësi, e në këtë rast nga një proces që është i veçantë vetëm për krijesat - lindja. Ky proces është karakteristik për njerëzit, exhinët dhe për gjallesat e tjera që jetojnë në Tokë. Mirëpo, Allahu ua bëri me dije tërë njerëzve se besimet që Ai mund të ishte baba i dikujt, siç pretendonin hebrenjtë dhe të krishterët kur thoshin se Uzejri dhe Isai a.s. janë djem të Zotit, apo siç pretendonin idhujtarët se melaiket janë bija të Zotit, janë vetëm shpifje e trillime, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me të vërtetën.

Ja se ç’thotë i Lartmadhërishmi në Kur’an:

 “Ai (Allahu) është që krijoi (pa kurrfarë shëmbëllimi) qiejt e Tokën ( e duke qenë i tillë), e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo send e krijoi Ai, dhe është më i dijshmi për të gjitha gjërat” (Enam, 101).

Nga kjo kuptohet se Allahu është vetë Shpikësi dhe Krijuesi i kësaj ekzistence. Ai është Absolut, i përhershëm pa fillim, dhe i përhershëm pa mbarim. As nuk ka lindur kush prej Tij dhe as nuk është i lindur. I lartësuar qoftë në madhërinë dhe shenjtërinë e Tij!

Se sa të shëmtuara ishin fjalët e atyre që i shpifën Allahut fëmijë e bashkëshorte, më së miri na e ilustrojnë këto ajete kuranore:

 “Ata edhe thanë: I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë! Ju (O pabesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar, sa gati u copëtuan qiejt e pëlciti Toka dhe sa nuk u shembën kodrat nga ajo (fjalë e shpifur). Për shkak se të Gjithëmëshirshmit i shpifën fëmijë. E të Gjithëmëshirshmit nuk i takon të ketë fëmijë. Nuk ka tjetër, vetëmse të gjithë, ç’ka në qiej e në Tokë, kanë për t’iu paraqitur Zotit si robë. Ai me diturinë e Tij i ka përfshirë të gjithë, dhe ka numëruar e evidencuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktë. Dhe në Ditën e Kiametit, secili prej tyre do t’i paraqitet Atij i vetmuar (i vetëm).” (Merjem, 88-95)

. وَلَمْ يَكُنْ لَهُ كُفُوًا أَحَدٌ

4. Dhe askush nuk është i barabartë me Atë.”

Allahut nuk i ngjet askush. Madhështisë së Tij nuk mund t’i afrohet askush. Çdo gjë në këtë ekzistencë u nënshtrohet ligjeve të Tij, me dëshirë ose jo, dhe në çdo proces të kësaj gjithësie, Vullneti i Tij realizohet, ashtu siç e ka planifikuar Ai. Ai nuk ka nevojë për bashkëshorte dhe as fëmijë.

Atij nuk i ngjet askush, sepse Vetë i Lartmadhërishmi në Kur’anin famëlartë thotë:

 “ Asnjë send nuk është si Ai…” (Esh-Shura, 11)

Prandaj, të gjithë ata që pandehën se ka më shumë se një Zot, ata kanë bërë shirk (politeizëm), me se kanë merituar hidhërimin dhe ndëshkimin e Allahut xh.sh.. Kjo zaten edhe është arsyeja që Allahu nuk e fal njeriun që i bën Atij shok, për se thotë:

 “S’ka dyshim se Allahu nuk e fal (mëkatin) t’i bëhet shok Atij, e përpos këtij (mëkati), i fal kujt të dojë. Kush i bën shok Allahut, ai ka trilluar (shpifur) një mëkat të madh” (En-Nisa’ë, 48)

Po të ishin dy a më shumë zota, sigurisht që do të ndesheshin interesat dhe vullnetet e tyre, dhe kjo botë do të shkatërrohej si rezultat i kapricieve të ndonjërit prj tyre. Këtë gjë na e shpjegon më së miri Vetë Allahu xh.sh., kur thotë:

 “Sikur të kishte në to (në qiej e në Tokë) zota pos Allahut, ato të dyja (Toka e qielli) do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë, është Allahu, Zot i Arshit”, (El-Enbija’ë, 22).

Pastaj:

 “Allahu nuk ka marrë për Vete kurrfarë fëmije (as nga engjëjt e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër) atëherë secili zot do të veçohej për atë që ka krijuar, dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin! I lartë, i pastër është Allahu nga ato që i shpifin.” (El-Mu’minun, 91)

Në koleksionin e Buhariut është i shënuar një hadith kudsi, të cilin e transmeton nga Ebu Hurejra r.a., ky nga i Dërguari a.s. e ky nga Allahu xh.sh. të ketë thënë: “Njeriu më ka përgënjeshtruar dhe më ka fyer, pa pasur të drejtë a ndonjë arsye. Përgënjeshtrimi i tij ndaj Meje është kur tha se Zoti nuk do të më rikrijojë ashtu siç më krijoi herën e parë, e pra krijimi i parë nuk është më i lehtë sesa rikrijimi (ringjallja), kurse fyerja e tij ndaj Meje është kur tha se Zoti ka fëmijë, kurse Unë jam i Vetëm, i panevojshëm për asgjë, nuk kam lindur kë, as nuk jam i lindur, dhe askush nuk më përngjet (nuk është i ngjashëm e as i barabartë me Mua).”[30]

 

Porosia e kësaj sureje:

- Kjo sure nga një këndvështrim i përgjithshëm, me meritë të plotë quhet surja “El-Ihlas”-“Surja e sinqeritetit”, sepse e zhvesh Allahun xh.sh. nga çdo mangësi ose përgjasim me krijesat.

- Allahu i Plotfuqishëm, me argumente të pakontestueshme, dëshmon se Ai është Një, i Vetëm dhe Absolut, i zhveshur nga çdo mangësi, e cila mund t’i mvishet. Kjo shihet nga ajeti i parë: “Thuaj: Ai, Allahu është Një!” - i cili bindshëm vërteton Njëshmërinë e Tij, dhe njëkohësisht mohon se Ai mund të ketë shok-rival në këtë Njëshmëri.

- Allahu është i Vetmi, për të Cilin ka nevojë çdo krijesë, përderisa Ai nuk ka nevojë për asnjë prej krijesave. Ai është i Domosdoshmi, në dorën dhe sundimin e të Cilit është çdo gjë. Këtë e vërteton ajeti i dytë: “Allahu është Ai, të Cilit krijesat i drejtohen (mbështeten) për nevojat e tyre”, - i cili në në njëjtën kohë mohon shpifjet se mund të ketë edhe një krijues tjetër përveç Tij.

- Allahu është i Përhershmi, pa fillim, dhe i Gjithëmonshmi, pa mbarim. Atij nuk i ka paraprirë mosekzistenca. Askush nuk ka lindur prej Tij dhe as nuk është i lindur prej dikujt. I lartësuar dhe i pastër është në madhërinë e Tij nga ajo që i shpifet. Këto premisa hyjnore i argumenton  ajeti i tretë: “As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.”, i cili në të njejtën kohë zhvleftëson shpifjet e çifutëve se Uzejri është “djalë” i Zotit, të krishterëve se Isai a.s. është “djalë" i Zotit ose edhe vetë “Zoti”, dhe të idhujtarëve se melaiket (engjëjt) janë “bija” të Zotit.

Se askush nuk mund të jetë i barabartë me Allahun në madhështi, meqenëse Ai është i vetmi Krijues, këtë na e dëshmon ajeti i katërt i kësaj sureje: “Dhe askush nuk është i barabartë me Atë”, i cili zhvleftëson shpifjet e idhujtarëve, të cilët duke adhuruar shumë idhuj, i ngritën ata në zota të barabartë me Zotin e Vërtetë, i Cili nuk ka të barabartë askënd në sundim dhe në krijim, nuk ka as fëmijë dhe as bashkëshorte.

- Dijetarët kanë konstatuar se kjo sure ka zbritur për ta pastruar Allahun nga çdo mangësi që i mveshën pabesimtarët Madhështisë së Tij, ashtu si surja “El-Kevther” kishte zbritur për hir të Resulullahut, për ta zhveshur atë nga mangësitë njerëzore, të cilat ia mveshnin idhujtarët. Përderisa në suren “El-Kevther” idhujtarët e shihnin si të metë-mangësi, që Pejgamberi a.s. nuk kishte fëmijë djem (sepse ata i vdisnin të vegjël), në këtë sure shohim se shpifja e ndonjë fëmije për Allahun, është e metë dhe mangësi.[31]


[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj - “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 434, Bejrut-Liban, 2001.

[2] Imam Shevkani “Fet’hu-l-kadir” vëll. V, fq. 521.

[3]  Fahruddin err-Rraziu, “Et-Tefsirul Kebiir”, vëll. 32, fq 167.

[4] Transmetojnë: Muslimi në kapitullin “Namazi i udhëtarëve” (1/556); Darimiu (508); dhe Nesaiu në kapitullin “Puna e një dite dhe një nate” (nr.701).

[5]Hadith “sahih”. E transmeton Muslimi (812)

[6] Transmton Buhariu në sahihun e tij (5015) dhe Muslimi në sahihun e tij (811).

[7] Ebu Bekr el Xhezairijj, “Ejseru-t-Tefasiir”, vëll V, fq. 628. Këtë hadith Buhariu e transmeton në “Kitabu-t-Tevhid”.

[8] Transmeton Buhariu në sahihun e tij (774, 7375) dhe Muslimi (813)

[9] Transmeton Tirmidhiu, ndërkohë që shejh Albani e konsideron si hadith të vërtetë (2323),

[10] E transmeton Buhariu  (5018) dhe autorët e suneneve. “Hadith “sahih”.

[11] Shejh Albani “Silsiletul ehadith es-sahiha” – 589; Shejh Albani e konsideron “sahih” edhe në “Sahihul Xhamiu” ( 6472); Transmeton Ahmedi 3/437 dhe Taberaniu në “El-Evsat” (283)

[12]Hadith “hasen”. E transmeton Taberaniu nw “El-Mu’xhemul Kebir” (18/331).

[13] Kitabul Xhamiu… fq. 326

[14] Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu (2897) Shejh Albani e konsideron si hadith të vërtetë (sahih)

[15] Transmtojnë nesaiu (1699), Ebu davudi (1423) në Sunenët e tyre; dhe shevkaniu në :”Tuhfetu-dh-dhakirin” (212). Po ashtum këtë hadith nga Ibn Abbasi e transmetojnë edhe Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu (462). Shejh Albani e konsideroh Hadith Sahih.

[16] Transmeton Muslimi (726).

[17]Hadith “sahih”. E trasmetojnw Imam Ahmedi (6/239); Ibn Maxhe (1150) dhe Ibn Hibbani (6/214).

[18] Transmetojnë Ahmedi (8/61) dhe Nesaiu (991).

[19] Transmeton imam Muslimi (1218).

[20] El-Kitabul Xhami’ë li fedailil Kur’an, fq. 302; Këtë transmetim e kanë përcjellë dhe shënuar si “Sahih”, Imam Ahmedi (1/89); Imam Tahaviu në Sherh meanil athar 1/290; Bezzari 3/82; dhe Ebu Ja’la 1/356. Në lidhje me këtë transmetim, Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij Telhisul habir 2/19, thotë se Isnadi i tij është “i mirë”-“hasen”.

[21]Imam Ahmedi nw “Musned” (5/312); Nesaiu (5428). Hadithi wshtw “hasen”.

[22]Suneni i Nesaiut (5430)

[23] Ibn Tejmije “Tefsir suretul Ihlas”, fq. 28. Kajro 1987.

[24] El-Vahidi en Nisaburi “Esbabun-n-Nuzul”, fq. 262-263. Ata që mendojnë se kjo sure ka zbritur në Medinë e marrin për bazë këtë hadith, por realiteti është se kur cifutët i kërkuan  Pejgamberit a.s. t’ua përshkruante Zotin e tij, ai ua lexoi këtë sure si argumentim, prandaj ndodh që sahabiu nga radhët e ensarëve që e ka përcjellë këtë transmetim, ka menduar se kjo sure ka zbritur në atë moment dhe për ata shkak. (Sqarim yni, S.B)

[25] Dr. Vehbete ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir”, vëll. XXX, fq. 461

[26] Sejjid Kutb, “Fi Dhilalil Kur’an”, vëll. VI, fq. 4002.

[27] El-Hafidh Ibn Kethir “Tefsirul Kur’anil Adhim”, vëll. IV, fq. 742. Ed-Dahijjetu-Kuvejt, 1998.

[28] Shevki Dajf “Suretu Rrahman ve suver kisar”, Kajro 1995

[29] Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu

[30] “El-Ehadith el Kudsijje”, vëll. 1, fq. 33,  Bejrut 1983; Këtë hadith kudsi e transmeton Buhariu në vëll. VI, fq. 160 - “Kitabu-t-Tefsir min suretul Ihlas”; Të njëjjtin hadith, me disa ndryshime në radhitje të fjalive, e transmeton edhe Nesaiu, po ashtu nga Ebu Hurejra, në Sunenin e tij, kapitulli “Ervahul mu’minin”, vëll 4. fq. 112.

[31] Fahruddin Err-Rraziu. “Et-Tefsirul Kebiir”, vëll. 32, fq. 185.

Sabri ef. Bajgora

Tanzil.net

Mp3quran.net

Sa janë online

Kemi 20 miq dhe s'ka antarë në linjë

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës